Tag: botës

  • Brazil në krizë të thellë, Vinicius jep alarmin: Duhen ndryshime radikale dhe të menjëhershme…

    Brazil në krizë të thellë, Vinicius jep alarmin: Duhen ndryshime radikale dhe të menjëhershme…

    Brazili është në krizë të plotë. Humbja e rëndë 4-1 ndaj Argjentinës në “Monumental” nxori në pah të gjitha dobësitë e 5 herë kampionëve të botës, të cilët duken pa një drejtim të qartë dhe liderë në fushë. Ndërkohë që Albiceleste vazhdon të fitojë edhe pa Messin, skuadra e Dorival Junior duket e rraskapitur.
    Pas disfatës, Vinicius Junior dha një mesazh të qartë: është e nevojshme kthesa para Kupës së Botës 2026. “Duhet të rishqyrtojmë gjithçka. Ne luajtëm keq, ndërsa Argjentina bëri një paraqitje të shkëlqyer. Nuk dua të humbas një tjetër Botëror”, – tha sulmuesi i Real Madridit, duke nënkuptuar një ndryshim të mundshëm në pankinë.
    Dorival Junior tashmë është nën presion. Sipas mediave braziliane, CBF po shqyrton sërish opsionin Carlo Ancelotti. Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, më parë kishte tentuar ta bindte trajnerin e Real Madridit, ndërsa tani emri i tij rikthehet në krye të listës së dëshirave.
    Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret midis qershorit dhe korrikut, duke pasur parasysh angazhimin e Ancelottit në Kupën e Botës për Klube me “Los Blancos”. Dorival Junior, ndërkohë, nuk dorëzohet: “E di që është një moment delikat, por besoj në punën time. Nuk kam dyshime se do të gjejmë një zgjidhje”.
    Sidoqoftë, tifozët kërkojnë përgjigje të menjëhershme. Mes alternativave të tjera për stolin e Brazilit përmenden edhe Filipe Luis, ish-mbrojtësi i Atlético Madridit dhe aktualisht trajner i Flamengos, si dhe Jorge Jesus (Al-Hilal) apo Abel Ferreira (Palmeiras). Brazili ka nevojë për një shkundje të fortë për t’u rikthyer në majat e futbollit të Amerikës së Jugut.

  • Kupa e Botës/ Argjentina shpartallon Brazilin, e para e kualifikuar nga CONMEBOL

    Kupa e Botës/ Argjentina shpartallon Brazilin, e para e kualifikuar nga CONMEBOL

    Bolivia dhe Uruguai barazuan 0-0 në El Alto, në Estadio Municipal, në ditën e 14-të të ndeshjeve kualifikuese të Amerikës së Jugut.

    Kjo bëri që kombëtaren e Argjentinës, kampionët në fuqi të Botës (Katar 2022) u kualifikuan zyrtarisht për Botërorin e ardhshëm 2026 përpara se të fitonin klasikun kundër Brazilit 4-1. Për Albiceleste është pjesëmarrja në Kupën e Botës numër 19-të.

    Ndërkohë përpos Bolivi- Uruguai gjatë mëngjesit të sotëm u zhvilluan disa takime të tjera të zonës CONMEBOL. Kështu Argjentina shpartalloi Brazilin 4-1, Kili- Ekuador 0-0, Kolumbi- Paraguai 2-2, venezuelë- Peru 1-0.

    Katër xhiro nga fundi, Amerika e Jugut me 6 bileta botërori në dispozicion dhe një të 7-të që shkon në play off, ka hyrë në fazë vendimtare.

    Të kualifikuara për në fazën finale të Botërorit 2026 në SHBA, Kanada, Meksikë:

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Kanadaja (kualifikuar si organozatorë), Japonia, Irani, Zelanda e Re dh Argjentina.

    Vazhdo leximin

  • Trajneri i njohur britanik fyen Shqipërinë, e quan ‘rival të kotë’: As kam ndërmend ta shoh ndeshjen. Çfarë të shoh, si do fitojmë 5-0?

