Tag: brazili

  • “Kombëtares italiane i duhej një si Gattuso, Ancelotti mund të bëjë shumë mirë te Brazili”

    “Kombëtares italiane i duhej një si Gattuso, Ancelotti mund të bëjë shumë mirë te Brazili”

    21 Qershor 2025

    13:01

    Alfred Lleshi

    I pranishëm në “Forte Village” për një turne padel-i, që do ta shohë në finale, ish-portieri legjendar i Milanit dhe i kombëtares braziliane, Nelson Dida, foli për mikrofonat e “Sky Sport”. Ia nisi nga zgjedhja e Brazilit për t’i besuar ish-trajnerit të tij, Carlo Ancelotti:
    “Është kënaqësi të dish që Ancelotti ka mbërritur te Brazili. Është një trajner i madh, një njeri që i ka fituar të gjitha në futboll. Jam i lumtur që tani e ka këtë mundësi. Në dy ndeshjet e para, ai tashmë ka rregulluar diçka, duke arritur të mos pësojë gola. Tani do të ketë edhe dy ndeshje të tjera vendimtare para Botërorit të vitit të ardhshëm. Jam i sigurt që do të dijë ta menaxhojë një grup shumë të fortë lojtarësh. Sipas meje mund të bëjë shumë mirë”.
    Për Allegri te Milani: “Pres të bëjë mirë. Pas sezonit të fundit ishte e nevojshme të ndryshohej drejtimi dhe të nisej një cikël i ri me trajner që e njeh ambientin, ku ka fituar më parë. Sipas meje mund të synojë kthimin në Champions dhe të luftojë për titull”.
    Për Gattuson si trajner i Italisë: “Jam i lumtur për të, sepse është një mik i imi. Si trajner është rritur shumë dhe tani ka një mundësi të madhe. Do të sjellë shumë grintë, kombëtares italiane i duhet një trajner si ai. I uroj shumë fat dhe shpresoj që të arrijë ta çojë Italinë në Botëror”.

  • Brazili fiton ndaj Paraguait dhe siguron kualifikimin në Kupën e Botës 2026

    Brazili fiton ndaj Paraguait dhe siguron kualifikimin në Kupën e Botës 2026

    Brazili siguroi matematikisht një vend në Kupën e Botës 2026 me një fitore 1-0 kundër Paraguait në kualifikueset e Amerikës së Jugut, duke i dhënë trajnerit Carlo Ancelotti fitoren e tij të parë në krye të ekipit.

    Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Jr, shënoi nga afër në pjesën e dytë, pas një aksioni të shkëlqyer nga mesfushori Matheus Cunha, i cili pritet t’i bashkohet Manchester United-it.
    Fitorja, e para për Ancelottin pas barazimit 0-0 kundër Ekuadorit në debutimin e tij javën e kaluar, do të thotë se Brazili është kualifikuar tashmë në çdo edicion të Kupës së Botës.

  • Brazili në Botëror, ja surpriza që tifozët e Seleçao i bënë trajnerit Ancelotti për ditëlindje

    Brazili në Botëror, ja surpriza që tifozët e Seleçao i bënë trajnerit Ancelotti për ditëlindje

    11 Qershor 2025

    8:39

    Telesport

    Brazili fitoi 1-0 ndaj Paraguaj, u kualifikua për në Kupën e Botës 2026 dhe trajneri italian Carlo Ancelotti e festoi me një triumf 66-vjetorin e tij të lindjes. Ky ishte suksesi i tij i parë në stolin e Seleçao pas barazimit pa gola pak ditë më parë në debutim.
    Në ditëlindjen e tij të 66-të, Ancelotti u brohorit dhe u festua nga turma braziliane në stadiumin e Sao Paulo: “Parabens Carletto”. Në stadiumin “Neo Química Arena” tifozët vendës e mirëpritën trajnerin, i cili drejtonte Seleção kundër Paraguait, me një koreografi të madhe me fjalët “Gëzuar ditëlindjen Carletto”.
    Emri i trajnerit ishte një nga më të duartrokiturit nga turma gjatë shpalljes së formacionit, së bashku me atë të sulmuesit Vinicius Júnior.
    Për të festuar ditëlindjen e tij, Ancelotti mblodhi familjen e tij për të parë ndeshjen kundër Paraguait, ndërsa djali i tij Davide bëri debutimin e tij në stafin e trajnerëve të Brazilit.

  • Brazili kualifikohet në Botëror, dhuratë Ançelotit për ditëlindje

    Me një gol të Vinicius shënuar në të 44′, Brazili mund Paraguain dhe kualifikohet me dy ndeshje nga fundi për në Botërorin 2026.

    Tej suksesit, kjo duket si dhuratë ndaj Ançelotit i cili feston 66 vjetorin e lindjes.

    Pas Argjentinës, së bashku me Seleçiao-n kualifikohet edhe Ekuadori. Dy javët e fundit zhvillohen më 9 dhe 14 shtator 2025.

    Shifrat e CONMEBOL të mengjesit të sotëm:

    Peru-Ekuador 0-0

    Argjentinë-Kolumbi 1-1

    Brazil-Paraguai 1-0

    Uruguai-Venezuelë 2-0

    Vazhdo leximin

  • Ancelotti çon Brazilin në Botëror. 1-0 ndaj Paraguajit, kualifikim matematik me dy ndeshje përpara

    Ancelotti çon Brazilin në Botëror. 1-0 ndaj Paraguajit, kualifikim matematik me dy ndeshje përpara

    Carlo Ancelotti do të marrë pjesë në Kupën e Botës. Ky, pas viteve me triumfe në krye të klubeve më të mëdha europiane, pas gjithë atyre Champions League të fituara, që mbushin vitrinën e tij, ishte një objektiv që ende i mungonte.
    Brazili i tij, kombëtarja që mori në drejtim vetëm disa javë më parë, ia doli. Shpërndau makthet e nisjes së dobët në grup dhe siguroi kualifikimin për fazën finale, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Meksikë, SHBA dhe Kanada. Më tepër akoma, ia doli me dy ndeshje përpara fundit të kualifikueseve.
    Vendimtar ishte rezultati 1-0, me të cilin Seleção mposhti Paraguajin në orët e vona të natës, falë një goli të Vinicius Junior. Kjo ishte ndeshja e parë në shtëpi e italianit si trajner i Brazilit. Në këtë mënyrë, Ancelotti siguroi matematikisht biletën për në Botëror, duke rikthyer qetësinë te 5 herë kampionët e botës.
    Në “NeoQuimica Arena” të São Paulos, Brazili nuk bëri një paraqitje për t’u mbajtur mend, por fitoi. Vendosi një gol i realizuar në fundin e pjesës së parë nga Vinicius Junior, lojtari titullar si te Real Madridi i Ancelottit. Ai ishte perfekt në futjen në zonë pas një asisti të shkëlqyer nga Matheus Cunha.
    Më parë, Brazili kishte kontrolluar ndeshjen, por pa krijuar shumë. Situata të rrëmujshme, të menaxhuara mirë nga mbrojtja e Paraguajit. Miqtë, nga ana tjetër, nuk rrezikuan asnjëherë.
    Në pjesën e dytë, skuadra e Ancelottit e legjitimoi suksesin, duke iu afruar golit të dytë me Raphinha dhe Bruno Guimarães, të ndalur nga portieri Gatito Fernandez, ndërsa në mbrojtje rrezikoi shumë pak. Dhe në fund shpërtheu festa e madhe e kualifikimit.

  • Ancelotti debuton me barazim pa gola te Brazili, fiton Argjentina e kualifikuar tashmë

    Ancelotti debuton me barazim pa gola te Brazili, fiton Argjentina e kualifikuar tashmë

    Debutimi i Carlo Ancelottit në stolin e Brazilit nuk la gjurmë. Në transfertën delikate kundër Ekuadorit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, “Seleção” u ndal me barazim pa gola (0-0), pa emocione, duke treguar sërish probleme shqetësuese në fazën sulmuese. Ekuadori, i pamposhtur prej 8 ndeshjesh në shtëpi dhe i fortë në mbrojtje (vetëm 5 gola të pësuar në 15 ndeshjet e fundit në shtëpi), e konfirmon qëndrueshmërinë e vet.
    Pavarësisht skemës më të balancuar të zgjedhur nga Ancelotti, me Marquinhos dhe Alex Sandro që udhëhoqën mbrojtjen dhe Vinicius Junior që veproi si lider ofensiv me fanellën me numrin 10, Brazili nuk arriti ta çajë mbrojtjen kundërshtare. I riu Estevão krijoi rastin e vetëm të rrezikshëm në pjesën e parë, të humbur nga Gerson, ndërsa në pjesën e dytë as Richarlison dhe as Vinicius nuk arritën të shënonin nga rastet që patën. Të mërkurën, “Seleção” do të përballet në shtëpi me Paraguajin për të tentuar të sigurojë kualifikimin në Botërorin 2026.
    Në fushë ishte edhe Argjentina, e cila festoi kualifikimin matematikor për në Botëror, pasi mposhti 1-0 Kilin në Santiago. Golin vendimtar e shënoi Julian Alvarez në minutën e 16-të. Në qendër të vëmendjes ishte edhe Mastantuono, 17 vjeç e 295 ditë, debutuesi më i ri në historinë e “Albiceleste”, i cili hyri në lojë në fund dhe është prenotuar tashmë nga Real Madridi. “Albiceleste”, edhe pa Messin, tregoi sërish forcë dhe pragmatizëm, me Balerdi dhe Romero që spikatën në mesfushë.

