Tag: braziliane

  • Nga një i huaj politik në një president si asnjë tjetër/ Ngritja dhe rënia e Bolsonaros

    Nga një i huaj politik në një president si asnjë tjetër/ Ngritja dhe rënia e Bolsonaros

    Fotot dramatike të Jair Bolsonaro-s të shtrirë për tokë, i veshur me ngjyrat e kombëtares braziliane dhe i përfshirë nga dhimbjet, bënë xhiron e rrjeteve sociale dhe televizioneve në mbarë botën në vitin 2018.

    Sulmi me thikë, vetëm pak javë para zgjedhjeve presidenciale, tronditi vendin dhe e shndërroi Bolsonaron në një figurë simbol të “të jashtmit” që sfidonte sistemin.
    Por sot, shtatë vite më pas, Gjykata Supreme e Brazilit e ka dënuar atë me 27 vjet burg për komplot për grusht shteti. Pavarësisht dënimit, figura e tij mbetet e gjallë në skenën politike, ndërsa aleatët kanë nisur presionin për një amnisti që mund ta rikthejë në lojë.
    Nga periferia politike në presidencë
    Për dekada, Bolsonaro ishte një figurë periferike në politikën braziliane. Ish-oficer ushtrie, ai u shkarkua pas protestave për paga më të larta dhe akuzave për një tentativë për bombardim, akuza që më pas u hodhën poshtë. Megjithatë, që nga vitet 1990, ai nisi një karrierë si kongresmen, duke u bërë i njohur për deklaratat ekstreme dhe mbrojtjen e diktaturës ushtarake.
    Në vitin 2018, klima politike ishte ideale për një figurë si Bolsonaro. Pas një recesioni të thellë ekonomik, hetimeve të mëdha për korrupsion që përfshinë klasën politike dhe burgosjes së ish-presidentit Lula da Silva, besimi i qytetarëve tek institucionet ishte në pikën më të ulët.
    Bolsonaro e shfrytëzoi këtë atmosferë dhe, përmes rrjeteve sociale, mobilizoi një koalicion të gjerë votuesish: konservatorë fetarë, ushtarakë, biznesmenë të pakënaqur dhe qytetarë të thjeshtë që kërkonin ndryshim.
    Një presidencë përçarëse dhe e mbushur me polemika
    Sapo erdhi në pushtet, Bolsonaro ndërtoi një kabinet me shumë ushtarakë dhe figura pa përvojë politike. Ai forcoi lidhjet me SHBA-në e Donald Trump dhe qeveri të djathta si ajo e Hungarisë dhe Izraelit. Një nga vendimet më të diskutueshme ishte dobësimi i mbrojtjes mjedisore, çka çoi në rritjen alarmante të shpyllëzimit të Amazonës.
    Por sfida më e madhe erdhi me pandeminë e Covid-19. Bolsonaro minimizoi rrezikun, kundërshtoi masat e distancimit social, vuri në dyshim efektivitetin e vaksinave dhe promovoi ilaçe të paprovuara. Më shumë se 700 mijë brazilianë humbën jetën, ndërsa ekspertët besojnë se mijëra prej tyre mund të ishin shpëtuar.
    Përplasja me drejtësinë
    Gjatë gjithë mandatit, Bolsonaro pati një përplasje të vazhdueshme me Gjykatën Supreme, veçanërisht me gjyqtarin Alexandre de Moraes. Ky i fundit hapi një sërë hetimesh ndaj rrethit të ngushtë të Bolsonaro-s për përhapje të dezinformatave dhe kërcënime ndaj institucioneve.
    Në kulmin e tensioneve, në shtator 2021, Bolsonaro deklaroi publikisht se nuk do të zbriste nga pushteti veçse “i vdekur, i arrestuar apo fitimtar” një deklaratë që u pa si kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.
    Zgjedhjet e vitit 2022 dhe përgatitjet për një grusht shteti
    Gara me Lula da Silvën në zgjedhjet e vitit 2022 ishte e ashpër. Bolsonaro dhe aleatët nisën një fushatë të ashpër duke pretenduar pa prova se sistemit elektronik të votimit nuk mund t’i besohej.
    Më 30 tetor, Lula fitoi me një diferencë të ngushtë. Bolsonaro refuzoi të pranonte rezultatin dhe disa ditë më vonë fluturoi drejt Floridës, SHBA, duke munguar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri një akt pa precedent në historinë braziliane moderne.
    Hetimet treguan më pas se gjatë kësaj kohe, Bolsonaro diskutoi me udhëheqësit ushtarakë për vendosjen e një gjendjeje të jashtëzakonshme, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Madje u zbulua edhe një plan për eliminimin fizik të Lulës dhe gjyqtarit Moraes, që më pas u anulua nga një prej ndihmësve të presidentit.
    Sulmi ndaj institucioneve dhe fundi i rrugës
    Më 8 janar 2023, mijëra mbështetës të Bolsonaro-s sulmuan Kongresin, Gjykatën Supreme dhe pallatin presidencial – një ngjarje e ngjashme me sulmin ndaj Kapitolit në SHBA. Lula nuk ndodhej në godinë dhe pas disa orësh, autoritetet rikthyen kontrollin.
    Dënimi me burg dhe ndikimi i ardhshëm
    Në gusht 2025, Bolsonaro u vu nën arrest shtëpiak dhe më pas u dënua nga Gjykata Supreme me 27 vjet burg për pesë akuza, përfshirë komplot për grusht shteti. Atij i ndalohet të kandidojë për ndonjë funksion publik deri në vitin 2060.
    Një rikthim i mundshëm?
    Partia e Bolsonaro-s fitoi më shumë se 500 bashki në zgjedhjet lokale të vitit 2024. Aleatët në Kongres tashmë po shtyjnë për amnisti, ndërsa kandidatë të mundshëm për presidencën e vitit 2026 kanë premtuar se do e falin Bolsonaron nëse marrin pushtetin.
    Kjo ka krijuar tensione të reja midis pushtetit legjislativ dhe Gjykatës Supreme, e cila ka paralajmëruar se çdo ligj për amnisti do të shpallet jokushtetues.
    Demokracia braziliane në një moment vendimtar
    Situata aktuale në Brazil është delikate. Çështja Bolsonaro ka ndarë politikën, institucionet dhe opinionin publik. Pyetja që ngrihet tani është: A do të mbizotërojë drejtësia apo fuqia politike?
    Brazilianët mund të jenë ende larg një fundi të qartë për këtë kapitull të tensionuar të historisë së tyre demokratike.