    Trajneri i njohur britanik fyen Shqipërinë, e quan ‘rival të kotë’: As kam ndërmend ta shoh ndeshjen. Çfarë të shoh, si do fitojmë 5-0?

    Tomas Tuhel do të jetë një dështim nëse nuk fiton Kupën e Botës. Ky është mendimi ish-trajnerit të Uest Hem dhe Totenhem, Heri Redknap, i cili tha për tabloidin “The Mirror” se gjermani nuk duhet të gjykohet duke luajtur me “dy ekipe të pavlera”, duke iu referuar përballjeve të “Tre luanëve” ndaj Shqipërisë dhe Letonisë.
    Në historinë e Anglisë, Tuhel është trajneri i tretë i huaj, ndërsa ka si objektiv fitimin e Kupës së Botës 2026.
    Ai ka firmosur për 18 muaj me federatën angleze, ndërsa paraardhësi i tij, Gareth Southgejt arriti në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018 dhe në finalet e Euros në 2021 dhe 2024.
    “Ai duhet të fitojë diçka, për të pasur sukses! Gareth na çoi larg! Ai ka një mundësi, ka një skuadër të madhe, grup fantastik lojtarësh!
    Vështirë ta gjykojmë momentalisht! Përzgjodhi ekipin, luajnë ndaj dy ekipeve të kota, apo jo? Më mirë shikoj serialin Coronation Street!
    Nuk kam pse ndjek këto sfida! Që të jem i sinqertë! Çfarë fitojmë nëse mundim Letoninë apo dikë tjetër?
    Ti mposhtim ata 5 apo 6-0, çfarë mësojmë për secilin nga lojtarët? Realisht… Kështu që është e vështirë deri sa ne të marrim pjesë në një kompeticion”, tha Redknap.
    Shqipëria dhe Anglia janë përballur 6 herë mes tyre, e në të gjitha takimet janë anglezët që kanë fituar. Kuqezinjtë janë ndëshkuar 19 herë, ndërsa kanë shënuar vetëm 1 gol në historinë e këtyre sfidave.
    Anglia pozicionohet e katërta në renditjen e FIFA-s, kurse Shqipëria në vend të 65.

  • Përqafoni pragmatizmin për të nxitur ndryshimin

    Përqafoni pragmatizmin për të nxitur ndryshimin

    Bota është e rraskapitur nga konflikti dhe pasiguria. Por në vend që të heqin dorë, shumë njerëz janë të vendosur të bëjnë diçka për të. Ata duhet të fuqizohen – shkruan Marian Salzman. 

