Tag: budos

  • Ndihmoi shqiptarët të rrëzonin komunizmin, ndahet nga jeta në Shqipëri ish-ambasadori gjerman Daum

    Ndihmoi shqiptarët të rrëzonin komunizmin, ndahet nga jeta në Shqipëri ish-ambasadori gjerman Daum

    Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum.
    Diplomati gjerman u gjet pa shenja jete në dhomën e hotelit ku ishte akomoduar dhe dyshohet se vdekja ishte për shkaqe natyrale.
    Ish-ambasadori Werner Daum mbërriti në Shqipëri pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos në Kavajë, ku ishte i pranishëm edhe Sali Berisha.
    Werner Daum mbajti edhe një fjalim në ceremoni ku shprehu gëzimin që ishte pjesë e ceremonisë përkujtimore në Kavajë.
    Ai falenderoi për mikpritjen, duke kujtuar se kur hapi ambasadën në 1987, fliste rrjedhshëm shqip, por duke kërkuar falje që tani se fliste mirë.
    “Ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe”, iu drejtua ai të pranishmëve.
    Fjala e plotë e ish-ambasadorit në ceremoni:
    Jam jashtëzakonisht i lumtur që ndodhem këtu, por ju kërkoj ndjesë që nuk flas më në gjuhën shqipe. Flisja shqip rrjedhshëm kur hapa ambasadën gjermane këtu në vitin 1987. Dhe gjuha juaj e bukur më ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe. Siç e dini, dhe më të rinjtë prej jush mund ta kenë dëgjuar, shqiptarëve atëherë nuk u lejohej të flisnin me të huajt. Por shqiptarët ishin të guximshëm, edhe nën shtypjen komuniste, dhe më afroheshin në rrugët e Tiranës, e edhe më shumë jashtë kryeqytetit. Më afroheshin kur udhëtoja nëpër këtë vend të bukur, në Durrës, në Shkodër, në Elbasan dhe në Kavajë.
    E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. I gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja.
    Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri.
    Josif Budo pagoi çmimin më të lartë për mendimin e tij, për dëshirën dhe për dashurinë ndaj vendit të tij. Sakrifica e tij ofroi atë që ishte e nevojshme për të nisur revolucionin, jo vetëm të 3,000 njerëzve që erdhën në ambasadën time atë kohë, por të të gjithë popullit shqiptar.
    Sakrifica e Josif Budos ishte një moment që jo vetëm më frymëzoi mua, por edhe ata 3,000 njerëz që ndodheshin në ambasadë, edhe pse shumica prej jush jeni shumë të rinj për t’i kujtuar, dhe vetëm keni dëgjuar për to. Por ju të gjithë e dini dhe do të përcillni më tej guximin dhe sakrificën e Josif Budos, i cili vërtet ndezi Shqipërinë e re, një Shqipëri të lirë, një Shqipëri me të ardhme për të gjithë qytetarët e saj.
    Duhet ta dini dhe ta përcillni sakrificën e Josif Budos, e cila nuk ishte vetëm një shkëndijë për Shqipërinë, por sakrifica e nevojshme për të krijuar një Shqipëri të re.
     

  • Kavaja nderon heroin antikomunist, përurohet shtatorja e Josif Budos, u vra nga regjimi në korrik 1990

    Kavaja nderon heroin antikomunist, përurohet shtatorja e Josif Budos, u vra nga regjimi në korrik 1990

    Partia Demokratike nderoi sot një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes antikomuniste në qytetin e Kavajës, Josif Budo, i cili u vra nga forcat sampiste në 10 korrikun e vitit 1990.

    Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Josif Budos, heroit të parë të lëvizjes antikomuniste në Shqipëri, kryetari i PD Sali Berisha vuri në dukje se sakrifica e të riut nga Kavaja u kthye në frymëzim për shqiptarët për tu ngritur kundër diktaturës komuniste.
    “Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste më 26 mars, i burrave dhe grave të pamposhtur, e priti me sakrificën e Josif Budos dhe trimërinë e burrave dhe grave të saj, diktaturën, falangat e saj të krimit. Qëndroi e pamposhtur dhe përcolli me dinjitet të madh, siç e meritonte, heroin e vet në banesën e fundit, në banesën e pavdekësisë”, tha Berisha.

    Kjo ceremoni riktheu në Shqipëri ambasadorin gjerman në Tiranë në vitet ‘90, njeriun që hapi dyert e ambasadës për 3200 shqiptarë në 2 korrikun e vitit 1990, Werner Daum.
    “E ndjeva, të paktën që në vitin 1988, se populli shqiptar nuk ishte më i gatshëm ta mbështeste regjimin. Nuk ishin vetëm individë. I gjithë populli i Shqipërisë, dhe sidomos të rinjtë, rinia, studentët, por edhe të rinjtë e zakonshëm, nuk donin më të jetonin nën shtypje. E dija që duhej vetëm një shkëndijë për të ndezur një revolucion. Dhe ajo shkëndijë erdhi pikërisht këtu, nga Kavaja. Nuk e kam njohur Josif Budon. Vetëm dëgjova në Tiranë se kishte një kryengritje në Kavajë, se të paktën një person ishte vrarë nga Sigurimi. Por kjo ishte shkëndija që ndezi jo vetëm një rebelim, por revolucionin për liri”, tha ish-ambasadori i Gjermanisë, Werner Daum.
    Ish-ambasadori gjerman Ëerner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari Fisnik Qosja, për mbështetjen që u dha shqiptarëve në momentet historike të vitit 1990./vizionplus.tv