    Top Channel

  • Disfata në Bolivi, shpë*then presidenti i CBF: Një farsë e vërtetë, kur luan 11 kundër 14…

    Disfata në Bolivi, shpë*then presidenti i CBF: Një farsë e vërtetë, kur luan 11 kundër 14…

    10 Shtator 2025

    11:07

    Alfred Lleshi

    Carlo Ancelottit regjistroi humbjen e parë në pankinën braziliane, 1-0 ndaj Bolivisë, në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Botërorin 2026. Episodi vendimtar ishte një penallti e diskutueshme, e dhënë nga arbitri Garay pas ndërhyrjes së VAR-it, e shndërruar në gol nga Miguelito.
    Presidenti i Federatës Braziliane, Samir Xaud, kritikoi ashpër jo vetëm arbitrin, por edhe policinë e pritësit e topave anash fushës: “Ishte trishtim ajo që ndodhi. Erdhëm për të luajtur futboll, por nga mbërritja pamë anti-futboll. Në lartësinë prej 4.000 metrash, luajtëm kundër arbitrimit, policisë dhe pritësve të topave, që hiqnin apo fusnin topa pa rregull. Një farsë e vërtetë”.
    Ai shtoi: “Ky nuk është futbolli që presim në nivel botëror apo në Amerikën e Jugut. Kur luan kundër 14 lojtarëve, gjithçka bëhet më e vështirë. Shpresoj që Conmebol të ndërmarrë masa, gjithçka është e regjistruar”. Presidenti raportoi edhe trajtimin e dhunshëm nga policia ndaj skuadrës e stafit, duke shprehur indinjatën e tij të plotë.

  • Pas gjykatësve brazilianë administrata Trump shënjestron kabinetin qeveritar, i revokon vizën ministrit të Drejtësisë

    Pas gjykatësve brazilianë administrata Trump shënjestron kabinetin qeveritar, i revokon vizën ministrit të Drejtësisë

    Viza amerikane e ministrit brazilian të Drejtësisë, Ricardo Lewandowski, është revokuar, tha sot presidenti brazilian Lula, duke dënuar Uashingtonin për një “veprim të papërgjegjshëm”.