    Si shoqëri globale, ne jemi në një udhëkryq. Kemi humbur besimin te institucionet në një kohë kur sfidat me të cilat përballemi duken të pakapërcyeshme. Pasi kemi hyrë në mijëvjeçarin e ri me të paktën shpresën për një të nesërme më të mirë, ne i jemi nënshtruar një çerek shekulli kaosi dhe katastrofe. Rritja e terrorizmit, ekstremizmit dhe keqinformimit. Kërcënimi ekzistencial i ndryshimeve klimatike dhe ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të kudondodhura. Popullatat e zhvendosura. Varfëri e rrënjosur dhe pabarazi. Një pandemi globale që ka vrarë më shumë se shtatë milionë njerëz. Të gjitha këto të karakterizuara nga një trysni e shtuar.  
    Njerëzimit mund t’i falet që të bjerë në dëshpërim. E megjithatë, tendencat që marrin formë ndërsa hyjmë në vitin 2025 tregojnë një histori tjetër. Njerëzit janë të rraskapitur nga konflikti dhe pasiguria. Por në vend që të heqin dorë, më shumë prej tyre duken të vendosur për të bërë diçka për këtë. Ata nuk presin më që qeveritë të veprojnë. Disa nga ndryshimet që individët po përqafojnë janë të vogla dhe shumë personale: duke konsideruar seriozisht zvogëlimin e gjurmëve të karbonit, duke bërë investime të qëndrueshme në shtëpitë e tyre dhe në komunitet, duke u përpjekur për të ruajtur gjuhët, kulturat dhe traditat që po zhduken me shpejtësi. Duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme momente kënaqësie, duke bërë atë që munden për të kompensuar aq shumë botën. 
    Njerëzit janë të uritur për zhvillim dhe kjo po rrit mbështetjen mbi pragmatizmin në krahasim me ideologjinë. Sigurisht, ne mund të flasim ende për idealet e larta dhe botën utopike për të cilën aspirojnë shumë njerëz (megjithatë ata e përcaktojnë këtë), por ne kemi pritur shumë gjatë për një zhvillim të matshëm – që ‘dora e zotit’ të hyjë dhe të na shpëtojë nga vetvetja. Ne duam të shohim ndryshime pozitive sot, edhe nëse është një rritje e lehte dhe shumë më pak nga ç’ka parashikojmë. Në një botë që për shumë njerëz ndjehet sikur po ecën me hapa mbrapa, edhe hapat e foshnjës në drejtimin e duhur janë një lehtësim që mirëpritet. 
    Kjo ngre pyetje për qeveritë, korporatat dhe OJQ-të. Si mund ta mbështesin – dhe ta shfrytëzojnë – këtë nevojë urgjente për ndryshim midis popujve të botës? Çfarë hapash mund të ndërmarrin ata në vitin 2025 dhe më tej për të fuqizuar njerëzit që të kontribuojnë në zgjidhjet e sfidave tona më të dëmshme? Ndryshimet klimatike, varfëria, emigracioni, ekstremizmi, kujdesi shëndetësor dhe trafikimi i drogës dhe njerëzve janë vetëm disa nga çështjet që kërkojnë bashkëpunim përtej institucioneve dhe kufijve. Qytetarët nuk mund të shpresojnë t’i zgjidhin të vetëm. 
    Një rrugë kyçe për zhvillim do të përfshinte transparencë dhe dialog të hapur. Çfarë mund t’i mësojë Italia pjesës tjetër të botës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore? Çfarë mësimesh mund të marrim nga Norvegjia dhe Kili për zbatimin e politikave efektive të klimës? Si mund t’i përshtatin shtetet e tjera sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe infrastrukturën elastike të Japonisë për të kufizuar rreziqet e fatkeqësive natyrore? Çfarë mund të mësojnë vendet që përballen me normat e larta të duhanpirjes nga Suedia, e cila ka arritur një nga prevalencat më të ulëta të duhanpirjes në nivel global? 
    Zgjidhjet e botës reale janë atje. Ato janë thjesht të kufizuara gjeografikisht dhe të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat aktuale. 
    Ka një mënyrë për ta zgjidhur këtë. Po sikur më shumë njerëz – nga të gjitha shtresat shoqërore dhe vendndodhjet – të fuqizoheshin për të marrë pjesë në vendimarrje? Mjetet dixhitale dhe zhvillimet në inteligjencën artificiale e bëjnë këtë shumë më të realizueshme sot se në çdo kohë tjetër në histori. Dhe pas dekadash zhgënjimi dhe pasigurie, njerëzit janë gati të veprojnë. 
    Sfida do të jetë eliminimi i hierarkive vendimmarrëse dhe heqja e barrierave që kufizojnë lëvizjen e lirë të informacionit dhe ideve. Bërja e kësaj do të ndihmonte në rritjen e angazhimit tonë të përbashkët për të vepruar më shpejt dhe në mënyre efektive – duke siguruar që ky veprim të përfshijë individ nga i gjithe spektri politik dhe socio-ekonomik.   
    A kërkojnë kërcënimet ekzistenciale me të cilat përballemi si shoqëri globale një lloj organizimi ndryshe kur bëhet fjalë për aktivizmin qytetar – një forcë apolitike, transnacionale që fokusohet në dialogun e hapur, edukimin dhe organizimin e njerëzve për të zbatuar zgjidhje të menjëhershme?  
    Qytetarët e botës janë të dëshpëruar për ndryshim dhe të etur për të ndjerë se po kontribuojnë në këtë ndryshim. Çfarë mund të bëjnë drejtuesit e bizneseve dhe qeveritë në vitin 2025 dhe më tej për ta bërë këtë të mundur? 
    Bota pret. 
    Marian Salzman është Zëvendës Presidente e Global Communications në Philip Morris International. Këndveshtrimet e paraqitura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e ndonjë organizate tjetër. 
    Ky artikull u botua për herë të parë në edicionin e Davos 2025 të Diplomatic Courier. 