  • SYRI TV/ Kavajë, përurohet shtatorja e Josif Budos, Berisha: Budo do na frymëzojë për të rikthyer shpresën

    SYRI TV/ Kavajë, përurohet shtatorja e Josif Budos, Berisha: Budo do na frymëzojë për të rikthyer shpresën

    Bashkia e Kavajës ka vendosur në qendër të qytetit shtatoren e Josif Budos, i cili më 10 korrik 1990 u vra nga forcat sampiste, duke u bërë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri.

    Gjatë ceremonisë së inaugurimit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se sakrifica sublime e Josif Budos duhet të shërbejë si frymëzim për të rikthyer shpresën në vend, ndërsa ish-ambasadori gjerman, Werner Daum, theksoi se sakrifica e Josif Budos ishte për krijimin e një Shqipërie të re.

    Në këtë ceremoni morën pjesë ish-ambasadori gjerman Werner Daum, lideri i opozitës Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Fisnik Qosja, si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike. Familjarët e Josif Budos deklaruan se sot Kavaja kërkon largimin e një tjetër regjimi, të ndërtuar nga qeveria socialiste.

    Pas daljes nga burgu, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji deklaroi se burgosja politike është një realitet në diktaturën e re, dhe u shpreh se Budo ishte zëri i ndërgjegjes së kombit.

    Edhe kreu i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, vlerësoi figurën e Josif Budos, të njohur si heroi i parë i demokracisë në Shqipëri.

    Gjatë vizitës në Bashkinë e Kavajës, ish-ambasadori gjerman Werner Daum u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga kryetari Fisnik Qosja, për kontributin e tij në momentet historike të vitit 1990.

     

  • Nderohet Josif Budo në Kavajë/ Berisha e shfrytëzon për mesazh politik: Rama burgos kundërshtarët

    Nderohet Josif Budo në Kavajë/ Berisha e shfrytëzon për mesazh politik: Rama burgos kundërshtarët

    Të mërkurën në Kavajë u inaugurua shtatorja e Josif Budos, me rastin e 35-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Parë të Demokracisë.
    Kryetari i PD vlerësoi lart sakrificën e Budos duke e cilësuar si një akt që frymëzoi mbarë shqiptarët drejt lirisë.
    Berisha u shpreh se dëshmori Josif Budo do të jetë frymëzim në betejën për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe rikthimin e besimit tek shqiptarët.
    “Gjaku dhe sakrifica sublime e Josif Budos u shndërruan në dritë dhe frymëzim për mbarë shqiptarët. Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste, e priti diktaturën me trimëri dhe qëndroi e pamposhtur,” deklaroi Berisha. Sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budon dhe sakrificën e tij me një betim solemn se nuk do të pajtohemi kurrë me këtë regjim. Josif Budo do të na frymëzojë në përpjekjen për të rikthyer dinjitetin, shpresën dhe besimin e shqiptarëve,” tha Berisha.
    Në fjalën e tij, Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një “diktator modern” që po largon të rinjtë dhe po shkatërron kombin.
    “Kombi është i rrëzuar përdhe. Sot jemi dëshmitarë të një politike spastrimi etnik që tejkalon precedentët historikë,” shtoi ai.
    Berisha përmendi edhe burgosjen e Ervin Salianjit, duke e konsideruar atë si viktimë të përpjekjeve për të mbrojtur kryeministrin Rama dhe Fatmir Xhafën ndaj akuzave.
    “Çfarë mund t’i bëjë një armik më shumë një kombi se sa ai që burgos kundërshtarët e tij? Ervin Salianji u dënua vetëm sepse denoncoi mbrojtjen që i bëhej Geron Xhafës për trafikun e Vlorës,” tha Berisha.
    Në fjalimin e tij, Berisha foli edhe për arrestimin dhe burgosjen e aleatit të tij Ilir Meta, duke e krahasuar me rastin e poetit Havzi Nela.
    “A ka ndonjë dallim mes varjes në litar të Havzi Nelës në vitin 1988 dhe trajtimit brutal të kundërshtarëve politikë në ditët e sotme? Ndërsa ai vdiq, edhe ky terrorizon një popull të tërë,” theksoi Berisha.
    Kujtojmë që më 10 korrik 1990, në Kavajë u vra nga forcat sampiste, Josif Budo, duke u bërë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri në fillim të viteve ’90.
    Ky krim e nxiti dhe më shumë protestën e kavajasve ndaj regjimit në pushtet dhe në qytet zbarkuan tankse dhe forca të shumta për të ruajtur rendin. Sofika Cara, dëshmitare okulare e ngjarjeve, sjell zhvillimet e atyre ditëve tronditëse.