Tag: britanik

  • Historia e trazuar e flamurit britanik

    Historia e trazuar e flamurit britanik

    Nga: Neil Armstrong / BBCPërkthimi: Telegrafi.com

    Megjithëse është disa shekuj i vjetër, flamuri i Unionit [britanik] – i njohur zakonisht si “Union Jack” – që përfaqëson bashkimin e Anglisë, Skocisë dhe Irlandës, rrallëherë mungon këto kohë në lajmet e Mbretërisë së Bashkuar. Më parë ky flamur gjendej kryesisht i valëvitur në shtyllat e ndërtesave zyrtare, por tani varet nga dritaret e shtëpive të njerëzve dhe shfaqet i varur në ura autostradash dhe në hapësira të tjera publike.

    Kuptimi dhe simbolika e tij janë në qendër të debateve që shpesh shkaktojnë më shumë konfuzion sesa qartësi. A është shfaqja gjithnjë e më e përhapur publike e flamurit britanik – dhe e flamurit të Shën Gjergjit – një shprehje patriotizmi apo provokim? Debati vazhdon, por ajo që është e qartë është se flamuri i Unionit përfaqëson gjëra shumë të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe kontekste të ndryshme. Për disa, është thjesht një simbol i Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa për disa të tjerë është emblemë e Perandorisë 0 ose ka konotacione shqetësuese për shkak të përvetësimit të tij nga e djathta ekstreme.

     Flamuri përbëhet nga tri elemente – kryqet e Shën Gjergjit [Angli], Shën Ndreut [Skoci] dhe Shën Patrikut [Irlandë]Burimi: Getty Images

    Profesori Nick Groom është historian i kulturës dhe libri i tij Union Xhek: Historia e flamurit britanik [The Union Jack: The Story of the British Flag] ndjek historinë e këtij flamuri. Ai i tha BBC-së: “Në vitet ’70 të shekullit XX, kishim [partinë nacionaliste të ekstremit të djathtë] Frontin Kombëtar [Natioinal Front – NF] që përpiqej ta përvetësonte flamurin e Unionit, por gjithashtu kishim Tim Brooke-Taylorin nga grupi komik ‘The Goodies’ që vishte jelekë me të. Kishim jubileun e argjendtë të Mbretëreshës dhe gjithashtu pankerë që e copëtonin flamurin dhe e kthenin në artikull mode”.
    “Ka shpërthime periodike të valëvitjes së flamurit dhe shfaqjes së tij, disa të mbështetura nga qeveria, siç ndodhi në vitin 2007 kur Gordon Brown u bë kryeministër dhe në deklaratën e tij të parë në Parlament rekomandoi që ndërtesat qeveritare të valëvisnin flamurin e Unionit çdo ditë, për të nxitur një ndjenjë të identitetit britanik”.

    “Mendoj se u takon të gjithëve të mos lejojnë që ekstremistët politikë të përcaktojnë axhendën”, thotë profesori Groom. “Nëse ata përpiqen ta vendosin, ti e rikthen atë. Ky është një flamur për gjithëpërfshirje dhe diversitet. Flamuri i Unionit është pothuajse si një histori ose hartë e këtyre ishujve. Çdo element ka pasur nevojë të bëjë një kompromis për t’u përshtatur me të tjerët dhe ka një histori shumë të gjatë dhe të larmishme”.

    Ka tre përbërës në flamur. Kryqi i kuq i Shën Gjergjit mbi një sfond të bardhë është simboli i Anglisë. Kryqi diagonal i Shën Ndreut mbi një fushë të kaltër është emblema e Skocisë. Kryqi diagonal i kuq i Irlandës i Shën Patrikut mbi një sfond të bardhë është elementi i tretë.
    Kur James VI i Skocisë trashëgoi fronin e Anglisë në vitin 1603 si James I, u krijua një bashkim i kurorave, duke bashkuar dy mbretëri nën një monark, por duke i lënë ato të ndara në aspektin kushtetues. Anijet detare britanike kërkohej të valëvitnin si kryqin e kuq të Shën Gjergjit, ashtu edhe flamurin e Shën Ndreut. Megjithatë, dy flamuj të valëvitur nga e njëjta shtyllë nënkuptonin se kishte ndodhur një përballje ushtarake, me flamurin e fituesit që valëvitej mbi atë të të mundurit (sipas disa interpretimeve, praktika e uljes së flamurit në gjysmë-shtyllë do të thotë se flamuri i padukshëm i vdekjes ndodhet mbi të). Anijet angleze e vendosnin kryqin e Shën Gjergjit më sipër, ndërsa ato skoceze kryqin e Shën Ndreut.

     Flamujt e Unionit rreshtoheshin në rrugë gjatë jubileut të platinit të Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022Burimi: Alamy

    Kjo ishte larg frymës së bashkimit që mbreti dëshironte të inkurajonte, ndaj e ngarkoi lordin e Notingemit që të shqyrtonte se si mund të përfshiheshin të dy flamujt në një të vetëm. Konti – i cili ishte gjithashtu lord-admiral i Marinës – favorizoi një dizajn me kryqin e Shën Gjergjit përkrah kryqit të Shën Ndreut. Megjithatë, sipas protokolleve të heraldikës, flamuri që qëndronte më afër shtyllës së flamurit ishte superior, kështu që ky dizajn nuk zgjodhi asgjë.
    Në vitin 1606, u miratua një kompromis i zgjuar. Kryqi i Shën Gjergjit do të vendosej mbi kryqin e Shën Ndreut, por “kantoni” – pjesa e sipërme e flamurit më afër shtyllës, dhe sipas heraldikës sektori më i rëndësishëm – do të dominohej nga ngjyrat e Shën Ndreut. Asnjë shenjë nuk kishte epërsi. Flamuri i ri i Unionit do të valëvitej nga të gjitha anijet tregtare dhe mbretërore. Kishte ende skocezë dhe anglezë të pakënaqur, që ndiheshin të kërcënuar në identitetin e tyre dhe pati ndryshime në dizajn, por në thelb ky u bë themeli i flamurit të Unionit.

    Kur u miratua Akti i Bashkimit me Irlandën në vitin 1801, flamurit iu shtua kryqi i kuq i Shën Patrikut, i vendosur brenda kryqit të Shën Ndreut. Siç shpjegon historiani Graham Stewart, në librin e tij Britania: 100 dokumentet që formësuan një komb [Britannia: 100 Documents that Shaped a Nation]: “Për të mos e fshirë plotësisht flamurin skocez, pjesa irlandeze u bë më e hollë dhe gjithashtu u ‘ngarkua në mënyrë të kundërt’ – u përmbys në secilën gjysmë në mënyrë që të jetë më poshtë në gjysmën më afër shtyllës së flamurit (duke ia dhënë përparësinë hierarkike Skocisë), por më lart në gjysmën më larg saj”.
    Stewart vazhdon: “Kjo ishte një tjetër mënyrë për të zbutur ndjeshmëritë kombëtare duke siguruar që përparësia e dhënë flamurit irlandez – sepse qëndron mbi atë skocez – të balancohej nga përparësia që ka flamuri skocez në gjysmën më prestigjioze të dizajnit”.
    Flamuri u valëvit për herë të parë më 1 janar 1801, kur u krijua Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Që nga Traktati anglo-irlandez i vitit 1921, e kuqja përfaqëson Irlandën e Veriut.

    Pse nuk përfshihet Uellsi, vendi tjetër që përbën Britaninë (Anglia, Skocia dhe Uellsi) dhe Mbretërinë e Bashkuar (Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut)? Sepse në vitin 1283, Edward I i pushtoi uellsianët rebelë. Për të nënvizuar epërsinë e tij, Edwardi e bëri të birin princ të Uellsit. Si një principatë, jo mbretëri, Uellsi konsiderohet se përfaqësohet nga kryqi i Shën Gjergjit.
    Në Parlamentin britanik, në vitin 1908 u shpall se “flamuri i Unionit duhet të konsiderohet si flamur kombëtar”. Bashkë me flamurin me yje dhe shirita të Shteteve të Bashkuara, flamuri britanik konsiderohet ndoshta flamuri më i njohur në botë. “Mendoj se, në aspektin e jetëgjatësisë, ndikimit dhe përfaqësimit në fusha të ndryshme, flamuri i Unionit është absolutisht ikonik”, thotë Nick Groom. Ai thekson se flamuri është lehtësisht i dallueshëm edhe kur shihet vetëm një pjesë e vogël e tij, ose kur paraqitet në ngjyra të ndryshme apo bardhë e zi.
    Megjithëse fillimisht ishte një flamur mbretëror, flamuri i Unionit gradualisht u bë simboli i Britanisë dhe më pas i Mbretërisë së Bashkuar. Dhe, ndërsa Britania u rrit si një fuqi koloniale dhe perandoria e saj u përhap, flamuri i Unionit – që dikur valëvitej mbi rreth një të katërtën e popullsisë dhe sipërfaqes tokësore të botës – u bë sinonim për nënshtrim dhe shfrytëzim për popujt e territoreve perandorake që dëshironin pavarësi. Për shumëkënd, ky flamur ende bart konotacione të kolonializmit si dhe një lidhje shqetësuese për rolin e Britanisë në tregtinë transatlantike të skllevërve.

     Kryevepra e J.M.W. Turnerit, “Beteja e Trafalgarit, 21 tetor 1805” (1822-24) është interpretuar në mënyra të ndryshmeBurimi: Alamy
    Gjatë shekujve, flamuri ka qenë motiv i përsëritur në art dhe shumë nga shembujt më të hershëm janë përshkrime ushtarake dhe detare, si Vdekja e majorit Peirson (1782-84) nga John Singleton Copley. Duke festuar fitoren britanike kundër një pushtimi francez në ishullin Xhersi, në një kohë kur Perandoria Britanike po përballej me sfida, piktura shërbente për qëllime propagandistike, duke rritur besimin në Perandorinë Britanike pas humbjes së kolonive amerikane dhe duke lavdëruar fuqinë perandorake britanike.
    Në pikturën e Turnerit, Beteja e Trafalgarit (1805), syri tërhiqet nga një flamur i Unionit vetëm pjesërisht i dukshëm, por padiskutueshëm në plan të parë në të majtë. Edhe kjo pikturë është parë si një deklaratë e fuqishme nacionaliste, duke shënuar epërsinë detare të Britanisë dhe rolin e saj si fuqi globale pas betejës. Por, gjithashtu është interpretuar se është kundër luftës dhe kundër perandorisë, me kritikun e artit Jonathan Jones që përqendrohet te përshkrimi “problematik” i vuajtjes njerëzore në qendër të saj, me “një flamur gjigant britanik që noton, si qefin, mbi ujërat e trazuara”.