    Gjatë një takimi ministror, ​​Luiz Inacio Lula da Silva shprehu “solidaritetin” e tij me ministrin e tij kundër “veprimit të papërgjegjshëm për të revokuar” vizën e tij.
    Kjo është një masë tjetër që Uashingtoni po merr kundër Brazilit në shenjë hakmarrjeje për gjyqin e vazhdueshëm të ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili është në gjyq për tentativë grushti shteti.
    Këto masa “janë të papranueshme, jo vetëm kundër ministrit, por edhe kundër gjyqtarëve të Gjykatës Supreme apo ndonjë figure tjetër braziliane”, shtoi Lula. Revokimi i vizës së ministrit brazilian nuk është konfirmuar ende nga Ministria e Drejtësisë, as nga autoritetet amerikane të kontaktuara nga Agence France-Presse.
    Megjithatë, javën e kaluar, Paulo Figueiredo, një influencues brazilian që jeton në SHBA, e përmendi këtë veprim në X.
    Dyshja e Paulo Figueiredo dhe Eduardo Bolsonaro, djali i ish-presidentit i cili gjithashtu jeton në SHBA, po lobojnë qeverinë amerikane kundër autoriteteve aktuale braziliane.
    Në këtë kontekst, Trump ka vendosur një tarifë prej 50% për një pjesë të eksporteve braziliane në SHBA. Një vendim që presidenti amerikan e justifikoi në bazë të një “gjuetie shtrigash”, viktimë e së cilës është ish-presidenti i ekstremit të djathtë i vendit të Amerikës Latine.
    Administrata Trump ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj gjyqtarit Alexandre de Moraes, i cili po kryeson gjyqin e Bolsonaros me akuzat për tentativë grushti shteti, duke ia revokuar vizën.
    Masa të ngjashme janë vendosur ndaj disa anëtarëve të tjerë të Gjykatës Supreme, sipas qeverisë braziliane.

    Top Channel

  • SHBA i anulon vizën ministrit brazilian të Drejtësisë

    SHBA i anulon vizën ministrit brazilian të Drejtësisë

    Një tjetër përplasje diplomatike mes Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara ka shpërthyer pasi presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva deklaroi se ministrit të Drejtësisë, Ricardo Lewandowski, i është revokuar viza amerikane, një lëvizje që e cilësoi si “të papërgjegjshme” nga Uashingtoni.

    Duke folur gjatë një mbledhjeje të kabinetit qeveritar, Lula shprehu “solidaritet të plotë” me ministrin e tij, duke theksuar se vendimi për revokimin e vizës është një akt i papranueshëm ndaj një përfaqësuesi të lartë të shtetit brazilian.
    “Kjo nuk është vetëm një fyerje ndaj ministrit Lewandowski, por ndaj të gjithë sistemit gjyqësor brazilian”, tha Lula.

    Mediat ndërkombëtare e lidhin këtë zhvillim me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Brazil ndaj ish-presidentit Jair Bolsonaro (2019–2022), i cili akuzohet për përpjekje për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale.
    SHBA duket se ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese, përfshirë edhe sanksione dhe heqje vizash ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë proces, siç është edhe gjykatësi Alexandre de Moraes, i cili kryeson gjyqin ndaj Bolsonaros.
    Në këtë klimë tensioni, administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump ka ndërmarrë gjithashtu hapa të tjerë presioni ndaj Brazilit. Së fundmi, u vendos një tarifë prej 50% mbi disa eksporte braziliane, të cilën Trump e justifikoi si reagim ndaj “gjuetisë së shtrigave” ndaj Bolsonaros.
    Më tej, sipas burimeve mediatike, figura të afërta me Bolsonaron, si djali i tij Eduardo Bolsonaro dhe influencuesi brazilian Paulo Figueiredo, që aktualisht jetojnë në SHBA, kanë ushtruar presion mbi administratën amerikane për të sanksionuar zyrtarët brazilianë, që po hetojnë ish-presidentin e ekstremit të djathtë.
    Revokimi i vizës ndaj ministrit Lewandowski nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe as nga vetë ministria braziliane e Drejtësisë. Megjithatë, zërat për këtë masë janë përhapur fuqihëm në rrjetet sociale dhe në qarqet politike në Brazil.
    Sipas qeverisë së Lulës, edhe zyrtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë braziliane janë prekur nga masa të ngjashme, çka po përshkallëzon tensionet në marrëdhëniet dypalëshe.

