Andi Zylyfi
TIRANË-Në seancën e radhës në GJKKO për dosjen ‘Plumbi i Artë’, Zylyf Hoxha ka dëshmuar në lidhje me vrasjen e njohur të Andi Zylyfit, i njohur si ‘Bobi’, ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Hoxha tregoi se mbrëmjen e 19 dhjetorit 2019 ndodhej në lokalin e fshatit, bashkë me disa banorë të tjerë. Pak minuta para të shtënave, disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit hynë me nxitim brenda dhe njoftuan se kishin dëgjuar të shtëna me armë.
Ditën e ngjarjes, dëshmitari rrëfen se viktima Andi Zylyfi kishte shkuar në lokalin e fshatit, ku ndodheshin edhe kushërinjtë e tij, kishte marrë një ujë dhe më pas u qëllua me breshëri plumbash. Sipas Hoxhës, të pranishmit në lokal u shtrinë menjëherë në tokë nga frika, pa mundur të shikonin qartë çfarë po ndodhte jashtë. Ndërkohë, Zylyfi dhe Ardit Uruçi, të cilët kishin qenë pak më herët në lokal ku kishin marrë ujë, kishin dalë jashtë pak minuta para atentatit.
‘Jam thirrur në vitin 2019 në polici për një ngjarje të ndodhur në fshatin Përparim. Disa bashkëfshatarë që ishin jashtë lokalit u futën brenda, kuptuan që ishin të shtëna. Unë lajmërova policinë dhe i thash dëgjuam të shtëna. Këto deklarime i kam thënë dhe përpara komisiariatit Peqin dhe në Elbasan. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë “Bobi”, Andi Zylyfi. Ne nuk e pamë dhe nuk e verifikuam ishte vrarë apo jo, u shtrimë të gjithë në tokë. Përveç tij, u plagos njëri me mbiemër Uruçi. Ishin të njohur për ne, fshatarët tanë. Jemi fqinj, komshinj. “Bobin” e shihja te ai lokali, është kafja e fshatit. Aty te lokali ishin edhe kushërinjt e tij, Edison Zylyfi, Uruçi ishte aty, ishin disa kushërinj të tij. Ai erdhi na respektoi pastaj mori një shishe ujë pastaj doli jashtë lokalit bashkë me Uruçin (i referohet Ardit Uruçit). Nuk e di kush gjuajti me armë, ne u trembëm u larguam nga frika. Sa dolën jashtë lokalit, jo me shume se 10 minuta dëgjuam të shtëna. Dëgjuam që janë të plagosur, pastaj i morën familjarët për ti çuar në spital. Të shtënat ishin breshëri,’-ka dëshmuar Zylyf Hoxha.
Ekzekutimi i Andi Zylyfit ndodhi më 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe Ardit Uruçi, 23- vjeç, banues në fshatin Përparim. Fatos Gosa, ka qenë duke luajtur domino me babanë e Andi Zylyfit, kur e ka parë këtë të fundit teksa lëvizte dhe u ka treguar autorëve vendndodhjen e saktë të tij, ku më pas edhe u ekzekutua.
Zylyfi, i cili humbi jetën nga plagët e marra, ka lidhje familjare me dy personat që kanë mbetur të vrarë në atentatin e Bradasheshit të Elbasanit. Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua për pazare droge, Andi Zylyfi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi kur u vra. SPAK akuzon vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja si porositës të vrasjes së Andi Zylyfit./ZËRI