    Në vitet më të fundit, flamuri i Unionit ka marrë një kuptim tjetër për disa qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar. Autorja dhe kritikja Arifa Akbar i tha BBC-së: “Kam lindur në Londër, por si dikush me prejardhje pakistaneze, kujtimet e mia të para dhe formuese të fëmijërisë për këtë flamur lidhen ngushtë me Frontin Kombëtar dhe frikën shumë reale nga dhuna apo sulmi që përjetonin njerëzit që dukeshin si unë në Britaninë e viteve 1970-’80. NF-ja e përvetësoi flamurin britanik për qëllimet e veta dhe i dha atij ndërlidhje neveritëse me racizmin e dhunshëm”.

     Në vitet 1970, partia politike ekstremiste Fronti Kombëtar e adoptoi flamurin e Unionit si emblemëBurimi: Getty Images
    Vitet ‘90 të shekullit XX u karakterizuan nga një valë e fuqishme në muzikën, modën dhe artin britanik, që përkoi me ardhjen në pushtet të qeverisë së Laburistëve të Rinj [New Labour, fitorja e Tony Blairit] në vitin 1997. Kjo u quajt epoka e Cool Britannia [Britania atraktive!], një shprehje që luante me titullin e këngës patriotike. Rule, Britannia [Sundo, Britani]. Flamuri i Unionit në atë kohë u bë simbol i kësaj pamjeje të re, optimiste, të Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare.

    Akbar thotë: “Ndodhi një ndryshim në marrëdhënien time me flamurin me shfaqjen e Laburistëve të Rinj dhe të Cool Britannia. Kujtoje veshjen prej flamuri të grupit Spice Girls [veshur nga Geri Halliwell në çmimet Brit më 1997]? Nuk ndihesha më aq në siklet rreth tij. Dukej sikur ishte zhveshur nga elementët e tij agresivë dhe racistë dhe përfaqësonte një patriotizëm më tolerant, më pak armiqësor. Kujtoj edhe disa miq – njerëz me ngjyrë – që ndiheshin më rehat duke valëvitur flamurin e Unionit. Nuk mendoj se flamuri britanik është vetëm sinonim i kolonializmit apo i historisë perandorake. Flamuri i një kombi ka shumë kuptime të ndryshme, jo vetëm një, dhe ato mund të ndryshojnë me kohën”.
    Emblema është shfaqur në vepra arti nga artistë të ndryshëm, përfshirë pop-artistin britanik Peter Blake dhe fituesin e çmimit “Turner”, piktorin Chris Ofili, vepra e të cilit Union Black e rimendon flamurin në ngjyrat panafrikane: të kuqe, të zezë dhe të gjelbër.

     Flamuri u përdor në veprën artistike të Jamie Reidit për këngën kundër monarkisë të grupit Sex Pistols, God Save the Queen, në vitin 1977Burimi: Getty Images

    Banksy e ka përdorur flamurin në muralet e tij satirike, dhe në vitin 2019, kur Stormzy u bë artisti i parë britanik me ngjyrë që kryesonte në skenën kryesore të festivalit “Glastonbury”, ai u ngjit në skenë i veshur me një jelek antiplumb të krijuar nga Banksy – me flamurin e Unionit pothuajse njëngjyrësh të stampuar mbi të. Ishte një koment mbi padrejtësinë shoqërore, racizmin dhe krimet me thikë në Mbretërinë e Bashkuar. Mund të ketë shërbyer gjithashtu si një përgjigje me stil ndaj parullës raciste të viteve ’70 të shekullit XX: “Nuk ka të zezë në flamurin britanik” – frazë e cila në vitin 1987 u bë titulli i një libri me ndikim të autorit Paul Gilroy.
    Emblema është përvetësuar gjatë dekadave nga artistë të shumtë muzikorë – nga The Who dhe lëvizja mod britanike në vitet ’60 të shekullit XX, te pankerët në vitet ‘70 të shekullit XX – me Sex Pistols që e përdorën flamurin në mënyrë ironike në kopertinën e këngës së tyre kundër monarkisë, God Save the Queen. Stilisti Alexander McQueen krijoi një pallto me flamurin për David Bowien, të cilën këngëtari e veshi në skenë dhe në kopertinën e albumit të tij të vitit 1997, Earthling.
    Në kulmin e fenomenit Cool Britannia, Patsy Kensit dhe Liam Gallagher u shfaqën në kopertinën e revistës Vanity Fair, të shtrirë mbi jastëkë me flamurin e Unionit. Në vitin 2012, ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike në Londër filloi me një imituese të Mbretëreshës Elizabeth II që zbarkoi në stadium me një parashutë të stampuar me flamurin britanik – një moment plot humor të lehtë dhe patriotizëm dashamirës.

    Sot Akbar shpreh shqetësim se konotacionet e flamurit mund të jenë duke kaluar në një tjetër ndryshim: “Fatkeqësisht, edhe një herë, me rritjen e zemërimit kundër emigrantëve dhe urrejtjes racore, flamuri duket sikur është përvetësuar nga ata që urrejnë”, thotë ajo.
    Nga ana tjetër, flamuri funksionon si një simbol krenarie kombëtare për shumë njerëz në të gjithë vendin. Nick Groom thotë: “Kur është fjala për njerëzit që e rimarrin flamurin për vete, një fëmijë që valëvit një flamur plastik të Unionit në një festë lagjeje apo në një panair rural, bën po aq për ta rikthyer flamurin në komunitet sa edhe çdo deklaratë e ndonjë politikani. Është flamuri i popullit”. /Telegrafi/

  • Shqiptarët shfajësohen në gjyq, gjykatësi britanik ironizon: Shumë prindër të sëmurë në Shqipëri!

    Shqiptarët shfajësohen në gjyq, gjykatësi britanik ironizon: Shumë prindër të sëmurë në Shqipëri!

    Një gjykatës britanik ka komentuar me ironi ndaj justifikimeve të përsëritura nga shtetas shqiptarë të kapur me drogë, duke vënë në pikëpyetje sistemin shëndetësor shqiptar. Komentet u bënë pas dy rasteve të ndara, por me arsyetime të ngjashme për përfshirjen në veprimtari kriminale.

    Në një seancë në Gjykatën e Lartë të Exeter, u trajtua çështja e Ilber Gjokës, 30 vjeç, i cili u kap duke transportuar kokainë në zonën e Barnstaple, Devon. Gjatë ndalimit nga policia më 16 gusht, në të brendshmet e tij u gjet një çorape me 11 qese kokainë me vlerë 407 paund, ndërsa iu sekuestruan edhe 245 paund të tjera para të gatshme.

    Gjoka pranoi se kishte hyrë në tregtinë e drogës për të paguar një borxh dhe për të ndihmuar financiarisht babanë e tij të sëmurë në Shqipëri.

    Pas këtij dëshmimi, gjykatësi James Patrick komentoi:

    “Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri. Është rasti i dytë sot që dëgjoj të njëjtën histori, herën e parë ishte për një nënë të sëmurë”.

    Pak orë më parë, po i njëjti gjykatës kishte dënuar Argent Balën për një vepër tjetër penale, kultivim kanabisi në një zonë industriale në South Brent. Edhe ai kishte përmendur probleme familjare dhe mungesën e të ardhurave.

    Gjykatësi shtoi me ironi se Shqipëria “nuk ka një Shërbim Kombëtar Shëndetësor”, duke lënë të kuptohet se shumë shqiptarë po e përdorin gjendjen shëndetësore të familjarëve si justifikim për veprimtari kriminale.

    Ilber Gjoka, i cili rezulton pa precedentë penalë në Britani, u dënua me 20 muaj burg për posedim droge me qëllim shpërndarjeje. Gjykata pranoi se ai e kishte pranuar fajin që në fazat e para dhe se ndoshta do të vuajë 40% të dënimit, por u la të kuptohej se ai mund të dëbohet nga Britania pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

  • Kaos në fluturimin e Ryanair/ Pasagjeri britanik përpiqet të hapë derën e avionit në ajër, ulje emergjente në Francë

    Kaos në fluturimin e Ryanair/ Pasagjeri britanik përpiqet të hapë derën e avionit në ajër, ulje emergjente në Francë

    Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë një fluturimin Londër-Luton dhe Alicante, në jug të Spanjës. Një shtetas britanik u përpoq të hapte dyert e një aeroplani të mbushur plot me njerëz, ndërsa ai ishte në mes të fluturimit. I akuzuari emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur ndodhet në paraburgim. Ai rrezikon deri më pesë vite burg, pasi dyshohet se është udhëheqësi i një grupi burrash të dehur, të cilët prishën qetësin gjatë fluturimit. Avioni u detyrua të bënte një ulje emergjente në Francë pasi burri i kërcënoi.

    “Ai ishte pranë një dere emergjence dhe po përpiqej ta hapte atë. Ishte tmerruese për të gjithë të tjerët në fluturim. Piloti nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të ulte aeroplanin.” thanë disa burime.

    Ekuipazhi i kabinës dhe pasagjerët e tjerë ishin përpjekur ta qetësonin grupin, ndërsa disa prindër kërkuan që të mos bërtisnin rreth fëmijëve në bord. Por kjo nuk e ndaloi kaosin në rritje. Pas disa shqetësimeve të tjera, piloti njoftoi një ulje të paplanifikuar në Tuluzë të Francës.

     “Ai ishte shumë i dehur dhe u dërgua në një qeli të Policisë Kufitare për t’u kthjelluar. Niveli i alkoolit në gjak ishte aq i lartë saqë kaluan disa orë para se të mund të flitej me të.” thanë burimet hetuese.

    Rreth katër nga miqtë e tij u nxorën nga fluturimi në të njëjtën kohë dhe u arrestuan. I akuzuari kryesor tani është në qendër të një hetimi gjyqësor dhe përballet me gjyq dhe një dënim deri në pesë vjet burg. Ndërkohë, komandanti i CGTA-së Ludovic Fornari vlerësoi profesionalizmin e ekipit të tij dhe njësive të tjera franceze që bashkëpunuan me ne.

    Daily Mail raportoi se ndërsa fluturimi u nis, burrat filluan menjëherë të pinin pije alkoolike dhe të angazhoheshin në biseda me zë të lartë dhe të papërshtatshme, të gjitha brenda rrezes së dëgjimit të fëmijëve të vegjël të ulur aty pranë.

