Tag: brodi

  • Milan Kundera: Testamenti i Franz Kafkës…

    Milan Kundera: Testamenti i Franz Kafkës…

    Milan Kundera

    Testamenti i Kafkës: jo testament në kuptimin e saktë juridik: në të vërtetë dy letra private. Zaten as letra të njëmendta, ngase asnjëherë nuk janë postuar;

    Brodi, zbatuesi i testamentit të Kafkës, i ka gjetur pas vdekjes së mikut. Më 1924, në një sirtar, së bashku me një kalupi letrash të tjera. Njëra, me bojë, përthyer me adresën e Brodit, tjetra, më e detajuar, shkruar me laps. Në pasthënien e botimit të parë të Procesi Brodi shkoqit:“…në 1921 i thashë mikut tim se kisha bërë një testament në të cilin e lutja të asgjësonte disa gjëra (dieses und jenes vernichten), të shihte të tjerat, etj.Aty, duke më dëftuar pusullën e shkruar me bojë, që më vonë ia gjetën në zyrë, Kafka më tha: “Testamenti im do të jetë fare i thjeshtë: të lutem t’i djegësh të gjitha.” Më ndërmendet me saktësi përgjigjja që i dhashë”. “Të lajmëroj qysh më parë se nuk do ta bëj.”

    Përmes ndërmendjes së këtij kujtimi, Brodi justifikon mosbindjen ndaj gjakimit testamentar të mikut;Kafka, vazhdon ai, “e dinte nderimin fanatik që kisha për akëcilën nga fjalët e tij”; pra e dinte hak fare se nuk do t’i bindej. Dhe “do të detyrohej të zgjidhte një tjetër zbatues të testamentit, nëse udhëzimet e tij. Do të ishin të një lloj serioziteti të prerë dhe pa kushte. Po a është kaq i sigurt? Në testamentin e vet Brodi i kërkon Kafkës “të asgjësojë disa gjëra”. Përse Kafkës të mos i dukej normale t’i kërkonte të njëjtin shërbim Brodit?Dhe nëse Kafka e dinte përnjëmend se s’do t’i bindej, përse i duhej të shkruante një letër të dytë me laps. Të mëvonshme, për bisedën e tyre më 1921, ku shtëllit dhe saktëson përdorimin e tij? Ecim më tej: nuk do ta dimë kurrë atë që të dy miqtë kanë thënë për këtë temë, e cila, veç të tjerave. Nuk ishte nga më urgjentet, duke e parë që asnjeri sosh. Dhe veçanërisht Kafka, nuk mund të gjykohej asokohe si i rrezikuar nga pavdekësia.Shpesh thuhet: nëse Kafka shestonte me të vërtetë ta shkatërronte atë që kishte shkruar, do ta shkatërronte vetë. Po si është puna, atëherë?