  • Botës i është çmendur kryetari

    Botës i është çmendur kryetari

    Nga Skënder Minxhozi/

     

    Një nga komentatorët politikë më të kujdesshëm amerikanë Farid Zakaria, ka një ide shumë të qartë për rrokopujën diplomatike që ndodhi në Zyrën Ovale mes presidentit Trump dhe Volodimir Zelenskit të Ukrainës. Sipas komentatorit, Zelenski, një tip emotiv dhe i vënë në trysni nga vite lufte në vendin e tij, duhej të kishte ruajtur qetësinë dhe të zbatonte një strategji tjetër nga ajo e sherrit me dy krerët më të lartë të SHBA në zyrën e tyre. Ai duhet të deklaronte publikisht që Trump është më i madhi, më i zoti dhe i vetmi që mund të zgjidhë krizën ukrainase. Sipas Zakarias, pas këtyre lëvdatave Zelenski duhet të kishte sjellë me vete edhe medaljen më të lartë të Ukrainës e t’ja varte në qafë presidentit amerikan para kamerave. Vetëm kështu do të shpëtonte nga kurthi që i kishin ngritur.

    Përtej ironisë elegante të Farid Zakarias, jo rastësisht i ndodhi Donald Trump në shtëpinë e vet ai sherr televiziv me Volodimir Zelenskin. Një precedent absolut në historinë diplomatike të SHBA. Së pari, sepse siç kanë referuar shumë media serioze amerikane, gjithçka qe përgatitur paraprakisht nga i zoti i shtëpisë, në formën e një gjyqi publik për preidentin ukrainas, të cilin ai e ka në listën e zezë prej shumë vitesh. Që nga ajo kohë kur ndaj Trump demokratët amerikanë organizuan impeachment-in (procedurë shkarkimi) e parë. Dhe Zelenski ishte në qendër të atij sherri politik, pasi Trump akuzohej se i kishte kërkuar atij vetë të dhëna kompromentuese për djalin e kundërshtarit Biden, Hunterin, i cili kishte aktivitete biznesi në Ukrainë. Ata që e njohin Trump thonë se që nga ajo kohë ai mbart brenda vetes një ndjenjë urrejtjeje dhe antipatie për Zelenskin, të cilin e konsideron si një komedian të dobët, që nuk i ngjan fare burrit të fortë të Kremlinit, të cilin Trump e adhuron hapur.

    Së dyti, ai sherr i ndezur mund të ndodhte vetëm nën presidencën Trump sepse po të shohësh çfarë ka thënë dhe çfarë ka bërë që nga 6 nëntori, kur fitoi zgjedhjet, kupton se njeriu më i fuqishëm në botë ka ardhur me qëllimin që të përmbysë gjithçka, pa marrë parasysh rrënojat që mund të krijojë gjatë rrugës. E thënë shkurt, botës i është çmendur kryetari.

    Në harkun e tre muajve Donald Trump ka shpallur se do të rimarrë Kanalin e Panamasë, më pas do aneksojë Groenaldën, vijon të thotë se Kanadaja do bëhet shteti i 51-të i SHBA, ashtu siç ka deklaruar se të gjitha vendet e aleancës BRICS (Rusi, Kinë, Iran, Afrikë e Jugut dhe Brazil) do të dënohen me 100% tarifa për mallrat që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara. Meqë ra fjala, edhe Gjiri i Meksikës tashmë quhet Gjiri i Amerikës me firmë dhe vulë të Presidentit Trump!