    “Në një moment, dy anëtarë të grupit dukeshin se ishin në një grindje të nxehtë. Ata po shtynin dukshëm, duke u përplasur me kokat, dhe këmisha e një burri ishte grisur ndërsa të tjerët përpiqeshin t’i ndanin”, tha një pasagjere.

  • Momenti prekës/ Pas 8 muajsh në burgun e talibanëve, çifti britanik ribashkohet me vajzën në Doha (VIDEO)

    Momenti prekës/ Pas 8 muajsh në burgun e talibanëve, çifti britanik ribashkohet me vajzën në Doha (VIDEO)

    Peter Reynolds, 80 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Barbie, 76 vjeçe  të cilët kishin jetuar për afro dy dekada në Afganistan janë liruar pas pothuajse 8 muajsh burgosjeje nga talibanët dhe janë ribashkuar me vajzën e tyre, Sarah Entwistle.
    Çifti u la i lirë pas ndërmjetësimit të Katarit dhe mbërriti në Doha, ku u prit nga vajza e tyre në një skenë tejet emocionale, me përqafime dhe lot gëzimi. Pas disa kontrolleve mjekësore, ata pritet të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse për vite të tëra kishin jetuar në provincën Bamiyan të Afganistanit.
    Talibanët thanë se çifti kishte shkelur ligjet vendase dhe u lirua pas përfundimit të një procesi gjyqësor, por nuk dhanë detaje të tjera mbi akuzat apo rrethanat e mbajtjes së tyre.

    Kryeministri britanik Keir Starmer e përshkroi lirimin si një “çlirim të pritur me padurim”, ndërsa falënderoi Katarin dhe udhëheqësin e tij, Amir Sheikh Tamim bin Hamad al Thani, për ndërhyrjen vendimtare. Edhe ministri britanik për Lindjen e Mesme, Hamish Falconer, theksoi përpjekjet intensive të qeverisë dhe rolit kyç të Katarit në arritjen e këtij rezultati.
    Familjarët thanë se shëndeti i çiftit ishte përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të burgimit – Peter pësoi kriza të forta konvulsive, ndërsa Barbie vuante nga anemia dhe kequshqyerja. Gjatë negociatave, zyrtarët katarezë siguronin trajtim mjekësor dhe komunikim me familjen.
    Peter dhe Barbie Reynolds u martuan në Kabul në vitin 1970 dhe për 18 vitet e fundit kishin drejtuar një program trajnimi humanitar të miratuar nga autoritetet lokale. Megjithëse shumë të huaj u larguan pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, çifti kishte zgjedhur të qëndronte në vend.
    /vizionplus.tv

  • Analiza nga “The Times”: Agjentëve kinezë u jepet licenca për të spiunuar në Parlamentin Britanik

    Analiza nga “The Times”: Agjentëve kinezë u jepet licenca për të spiunuar në Parlamentin Britanik

    Kryetari i Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle, ka ngritur alarmin pas vendimit për të hequr akuzat ndaj dy personave të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.

    Ai paralajmëron se kjo mund të konsiderohet si një “licencë për të spiunuar” brenda parlamentit britanik.
    Sir Lindsay Hoyle po shqyrton mundësinë e nisjes së një padie private kundër dy burrave që ishin akuzuar për mbledhje informacioni në dëm të sigurisë kombëtare. Ai i ka shkruar Ministres së Brendshme, Shabana Mahmood, duke kërkuar masa të menjëhershme për të mbrojtur parlamentin nga ndërhyrjet e huaja.
    “Ky vendim i hap dyert aktorëve të huaj për të spiunuar brenda parlamentit. Këto dyer duhet të mbyllen fort. Do të ndjekim çdo rrugë për të mbrojtur deputetët dhe stafin. Nuk do të tolerohet,” tha Hoyle për The Times.
    Christopher Berry dhe Chris Cash, ish-këshilltari parlamentar dhe drejtor i grupit të deputetëve që analizojnë politikat e Kinës, u arrestuan në prill nën akuzat për shkelje të Aktit për Sekretin Zyrtar. Sipas The Times, ata dyshoheshin për ndarjen e informacionit me një “armike”, në këtë rast, Kinën.
    Por në gjykatën e Old Bailey, prokurorët tërhoqën çështjen, duke deklaruar se provat nuk përmbushnin standardin e kërkuar për gjykim.
    Megjithëse akuzat u hodhën poshtë, Prokuroria ka pranuar se Parlamenti Britanik ka qenë objektiv i qartë i shërbimeve sekrete kineze.
    “Grupi juaj i punës ka qenë në shënjestër të Kinës si mënyrë për të marrë informacion mbi qëndrimet e qeverisë britanike ndaj Kinës,” shkroi Frank Ferguson, kreu i krimeve të rënda dhe kundër-terrorizmit në Prokurorinë e Mbretërisë.
    Shumë figura politike, përfshirë kryeministrin e Britanisë, Sir Keir Starmer dhe ministren Mahmood, janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi. Deputetja Alicia Kearns, e cila kishte punësuar Cash si këshilltar, tha se “qeveria ka për detyrë të japë përgjigje”.
    Ish-kreu i Partisë Konservatore, Sir Iain Duncan Smith, tha se është “shumë e mundshme” që agjentë kinezë të jenë ende aktivë brenda parlamentit.
    “Jemi në një realitet të rrezikshëm. Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut janë të koordinuar. Këtu, ndërkohë, mendojmë se gjithçka është në rregull. Jemi në mohim total,” tha ai për Times Radio.
    Rasti është vetëm një shembull tjetër i paralajmërimeve të shërbimeve britanike për rrezikun nga ndikimi i Kinës në politikën britanike.
    Në vitin 2022, MI5 publikoi një paralajmërim të rrallë ku emëronte avokaten Christine Lee si agjente të infiltruar në parlament në emër të Partisë Komuniste Kineze. Ajo kishte dhuruar shuma të mëdha për politikanë britanikë, përfshirë deputetin Barry Gardiner.
    Drejtori i MI5, Ken McCallum, ka paralajmëruar shpesh se Kina po synon individë në politikë, ushtri, kërkime shkencore dhe tregti të ndjeshme.
    Ligji i ri për Sigurinë Kombëtare, i miratuar në 2023, ka hequr termat e vjetruar si “armike”, të cilët sipas shumë ekspertëve pengonin ndjekjen penale efektive të spiunëve të huaj. Kjo mund të hapë rrugën për hetime të reja në të ardhmen.

