Tag: braho

  • “Nëse vota e lirë nuk është e sigurt, gjithçka është e kotë”, Braho për farsën e 11 majit:PS përfiton nga deformimi i..

    “Nëse vota e lirë nuk është e sigurt, gjithçka është e kotë”, Braho për farsën e 11 majit:PS përfiton nga deformimi i..

    E ftuar në edicionin e pasdites në një emision televiziv, gazetarja Alisa Braho komentoi procesin zgjedhor të 11 majit, të cilin e cilësoi si një farsë dhe jo një proces normal. Sipas saj, vetëm në kushte të një procesi të rregullt zgjedhor mund të justifikohen gabimet njerëzore, ndërsa ajo që ndodhi më 11 maj nuk mund të arsyetohet me mangësi të zakonshme teknike apo organizative.
    Braho deklaroi se në rastin më të keq të një katastrofe zgjedhore, të cilën sipas saj e dëshmuan të gjithë, pjesë e problemit ishin edhe media dhe shoqëria civile. Ajo theksoi se shoqëria civile nuk ka reaguar si zakonisht dhe është treguar e gatshme të braktisë opozitën në një moment të tillë kritik.
    Gazetarja vlerësoi si shumë të rëndësishëm denoncimin që po bën Partia Demokratike, hap pas hapi, të gjithçkaje që KQZ e konsideron si anomali, por që sipas saj janë pjesë e një skeme më të gjerë manipulimi. Ajo theksoi se për çdo qytetar që ndjek zhvillimet politike, është e qartë se nuk kemi të bëjmë me gabime të rastësishme, por me një seri parregullsish që i dhanë avantazh Partisë Socialiste.

    Sipas Brahos, ndaj opozitës po zhvillohet një valë e madhe sulmesh, por PD nuk ka pretenduar asnjëherë për numra votash në kuti. Ajo theksoi se nuk bëhet fjalë për ndarje llokmash, siç është mësuar PS të e trajtojë procesin, por për një regjim që, sipas saj, po deformon votën e lirë të shqiptarëve.

    “Nëse vota e lirë nuk është e sigurt, atëherë gjithçka është e kotë,” përfundoi Braho, duke e cilësuar këtë si mesazhin që PD po përpiqet të përcjellë përmes narrativës së saj.
    Braho: 
    Gazetare, u shpreh: Nëqoftëse do të kishim pasur një proces normal, pra jo një farsë zgjedhore, ashtu sikurse pretendon edhe partia demokratike e Shqipërisë, do mund që të toleroheshin edhe gabimet njerëzore.Gabimet njerëzore në këtë rast justifikohen vetëm në një proces normal zgjedhor.
    Në një proces si ky, në një katastrofë zgjedhore në rastin më të keq që ne e dëshmuam të gjithë, dhe ishim pjesë e saj fatkeqësisht. Në këtë farsë zgjedhore ishte pjesë e saj edhe media, shoqëria civile.
    Ne nuk kemi dëgjuar asgjë nga shoqëria civile, e keni vënë re që janë të parët që reagojnë, por janë edhe të parët për ta braktisur opozitën.
    Prandaj është shumë i rëndësishëm ajo që po bën PD, pra denoncimi hap pas hapi i të gjitha atyre që KQZ i konsideron anomali, por që në syrin dhe optikën e një njeriu normal i cili vëzhgon dhe ndjek lajmet e përditshme në Shqipëri dhe shih çfarë ka ndodhur më 11 maj, e kupton se ajo nuk ishte një anomali e rastësishme apo një gabim njerëzor, por një seri anomalisht të cilat i kontribuuan një rezultati në favor të PS, një rezultati jashtë normales.
    Ka një valë të madhe sulmesh ndaj opozitës.
    Në asnjë moment Partia Demokratike nuk ka thënë dhe nuk ka pretenduar që ne në kuti kemi pasur kaq vota apo aq vota. Nuk flitet pra për ndarje llokmash, sikurse është mësuar PS që ta shikojë procesin zgjedhor, por flitet në fakt për një Shqipëri ku regjimi i Ramës deformon votën e lirë të shqiptarëve.
    Mendoj që përmes kësaj PD është duke ndërtuar një narrative ku thotë se nëse vota e lirë nuk është e sigurt, atëherë gjithçka është e kotë.
     
     

  • 29 vite nga maji i 1996, Braho rrëfen planin e errët të Berishës: I dëgjova me veshët e mi porositë për vrasje,Saliu…

    29 vite nga maji i 1996, Braho rrëfen planin e errët të Berishës: I dëgjova me veshët e mi porositë për vrasje,Saliu…

    Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherësh ish-kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka hedhur dritë mbi njërën prej periudhave më të errëta të tranzicionit politik shqiptar, sikundër janë zgjedhjet e majit 1996. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën “SOT”, Braho kujton tensionin ekstrem dhe dhunën e organizuar nga pushteti i atëhershëm, ku opozita socialiste ishte vënë nën një presion të paprecedentë, madje deri në pikën e rrezikut fizik.
    Më 22 maj 1996, drejtuesit e PS-së i shpëtuan për pak një atentati të mirëorganizuar në Durrës, ku pritet ishin vendosur nga struktura të SHIK-ut dhe Policisë së Shtetit, me urdhra që vinin direkt nga Bashkim Gazidede dhe Agim Shehu, të dy eksponentë të afërt të Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha. Sipas Brahos, Berisha kishte dhënë urdhër të drejtpërdrejtë për të “eliminuar” opozitën, ndërsa mbante në burg liderin e saj, Fatos Nano. Braho, i cili në atë kohë kujdesej për sigurinë e krerëve të Partisë Socialiste, tregon se kishte vendosur pajisje përgjimi në një banesë në Sukth, prej nga ku kishte dëgjuar urdhrat kriminalë të Gazidedes dhe Shehut për dhunë dhe destabilizim: të sulmohej Servet Pëllumbi, të digjeshin makinat e opozitarëve dhe të sabotohej mitingu i PS-së në Durrës.
    Në librin e tij “Masakroni Servet Pëllumbin”, por edhe në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Braho sjell detaje të forta për këtë periudhë, duke zbuluar se ishte vetë në makinën e Pëllumbit në ato orë kritike, kur dëgjoi në radion përgjuese urdhrin për ta “masakruar” atë. Plani nuk kishte të bënte më me frikësim apo presion politik, por bëhej fjalë për eliminim të hapur fizik të opozitës, kujton Z. Braho. Ndaj sot, 29 vite më vonë, rrëfimi i Spartak Brahos është një kujtesë tronditëse për ato ditë kur demokracia shqiptare u gjunjëzua nën terror shtetëror, ndërkohë që tregon sa e brishtë ka qenë, e mbetet ende, jeta politike në Shqipëri.
    -Zoti Braho, kanë kaluar gati tre dekada nga ngjarjet dramatike të majit 1996. Si e përjetuat ju personalisht atë periudhë, si ju rikthehen në kujtesë ato ditë të errëta dhe a mund të na ndani ndonjë detaj konkret që publiku ende nuk e di?
    Natyrisht. Kishte filluar fushata e zgjedhjeve elektorale që do të mbaheshin më 26 maj. Si kudo edhe në Durrës, dega e PS, ishte organizuar të hynte në zgjedhje për të fituar, pasi dukej qartë që qeveria Meksi kishte marrë tatëpjetën. Ishte koha dhe viti kur firmat piramidale po shkonin drejt degradimit, ku megjithëse presidenti Berisha për të qetësuar situatën deklaroi se “paratë e shqiptarëve janë të sigurta”, një pjesë e popullsisë që kishte futur paratë në këto firma ndjehej e nervozuar dhe e zemëruar. Në strukturat policore ndërkohë ishin bërë ndryshime dhe lëvizje të drejtuesve të tyre. Në Durrës ishte emëruar Artan Kalaja, një ish mësues nga Kruja, i përfolur si dorë e fortë që mori përsipër detyrën e Drejtorit të Policisë. Të gjitha këto lëvizje dhe emërime në polici të linin të kuptohej se bëheshin për një qëllim dhe zgjedhjet nuk do ishin të qeta. Siç ndodhi realisht më 26 maj. Dhuna, terrori, rrahjet, manipulimi dhe vjedhjet e fletëve të votimit në qendrat e votimit, çuan në largimin e komisionerëve të PS.
    Kështu u realizua “fitorja e Partisë Demokratike”. Në shumë qendra votimi rezultatet kaluan edhe shifrën 120%.Po atë ditë, nëpërmjet një deklarate në emër të Kryesisë së PS në Hotel Tirana, prof. Sabit Brokaj pasi vuri në dukje tërë maskaradën e zgjedhjeve, deklaroi se PS nuk i njeh ato, duke vënë në dijeni edhe organizmat ndërkombëtarë, të cilat pas disa ditësh e kuptuan se çfarë kishte ndodhur në Shqipëri. Por, le të vijmë te data 20 maj i atij viti. Për të treguar një ngjarje të rëndë në mitingun e degës së Partisë Socialiste të Durrësit. Në këtë takim priteshin të vinin për të ndjekur anëtarët e kryesisë prof. Servet Pëllumbi, prof. Sabit Brokaj, prof. Kastriot Islami, Prof. Ethem Ruka, Ndre Legisi, Bardhyl Agasi, etj, drejtues lokalë.
    -Çfarë forme mori dhuna në ditët para dhe pas procesit zgjedhor? Si u organizua ajo?
    Atë po tregoj. E parandieja dhe intuita profesionale më thoshte se Berisha do të bënte çmos që zgjedhjet t’i manipulonte dhe fitonte me çdo kusht. Policia, SHIK dhe kontigjenti kriminal, të cilët ishin liruar disa ditë përpara nga burgu do të ishin skalioni kryesor që do të përdornin dhunën dhe presionin mbi militantët e PS dhe zgjedhësit. I shqetësuar për këtë parandjenjë bisedova me një ish oficer policie i liruar, D. Ibrahimi se ç’duhej të bënim. Shkëmbyem mendime dhe ramë dakord që veprimet e policisë dhe të SHIK-ut t’i monitoronim duke interceptuar valët radiofonike që përdoreshin prej tyre. Sajuam aparaturat dhe një sasi radiosh që përdoreshin nga policia duke i instaluar në shtëpinë e një militanti në Sukth. Kjo bëri të mundur që të penetronim sa mundej në komunikimet në çdo orë të ditës duke ndjekur me kujdes të gjitha urdhrat dhe porositë që përgatiteshin për të realizuar goditjet dhe arrestimet nga shtabi policor i Artan Kalasë në Durrës dhe Agim Shehut në Tiranë.
    Në këto komunikime kuptohej qartë se ishte vendosur që mitingu elektoral i PS në Durrës të sabotohej e të mos lejohej të zhvillohej. Këtë të dhënë ja përcolla Qendrës duke i vënë në dijeni të këtij parashikimi. Në datën 20 maj ne prisnim në Vorë drejtuesit e PS për t’i shoqëruar ata rrugës për në Durrës. Aty për aty bisedova me Bardhyl Agasin që ishte kryetar i degës së Partisë për të bërë një devijim. Dhashë porosi që të ktheheshin papritur në fshatin Manzë duke organizuar aty një takim spontan. Kjo manovër u bë edhe për të parë si do të reagonin ata që na ndiqnin pas. Takimi i improvizuar në Manzë u realizua me sukses, por agjentët e policisë dhe të SHIK-ut që shoqëronin autokolonën ky devijim i gjeti pa përgatitur. Pas 30 minutash autokolona mori drejtimin për në Durrës dhe në radio u dëgjuan thirrje të egra të Agim Shehut dhe Artan Kalasë të cilët bërtisnin “pse u lejua takimi në Manzë” dhe të ndalohej me çdo kusht lëvizja e autokolonës në hyrje të qytetit të Shijakut, tek 4-Rrugët. Pa arritur atje u njoftuam se te 4- Rrugët grupe militantësh të PD kishin bllokuar rrugët në drejtim të Durrësit.
    Bisedova me prof. Servetin me të cilin isha në një makinë dhe pasi i sqarova situatën, i sugjerova ndërrimin e makinave. Ashtu u bë! Të gjithë anëtarët e kryesisë dhe ne që i shoqëronim hipëm në makina të tjera që u morën nga militantët tanë dhe ndërkohë që automjetet zyrtare ndaluan pa u futur te 4-Rrugët, ne ecëm me shpejtësi përmes turmës së egërsuar të militantëve të cilët nuk e kuptuan këtë manovër dhe nuk arritën të identifikojnë personat. Kështu u evitua bllokimi dhe përplasja në Shijak. Por problem ishte si do të hynim në Durrës. Ecnim drejt qafës së Rrashbullit, në drejtim të Shkozetit, drejt hyrjes së Durrësit, Urës së Dajlanit. Pikërisht aty, u panë grumbullime të tjera militantësh të PD që ulërinin me shkopinj në dorë që ulërinin duke shquar midis tyre një sërë fytyrash me precedent penal.“Mbajini aty, mos i lini të futen, nxirrini nga makinat, bjeruni dhe digjuni makinat” ishin urdhrat që dëgjonim nga radiot. Unë e njihja mirë zërin e Agim Shehut.
    Autokolona jonë kishte ndaluar te Ura e Dajlanit në pamundësi për të bërë përpara. Papritur, në radio buçiti një zë i fortë dhe me tërsëllëmë urdhëroi “Në asnjë mënyrë të mos bëhet mitingu, do përgjigjeni me kokë. Të mos futet në Durrës Servet Pëllumbi, masakrojeni, po, po masakrojeni”.Isha në një makinë me prof. Servetin. Ai e dëgjoi zërin në radio. “Ç’është ky mo Spartak, më pyeti”. Është Sali Berisha profesor i thash, kërkon kokën tënde.
    -Çfarë ndodhi më pas? Si u zhvilluan ngjarjet që pasuan ato momente të tensionuara?
    “Çdo bëjmë profesor” i thashë.“Të ecim përpara” tha me qetësinë e tij. Urdhërova shoferin e makinës që të kthehej me shpejtësi majtas drejt rrugës që të çonte drejt Portit Detar. Makinat e tjera na ndoqën pas. Devijimi ishte i papritur dhe i paparashikuar për ata që kishin vendosur të na masakronin. Ndoshta menduan se ne u kthyem mbrapsht përsëri për në Tiranë.Të çliruar nga bllokimi ecëm me shpejtësi për t’u futur nga Porti, në Bulevardin Kryesor që të çonte te Pallati i Sportit ku prisnin mijëra simpatizantë. Arritëm në rrugën e Pallatit të Sportit. Zbritëm dhe ecëm në drejtim të tij të rrethuar nga turma e popullit që na priste me entuziazëm. Me kujdes, duke mbajtur profesorin pashë midis turmës edhe disa fytyra të dyshimta që ishin përzier dhe që synonin të futeshin brenda në sallën e Pallati të Sportit. Ecnim me vështirësi dhe disa metra para hyrjes kryesore pashë dikë që nxori një thikë apo kaçavidë dhe po shtyhej në drejtimin e grupit kryesor. Ky është ai i masakrës, mendova. Dhe dikujt, nuk më kujtohet, i bëra me shenjë duke i thënë “mbërthejeni atë mut”, duke e treguar me gisht. Por rreziku nuk kishte kaluar.
    Pikërisht, në hyrje të derës së Pallatit të Sportit, pjesa e sipërme e të cilës ishte veshur me xham, u zgjat një shufër e gjatë hekuri dhe goditi në drejtim të kokës së profesorit. E pashë personin, ishte L.Dauti së bashku me vëllanë e tij. Xhami u thye në mes dhe një copë e madhe në formë trekëndëshi me majë poshtë mori drejtimin për të rënë mbi kokat tona, ku më pranë ishte profesori. E shtyva profesorin me forcë që ta kalonte edhe atë gjysmë metri të derës. Copa e rënë e xhamit ra me forcë mes trupave tanë, por profesori kishte shpëtuar. Një shoqëruesi tij shtrëngonte dorën e gjakosur. Mesa duket xhami kishte goditur atë. U futëm në sallën e elektrizuar nga thirrjet e simpatizantëve socialist që prisnin. Të sigurt që ja kishim hedhur SHIK-ut dhe Policisë së Sali Berishës, për të na prishur mitingun dhe për të na masakruar. Por mua në vesh për shumë kohë, më kumbonte një zë: “të masakrohet Servet Pëllumbi…”
    -Zoti Braho, nëse do të kishit fuqinë për ta gjykuar, cili do të ishte dënimi që do t’i jepnit Sali Berishës për krimet dhe përgjegjësitë e tij në ngjarjet e ’96?
    Ne e hoqëm dënimin kapital me vdekje në ndryshimet që ju bënë Kodit Penal në vitin 1995. Këto ndryshime u orientuan edhe nga Këshilli Evropës si detyrim dhe kusht për të qenë pjesë e tija. Pra dënimi me vdekje u hoq si lloj dënimi, u zbut, por përgjegjësia penale për krimet jo. Në qoftë se unë do ta kisha gjykuar pa u abroguar dënimi me vdekje, do të kisha zbatuar ligjin e kohës. Vetëm dënimin me vdekje. Ky ishte një dënim që ai e meritonte plotësisht,sepse ishte autor i organizimit të dhjetëra vrasjeve nga veriu në jug. A nuk vepron kështu ligji amerikan ne mjaft shtete për kriminelë dhe vrasës . Europa ka toleruar shumë duke zbutur dënimet për krimet e rendë, madje kane dështuar në këto 30 vjet. Por s’kemi çfarë të bëjmë. Bëni një sondazh se cili është mendimi popullit dhe do ta shikosh si del!
    Intervistoi: Rigels Seliman