  • Trump fut në kaos Kupën e Botës, po mendon të ndalojë brazilianët të marrin pjesë

    Trump fut në kaos Kupën e Botës, po mendon të ndalojë brazilianët të marrin pjesë

    Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka thyer heshtjen.
    Ai ka sulmuar Donald Trump pasi Presidenti amerikan po shqyrton mundësinë për të ndaluar shtetasit brazilianë të marrin pjesë në Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm.
    Brenda më pak se 12 muajsh, SHBA do të jetë mikpritëse e 48 kombëtareve të futbollit që do të garojnë për trofeun e Kupës së Botës, bashkë me bashkë-organizatorët Meksikë dhe Kanada.
    Megjithëse SHBA ka deklaruar se “mezi pret të mirëpresë tifozë futbolli nga e gjithë bota”, pjesëmarrja e tifozëve të një kombëtareje të madhe është vënë në dyshim.
    Gazetari Lourival Sant’Anna ka raportuar se kufizimet për viza për qytetarët brazilianë tashmë kanë filluar të zbatohen, përpara një vizite të senatorëve brazilianë në Uashington këtë javë.
    Megjithëse nuk e ka komentuar drejtpërdrejt raportin e CNN, Lula kritikoi presionin ekonomik të vazhdueshëm të Trump ndaj Brazilit në një intervistë për The New York Times.
    “Nuk ka arsye për frikë,” tha Lula.
    “Jam i shqetësuar, natyrisht, sepse kemi interesa ekonomikë, politikë, teknologjikë.
    “Por në asnjë moment Brazili nuk do të negociojë sikur të ishte një vend i vogël përballë një të madhi. Brazili do të negociojë si një vend sovran.”
    Presidenti brazilian gjithashtu nënkuptoi se zyrtarët e tij janë të gatshëm të negociojnë me administratën Trump lidhur me çështjet aktuale:
    “Në politikën mes dy shteteve, vullneti i asnjërës palë nuk duhet të mbizotërojë.
    “Gjithmonë duhet të gjendet një mes. Kjo nuk arrihet duke fryrë gjoksin e duke bërtitur për gjëra që nuk mund t’i realizosh, por as duke ulur kokën e duke thënë ‘amin’ për çdo gjë që duan Shtetet e Bashkuara,” shtoi ai.
    Cilat vende të tjera janë ndaluar nga Kupa e Botës?
    Në qershor, Trump nënshkroi një urdhër që ndalon udhëtimin drejt SHBA-së nga disa vende, që do të thotë se qytetarët e atyre vendeve nuk mund të hyjnë në territorin amerikan për një kohë të pacaktuar.
    Një nga vendet e prekura është Irani, i cili ishte skuadra e dytë që u kualifikua për Kupën e Botës 2026, në muajin mars.
    Megjithatë, për momentin, kombëtarja iraniane do të lejohet të hyjë në SHBA verën e ardhshme, por tifozët – dhe ndoshta edhe media iraniane – jo.

  • Trump vendos tarifa prej 50% ndaj Brazilit, duke përmendur gjyqin e aleatit Bolsonaro

    Trump vendos tarifa prej 50% ndaj Brazilit, duke përmendur gjyqin e aleatit Bolsonaro

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që zbaton një tarifë shtesë prej 40% për produktet braziliane, duke e çuar totalin e tarifave tregtare në 50%.

    Trump e përmbushi një kërcënim ndaj ekonomisë më të madhe të Amerikës Latine, duke e ndëshkuar atë që ai e ka quajtur një “gjueti shtrigash” kundër aleatit të tij të ekstremit të djathtë, ish-presidentit Jair Bolsonaro .

    “Përndjekja, kërcënimi, ngacmimi, censura dhe ndjekja penale e Bolsonaros dhe mijëra mbështetësve të tij, të motivuara politikisht, nga qeveria braziliane janë abuzime serioze të të drejtave të njeriut që kanë minuar sundimin e ligjit në Brazil”, tha Shtëpia e Bardhë në një dokument faktesh ku njoftohej ky veprim.

    Gjithashtu përmendi “politikat dhe veprimet e pazakonta dhe të jashtëzakonshme të Brazilit që dëmtojnë kompanitë amerikane, të drejtat e fjalës së lirë të personave amerikanë, politikën e jashtme të SHBA-së dhe ekonominë e SHBA-së” dhe përmendi me emër gjyqtarin e Gjykatës Supreme braziliane Alexandre Moraes – i cili mbikëqyr gjyqin kundër Bolsonaros.

    Nuk përcaktoi datën se në cilën datë do të hynin në fuqi tarifat, por Trump më parë kishte përmendur 1 gushtin.