    Top Channel

  • Një dëshmitar britanik pritet të dëshmojë për tre ditë radhazi në Speciale

    Një dëshmitar britanik pritet të dëshmojë për tre ditë radhazi në Speciale

    Dëshmia e dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të vazhdojë. Dëshmitari i radhës pritet të dëshmojë për tre ditë me radhë dhe, sipas njoftimit të Speciales, ai është shtetas britanik. “Seancat do të rifillojnë të hënën, më 22 shtator, në ora 09:00, kur pritet të nisë dëshminë një dëshmitar i ri i mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
    Të enjten, në Speciale, e ka përfunduar dëshminë ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës, Paul Williams, i cili dëshmoi për një ditë e gjysmë, duke sqaruar rolin e tij në proceset diplomatike dhe negociatat ndërkombëtare të Kosovës. Williams ofroi detaje mbi vendimet strategjike dhe komunikimet mes udhëheqësve kosovarë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai theksoi se kosovarët ishin të shqetësuar për vetëqeverisjen pas Marrëveshjes së Rambujesë. Ndërkaq, për tre ditë me radhë dëshmoi ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin. Rubin foli mbi rolin e Hashim Thaçit dhe autoritetin e tij në UÇK, mungesën e një shtabi të përgjithshëm, paraburgimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe trajtimin e tyre.
    Ai përmendi edhe ndikimin e figurave politike mbi Thaçin gjatë viteve 1998–1999. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë dhe trajtim mizor në periudhën 1998–1999. Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm, ndërsa ishin arrestuar nga Specialja në nëntor të vitit 2020.

  • Donald Trump mbërrin me helikopter në rezidencën e kryeministrit britanik, nis takimi me Keir Starmer

    Donald Trump mbërrin me helikopter në rezidencën e kryeministrit britanik, nis takimi me Keir Starmer

    Donald Trump ndodhet në rezidencën rurale të kryeministrit britanik, Chequers, ndërsa përfundon sot vizitën e tij zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

    Një ditë pas darkës zyrtare në Kështjellën Windsor, Donald Trump fluturoi me helikopter për në Chequers, të vendosur në Buckinghamshire pranë Londrës.
    Presidenti amerikan do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik Keir Starmer, i cili e priti në hyrje. Të dy po diskutojnë për 200 miliardë dollarë investime amerikane.

    US President Donald Trump arrives at Chequers for meeting with UK PM Keir Starmer
    Follow live: https://t.co/eOB3X23efL pic.twitter.com/nWJsb7O3QP
    — BBC Politics (@BBCPolitics) September 18, 2025

    Pak para takimit, Ministria Britanike e Mbrojtjes njoftoi një marrëveshje “partneriteti strategjik” prej 1.5 miliardë funtesh me kompaninë amerikane të teknologjisë Palantir, me qëllim zhvillimin e mjeteve moderne dixhitale dhe shfrytëzimin e Inteligjencës Artificiale.

    Top Channel

  • Trump takohet me Starmer, dy liderët diskutojnë për tregtinë dhe çështjet “e nxehta”

    Trump takohet me Starmer, dy liderët diskutojnë për tregtinë dhe çështjet “e nxehta”

    Pas një mikpritjeje mbretërore gjatë vizitës së dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti amerikan, Donald Trump, do të takohet me kryeministrin britanik, Keir Starmer, për bisedime për shumë tema të rëndësishme.
    Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të takohet me shefin e  qeverisë britanike  dhe do të diskutojnë  së bashku në rezidencën e Starmer.
    Bisedimet  do të fokusohen kryesisht te tregtia,  lufta në Ukrainë dhe Gaza.