  • Çfarë ndodhi? SPAK kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur (Emri)

    Çfarë ndodhi? SPAK kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur (Emri)

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 6 maj me konkluzionet në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Lezhës, Artan Hajredinaj. Ashtu si gjatë parashtrimeve, edhe në fillim të seancës për bisedimet përfundimtare, prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson në këtë proces drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, deklaroi se subjekti me shpjegimet dhe provat e dorëzuara nuk arrin të vërtetojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit. Sipas Brahos, gjyqtari Hajredinaj gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Ai kërkoi gjithashtu, konsiderimin e disa gjetjeve për pasurinë dhe profesionalizmin në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

    Qëndrimet e Brahos u kundërshtuan nga Hajredinaj nëpërmjet përfaqësues së tij ligjore, avokates Romina Zano. Ajo konstatoi se shkaqet e ankimit në kriterin e pasurisë lidhen me aspekte formale të deklarimit dhe me të ardhura të krijuara përpara fillimit të ushtrimit të detyrës nga subjekti. Sipas Zanos, këto elemente nuk mund të cenojnë besueshmërinë e subjektit. Ajo theksoi se verifikimi i pasurive duhej të ishte interpretuar prej Komisionerit nën dritën e ligjit dhe praktikës së Kolegjit, duke konsideruar dhe parimet e proporcionalitetit dhe drejtësisë materiale, prej nga arihet në përfundimin se Hajredinat arrin nivel të besueshëm.
    Gjyqtari Artan Hajredinaj u konfirmua në detyrë më 19 mars 2024, pasi Komisioni i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e tij për konstatimet e hetimit paraprak lidhur me pamundësi financiare në krijimin e pasurive e mbulimin e shpenzimeve, si dhe dyshimet e ngritura për fshehjen e një apartamenti.
    Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK për Hajredinajn duke ngritur shkaqe në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit dhe vlerësoi se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm.
    Para se të emërohej si gjyqtar në vitin 2007, Hajredinaj ka punuar si noter dhe përmbarues. Ai e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë nëntë viteve të fundit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