  • “Brazili është katastrofë. Ë vështirë ta them, por sot nuk mund ta fitojmë Kupën e Botës”

    “Brazili është katastrofë. Ë vështirë ta them, por sot nuk mund ta fitojmë Kupën e Botës”

    Fjalë shumë të forta nga Danilo, kapiteni i Brazilit dhe një nga figurat simbol të “Seleçao”. Në një intervistë për “Romario Tv”, mbrojtësi veteran analizoi momentin që po kalon kombëtarja e tij: “Dua ta them, unë besoj në gjithçka të futbollit.
    Është madje e vështirë ta thuash, sepse do të thonë që kapiteni i përfaqësueses së Brazilit pranon dorëzimin, se Brazili nuk mund ta fitojë Kupën e Botës. Por sot, në gjendjen që është, nëse e shikon ekipin kombëtar të Brazilit, është një katastrofë. Tani do të kemi një trajner të ri, në aspektin administrativ nuk e dimë as vetë çfarë kemi”.
    Pak para grumbullimit, mbrojtësi i Flamengos do të shprehej kështu: “Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Unë me të vërtetë besoj që gjërat mund të përmirësohen shumë nga tani deri vitin tjetër. Varet nga lojtarët, nga Ancelotti, nga aftësia për t’u mbrojtur nga gjithçka që ndodh jashtë fushës. Varet nga aftësia për të qëndruar larg kritikave, pritshmërive, sepse janë shkatërruese”.
    Ish-mbrojtësi i Juventus thekson se ajo që ka rëndësi janë rezultatet: “Kur thuhet: ‘Ah, Brazili fitoi 2-0, por luajti keq’. ‘Ah, Brazili nuk po luan mirë’… Edhe unë dua të luaj mirë, të gjithë duan të luajnë mirë, askush nuk do të vuajë. Sidoqoftë, mes të mos fituarit duke luajtur bukur dhe të fituarit pa luajtur mirë, unë preferoj të fitoj.
    Më falni, por unë jam një nga ata njerëz. Të kesh një figurë si Ancelotti, sigurisht që të jep më shumë mbështetje, më shumë respekt. Besoj se do të ketë presion mbi të për të sjellë rezultate dhe ndoshta kjo do ta ulë pak presionin mbi lojtarët.
    Por ne, si sportistë, duhet të themi gjithashtu: Prisni pak, trajneri është i jashtëzakonshëm, duhet të gjejmë një zgjidhje, sepse kanë ndryshuar trajnerë disa herë dhe gjërat nuk janë përmirësuar”.
    Mendimi i Danilos për Ancelottin është pozitiv: “Si trajner, si fitues trofesh, si figurë e respektuar, nuk ka asgjë për t’i kritikuar. Besoj se do të rikthejë një pjesë të respektit, që ekipi i Brazilit e ka humbur kohët e fundit.
    Qoftë në aspektin e dinamikave në fushë, në lojë, në raportet me arbitrat, me trajnerët e tjerë dhe lojtarët e tjerë. Edhe jashtë fushe, në aspektin administrativ, në atë që bota sheh nga ekipi kombëtar i Brazilit”.

