Presidenti Emmanuel Macron ka thënë se Franca do të formojë një “panel të përbashkët” me Autoritetin Palestinez, për të hartuar një kushtetutë të re për Palestinën.
Macron i bëri këto komente pas takimit me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Paris.
“Ne vendosëm së bashku të krijojmë një komitet të përbashkët për konsolidimin e shtetit të Palestinës”, tha Macron, duke shtuar se kjo do të “kontribuonte në hartimin e një kushtetute të re, një draft të së cilës ma paraqiti presidenti Abbas”.
Abbas tha se ishte dakord “për krijimin e shpejtë të komitetit kushtetues”.
Reformimi i organit qeverisës është thelbësor për një “shtet palestinez demokratik dhe sovran, që jeton në paqe dhe siguri përkrah Izraelit”, tha zyra e presidentit para bisedimeve.
Takimi vjen një muaj pas një armëpushimi të brishtë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Izraelit dhe Hamasit, pas dy vitesh lufte shkatërruese në Gaza që prej 2023.
Kjo vjen gjithashtu vetëm disa javë pasi Franca iu bashkua një grupi vendesh të tjera, kryesisht të Evropës Perëndimore, në njohjen e shtetësisë palestineze.
Abbas ka kryesuar Autoritetin Palestinez për 20 vjet, një organ që ka kontroll të kufizuar mbi pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Autoriteti po shqyrtohet për të marrë përsipër qeverisjen e Gazës, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu planet izraelite për aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor, të cilin Macron e quajti një “vijë të kuqe” për Parisin.
“Planet për aneksim të pjesshëm ose të plotë, qofshin ato ligjore apo de facto, përbëjnë një vijë të kuqe, ndaj së cilës ne do t’i përgjigjemi fuqishëm me partnerët tanë evropianë”, tha Macron.
“Dhuna e kolonëve dhe përshpejtimi i projekteve të vendbanimeve po arrijnë nivele të reja, duke kërcënuar stabilitetin e Bregut Perëndimor dhe përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.”
I ndërmjetësuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, armëpushimi, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, është vënë në provë nga sulmet ajrore izraelite dhe pretendimet për sulme palestineze ndaj ushtarëve izraelitë.
Trump tha javën e kaluar se priste që një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, e ngarkuar me monitorimin e armëpushimit, të ishte në terren në Gaza “shumë shpejt”.
Abbasi po ‘manipulon Francën’
Vizita shkaktoi zemërim në Izrael, me ambasadën e vendit në Paris, që akuzoi Abbasin për “manipulim të Francës” në një postim në X.
Postimi e kritikoi Abbasin si një “mohues të Holokaustit”, popullariteti i të cilit midis palestinezëve është “më pak se 15%.
Deklarata gjithashtu pretendon se Autoriteti Palestinez përdor një pjesë të fondeve të ndara nga Franca dhe vendet e tjera evropiane për të “financuar stilin luksoz të jetesës së Abbasit (…) dhe për të paguar terroristët në bazë të parimit ‘Paguaj për vrasje’”./ Euronews.