    Sipas prokurorit Braho, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e konstatimeve për deklarimet kontradiktore të vlerës së kësaj pasurie, si dhe për pamundësinë e burimeve financiare. Ai theksoi se subjekti ka bërë deklarime kontradiktore dhe për destinacionin e kredisë. Kjo, pasi vlera e kredisë ka kaluar në llogarinë e administratorit të shoqërisë për pagesën pe apartamentit të Hajredinajt, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se shuma e përfituar nga kredia bankare është tërhequr dhe poseduar në cash nga ai vetë, duke e përdorur për rikonstruksion e mobilim.
    Braho u shpreh se subjekti ka paraqitur situata të ndryshme lidhur me këtë pasuri dhe kërkoi që ky element të konsiderohet në vlerësimin tërësor, në drejtim të cënimit të besimit të publikut. Ai shtoi se nuk mund të konsiderohen të ardhurat nga shitja e vreshtave, pasi subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e blerësit. Avokatja Romina Zano konstatoi se subjekti e ka lidhur kontratën sipërmarrjes në vitin 2006, në një kohë kur ushtronte funksionin e noterit dhe ende nuk ishte emëruar gjyqtar. Sipas saj, Hajredinaj e ka deklaruar në mënyrë të plotë dhe të saktë këtë pasuri në deklaratën veting, ku është pasqyruar vlera totale e investimit prej 75 mijë euro si dhe zërat përkatës. Për shkakun e ngritur nga Komisioneri për mospërputhje mes deklarimit të parë të subjektit, atij të vitit 2008 dhe në atë veting, Zano shpjegoi para Kolegjit se në 2008-ën është shënuar vlera totale e investimit prej 65 mijë euro, pa veçuar çmimin me shpenzimet e mëvonshme. Ajo nënvizoi se është deklarata venting që përmbush qëllimin e procesit të rivlerësimit, për të qartësuar pasuritë e krijuara në vite, si edhe formën e deklarimeve të mëparshme. Avokatja theksoi se sqarimet e detajuara të subjektit në deklaratën veting janë bërë me vullnet të mirë prej tij.
    Lidhur me pretendimin e Komisionerit për moskonsiderimin si burim për apartamentin të të ardhurave të fituara nga shitja e vreshtave, Zano vërejti se ky pretendim është ngritur pa u mbështetur në analizë të plotë të provave të depozituara.
    Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit, Zano argumentoi se pasuritë e krijuara para detyrës duhet të vlerësohen në mënyrë objektive dhe se ato nuk mund të konsiderohen a priori të dyshimta. Sipas saj, të ardhurat nga shitja e tokës janë të ligjshme dhe duhen konsideruar si burim për krijimin e pasurive të mëvonshme.
    Prokurori Klodian Braho deklaroi se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit as për disa njësi në Bajram Curri.
    Hajredinaj ka deklaruar të ardhura nga shitja e ktyre njësive. Gjatë hetimit administrativ në shkallën e parë të vetingut, subjektit iu kalua barrë prove për pamundësi për investimet e kryera në këto pasuri, për mosdeklarimin e tyre në vitin 2009, si dhe për deklarime të pasakta e të paplota në vite e gjatë procesit lidhur me sipërfaqet e tyre dhe burimin e krijimit. Po ashtu, u konsiderua e paqartë arsyeja e dhurimit të dy njësive një shtetasi tjetër në vitin 2016, rreth 7 vjet pas regjistrimit të tyre.
    Subjekti i kundërshtoi gjetjet e KPK duke shpjeguar se veprimet ishin kryer në kohën kur ishte noter. Sipas tij, njësitë egzistonin dhe se kishte kryer vetëm një shtesë. Po ashtu, sqaroi se personi të cilit i kishte dhuruar njësitë në vitin 2016, kishte hequr dorë nga pasuritë me qëllim që të realizohej leja ndërtimore, por se ai kishte qenë gjithmonë pronari de facto i dy njësive që i kishte dhuruar. Pretendimet e Hajredinajt për këtë pasuri që u gjetën të besueshme nga Komisioni, u ankimuan me argumentin se subjekti kishte kryer deklarime kontradiktore dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për vlerën dhe kohën e investimit.
    Braho argumentoi të martën se vlera e shpenzimeve për investimet në këto pasuri, të deklaruara nga subjekti, janë ndjeshëm më të ulta se kostoja reale. Sipas tij, deklarimet e Hajredinajt, në mungesë të akteve, mbeten të paprovuara.
    Po ashtu, Braho tha se mbeten të paprovuara me dokumente ligjorë të kohës edhe dhurimi i dy njësive nga subjekti në favor të një personi tjetër. Në përfundim të parashtrimeve për njësitë, Braho tha se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.
    Avokatja Zano theksoi se subjekti e ka blerë njësinë tregtare në vitin 2005, kur ushtronte funksionin e noterit. Ajo u shpreh se Hajredinaj për investimet e kryera në këto njësi, ka ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara nga legjislacioni urbanistik në fuqi. Sipas Zanos, subjekti ka paraqitur në institucionet e vetingut dokumentacion të plotë, si preventivin e punimeve, kontratën me shoqërinë ndërtuese, vendimin e KRRT-së, aktin e kolaudimit, si dhe akt ekspertimi.
    Zano deklaroi se Komisioneri nuk kishte analizuar provat e dorëzuara, por ka përllogaritur kostot sipas reverencave të Entit Kombëtar të Banesave, prej nga ka arritur në një vlerë më të lartë të investimit. Ajo solli në vëmendje se nuk bëhej fjalë për ndërtim të ri, por për shtesë që nuk mund të ketë të njëjtën kosto.
    Sipas avokates Zano, subjekti ka argumentuar në mënyrë të qëndrueshme se investimi është kryer me fonde të ligjshme të siguruara nga kursime, kredi të shlyera dhe të ardhura nga shitja e pasurive të tjera. Ajo theksoi se analiza e paraqitur prej Hajredinajt tregon aftësinë paguese për investimin e kryer.
    Për pjesën e dhuruar, Zano argumentoi se janë paraqitur një sërë dokumentesh që provojnë se marrëdhënia ka qenë reale dhe transparente, që është motivuar nga nevoja për marrjen e lejes së ndërtimit.
    Komisioni ka konstatuar mosdeklarimin nga subjekti të përdorimit të një apartamenti në Bajram Curri, pasuri në emër të motrës së tij. Hajredinaj ka shpjeguar se, në kushtet kur nuk kishte të drejta mbi këtë pasuri, si dhe nuk gjendej përpara aktit të shitjes, dhurimit apo marrëdhënies së huasë, ka konsideruar se e kishte ezauruar deklarimin e përdorimit të kësaj pasurie duke përcaktuar vetëm adresën e deklarimit në gjendje civile.