    Por nuk mbaron këtu. Madje sa ka filluar. Në vijim të ëndrrës “koloniale” amerikane, ai kërkon të marrë nën kontroll Gazën, duke ndërtuar mbi një vend te larë në gjakun e mbi 60 mijë të vrarëve (shumica gra e fëmijë), hotele luksi dhe zona rezidenciale ku do të pushojnë njerëzit më të pasur të botës. Natyrisht në qendër të territorit do të çpojë qiellin një Trump-Tower gjigande! Dhe për ta mbyllur serinë e absurditeteve, në dy muaj ka shkatërruar raportet historike me Evropën dhe NATO-n!

    Duhet të jesh mendërisht i çekuilibruar të postosh në profilet zyrtare të presidencës së SHBA video të ndërtuara me inteligjencën artificiale ku shihet presidenti amerikan duke pirë koktejle me kryeministrin Netanjahu në bregdetin e Gazës. Cinizëm i një shkalle që vetëm inteligjenca artificiale me algoritmet e saj të akullta, mund ta riprodhojë pa u pështirosur.

    Lufta e shpallur e Trump ndaj aleatëve historikë perëndimorë dhe fqinjëve, Evropës, Kanadasë e Meksikës, është ndoshta kapitulli më i pakuptueshëm e absurd i presidencës aktuale të SHBA. Me Kinën nuk ka ndryshuar asgjë esenciale, me Rusinë raportet po ngrohen aq sa tanimë për qëndrimin zyrtar amerikan nuk dihet cili shkaktoi luftën në Ukrainë, vetë Ukraina apo Rusia?! Madje edhe rezolutat në OKB shohin gjithë botën kundër Rusisë, Amerikës dhe Eritreas e Koresë së Veriut! Trump po afrohet me ata që rregullisht Amerika i ka quajtur kundërshtarë e armiq dhe po largohet nga miq e aleatë historikë. Nga ata që për hir të interesave të SHBA dërguan ushtarë dhe u vranë në shpellat e Afganistanit apo shkretërirat e përvëluara të Eufratit.

    Me një të rënë të lapsit, i dhënë ethshëm pas obsesionit të tij historik, politikës së tarifave mbi mallrat e importit në SHBA, Donald Trump ka hedhur në koshin e plehrave brenda pak ditësh raporte të ngushta bashkëpunimi e mirëbesimi ekonomik që Amerika i kishte ndërtuar falë punës së palodhur dhjetravjeçare të një sëre Presidentësh e burrash të tjerë shteti të Amerikës. Ka rënë doktrina bazë e vendit e cila e shihte SHBA si vendin lider të botës së lirë dhe janë dëmtuar rëndë marrëdhëniet transatlantike.

    Ka rënë edhe doktrina bazë e ombrellës së sigurisë euro-atlantike e identifikuar me NATO-n, aq sa tani askush se di nëse SHBA është ende e gatshme të zbatojë fjala vjen, artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit për mbrojtjen e çdo anëtari të NATO-s në rast sulmi nga jashtë.

    Ndërkohë vetë Trump, mes shumë marrëzive që prodhon çdo ditë, tha edhe më të fundit: Evropa e Bashkuar u krijua për të dëmtuar SHBA! Një projekt i ngritur pas Luftës së Dytë botërore për të instaluar paqen mes shtetesh që prej shekujsh luftonin mes vetes, përfshirë edhe dy luftra botërore, shihet nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si projekt antiamerikan! Është e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por është fatale të jesh mik i saj, thoshte dikur Henri Kissinger, a thua se kishte parasysh pikërisht këtë situatë aktuale absurde.

    Vakuumi i sforcuar që Trump po krijon në marrëdhëniet me fqinjët dhe aleatët perëndimorë po i jep shumë shpejt efektet e veta, të cilat do të ndjehen në një hark kohor shumëvjeçar. Kanadaja po afrohet me Evropën, kjo e fundit po shpejton të ndërtojë një strategji emergjente të sigurisë e mbrojtes, ndërkohë që të gjitha këto qendra të mëdha ekonomie dhe pushteti, të lëna zbuluar nga aleanca 80 vjeçare me Amerikën, po kthehen në klientë potencialë të Kinës. Mënyrë e çuditshme për ta bërë Amerikën “sërish të madhe” duke i prerë të gjitha urat që e lidhin me miqtë e aleatët. Nëse do ta prishësh pozitën ndërkombëtare e cila të ka parë si vendin lider që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kjo e Donald Trump është receta perfekte.