     

    Brazili është përgatitur për një embargo virtuale ndaj aeroplanëve, drithërave dhe naftës së papërpunuar si pasojë e këtij veprimi, i cili lë mënjanë lidhjet shekullore dhe një suficit tregtar të SHBA-së, të cilin Brasilia e vlerësoi në 284 milionë dollarë në vitin 2024.

    Natyra politike e kësaj mosmarrëveshjeje duket se e bën më pak të mundshme një marrëveshje të minutës së fundit. Brazili ka këmbëngulur që çështja kundër Bolsonaros do të vazhdojë nëse prokurorët nuk vendosin ndryshe. Ai akuzohet për komplotimin e një grushti shteti për të qëndruar në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të fundit.

  • Tarifa të rënda ndaj importeve braziliane/ Protesta kundër Trump, përkrahje e papritur për presidentin Lula

    Tarifa të rënda ndaj importeve braziliane/ Protesta kundër Trump, përkrahje e papritur për presidentin Lula

    Një protestë masive kundër Donald Trump-it është mbajtur javën e kaluar në qytetin më të madh të Brazilit, São Paulo, si reagim ndaj vendimit të ish-presidentit amerikan për të vendosur tarifa të rënda ndaj importeve braziliane.

    Protestuesit e akuzuan Trump-in për përpjekje për të ndikuar në drejtësinë braziliane dhe për të shpëtuar aleatin e tij të djathtë, ish-presidentin Jair Bolsonaro, nga burgu.
    Në qendër të demonstratës, pranë muzeut të artit MASP, mësuesja 51-vjeçare Silvana Marques fotografonte një kukull kartoni që paraqiste Trump-in, e cila më pas u dogj. Në foton e saj në Instagram ajo shkroi: “Laranjão safado” – që në shqip përkthehet si “plehra portokalli”, sipas The Guardian.
    Ky tubim ishte përgjigje ndaj letrës që Trump i dërgoi presidentit aktual të Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, më 9 korrik, ku i kërkonte të tërhiqte akuzat ndaj Bolsonaro-s dhe paralajmëroi se do të vendoste tarifa 50% për produktet braziliane, nëse kjo nuk ndodhte. Trump e quajti procesin ndaj Bolsonaro-s një “gjueti shtrigash që duhet të përfundojë menjëherë”.
    Bolsonaro përballet me deri në 43 vite burg nëse shpallet fajtor për përpjekjen për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022. Djali i tij, senatori Flávio Bolsonaro, bëri thirrje për falje për të atin dhe krahasoi situatën me Japoninë në fund të Luftës së Dytë Botërore: “Na takon ne të tregojmë përgjegjësi për të shmangur dy bomba atomike që mund të bien mbi Brazil.”
    Por strategjia e Trump-it duket se ka pasur efekt të kundërt. Lëvizja ka mobilizuar kampin e majtë, ka rritur përkrahjen për presidentin Lula në sondazhe dhe ka nxitur zemërim publik ndaj familjes Bolsonaro, e cila për vite me radhë është paraqitur si mbrojtëse e patriotizmit.
    Gazeta konservatore Estado de São Paulo kritikoi ashpër Bolsonaro-n dhe i kërkoi të djathtës të zgjedhë mes interesit të Brazilit dhe interesit personal të ish-presidentit.
    Ndërkohë, Pekini – partneri më i madh tregtar i Brazilit – ka arsye për të festuar, pasi lëvizja e Trump mund të përshpejtojë afrimin e Amerikës Latine me Kinën.

    Top Channel

  • Tarifat ndaj Brazilit, konsumatorët amerikanë do ta paguajnë më shtrenjtë kafenë dhe lëngun e portokallit

    Tarifat ndaj Brazilit, konsumatorët amerikanë do ta paguajnë më shtrenjtë kafenë dhe lëngun e portokallit

    Konsumatorët amerikanë do të përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve për artikuj të caktuar, të tillë si kafeja dhe lëngu i portokallit, nëse administrata Trump vazhdon të vendosë një tarifë prej 50% për importet nga Brazili, thonë tregtarët dhe analistët ekonomikë.