    Raporti i mirë i Starmerit me Trumpin, i mundësoi shtetit të tij të kishte disa lëshime dhe ai është i interesuar që tarifat prej 25 për qind ndaj aluminit dhe çelikut të ulen në zero.
    Megjithatë referuar deklaratave të Trump një marrëveshje mes dy shteteve nuk duket e afërt.
    Por Starmer mori një shtysë pozitive kur gjiganti amerikan i kapitalit privat Blackstone tha se planifikon të investojë 123 miliardë dollarë në projekte në Mbretërinë e Bashkuar gjatë dekadës së ardhshme dhe pasi Microsoft kishte bëri të ditur për një plan që përfshin investime deri në 30 miliardë dollarë në Mbretërinë e Bashkuar.
    Në anën tjetër, grupi farmaceutik britanik, GSK bëri të ditur se do të investojë 30 miliardë dollarë në SHBA në pesë vitet e ardhshme.
    Bisedimet vijnë në një kohë kur Starmer po përballet me probleme politike brenda vendit pasi shkarkoi ambasadorin britanik në Uashington, Peter Mandelson, për shkak të një skandali që kishte të bënte me lidhjet e diplomatit me Jeffrey Epstein i cili ishte dënuar për abuzim seksual.
    Një ditë më parë  Trump dhe monarku britanik e përmbyllën takimin e tyre me një banket, ku morën pjesë 160 të ftuar, përfshirë anëtarë të familjes mbretërore, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio etj.Para darkës, Trump u tha të ftuarve se vizita shtetërore ishte “me të vërtetë një nga nderet më të mëdha të jetës së tij .
    Gjatë fjalimit të tij mbreti Charles III lavdëroi “angazhimin personal të Trumpit për të gjetur zgjidhje për disa nga konfliktet më të vështira të botës./vizionplus.tv

  • Sot takimi Starmer-Trump në Londër/ Diplomaci, interesa të ndërsjella dhe një lojë e rrezikshme politike

    Sot takimi Starmer-Trump në Londër/ Diplomaci, interesa të ndërsjella dhe një lojë e rrezikshme politike

    Keir Starmer dhe Donald Trump do të takohen pas pak orësh në rezidencën rurale të Kryeministrit Britanik.

    Ky është një takim në kuadër të vizitës së Presidentit të SHBA-së në Mbretërinë e Bashkuar që ka të bëjë me politikën dhe diplomacinë “e rëndë”, dhe jo vetëm midis dy miqve dhe aleatëve.
    Pas pjesës rituale dhe diplomacisë “të butë” të Pallatit, e cila konsiderohet si një nga arritjet personale më “brilante” të Trump – ai vetë e ka pranuar këtë pas vizitës së tij të parë në vitin 2019 dhe takimit me Mbretëreshën Elizabeth – Presidenti i SHBA-së do të dëgjojë gjithçka që Kryeministri Britanik ka për t’i ofruar, por kushdo që beson se Gaza dhe Ukraina do të jenë në qendër të vëmendjes ndoshta nuk e ka “lexuar” mjaftueshëm as Trumpin dhe as atë që po ndodh brenda Britanisë së Madhe.
    Lojë popullariteti dhe një propozim “fitore për të dyja palët”
    Sondazhet e fundit paraqesin një pamje mjaft të pafavorshme për dy udhëheqësit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.
    Donald Trump, megjithëse ruan një prani të fortë në skenën politike, ka një vlerësim miratimi prej rreth 39%, me 57% të amerikanëve që shprehin një mendim negativ, duke e çuar bilancin neto në -18, më i ulëti i regjistruar gjatë mandatit të tij të dytë.
    Edhe më negative janë të dhënat për Keir Starmer në Mbretërinë e Bashkuar, pasi anketa e fundit e YouGov në gusht 2025 regjistroi vetëm 24% mendime pozitive ndaj tij, ndërsa pothuajse shtatë në dhjetë britanikë deklarohen negativë, duke rezultuar në rënien e vlerësimit të tij neto të popullaritetit në -44, duke nxjerrë në pah një përkeqësim të rëndë dhe dyshim të fortë brenda vendit të tij.
    Imazhet e vizitës amerikane që do të bëjnë xhiron e botes dhe janë një hap që mund të kënaqë ose përmirësojë – edhe nëse përkohësisht – të dhënat thjesht numerike të të dyja palëve.
    Nëse Keir Starmer arrin të sigurojë tarifa më pak se 25% për metalet britanike, edhe nëse mbahet 10% që SHBA-të dhe Trump kanë vendosur për produktet e tjera angleze, ai do të ketë një kartë në dorë që do të jetë në gjendje ta “luajë” menjëherë në Parlamentin Britanik në një përpjekje për të ulur presionin që po merr nga opozita dhe një pjesë e partisë së tij, veçanërisht në sektorin ekonomik.
    Nga ana tjetër, Donald Trump, me mënyrën e tij “si biznesmen” i negociatave, madje edhe në çështjet më komplekse diplomatike dhe politike, nuk do të dëshirojë të lëshojë asnjë gjë pa përfitim.
    Në këtë drejtim, nuk është e pamundur që ai të marrë angazhime britanike për investime më të mëdha, veçanërisht në fushën e teknologjisë së përparuar (kryesisht inteligjencës artificiale ), ndërkohë që nuk do të ishte për t’u habitur edhe nëse Trump do të vazhdonte me marrëveshjet në lidhje me investimet e tij personale në Skoci.
    Kievi dhe Evropa presin gjithashtu zhvillime mbi çështje të nxehta përveç atyre thjesht amerikano-britanike. Keir Starmer është një nga ” themelet” e “Prothymos” dhe është e qartë si makroekonomikisht ashtu edhe ushtarakisht se “ishulli” e ka ndihmuar luftën ukrainase në çdo mënyrë.
    Mundësia për një diskutim më “personal” me Trump, veçanërisht pas “masazhit” mbretëror, është e mundur, por kjo mundësi vështirë se do të përfshijë një ndryshim dramatik të qëndrimit nga SHBA-të.
    Është e mundur që Trump do ta dëgjojë më me dëshirë një propozim britanik për distancimin nga Moska dhe aktivizimin e një mekanizmi të ri tarifor, por kjo nuk do të ndodhë pa faktorin “quid pro quo”.
    Në të njëjtën kohë, nuk është aspak e pamundur që Trump t’i vërë një “frenim” ose edhe “akull” kryeministrit britanik nëse diskutimi kthehet në “ndalim të Izraelit”.
    Deklarata e fundit e Marco Rubio nga Jerusalemi se “SHBA-të mbështesin qartë lëvizjet e Netanyahut” vështirë se lë hapësirë ​​për keqinterpretim ose një “dritare” mundësie për presion.
    Aktivizimi i familjes mbretërore dhe bashkëpunimi i ngushtë i dhënë me Downing Street për ta vendosur Presidentin Amerikan në pozicionin aktual për një negociatë jashtë vendit në favor të Britanisë është qartësisht një fitore e parë e rëndësishme për vetë monarkun britanik.
    Letra që Starmer i dorëzoi Trump në Zyrën Ovale më 27 shkurt të vitit të kaluar erdhi pas komunikimit të Qeverisë me Charles III dhe në asnjë mënyrë misioni i Buckingham nuk ishte as i thjeshtë dhe as i lehtë.
    Me atë që pamë – dhe atë që nuk pamë – dje Trump mori atë për të cilën erdhi në Britani, domethënë imazhin e tij pranë familjes mbretërore.
    Me Mbretëreshën Elizabeth, kjo ndoshta do të ishte jashtëzakonisht e vështirë deri e pamundur të ndodhte, por Charles është qartësisht në një gjendje të ndryshme mendore dhe nuk ka problem të bashkëpunojë dhe të ndihmojë, edhe nëse kjo do të thotë të takojë burrin që ka deklaruar publikisht në librin e tij se “do të donte shumë ta merrte përsipër” Princeshën Diana.