    Prokurori Braho deklaroi se subjekti nuk e provoi të kundërtën e gjetjeve për këtë apartament. Sipas tij, subjekti nuk ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e kësaj pasurie. Ai shtoi se deklarimet e Hajredinajt janë kontradiktore dhe se edhe në këtë rats gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.
    Për mosdeklarimin në deklaratën veting të këtij apartamenti, subjekti sqaroi se nuk gjendej në posedim apo përdorim, pasi në atë periudhë ishte zhvendosur në Tiranë. Sipas Zanos, adresa e deklaruar në deklaratën veting përkon me adresën e regjistruar në gjendjen civile, si edhe me të dhënat e deklaruara në pyetësorin standard. Ajo shtoi se është shënuar qartë periudha e qëndrimit në apartamentin në Bajram Curri, nga marsi i vitit 2007 deri në mars të 2017-ës. Zano argumentoi se përdorimi kishte marrë fund para datës së deklarimit dhe nuk ekzistonte një marrëdhënie e vazhdueshme posedimi që të detyronte deklarimin. Ajo nënvizoi se nuk rezulton asnjë përfitim i karakterit pasuror prej subjektit në lidhje me këtë pasuri, si dhe rezulton që të jetë tjetërsuar në vitin 2018.
    Prokurori Braho paraqiti konkluzionet dhe për një apartament tjetër në Shëngjin, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka prenotuar për vëllain në vitin 2007. Kontrata e shitblerjes është nënshkruar nga i vëllai. Hajredinaj ka shpjeguar se e ka përdorur këtë banesë gjatë pushimeve verore.
    Braho vërejti se subjekti e ka nënshkruar kontratën e pasurisë si zotërues i këtij apartamenti dhe së paku ka bërë deklarim të pasaktë. Sipas prokurorit të SPAK, konfuzioni i KPK lidhur me këtë pasuri nuk është në frymën e ligjit për vetingun e magjistratëve dhe kërkoi që shkaku i ngritur të konsiderohet në vlerësimin tërësor.
    Avokatja Zano konstatoi se subjekti e ka nënshkruar kontratën e sipërmarrjes në vitin 2007, për shkak të mungesës fizike të vëllait të tij në Shqipëri. Sipas saj, ky veprim është kryer me dijeni e miratim të vëllait, ndërkohë që nuk ka rezultuar asnjë e drejtë juridike ose përfitim pasuror në favor të subjektit.
    Zano solli si argument faktin se megjithëse subjekti ka parapaguar një pjesë të shumës tek ndërtuesi, është rimbursuar pas 10 ditësh përmes një transferte bankare nga ana e bashkëshortes së vëllait, e cila është shtetase angleze. Ajo konstatoi se kjo transfertë është e dokumentuar dhe përmban shënimin se është për blerje shtëpie për pushime. Në vijim, Zano sqaroi se subjekti e ka përdorur këtë apartament vetëm në disa periudha pushimi. Sipas saj, vëllai i Hajredinajt nuk është person i lidhur e për rrjedhojë subjekti nuk ka detyrim ligjor për të justifikuar pasurinë e tij. Megjithatë, avokatja Zano tha se vlera e pasurisë është e justifikuar me të ardhurat e dokumentuara të vëllait dhe të bashkëshortes së tij, nga puna në Mbretërinë e Bashkuar.
    Komisioneri ka ngritur si shkak mosdeklarimin në deklaratën e parë të pasurisë të një kredie në vlerën 3 milionë lekë, të marrë në vitin 2005. Zano sqaroi se kjo kredi është marrë për rikonstruksionin e një njësie tregtare dhe është shlyer plotësisht para datës së dorëzimit të deklaratës para fillimit të detyrës në mars të vitit 2008. Ajo u shpreh se kredia nuk përbënte detyrim në momentin që duhej të plotësonte deklaratën para fillimit të detyrës dhe për rrjedhojë nuk përbënte detyrim ligjor për ta deklaruar. Zano shtoi, se subjekti për të qenë transparent dhe bashkëpunues e ka deklaruar këtë kredi në mënyrë të vullnetshme në vitin 2014, duke paraqitur burimin, vlerën, si dhe qëllimin e përdorimit të saj.
    Sipas prokurorit Braho, subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për gjendjen cash. Në ankim, u pretendua se Hajredinaj ka mospërputhje në pasqyrimin e gjendjes cash, duke ngritur dyshime mbi ekzistencën dhe burimin e kësaj gjendjeje monetare. Braho tha se dhe në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku në Kolegj, subjekti nuk ka aritur të provojë të kundërtën.
    Zano deklaroi se subjekti ka sqaruar se kursimet cash janë deklaruar në mënyrë të vazhdueshme ndër vite, si dhe në deklaratën veting. Sipas saj, pretendimi për mospërputhje të gjendjes cash mbetet në nivel formalisht teknik dhe nuk përmbush standardin e ngritjes së një dyshimi të arsyeshëm.
    Prokurori Braho tha se subjekti ka marrë vendime për ulje dënimi të të dënuarve, në kundërshtim me ligjin. Ai vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e gjetjeve për këto vendime, si dhe për çështje të tjera ku janë konstatuar mangësi në drejtim të njohurive ligjore dhe arsyetimit ligjor. Sipas Brahos, gjetjet afektojnë indikatorët e aspektit profesional.
    Përfundimisht, prokurori Klodian Braho kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Artan Hajredinaj.
    Sipas avokates Zano, vendimarrjet e subjektit janë marrë në kushte të një ngarkese të lartë pune, si dhe janë të mbështetura në ligj e në prova. Ajo vërejti se vendimarrjet e ndryshuara nga Gjykata e Apelit nuk janë përsëritëse. Zano theksoi se mospërputhjet e qëndrimeve në shkallët e ndryshme të gjyqësorit, nuk mund të tregojnë paaftësi. Ajo solli në vëmendje se vendimarrjet e subjektit janë prishur nga Apeli për shkak të marrjes së provave të reja.
    Gjyqtari Artan Hajredinaj deklaroi në fund të seancës se ka qenë gjithmonë i përgjegjshëm në ushtrimin e detyrës dhe se ka zbatuar vetëm ligjin. Ai tha se edhe nëse mund të ketë gabuar ndonjëherë, nuk kanë qenë asnjëherë të qëllimshme apo përsëritëse. Në përfundim ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.
    Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 14 maj, në orën 15:00./ BIRN

  • Çfarë ndodhi? Kërkohet në KPA shkarkimi i prokurorit të njohur (Emri)