    Ata vlerësojnë se niveli i tarifave të vendosura nga Presidenti Trump do të çojë në ndërprerjen e rrjedhës së kafesë braziliane në Shtetet e Bashkuara, pasi as kompanitë amerikane dhe as eksportuesit brazilianë nuk do të jenë në gjendje të kapërcejnë hendekun që do të rezultojë.
    Presidenti amerikan njoftoi të mërkurën se do të rriste tarifat për produktet braziliane nga 10% në 50% duke filluar nga 1 gushti, pavarësisht faktit se SHBA-të kanë një suficit tregtar prej 7.4 miliardë dollarësh me Brazilin.
    Rreth një e treta e kafesë së konsumuar në Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh i kafesë në botë, vjen nga Brazili – i cili vitin e kaluar eksportoi 8.14 milionë qese 60 kg në SHBA, një rritje prej 30% nga viti 2023, sipas shoqatës së eksportuesve brazilianë Cecafé.
    “Një tarifë e asaj madhësie do ta ndërpriste atë fluks. Eksportuesit brazilianë nuk do ta përthithin atë. Dhe as bizneset amerikane nuk mund ta bëjnë këtë”, thotë konsulenti i investimeve Michael Nugent. “Si përfundim: Brazili do ta shesë kafenë e tij diku tjetër dhe SHBA-të do të blejnë kafe nga vende të tjera – Kolumbia, Hondurasi, Peruja, Vietnami – por jo në sasinë ose me çmimin e kafesë braziliane”, shtoi ai.
    Ndërkohë, më shumë se 50% e lëngut të portokallit të shitur në SHBA vjen gjithashtu nga Brazili. Vendi i Amerikës së Jugut eksporton gjithashtu sheqer, lëndë drusore, naftë dhe produkte nafte.
    Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Latnick, tha muajin e kaluar gjatë një seance dëgjimore në Kongres se disa mallra që nuk janë të disponueshme në SHBA, siç janë frutat tropikale dhe erëzat, mund të përjashtohen potencialisht nga tarifat, pas negociatave me vendet që i eksportojnë ato.
    SHBA-të prodhojnë vetëm një përqindje të vogël të kafesë së konsumuar në vend, në fermat në Hawaii dhe Kaliforni. Në vitet e fundit, varësia nga lëngu i portokallit i importuar është rritur për shkak të klorozës së përhapur të agrumeve, dhe periudhave të zgjatura të të ftohtit.
    Një raport i kohëve të fundit nga Departamenti i Bujqësisë i SHBA-së parashikoi se korrja e portokallit në SHBA do të bjerë këtë vit në nivelin më të ulët në 88 vjet, dhe për këtë arsye prodhimi i lëngut të portokallit do të arrijë në një nivel historik të ulët.

    Top Channel

  • “Kam stërvitur 34 lojtarë brazilianë, por vetëm njëri prej tyre më ka hapur probleme”

    “Kam stërvitur 34 lojtarë brazilianë, por vetëm njëri prej tyre më ka hapur probleme”

    Në një intervistë për “Globo Esporte“, trajneri i ri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka folur hapur rreth përvojave të tij me futbollistët brazilianë gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer, duke ndarë disa detaje nteresante.
    Sipas taktikut italian, lojtari më i mirë brazilian me të cilin ka punuar është Ronaldo. “Teknikisht, ai ishte i jashtëzakonshëm dhe një nga njerëzit më gazmor në botë”, kujton italiani.
    “Nga ana tjetër, më profesionisti ishte Cafu. Sa i përket më gazmorëve… ka shumë: Militao më bën gjithmonë të qesh dhe Vinicius, i cili, sipas mendimit tim, është shumë i përulur. Kjo është arsyeja pse flas kaq shumë për ta, kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë ata lojtarë që kam punuar më parë dhe të gjithë më kontaktuan për të më përgëzuar dhe për të më uruar suksese”, shtoi ai.
    Ancelotti shtoi gjithashtu se “Lojtarët brazilianë kanë një nivel më të lartë teknik krahasuar me të tjerët. Zakonisht, ata janë individë që ruajnë vetëkontroll të mirë dhe kanë një sjellje të qetë dhe të përulur”.
    Në përfundim, Ancelotti tregoi edhe një “sekret”. “Kam stërvitur 34 brazilianë gjatë karrierës time dhe vetëm me njërin prej tyre kam pasur probleme. Mos më pyesni për emrin, nuk e them”, u shpreh italiani.

