Klodian Braho
TIRANË-Klodian Braho, i cili aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme, do të jetë Drejtuesi i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme. Braho mori 7 vota, duke u bërë drejtuesi më i votuar deri tani i SPAK në mbledhjen e KLP, pasi dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani, ishin zgjedhur me nga 5 vota secili.
Por kush është prokurori i posaçëm Klodian Braho dhe rugëtimi i tij deri në krye të SPAK?
Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, që prej krijimit të SPAK. Fillimisht ai u emërua në Berat duke shërbyer deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë një periudhë si zëvendës drejtues i këtij institucioni.
Po në vitin 2015 Braho u emërua Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ku u përfshi në hetimin ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Nga 19 dhjetori 2019 dhe aktualisht është prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Karriera e ‘nxehtë’ filloji me hetime që lidheshin me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar. Një nga dosjet më të rëndësishme ku Braho u përfshi, është ajo e inceneratorit të Elbasanit.
Klodian Braho lëshoi urdhër-arreste për persona si ish- ministrin Lefter Koka, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar. Në përfundim të hetimit, u dhë dënimi prej 5 vite e 8 muaj burg për Lefter Kokën, i cili vetëm sot në një ditë me emërimin e Brahos në krye të SPAK, fitoi lirinë.
Hapat do të vazhdonin njëjtë, ku Braho do të ishte pjesë e një prej dosjeve më të bujshme për SPAK dhe qeverisjen e kryeqytetit ajo e cila njIhet si “5D”. Dosje e cila vuri në hetim ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Gjatë hetimit u lëshuan tre masa sigurie “arrest në burg” për Redi Mollën, ish-drejtor i Ujësjellës Kanalizime, Taulant Tushën, ish-drejtor i Punëve Publike, dhe Mariglen Qaton, ish-drejtor i IMT. Masa “detyrim paraqitje” u vendos për ish-anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave.
Një ndër çështjet më të rëndësishme të ndjekura prej Brahos është edhe dosja e njohur si “Toyota Yaris”, ku figurojnë të përfshirë edhe emra nga sistemi i drejtësisë, si ish-kolegu i tij, drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka i cili ndodhet në burg. Kjo dosje është e fragmentuar në disa pjesë dhe hetimet vijojnë ende për seksione të tjera të saj.
Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në masakrën e Gërdecit.
Klodjan Braho do të jetë pasuesi i Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mandati i Altin Dumanit mbaron më 18 dhjetor, ndërsa Braho do ta marrë zyrtarisht detyrën në një ceremoni të dorëzimit të kompetencave më 19 dhjetor 2025./ZËRI