  • Brazili në duart e një italiani

    Brazili në duart e një italiani

    Pasi përfundoi epokën madrilène me Realin, italiani Carlo Ancelotti, u prezantua si trajneri i ri i ekipit kombëtar brazilian në një konferencë për shtyp në Rio de Janeiro para më shumë se 250 përfaqësuesve të medias, raporton Reuters.
    “Jam i nderuar dhe krenar që të drejtoj ekipin më të mirë në botë. Kam një punë të madhe përpara meje”, pohoi 65-vjeçari Ancelotti. “Sfida është e madhe. Gjithmonë kam pasur një lidhje të veçantë me këtë ekip kombëtar. Do të punojmë për ta bërë Brazilin përsëri kampion.”
    Ancelotti, i cili u prit nga ish-trajneri brazilian Luiz Felipe Scolari, mori detyrën nga Dorival Junior, i cili u shkarkua në fund të marsit pas një humbjeje të rëndë ndaj Argjentinës (1:4) në kualifikueset për Kupën e Botës 2026.
    Brazili aktualisht është në vendin e katërt në kualifikuese ku gjashtë ekipet e para do të fitojnë kualifikim të drejtpërdrejtë.
     Asnjë thirrje për Neymar
    Ish-trajneri i Real Madridit do të debutojë në ndeshjet kualifikuese kundër Ekuadorit dhe Paraguait, të cilat janë planifikuar të zhvillohen në qershor.
    Ancelotti njoftoi gjithashtu një listë prej 25 lojtarësh që do të garojnë për këto dy ndeshje, por Neymar nuk është në listë. Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain, i cili u rikthye te Santos në fund të janarit, u rikthye në fushë vetëm kohët e fundit pas një pushimi pesë-javor për shkak të një dëmtimi. /tesheshi.com/
     

  • Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili pas rasteve me gripin e shpendëve

    Kosova ndalon mishin e pulës nga Brazili pas rasteve me gripin e shpendëve

    Kosova ka vendosur ta ndalojë përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, ka bërë të ditur të martën Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Masa është marrë pasi Brazili konfirmoi të premten shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë, ndërsa tha se po heton raste të tjera të dyshuara.
    Autoritetet kosovare kanë thënë se vendimi për ndalimin e mishit të pulës nga Brazili “synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës”.
    Edhe Bashkimi Evropian njoftoi një ditë më parë se Brazilit, eksportuesit më të madh të shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor të mishit të shpendëve në BE, ia ka ndaluar të dërgojë produkte shpendësh dhe mishi në vendet e bllokut.
    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se masa “do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, gjithmonë bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV”. Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit.
    “Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AUV-së. REL/

  • Brazilit s’i lejohet të eksportojë mish në BE, për shkak të gripit të shpendëve

    Brazilit s’i lejohet të eksportojë mish në BE, për shkak të gripit të shpendëve

    Brazili, eksportuesi më i madh i shpendëve në botë dhe eksportuesi kryesor i mishit të shpendëve në Bashkimin Evropian, e ka të ndaluar nga tani të dërgojë produkte shpendësh dhe mishi në BE, për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve, tha të hënën Komisioni Evropian.
    Të premten, Brazili konfirmoi shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë shpendësh.
    “Kushtet e importit në BE kërkojnë që vendi eksportues [Brazili] të mos jetë i prekur nga Gripi i Shpendëve me Patogjenitet të Lartë (HPAI)”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.
    “Autoritetet braziliane nuk mund të nënshkruajnë më certifikata të shëndetit të kafshëve për eksport në BE dhe këto certifikata nuk mund të lëshohen më. Asnjë produkt mishi apo shpendësh nuk mund të eksportohet në BE nga asnjë pjesë e territorit brazilian”, tha zëdhënësi.
    Ministri i Bujqësisë i Brazilit, Carlos Favaro, tha të premten se, sipas protokolleve ekzistuese, vende si Kina, Bashkimi Evropian dhe Koreja e Jugut do ta ndalojnë importin e shpendëve nga Brazili për 60 ditë.
    Por, Komisioni nuk dha asnjë afat kohor.
    Komisioni Evropian theksoi se, për shkak të shpërthimit të gripit të shpendëve – i cili u zbulua në një fermë në shtetin Rio Grande do Sul – i gjithë territori i Brazilit ka pezulluar statusin zyrtar të të qenit “i paprekur nga Gripi i Shpendëve me Patogjenitet të Lartë”.
    Kushtet e importit në BE kërkojnë që vendi eksportues të mos jetë i prekur nga HPAI.
    BE-ja është një treg i vogël për Brazilin, i cili mbizotërohet nga Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Japonia, Arabia Saudite dhe Afrika e Jugut.
    Në vitin 2024, Brazili eksportoi më shumë se 5 milionë tonë mish shpendësh. Nga këto, afërsisht 4.4% shkuan drejt BE-së, sipas grupit kombëtar të mishit të derrit dhe shpendëve ABPA.
    Nga totali i importeve të mishit të shpendëve në BE, Brazili është burimi kryesor, me rreth 32% vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të BE-së.
    Megjithatë, vëllimi mbeti mjaft i ulët pasi pjesa më e madhe e konsumit të BE-së mbulohet nga prodhimi vendas./REL