  • “Është keq, por mos u anko më”/ SMS-të dhe fabrika e “spiunazhit” të Rusisë

    “Është keq, por mos u anko më”/ SMS-të dhe fabrika e “spiunazhit” të Rusisë

    Foto ilustruese

    BRAZIL- 30-vjeçari Artem Smirev jetonte me partneren e tij braziliane në Rio de Janeiro, ku madje kishte edhe biznesin e tij: një kompani që merrej me printim 3D. Apartamenti i tij ndodhej pranë konsullatës amerikane. Edhe pse rus, Smirev e paraqiste veten si brazilian. Në fund të fundit, ai kishte dokumentet për ta vërtetuar këtë: certifikatën e tij të lindjes braziliane, pasaportën e tij braziliane dhe një emër brazilian, Gerhard Daniel Campos Wittich. Ai fliste rrjedhshëm portugalisht, por me një theks, një theks të cilin ai ia atribuonte “faktit” se kishte kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Austri.
    Smirev kaloi disa vite kështu… si “brazilian”, në Brazil. Por ai nuk ishte i vetmi.
    Siç zbulon New York Times, Moska kishte ngritur “industrinë e saj të spiunazhit” brenda kufijve të Brazilit. Anëtarët e këtij rrjeti, të njohur edhe si “ilegalë”, fshinë të kaluarën e tyre ruse dhe filluan gjithçka nga e para, duke bërë miq, duke krijuar marrëdhënie, duke studiuar dhe punuar. Qëllimi i tyre nuk ishte të zhvillonin aktivitete spiunazhi në Brazil, por të “bëheshin vetë brazilianë” dhe më pas, si “brazilianë”, të fillonin të zhvillonin aktivitete spiunazhi diku tjetër: në SHBA, Evropë dhe Lindjen e Mesme.
    Sipas të dhënave të cituara nga NY Times, një “brazilian” i tillë që iku nga Rusia u pranua në një universitet amerikan, një tjetër u transferua si studiues në Norvegji, dy të tjerë përfunduan në Portugali e kështu me radhë…
    Gjithçka po shkonte mirë për palën ruse deri në shkurt të vitit 2022. Pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi situatën, duke ringjallur interesin për rrjetet spiune të Moskës, të cilat kishin “lulëzuar” për vite me radhë, veçanërisht në vendet që tradicionalisht kishin pasur marrëdhënie të mira me Rusinë, siç është Brazili.
    Agjentët brazilianë, aktivë në fushën e kundërzbulimit, kanë kaluar tre vitet e fundit duke ndjekur në heshtje dhe në mënyrë metodike spiunët rusë, në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera: SHBA-së, Izraelit, Holandës, Uruguait, etj. Kështu, ata arritën të zbulojnë identitetin e vërtetë të të paktën 9 agjentëve rusë që jetojnë në Brazil si “brazilianë”. Nga ata që u zbuluan, disa u arrestuan dhe të tjerë u detyruan të iknin, me shumë mundësi duke u drejtuar për në Rusi.
    Spiuni që shkoi për një “praktikë” në GjPN
    Në prill të vitit 2022, policia federale braziliane mori një sinjal veçanërisht interesant nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës e SHBA-së (CIA). Një mbajtës i pasaportës braziliane me emrin Victor Miller Ferreira, me diplomë nga Universiteti Amerikan ‘Johns Hopkins’, kishte shkuar në Holandë për të punuar si praktikant në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, në një kohë kur kjo e fundit ishte gati të fillonte hetimin e akuzave për krime lufte ruse në Ukrainë. Holandezët e trajtuan atë si të dyshuar dhe i refuzuan hyrjen në vend, duke bërë që ai të kthehej në São Paulo.
    Megjithatë, sipas CIA-s, Ferreira nuk ishte në të vërtetë brazilian. Ai ishte rus dhe emri i tij i vërtetë ishte Sergei Cherkasov.
    Disa ditë më vonë, në São Paulo, policia braziliane arrestoi Cherkasovin, i cili këmbënguli se ishte “brazilian” dhe se kishte dokumentet për ta vërtetuar këtë. Në fakt, dokumentet braziliane në posedim të Cherkasovit ishin autentike: pasaporta, certifikata e regjistrimit ushtarak etj. Ajo që në fund e tradhtoi atë ishte certifikata e lindjes e cila, megjithëse autentike, përmbante informacione të rreme. Sipas asaj që deklarohej në këtë certifikatë lindjeje, Ferreira (ose Cherkasov, sipas CIA-s) lindi në Rio në vitin 1989 dhe nëna e tij ishte braziliane. Megjithatë, siç doli më vonë, gruaja që dukej të ishte nëna e tij nuk ishte gjallë në vitin 1989. Ajo kishte vdekur 4 vite para datës së tij të lindjes dhe nuk kishte pasur fëmijë.
    Një praktikë që është vënë re se ndiqet nga pala ruse, përfshinte spiunë rusë që përvetësonin certifikatat e lindjeve të njerëzve të vdekur, zakonisht fëmijë të vdekur, dhe përvetësonin identitetet e tyre. Megjithatë, në rastin e Cherkasovit, diçka tjetër ndodhi: certifikata ishte autentike dhe e tij, por informacioni në të ishte i rremë.
    Truku me certifikatat “autentike”
    Shumica e vendeve në botë kërkojnë certifikata nga spitalet ose mjekët për të lëshuar certifikata lindjeje. Megjithatë, Brazili, në veçanti, lejonte përjashtime për ata që kishin lindur në zona rurale. Në këto raste, e tëra çfarë nevojitej autoriteteve për të lëshuar një certifikatë të tillë ishte që dikush të deklaronte lindjen në prani të dy dëshmitarëve dhe të deklarohej se të paktën njëri nga dy prindërit ishte brazilian.
    Kur zbuluan se pikërisht kjo dobësi në sistem ishte shfrytëzuar, autoritetet kapën fundin e fillit që do t’i çonte drejt zbulimit të identitetit të vërtetë të spiunëve të tjerë. Sipas certifikatës së tij të lindjes, për shembull, Gerhard Daniel Campos Vitich (emri i vërtetë Artem Smirev ) lindi në Rio në vitin 1986. Megjithatë,ai ishte sikur ai të mos kishte ekzistuar kurrë në Brazil para vitit 2015. Brazilianët që kishin punuar me të ndërsa ai jetonte në Rio flasin për një burrë që me kokëfortësi shmangte fotografimin, që dukej se kishte më shumë para sesa fitonte nga biznesi i tij, që bënte udhëtime të papritura jashtë vendit, por edhe që ishte veçanërisht i kujdesshëm me kompjuterin dhe aksesin në internet.
    Artem Shmirev u largua papritur nga Brazili në fund të vitit 2022, përpara se autoritetet ta arrestonin, duke thënë se po shkonte në Malajzi. Ai kishte marrë një biletë vajtje-ardhje, por nuk u kthye kurrë. Gruaja e tij ishte Irina Smireva, spiune ruse që jetonte në Athinë me identitetin “Maria Tsalla”. Duke cituar shërbimet e inteligjencës së huaj si burim, New York Times madje paraqet disa nga mesazhet që dyshohet se çifti shkëmbeu në verën e vitit 2021, mesazhe që tregojnë se Artem dhe Irina nuk ishin të lumtur me jetën e tyre…
    SMS-të

