Foto ilustruese
SHKODËR- Barush Bregu alias Bajram Bregu është shpallur në kërkim nga policia për përkrahjen e autorit të masakrës në Shkodër, Ragip Gila. Bregu dhe një 17-vjeçar janë shpallur në kërkim pasi akuzohet se kanë siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e tjera për kryerjen e atentatit në Shkodër, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso alias Brajoviç, si edhe kamarieria Meri Kaceri.
39-vjeçari Barush Bregu do të përballet me akuzat për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
Por kush është Barush Bregu?
Bregu është një emër i njohur për policinë dhe autoritetet e drejtësisë. Në 2016 Bregu është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Në maj të 2019 Bregu u arrestua pasi ishte shpallur ne kerkim per disa akuza te renda.
Barush Bregu alias Bajram Bregu
Krahu i djathte i Licëve
Barush Bregu alias Bajram Bregu që njihet si ‘i forti’ i Shkodrës, rezulton krahu i djathtë i Ibrahim Licit, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars të këtij viti dhe pjesëtar i familjes Liçi të cilët janë në përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri edhe këto të fundit të arrestuar që në shtator të vitit të kaluar.
Policia dyshon se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali por edhe në ngjarje të tjera kriminale. Barush Bregu dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Liçin në çdo lëvizje të këtij të fundit.
Vitin e kaluar gjatë ndjekjes nga policia e Shkodrës, Bregu arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë duke i shpëtuar ndjekjes. Gjithashtu, një vit më parë emri i Barushit u përmend edhe në atentatit ndaj Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua me breshëri me armë teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Zdrales. Në atentatin mafioz, u zbulua e shkuara kriminale e Rroshfordit, ku përsëri në skenë doli emri i Barush Bregut. Bëhet fjalë për një plagosje të ndodhur në vitin 2010, ku Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu.
Ndërsa tashmë, Bregu rezulton i pëfshirë edhe në masakrën e djeshme ku mbeti i vrarë në vend Armando Palo dhe Liridon Kraja, truproja e Erogen Brajoviç. Roli i tij ishte ai i bashkëpunëtorit, i cili së bashku me një 17-vjeçar kanë siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për autorin Ragip Gila, për të kryer vrasjen.
Ndërkohë, autoritetet janë duke punuar për kapjen e dy të shpallurve në kërkim dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI









