Konsumatorët amerikanë mund të përballen me rritje të ndjeshme çmimesh për produkte bazë si kafeja apo lëngu i portokallit, nëse vazhdon plani i tarifave 50% mbi importet nga Brazili. Kështu paralajmërojnë tregtarët dhe analistët ekonomikë.
Ekspertët vlerësojnë se kjo tarifë, e cila do të hynte në fuqi më 1 gusht, do të ndërpresë praktikisht furnizimin me kafe braziliane drejt SHBA-ve, pasi as eksportuesit brazilianë dhe as blerësit amerikanë nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston shtesë.
Aktualisht, SHBA importon rreth një të tretën e kafesë së konsumuar nga Brazili, që vetëm vitin e kaluar eksportoi 8.14 milionë thasë me nga 60 kg drejt tregut amerikan, një rritje prej 30% krahasuar me vitin 2023, sipas të dhënave nga Shoqata Braziliane e Eksportuesve të Kafesë (Cecafe).
“Një tarifë kaq e lartë do ta ndalte këtë furnizim. Eksportuesit brazilianë nuk mund ta përballojnë dhe as tregtarët amerikanë,” deklaroi këshilltari financiar Michael Nagend. “Në fund të fundit, Brazili do ta shesë kafenë diku tjetër, ndërsa SHBA do të detyrohet të blejë nga vende si Kolumbia, Hondurasi, Peruja apo Vietnami – por jo në sasinë dhe çmimin që ofron Brazili,” shtoi ai.
Po ashtu, më shumë se 50% e lëngut të portokallit që shitet në SHBA vjen nga Brazili. Ky vend i Amerikës së Jugut eksporton gjithashtu sasi të mëdha sheqeri, druri, nafte dhe nënprodukte të saj drejt tregut amerikan.
Sekretari amerikan i Tregtisë, Hoëard Lutnick, deklaroi muajin e kaluar në një seancë në Kongres se disa produkte të cilat nuk prodhohen në SHBA, si frutat tropikale apo erëzat – mund të përjashtohen nga tarifat, përmes negociatave me vendet eksportuese.
SHBA prodhon vetëm një sasi shumë të vogël të kafesë së konsumuar, kryesisht në Haëai dhe Kaliforni. Në vitet e fundit, varësia nga importet e lëngut të portokallit është rritur ndjeshëm për shkak të sëmundjeve që kanë prekur agrumet, cikloneve dhe periudhave të gjata me të ftohtë.
Sipas një raporti të fundit të Departamentit Amerikan të Bujqësisë, prodhimi i portokalleve në SHBA këtë vit pritet të bjerë në nivelin më të ulët të 88 viteve të fundit, çka do të çojë edhe prodhimin e lëngut të portokallit në një rekord historikisht të ulët. Syri.net-iefimerida