Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i ftuar në emisionin “Çim Peka Live”, deklaroi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut pas luftës së vitit 2001 kanë fituar disa të drejta të sanksionuara me kushtetutë dhe me ligj, ndërsa situata aktuale është më pozitive se në të kaluarën. Ai theksoi se tashmë në procedurë është ligji për përfaqësimin adekuat, i cili sipas tij, është një hap i rëndësishëm që nuk ka qenë në fuqi më parë.
Kasami theksoi se presioni që ndjejnë shqiptarët lidhet me numrat në Kuvend, ku partitë maqedonase kanë shumicën, ndërsa shqiptarët, megjithëse mund ta kundërshtojnë këtë shumicë, nuk e kanë bërë. Ai kritikoi BDI-në për fushatën e saj në zgjedhjet lokale, duke thënë se në vend të fokusimit në çështjet e përditshme si uji, kanalizimet, pastërtia publike dhe arsimi, ajo doli me një koncept etnik dhe nacionalist.
“Sot po shihet se qytetarët kërkojnë kandidat të mirë, programe të mira dhe zgjidhje të problemeve të tyre të përditshme, por kjo nuk ndodhi,” deklaroi Kasami.
Ai komentoi edhe kandidaturën e Bujar Osmanit për komunën e Çairit, duke e cilësuar atë si të papërshtatshëm për këtë zonë. “Bujar Osmani mund të jetë një ministër i Jashtëm i mirë apo një kandidat i denjë për president, por nuk është kandidat i mirë për Çairin, sepse nuk njeh problemet e përditshme të kësaj komune,” tha Kasami.
Më tej, ai nënvizoi se përçarja brenda komunitetit shqiptar është më e dukshme sesa ndarja ndër etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve, duke theksuar se “më shumë bëhet fjalë për luftë për pushtet sesa për dallime etnike”.
Kasami kujtoi edhe vitin 2017, kur sipas tij, nën patronazhin e kryeministrit Edi Rama, u mbajt në Tiranë një takim që synonte koordinimin e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se publikimi i atij takimi dhe marrëveshjes për bashkëpunim politik dëmtoi procesin. “Nga ai moment kur u publikua, marrëveshja u prish dhe asnjëherë nuk u jetësua,” u shpreh ai.
Kasami shtoi se ndërhyrjet nga Tirana nuk kanë ndihmuar realisht në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se prioritetet duhet të jenë politike konkrete dhe jo simbolike.
Kasami:
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut pas luftës së 2001-shit kanë disa të drejta të sanksionuara me kushtetutë dhe me ligj, dhe për këto të drejta nuk ka zhvillime negative, përkundrazi, ne kemi një situatë ku tashmë në procedurë kemi ligjin për përfaqësimin adekuat që nuk ka qenë deri më tani. Po ashtu kemi edhe disa zhvillime të tjera të cilat përmirësojnë gjendjen e shqiptarëve si komunitet atje.
Ajo që po ndjehet si presion i shqiptarëve ka të bëjë me numrat që janë në Kuvend, ku partitë maqedonase kanë shumicën në Kuvend, e shqiptarët edhe po të duan mund t’i majorizojnë shqiptarët, por në fakt kjo nuk ka ndodhur.
Në zgjedhjet lokale, kur duhet të flasim për tema lokale — për ujë, kanalizime, pastërti publike, shkolla e çerdhe — BDI doli me një koncept etnik, me një koncept nacionalist, ku po thirrej në një referendum për përfaqësimin e shqiptarëve, dhe kjo po i ndodhi. Pra, atë që e kërkoi e fitoi, dhe sot, duke mos përkuar me realitetin, sepse njerëzit për zgjedhjet lokale kërkojnë kandidat të mirë, kërkojnë program të mirë, kërkojnë zgjidhjen e halleve të përditshme të tyre, dhe kjo nuk ndodhi.
Ali Ahmeti, kini parasysh, në komunën kryesore në kryeqytet, në Shkup, nxori Bujar Osmanin. Bujar Osmani nuk e njeh Çairin. Bujar Osmani mund të jetë një ministër i Jashtëm i mirë, mund të jetë një udhëheqës i OSBE-ODIHR-it i mirë, mund të jetë një kandidat për president i mirë, por jo një kandidat i mirë për Çairin, sepse Çairi ka probleme thelbësore të përditshmërisë që Bujar Osmani nuk i di.
Unë vlerësoj se nuk është problem tek ndarja brenda etnike, që mund të jetë më e theksuar në dukje sesa ndarja ndër etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve; më shumë është lufta për pushtet.
Në vitin 2017 ne ishim në Shqipëri, nën patronazhin e kryeministrit Edi Rama, ku doli se nuk ishte vërtet një përkujdesje për të drejtat e shqiptarëve, sa ishte një përkujdesje që duhej të përkrahje një koncept konkret politik dhe jo shqiptarët si shqiptarë, sepse nga ai moment kur ky takim që ndodhi këtu në Tiranë nuk duhej publikuar, sepse publikimi i atij takimi dhe asaj marrëveshjeje që kishte të bënte me koordinimin e partive politike parlamentare shqiptare, nga ai moment kur u publikua, ajo marrëveshje u prish; asnjëherë nuk u jetësua.
Sa herë ka pasur ndërhyrje nga Tirana…