    Top Channel

  • Trump në Angli, vizita tre-ditore e Presidentit amerikan me ftesë të monarkut britanik

    Trump në Angli, vizita tre-ditore e Presidentit amerikan me ftesë të monarkut britanik

    Në një fjalim në vitin 1848 në Parlamentin britanik, ish-kryeministri i atëhershëm Lordi Palmerston do deklaronte se “ne nuk kemi miq dhe armiq të përhershëm, por interesa të përhershme”.

    Kjo thënie më pas u adoptua nga diplomati legjendar amerikan Henry Kissinger. Pak a shumë kjo linjë diplomatike autentike britanike vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe kryeministri Sir Keir Starmer nuk ka si t’i ikë kësaj aksiome edhe në prag të vizitës së dytë zyrtare të presidentit Trump në Londër, e para për një kryetar shteti.
    Vetëm një kryeministër britanik mund t’i ofrojë një presidenti amerikan, një filobritaniku si Trump në thelb, pompozitetin dhe ceremonitë protokollare nëpër kështjellat mbretërore të ofruara nga monarku britanik Charles.
    Vizita e Starmerit, i ftuar në shkurt, në Zyrën Ovale, u duk si e hershme si ftesë në qarqet mediatike dhe diplomatike, dhe se Trump do duhej të bënte më shumë që të merrte një trajtim të tillë dy herë për një kryetar shteti, siç po ndodh me Trump.
    Kjo vizitë treditore që fillon këtë të martë në Londër, ndodh në një sfond të komplikuar, siç është skandali me ish-pedofilin famëkeq amerikan Epstein, i cili ka njollosur emrin e Trump, madje ka ngrënë edhe kokën e ambasadorit britanik në Uashington, ish-mikun e Tony Blair-it, Lordit Mendelson.
    Kjo vizitë e Trumpit nuk është e para që shkakton kaq debat, pasi ka pasur liderë të tjerë botërorë ndër vite dhe dekada, si Ceaușescu apo Putin, por kurrë s’ka pasur një skandal të këtyre përmasave në sfondin e një vizite shtetërore.
    Ka një kaleidoskop çështjesh në raportet Trump-Starmer, si Ukraina, Gaza problematike për partinë e kryeministrit Starmer, apo politika joortodokse e Trumpit për tarifat. Por tre ditët e ardhshme do vendosin nëse do ketë mbyllje të çarash në marrëdhëniet transatlantike.
    Qeveria e Starmer argumenton se ofensiva sharmante ndaj Trumpit është rezultative, ku Britania ka përfituar më shumë se Evropa, pasi më shumë se një miliardë dollarë janë para amerikane të investuara në firmat financiare britanike.
    Ka një shkollë të vjetër mendimi diplomatik në Londër që kërkon argumenta kundër kësaj vizite të presidentit amerikan. Por ka të tjerë që janë për një qasje më pragmatike, thënë ndryshe, për pushtetin e butë, dhe pavarësisht nëse të pëlqejnë ose jo disa aspekte të sjelljeve politike apo personale të Trumpit, ka gjëra më të rëndësishme në rrezik për interesat vitale britanike.
    E nëse kjo vizitë i shërben interesit britanik, gjithçka tjetër është irrelevante në një botë gjithnjë e më të paparashikueshme.

    Top Channel