    Në një cep të Evropës ku ndodhemi edhe ne shqiptarët, zbatica amerikane mund të krijojë së afërmi probleme që deri dje as që mendoheshin. Revista gjermane Bild botonte disa ditë më parë plane që sipas saj po studiohen në Uashington, për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni ynë. Përtej faktit që trumpistët e shumtë shqiptarë do të kishin rastin të kuptonin sesa kot dhe në mënyrë absurde kishin bërë tifo në distancë për Trump, në një dimension shumë serioz faktori shqiptar do të gjendej në një situatë tejet delikate e të rrezikshme nëse SHBA bënte një hap prapa nga garancitë që ka dhënë deri tani në fushën e sigurisë për Kosovën dhe Ballkanin. Amerikanët janë elementi bazë i sigurisë në rajonin tonë dhe një tërheqje e tyre do të hapte skenare potencialisht të frikshme për të ardhmen.

    Kjo epokë vetmie do të shënonte potencialisht rrëzimin e marrëveshjes së Dejtonit e marrëveshjeve të tjera të mëvonshme që rregullojnë statu quonë në Kosovë dhe Ballkan, duke prodhuar një konfigurim krejt të ri të raportit të forcave mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të tretëve (Rusinë), me fokus tek marrëdhënia e serbëve me Kosovën e Bosnjen.

    Donald Trump ka vendosur se në katër vjet mund të kthejë përmbys botën, ashtu siç e njohim në 80 vjetët e fundit. Ka vendosur edhe që Perëndimi i duhet i përçarë e jo i bashkuar siç jemi mësuar ta shohim. Ka një obsesion të sëmurë se të githë, evropianë e fqinj ja kanë me hile Amerikës dhe se ai ka ardhur në atë post për të ndrequr një padrejtësi kozmike që i ka rënë mbi krye SHBA për shkak të miqve të saj.

    Ky duket si një bast i mbrapshtë që ka vendosur me historinë, duke shpërfillur pasojat dhe duke mos kalkuluar asnjë efekt bumerang të mundshëm. Të shohim ku e do çojë vendin e tij dhe të tjerët që do të paguajnë turbulencat e një politike që deri tani duket e fokusuar tek improvizimi, egoja e shfrenuar dhe shpërfillja për çdo ligj e normë. Imazhi i Elon Musk që shetit nëpër zyrat e Uashingtonit me një tufë djemsh me laptopa në duar që heqin fonde e pushojnë njerëz nga puna pa pyetur as për ligjin e as për instiucionet e shtetit, është metafora më e gjetur e këtij absurdi që ka pushtuar kokën e fuqisë më të madhe të botës.

     

     

  • Kupa e Botës, Lara Colturi klasifikohet e 5-ta në garën e sllallomit gjigand zhvilluar në Amerikë

    Kupa e Botës, Lara Colturi klasifikohet e 5-ta në garën e sllallomit gjigand zhvilluar në Amerikë

    25 Mars 2025

    19:38

    Telesport

    Në pistën amerikane të Saint Valley, u zhvillua sot gara e radhës së Kupës së Botës për femra në ski alpine, ajo e sllallomit gjigand. Në këtë garë mori pjesë edhe skiatorja kuqezi Lara Colturi.
    Ajo bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke u klasifikuar në vendin e 5-të, duke dhënë një tjetër rezultat të mirë në një sezon ku gjithnjë e më shumë po bëhet protagoniste.
    Pas zbritjes së parë, Colturi u klasifikua e pesta me kohën 1’06”06, ndërsa në zbritjen e dytë koha e dhënë nga skiatorja kuqezi ishte 1’06”49, duke ruajtur vendin.
    Kështu, pas dy zbritjeve, Lara Colturi u klasifikua në vendin e pestë, me kohën e përgjithshme 2’12”55. Një paraqitje pozitive e skiatores 18-vjecare, që garon si e barabartë me rivalet e saj.