    ARTEM ????
    • Unë e di pak a shumë si është e gjitha. Asnjë sukses i vërtetë në punën që duhej të kisha, nuk kam qenë aty ku duhet të isha për 2 vjet. Nuk kam më para, jam mbi 30 vjeç dhe familja ime ka pasur shumë probleme. Unë thjesht punoj dhe shpresoj, sepse vërtet kam shpresë, por askush nuk dëshiron të ndihet si dështak. Kjo është arsyeja pse vazhdoj të punoj dhe të shpresoj. Dhe nuk është vetëmëshirë, është thjesht realitet.
    IRINA ????
    • A mund të ndalosh të lutem?
    • Më vjen keq, por kjo tani është abuzim mendor. Të kam thënë vazhdimisht se gjithçka është subjektive dhe asgjë nuk është aq e keqe, por ti vazhdon ta shohësh dhe ta thuash në atë mënyrë — nuk mund të të ndihmoj nëse mendon në atë mënyrë. Unë nuk jam psikologe apo magjistare, dhe po përpiqem të gjej një rrugëdalje si të gjithë të tjerët.
    • Nëse do të besosh se jeta jote është e mjerë, kjo është zgjedhja jote. Të gjithë kanë probleme.
    • Je i shëndetshëm, je tërheqës, ke një punë që nuk është e keqe dhe ankohesh shumë.
    • Dhe kryesisht për diçka që është çështje perspektive.
    • Nëse doje një jetë normale familjare, atëherë ke bërë zgjedhjen e gabuar.
    • Po, nuk është siç u premtua dhe është keq. Ata të mashtrojnë që të futesh në këtë rreth, dhe unë e shoh këtë si një gjë të keqe. Është e pandershme dhe jokonstruktive.
    • Por ja ku jemi tani.
    • Përpiqu të shijosh gjërat e mira.
    ARTEM ????
    • Po përpiqem, po. Do të përpiqem më shumë. Faleminderit që ndave perspektivën tënde./ZËRI