    Letrat ishin në zotërimin e korrespodentëve të tij. (Vetë nuk ka ruajtur asnjë nga letrat që kishte marrë). Sa për ditarët , është e vërtetë, po të kishte mundur do t’i digjte. Por ishin ditarët e punës ( më së shumti fletore, sesa ditarë), të cilët i vlenin për sa kohë shkruante dhe ai shkroi gjer në ditët e mbrame. E njëjta gjë mund të thuhet për prozat e pambaruara. Lëngatërisht të papërfunduara, ato ishin aty gjer në gjasën e vdekjes, gjatë jetës mund t’iu rikthehej gjithmonë. Zaten edhe një novelë që mund të shëmbëllejë e dështuar. Nuk është e padobishme për një shkrimtar, sepse mund t’i shërbejë si material për një novelë tjetër.Shkrimtari nuk ka asnjë arsye të shkatërrojë atë që ka shkruar, për aq sa nuk është duke vdekur. Por, teksa ishte duke vdekur, Kafka nuk gjendej në shtëpi, por në sanatorium, dhe s’mund të shkatërronte asgjë, kësisoj mund të llogariste ndihmën e një miku. Dhe, duke mos pasur shumë miq, duke mos pasur tevona veçse një, ai llogariti atë.Thuhet gjithashtu: orvatja për të shkatërruar veprën e vet, është një gjest patologjik. Në këtë rast, mosbindja ndaj dëshirës së Kafkës shkatërrimtar, bëhet besnikëri ndaj Kafkës, tjetër, krijuesit. Këtu, përçikim gënjeshtrën më të madhe të legjendës që qerthullon testamentin e tij: Kafka nuk donte ta shkatërronte veprën e tij. Në letrën e dytë shprehet me një saktësi të qashtër: “Nga gjithçka që kam shkruar, të vlefshëm (gelten) janë vetëm librat: Vendimi, Shoferi, Metamorfoza, Kolonia ndëshkimore, Një mjek fshati dhe një novelë: Një kampion i agjërimit. (Disa kopje të Meditime mund të mbeten, nuk dua të mundoj askënd duke i çuar për karton, por nuk duhet të rishtypet asgjë prej tyre)”Pra, Kafka jo vetëm që nuk e mohon veprën, por bën dhe një bilanc të saj (duke u rrekur të ndajë atë që duhet shtypur (atë që mund të rishtypet), nga ajo që nuk i përgjigjet kërkesave të tij. Një trishtueshmëri, një rrefkësi, por asnjë marrëzi, asnjë verbëri dëshpërimi në gjykimet e tij: i duken të vlertë, të gjithë librat e shtypur, me përjashtim të të parit, Meditime, duke e vlerësuar, sipas gjasave, të papjekur (do të ishte e vështirë të thoje të kundërtën). Shkagimi nuk i përket automatikisht gjithçkaje që s’ishte botuar. Sepse përmes veprave “të vlefshme” radhit edhe novelën “Një kampion i agjërimit, e cila, në çastin kur e shkroi letrën, nuk ekzistonte veçse në dorëshkrim. Më vonë, do të shtonte aty edhe tri novela të tjera (Vuajtja e parë, Një femër e vogël, Jozefinë këngëtarja) me të cilat formohej një libër; janë provat e këtij libri që i korrigjoi në sanatorium, mbi shtratin e vdekjes. Provë pothuajse patetike që dëfton se Kafkën nuk e lidh asgjë me legjendën e autorit që shestonte të shkatërronte veprën e vet.Kësodore dëshira për të shkatërruar i përket vetëm dy kategorive shkrimesh, të përcaktuar fare qashtër:në radhë të parë, me një këmbëngulje të tjetërfartë: shkrimeve intime.Letrave, ditarëve; në radhë të dytë: novelave dhe romaneve që, sipas tij, nuk ia ka dalë mbanë t’i realizojë mirë.*Shkëputur nga libri i Milan Kunderës: “Testamentet e tradhtuara”Përktheu: Balil Gjini

    Përgatiti: ObserverKult

    Lexo edhe:

    EDMOND TUPJA: SHQIPJA NJË NGA 3 GJUHËT MË TË VJETRA NË BOTË, RREZIKON ZHDUKJEN SI LATINISHTJA E GREQISHTJA E VJETËR

  • Milan Kundera: Çka është kafkologjia dhe kush e krijoi?

    Milan Kundera: Çka është kafkologjia dhe kush e krijoi?

    Milan Kundera

    Nga Milan Kundera

    Imazhin e Kafkës dhe të veprës së tij e ka krijuar Maks Brodi; në të njëjtën kohë ka krijuar kafkologjinë.Madje, edhe nëse kafkologët do të rreken të largohen nga babai i tyre, nuk do të dalin dot kurrë prej sinoreve që iu ka përcaktuar ai. Me gjithë sasinë astronomike të teksteve, kafkologjia zhvillohet, me lloje të pafundmë, me diskurse të njëjtë, me spekulime të njëjta që, të pavarur gjithnjë e më shumë nga vepra e Kafkës, nuk ushqehen veçse prej saj. Përmes parathëniesh të panumërta, pasthëniesh, shënimesh, biografish dhe monografish, konferencash ndërkombëtare dhe tezash të ndryshme, ajo prodhon dhe ushqen imazhin e Kafkës, anipse autori që publiku njeh nën emrin e Kafkës nuk është më Kafka, por Kafka i kafkologjizuar.

    Gjithçka që shkruhet për Kafkën nuk është medoemos kafkologji. Si përcaktohet, pra, kafkologjia?

    Përmes një tautologjie: kafkologjia është diskursi i përcaktuar për të kafkologjizuar Kafkën. Për ta zëvëndësuar Kafkën me Kafkën e kafkologjizuar:1) Kafkologjia, ashtu si Brodi, i shqyrton librat e Kafkës jo në kontekstin e madh të historisë letrare (të historisë së romanit evropian), por pothuajse vetëm në mikrokontekstin biografik. Në monografinë e tyre, Boisdeffre dhe Albérés shpallin se Prusti i hidhte poshtë shpjegimet biografike të artit, ama vetëm për të thënë se Kafka kërkon një përjashtim nga rregulli, librat e tij “nuk mund të shkëputen prej personit të tij. Edhe në u quajtëshin Jozef K., Rohan, Zamza, Gjeometër, Bendemann, Jozefinë këngëtarja, Agjërues, apo makar qoftë Trapezist, heronjtë e librave të tij nuk janë veçse vetë Kafka.” Biografia është çelësi kryesor për të shkoqitur kuptimin e veprës. Më zi akom: i vetmi kuptim i veprës është të jetë një çelës për të shkoqitur biografinë.

    2) Nën penën e kafkologëve, ashtu si edhe tek Brodi, biografia e Kafkës bëhet hagjiografi; emfaza e paharrueshme me të cilën Roman Karsti ka mbyllur fjalimin e tij në simpoziumin e Liblice-ës, në vitin 1963: “Franz Kafka ka jetuar dhe vuajtur për ne!”Lloje të ndryshme hagjiografish: fetare; laike: Kafka, martir i vetmisë së vet; majtiste: Kafka që vizitonte “vazhdimisht” mbledhjet e anarkistëve dhe ishte “shumë i vëmendshëm ndaj revolucionit të 1917” (sipas një dëshmie mitomaniake, vazhdimisht të cituar, asnjëherë të vërtetuar). Në çdo kishë apokrifët e tij:Bisedat e Gustav Janouch-it. Tek çdo shenjt, një isharet sakrifikues: vullneti i Kafkës për të shkatërruar veprën e vet.

    3) Kafkologjia, ashtu si dhe Brodi, i ka larë duart me Kafkën në fushën e estetikës: herë duke folur për “mendimtarin fetar”, herë për majtistin, herë për kundërshtuesin e artit, “biblioteka ideale e të cilit nuk do të përfshinte veçse libra inxhinierësh, makinistësh dhe juristësh fakteparashtrues” (libri i Deleuze-it dhe Guattari-it). Ajo kundron pa u lodhur marrëdhëniet e veta me Kierkegardin, me Niçen, me teologët, por i bën hasha romancierët dhe poetët. Zaten vetë Kamyja, në esenë e vet, nuk flet për Kafkën si një romancier, por si një filozof. Shkrimet private dhe romanet e tij ajo i trajton në të njëjtën mënyrë, duke pëlqyer përveçmërisht të parat. Për voli po marr esenë e Garaudy-së për Kafkën, gjer asokohe marksist: 54 herë janë cituar letrat e Kafkës, 45 herë ditari i Kafkës, 35 herë Bisedat e Janouch-it, 20 herë tregimet, 5 herë Procesi, 4 herë Kështjella, asnjëherë Amerika.

    4) Ashtu si Brodi, Kafkologjia e mohon ekzistencën e artit modern; sikur Kafka të mos i përkiste breznisë së novatorëve të mëdhenj; Stravinskit, Webern-it, Bartókut, Apollinaire-it, Musilit, Xhojsit, Pikasos, Braque-ut, që të gjithë, si ai, të lindur midis viteve 1880 dhe 1883. Në vitet pesëdhjetë, kur u përhap ideja e përafërsisë së Kafkës me Beketin, Brodi kundërshtoi njëhopshëm: Shën Garta nuk ka asgjë të përbashkët me këtë dekadent!

    5) Kafkologjia nuk është një shkencë letrare (ajo nuk shqyrton vlerën e veprës: të zbulojë pamje gjer atëherë të panjohura të ekzistencës të fshehura në vepër, sisteme të reja estetike përmes të cilave i është kthyer drejtimi evolucionit të artit, etj); kafkologjia është një ekzegjezë. Si e tillë ajo nuk di të përshquajë gjë tjetër në veprat e Kafkës përveçse alegoritë. Ato janë fetare (Brodi: Kështjella=Mëshira e Zotit; gjeometri= Parsifali i ri në kërkim  të hyjnores; etj, etj); ato janë psikaanalitike, ekzistencialiste, markiste (gjeometri =simbol i revolucionit, ngase ndërmerr një shpërndarje të re të Tokës), politike (Procesi i Orson Welles-it); në romanet e Kafkës nuk kërkohet bota reale e tjetërsuar përmes një imagjinate të pataksshme; ajo çkodon mesazhe fetare, ajo deshifron parabola filozofike.

    *Shkëputur nga: “Testamentet e tradhtuara”

    Përktheu: Balil Gjini

    Përgatiti: ObserverKult

    Lexo edhe:

    FRANZ KAFKA: NUK ËSHTË MË DIMËR… KËSHTU DUA TË MBAROJË ÇDO DITË E IMJA