    Çfarë ndodhi? Kërkohet në KPA shkarkimi i prokurorit të njohur (Emri)

    Prokurori i SPAK, Klodian Braho kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Afrim Shehu për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë, ndërsa subjekti i kundërshtoi diferencat negative si të palogjikshme dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

    Drejtuesi i SPAK i qëndroi të martën më 22 prill kërkimit përfundimtar të ankimit ndaj konfirmimit të prokurorit të Tiranës, Afrim Shehu, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra. Megjithëse prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson Dumanin në këtë çështje, konsideroi në analizën financiare një pjesë të të ardhurave financiare të deklaruara nga subjekti si burime krijimi për pasuritë, ai vlerësoi se sërish mbetet bilanc negativ që nuk mund t’i nënshtrohet parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, sipas praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Po ashtu, Braho u shpreh se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.
    Konkluzionet përfundimtare të drejtuesit të SPAK, u kundërshtuan nga prokurori Afrim Shehu përmes avokates së tij, Romina Zano, e cila i cilësoi të pabazuara qëndrimet dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e subjektit. Prokurori Afrim Shehu u konfirmua në detyrë më 15 maj të vitit të kaluar, pasi shpjegimet e tij për bilancet negative të konstatuara gjatë hetimit paraprak u gjendën bindëse.
    Afrim Shehu ka punuar si oficer i Policisë Gjyqësore dhe si avokat përpara se të emërohej prokuror i Republikës së Shqipërisë në vitin 2009. Për gati një dekadë ai punoi si prokuror pranë Prokurorisë së Durrësit, ndërsa në qershor të vitit 2023 u transferua në Prokurorinë e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.
    Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ngriti shkaqe për pasurinë dhe aspektin profesional, por prokurori Braho parashtroi në KPA në seancën parardhëse më 2 prill se u qëndronin vetëm pretendimeve për pasurinë.
    Braho tha të martën se, edhe pas parashtrimeve në Kolegj, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë barrën e provës për një apartament të fituar me kontratë sipërmarrje të vitit 2003. Si burime krijimi të kësaj pasurie Shehu ka deklaruar të ardhurat nga paga si oficer i policisë gjyqësore dhe ushtrimi profesionit të avokatit, të ardhura nga emigrimi dhe interesat nga ish-firmat piramidale, një hua, si dhe dhuratë nga vëllai në Angli në masën 10 mijë euro, që i janë depozituar në llogarinë e tij në bankë.
    Megjithëse nga të ardhurat nga puna si avokat, Braho konsideroi si të ligjshme rreth 1.5 milionë lekë nga 956 mijë lekë që sipas ankimit vlerësoheshin se përmbushnin kriteret, si konsideroi që të përfshihet në analizën financiare vlera e përfituar nga ish-firmat piramidale që vërtetohet me dokumentacion ligjor, sërish çmoi se subjekti gjendet në kushtet e pamundësisë financiare për krijimin e kësaj pasurie.
    Braho u shpreh se nuk mund të konsiderohen si të ligjshme një pjesë e të ardhurave të deklaruara si të përfituara nga avokatia, pasi mbeten deklarative e për rrjedhojë të paprovuara.
    Sipas Brahos, mbeten në nivel deklarativ dhe të ardhurat e deklaruara se janë përfituar nga puna në emigracion.
    Për dhuratën nga vëllai, veç pasaktësisë në deklarimin e vlerës së shumës monetare, Braho vërejti se janë tërhequr pas kryerjes së pagesave.
    Po ashtu, Braho tha se nuk mund të konsiderohet si burim një hua 4000 USD e deklaruar se është marrë cash në vitin 2003, si pjesë e një huaje më të madhe në vlerën 23 mijë USD, të marrë nga bashkëshortja në 2005-ën. Sipas SPAK, mbetet e paprovuar që shuma 4000 USD të ketë shërbyer si burim për apartamentin e blerë në 2003-in, përderisa nuk janë deklaruar si burime në deklaratat përkatëse dhe në atë veting.
    Në përfundim, Braho u shpreh se subjekti mbetet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për këtë pasuri.
    Në deklaratën para fillimit të detyrës të vitit 2009, bashkëshortja e subjektit ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 103 m2. Si burime krijimi ka deklaruar dhuratë nga babai i saj në shumën 40 mijë euro dhe huanë e marrë në vitin 2005, në shumën totale prej 23 mijë USD. Sipas Brahos, subjekti nuk arriti të provojë mundësinë e dhuruesit dhe të huadhënësit, e për rrjedhojë mbetet në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.
    Për blerjen e apartamentit tjetër në vitin 2016, subjekti ka deklaruar si burime të ardhurat nga shitja e një apartamenti të blerë më parë, një llogari kursimi në emër të bashkëshortes, një hua që është pretenduar se është shlyer totalisht me të ardhurat nga shitja e shtëpisë, si dhe kursime ndër vite.
    Brahoi evidentoi se subjekti nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës lidhur me pamundësinë e huadhënësit. Për të ardhurat nga shitja e apartamentit të mëparshëm, prokurori Braho solli në vëmendje pamundësinë financiare për krijimin e asaj pasurie. Për rrjedhojë, vlerësohet se të ardhurat nga shitja e apartamentit nuk plotësojnë kushtin për t’u konsideruar të ligjshme.
    Po ashtu, Braho konkludoi se Shehu ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për një garazh me dy vende parkimi, si dhe se gjendet në pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.
    Në përfundim, prokurori Braho konkludoi se nga analizia financiare e përgjithshme rezulton se bilanci nengativ i konstatuar e kalon limitin e proporocionaolitetit sipas praktikës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Ai kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Afrim Shehu.
    Avokatja Romina Zano paraqiti në mënyrë të përmbledhur bisedimet përfundimtare. Ajo solli në vëmendje të Kolegjit se shkaqet e ankimit për pasurinë nuk prekin integritetin apo profesionalizmin e subjektit gjatë ushtrimit të funksionit si prokuror, por lidhen me aspekte formale të deklarimit dhe me të ardhura të krijuara përpara fillimit të detyrës. Sipas Zanos, këto rrethana nuk përbëjnë shkak për cënueshmërinë e subjektit.
    Zano u shpreh se Komisioneri duhej të kishte verifikuar pasurinë e subjektit, duke intepretuar nën dritën e ligjit, praktikës gjyqësore të KPA, si dhe parimeve të proporcionalitetit dhe drejtësisë materiale, prej nga sipas saj, arrihet në konkluzionin se prokurori Shehu arrin nivel të besueshëm.
    Lidhur me të ardhurat nga emigracioni, Zano tha se pavarësisht se nuk janë shënuar në deklaratën veting për shkak të mungesës së dokumentacionit, realizimi i tyre është i besueshëm në kontekstin e kohës dhe rrethanave të punës në emigracion. Ajo solli në vëmendje se nga hetimi administrativ ka rezultuar e provuar se një pjesë e këtyre kursimeve është depozituar të një prej ish-firmave piramidale, prej nga dhe është përfituar shuma prej 873 mijë lekësh, posedimi të cilës vërtetohet nga dokumentet bankare. Bazuar në këto argumente, u kërkua konsiderimi në analizë i të ardhurave nga emigracioni.
    Po ashtu, u kërkua të konsiderohen dhe të ardhurat e deklaruara të përfituara nga avokatia, duke theksuar se janë të mbështetura me dokumentacion zyrtar. Sipas Zanos, provohet se zyra avokatore ku punonte subjekti ka pasur aktivitet ekonomik më të lartë se ai i pasqyruar në organet tatimore, fakt që sipas saj, dëshmohet nga numri i çështjeve të përfaqësuara dhe nga deklaratat noteriale të klientëve. Sipas Zanos, volumi dhe natyra e çështjeve të trajtuara tregojnë për një xhiro të lartë dhe për rrjedhojë deklarimi i pjesshëm nga punëdhënësi për subjektin, nuk mund të përbëjë penalitet dhe ta cënojë në procesin e rivlerësimit. Ajo sqaroi se Shehu ka vepruar atëherë në mirëbesim dhe nuk ka pasur dijeni për mënyrën e pagesës së detyrimeve nga punëdhënësi.
    Për vlerën e dhuruar nga vëllai u vendos theksi në mundësinë financiare të dhuruesit. Zano tha se pasaktësitë formale të subjektit nuk mund të sjellin penalizim, në kushtet kur dhuruesi ka pasur mundësi financiare.
    Lidhur me cash-in e padeklaruar në vitin 2004, Zano tha se provohet nga aktet se në atë kohë, Shehu ka pasur në dispozicion shumën totale prej rreth 4.8 milionë lekësh dhe u kërkua që kjo vlerë të konsiderohet si burim i ligjshëm në analizën financiare.
    Për një hua të marrë në vitin 2005, Zano arugmentoi se provohej se vlera prej 15 mijë e 296 euro e marrë në atë vit me transaksion bankar, së bashku me 4000 USD të marra cash në 2003-in, përbëjnë pikërisht shumën totale të huasë prej 23 mijë USD, sipas kontratës së huasë. Zano nënvizoi se huadhënësi ka pasur mundësi financiare dhe vërejti se pasaktësië formale, kur nuk shoqërohen me pamundësi, nuk mund të sjellin penalizim. Për rrjedhojë, u kërkua që shuma 4000 USD të përfshihet si burim për blerjen e apartamentit në vitin 2003.
    Zano argumentoi se është provuar dhe mundësia e vjehrrit të subjektit për dhurimin e vlerës 40 mijë euro të bijës. Sipas saj, është vërtetuar se babai i bashkëshortes ka emigruar në Greqi që nga viti 2000, si dhe ka përfituar të ardhura të rregullta nga pensioni – vlera që u pretendua se janë të dokumentuara. Sipas analizës finaniciare të subjektit, vjehrri i tij ka pasur mundësi të kursente afro 44 mijë euro, që e tejkalon shumën e dhuruar prej 40 mijë eurosh. Për një shumë prej 9000 eurosh të dhuruar po nga babai i bashkëshortes, u pretendua se dhe në këtë rast vërtetohet mundësia e dhuruesit.
    Zano parashtroi se është provuar dhe mundësia e dhënies hua nga një i afërm i subjektit. Sipas avokates, rezulton se huadhënësi ka administruar të ardhurat e një personi tjetër që jetonte dhe punonte jashtë. Zano pohoi se nuk ka paqartësi në deklarimet e subjektit lidhur me këtë hua, ashtu si pretendohet në ankim dhe shtoi se provohet mundësia financiare e huadhënësit.
    Avokatja Zano i cilësoi diferencat e konstatuara në funksion të ankimit, si të palogjikshme, duke argumentuar se janë nxjerrë balanca negative më të mëdha se vlera reale e pasurive të deklaruara, ndërkohë që huatë nuk llogariten si hyrje, por vetëm si dalje duke krijuar gjendjen negative në kthimin e tyre.
    Prokurori Shehu parashtroi se pamundësitë financiare janë më të vogla dhe nga ato të konstatuara prej KPK. Sipas avokates Zano, balancat negative mbeten në shumat 668 mijë lekë para detyrës dhe 341 mijë lekë gjatë detyrës, që në bazë të parimit të proporcionalitetit nuk mund të sjellin penalizim. Në përfundim, u kërkua lënia në fuqi e konfirmimit në detyrë të prokurorit Afrim Shehu.
    KPA u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet më datë 8 maj, në orën 14:30.
    /BIRN

  • “PS fiton më 11 maj”, Braho: Berisha është sociopat! S’mbahet në tavolinë, e përballonte vetëm Fatos Nano

    “PS fiton më 11 maj”, Braho: Berisha është sociopat! S’mbahet në tavolinë, e përballonte vetëm Fatos Nano

    Partinë Socialiste e sheh si fituese të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa për Berishën tha se premtimet që bënë në fushatë i ka gënjeshtra.
    Ka qenë ky komenti i ish- deputeti Spartak Braho, i cili i ftuar mbrëmjen e sotme në emision ‘Frontline Intervieë’, në Report TV me gazetaren Marsela Karapanço komentoi fushatën e partive politike në vend.
    ‘Ndryshimi është se Rama vjen me bilance, ka qeverisur disa mandate kurse Berisha gënjen edhe i beson vet gënjeshtrat e tij, thotë do rris pensionet ku do ti gjejë lekët ai. E kam thënë disa herë e majta fiton, me rezultat të ngushtë por fiton këto zgjedhje. Për mua në politikën e jashtme Rama ka qenë brilantë. Ndryshimet në fushën e turizmit janë fenomenale, është degë e rëndësishme e ekonomisë. Por shqiptarët do ta votojnë PS. Më mirë e keqja më e vogël se Berisha. Rama vjen në pushet sepse do ta votojnë, pasi nuk duan që të votojnë Berishën’, tha ai.
    Braho ka shtuar se Berisha është një sociopat dhe i papërballueshëm ,pasi flet dhe nis të besojë ato që thotë.
    “Berisha është sociopat! S’mbahet në tavolinë, e përballonte vetëm Fatos Nano”, tha ai.
    Teksa u ndal tek këshilltari elektoral i PD-së, Chris LaCivita Spaho tha se është një lobist i zakonshëm. Braho tha se ai s’mund të ndikojë në heqjen e non gratës së Berishës, e cila sipas tij do ta ndjek gjithë jetën.
    ‘Ai ka qenë përfaqësues i nja kapo që ka drejtuar fushatën e Trump, ai direkt vetë jo. Se kemi dëgjuar njëherë që të flas. Çfarë ka ai çelësin e artë që do t’i jap fitore Berishës. Ai s’ka lidhje me një strateg që vjen përtej oqeanit. Për non gratën e sqaroi edhe Ambasada amerikane që Berishën do ta ndjek sa të jetë gjallë. Ai është një lobist i zakonshëm, LaCivita s’ka as vulë që të jap ndonjë vendim. Ai për lekë ka ardhur këtu. Fituan ose jo, ai i mori lekët’, tha ai.

  • SYRI TV/ SPAK kërkon 4 vite burg për ish-prokurorin, Braho: Zarka ka përdorur SKY, mori para

    SYRI TV/ SPAK kërkon 4 vite burg për ish-prokurorin, Braho: Zarka ka përdorur SKY, mori para

    SPAK ka dhënë pretencën për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka duke kërkuar 4 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar nëse ai shpallet fajtor, dënimi zbret në 3 vite.

    Sipas prokurorit të SPAK, Klodian Braho është e provuar që Aurel Zarka, i pandehur në çështjen ‘Toyota Yaris’ ka kërkuar para për çështje të ndryshme në bashkëpunim me Radovan Çelën dhe Erjona Daupajn.

    Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën duke kërkuar dënimin me 4 vite burg për ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka lidhur me dosjen e ashtuquajtur ‘Toyota Yaris’.  Nëse shpallet fajtor, Zarkës i zbret 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe në këtë mënyrë do të vuajë 3 vite burg.

    I pandehuri nuk ishte i pranishëm në seancë por përfaqësohej nga avokati, ndërsa prokurori i SPAK Klodian Braho në leximin e kërkesës për gjykim, ceku disa elementë rreth provave që implikojnë të Aurel Zarkën.

    ‘Nga hetimet ka rezultuar se Aurel Zarka ka qenë një nga përdoruesit e Sky Eç, që mundësonte komunikime të fshehta. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për një çështje në Prokurorinë e Vlorës. Është provuar se ka kërkuar vlera monetare për favorizimin e një tjetër çështje, në bashkëpunim me Radovan Çelën. Oficerja e policisë gjyqësore Eriona Daupaj mori 10 mijë euro në mënyrë që të zbusnin masën e sigurisë’.

    SPAK thotë se Zarka duhet shpallur fajtor për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “Korrupsioni aktiv”, e kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv”

    Dosja për Zarkën u nda nga pjesa tjetër e grupit, pasi nuk u arrit të kapeshin këta të fundit. Vetëm pas nisjes së gjykimit, u vetëdorëzua avokati Radovan Çela. Ndërkohë mbeten në kërkim Erjona Daupaj dhe Astrit Vladi. Lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet në një procedim tjetër të ndarë ku po heton persona dhe episode të tjera korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm, një pjesë e të cilëve edhe kanë dhënë deklarime. Dosja “Toyota Yaris” u kthye në një ping-pong mes ish-Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës sa i takon kompetencës dhe trajtimit si ‘Pastrim parash’ dhe ‘Grup kriminal’ apo ‘Mosdeklarim i të hollave në kufi’.

  • Gazetarja: ‘Komunikimi shkatërrues’ i Ramës, bullizim i pastër! PD parti e hapur, Berisha argumentativ

    Gazetarja: ‘Komunikimi shkatërrues’ i Ramës, bullizim i pastër! PD parti e hapur, Berisha argumentativ

    Gazetarja Alisa Braho, e ftuar në SYRI TV me Edvin Parrucën, ka folur për zhvillimin e fushës zgjedhore nga partitë politike kryesore në Shqipëri, duke analizuar Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike.

    Sipas gazetares, banalizimi i diskursit që shpesh e bën Rama, e realizon përmes përdorimit të alegorive dhe simboleve dhe kjo mënyrë është një bullizim i pastër që nuk duhet të ndodhë në një situatë normale.

    ‘Kjo që njihet se ‘komunikim shkatërrues’ që bën Rama është e qëllimshme dhe e bën për të ndërruar temën’, theksoi Braho.

    Gjithashtu Braho u ndal edhe te PD, që sipas saj është një parti e hapur ku ka individualitet, ka personazhe që përpiqen të imitojnë liderin, por nuk është në të njëjtën masë edhe formë sikurse zhvillohet në PS.

    ‘Krejt e kundërta ndodh me Berishën, i cili është argumentativ, përdor precedent historik dhe madje krahasimi që i bëri me bufin iu referuar antikitetit’, u shpreh gazetarja Braho.

    Braho: Banalizimi i diskursit që shpesh e bën Rama, e realizon përmes përdorimit të alegorive dhe simboleve. Do duhej të shpreheshin edhe aktorët që mbikëqyrin proceset zgjedhore në Shqipëri. Është bullizëm i pastër, që nuk duhet të ndodhte në një situatë normale, por ne nuk jemi në një situatë normale. Jemi hasur me këtë mënyrë komunikimi të Kryeministrit të Shqipërisë edhe më parë, pra banalizimi vjen për figura që do duheshin të perceptoheshin si figura shtetëformuese sikurse është vetë pozicioni i kryeministrit.

    Është një protokoll i tërë prej veshjes, te dialogu, te mënyra se si i drejtohet popullatës. Unë e pashë vetë në një video se si Rama e kapte një fëmijë dhe i thoshte do të ndjek nga mbrapa, e kapte nga fytyra dhe nuk e lëshonte, pra dhuna verbale është emërues i përbashkët i Ramës, por edhe e disa figurave të tjera.

    Kjo gjë nuk ndodh në PD. Është një parti shumë e hapur, ku ka individualitet, ka personazhe që përpiqen të imitojnë liderin, është krej normale, por nuk është në të njëjtën masë edhe formë sikurse zhvillohet në PS.

    Kjo që njihet se ‘komunikim shkatërrues’ që bën Rama është e qëllimshme dhe e bën për të ndërruar temën.

    Përpjekja për të banalizuar diskursin publik te këneta dhe te bufi, tregon mangësi të madhe njohurish.

    Rama e di e ndien që e ka këtë mangësi. Gjithmonë është përpjekur që ta kthejë drejt folklorizmit.

    Krejt e kundërta ndodh me Berishën, i cili është argumentativ, përdor precedent historik dhe madje krahasimi që i bëri me bufin iu referuar antikitetit.