Tag: boric

  • Kili drejt një përplasjeje historike: Komunistja Jara dhe ultrakonservatori Kast në balotazh

    Kili drejt një përplasjeje historike: Komunistja Jara dhe ultrakonservatori Kast në balotazh

    Kili do të zgjedhë presidentin e ri më 14 dhjetor, ku në balotazh do të përballen kandidatja e Partisë Komuniste, Jeannette Jara, dhe udhëheqësi ultrakonservator i Partisë Republikane, José Antonio Kast. Me 40% të votave të numëruara, përparësia e tyre në raundin e parë konsiderohet tashmë “e pakthyeshme”, sipas rezultateve zyrtare të Servel.
    Jara kryeson me 26,45%, e ndjekur nga Kast me 24,46%, ndërsa në vend të tretë, me surprizë, renditet populisti Franco Parisi me 18,62%. Gati 16 milionë kilianë votuan jo vetëm për presidentin e ri, por edhe për të rinovuar Dhomën e Deputetëve dhe gjysmën e Senatit, në një proces ku dominuan çështjet e sigurisë, emigracionit, ekonomisë dhe pakënaqësia ndaj klasës politike.
    Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të fortë polarizimi, në sfondin e një rritjeje të ndikimit amerikan në Amerikën Latine. Tetë kandidatë garuan për postin më të lartë të shtetit. Në të majtë, koalicioni “Unidad por Chile” u rreshtua rreth Jeannette Jara-s, 51 vjeç, ish-ministre e Punës, që fillimisht projektohej deri në 33%. E djathta, ndërkohë, hyri e përçarë në garë me katër kandidatura kryesore, çka e bëri të vështirë parashikimin të rezultateve.
    Në kampin konservator, José Antonio Kast dhe Evelyn Matthei shfaqeshin të barabartë në projeksionet fillestare me rreth 20% secili. Kast, i mundur nga Gabriel Boric në vitin 2021, konsiderohet si përfaqësues i krahut më konservator dhe nostalgjik ndaj epokës së Pinochet, megjithëse deklaron besnikëri ndaj institucioneve demokratike.
    Ai, admirues i Donald Trump, bëri thirrje për unitet të djathtës, duke deklaruar se vazhdimësia e qeverisjes aktuale “nuk i bën mirë vendit” dhe se Partia Komuniste ka një “ideologji të ngurtë” që frenon liritë. Matthei, figurë tradicionale e së djathtës, mbeti pas në renditje. Më në ekstrem, ultra-libertariani Johannes Kaiser, i krahasuar me Bolsonaro-n dhe Milei-n, mori rreth 13%, ndërsa italo-amerikani Parisi, i renditur i treti, fragmentoi më tej votat e djathta. Tani, Kast pritet të kërkojë bashkimin e të gjithë votuesve konservatorë rreth tij, me një program ekonomik ultra-liberal që parashikon ulje të forta të shpenzimeve publike.
    Nga ana tjetër, Jeannette Jara mbron një vijë të afërt me politikat e qeverisë së majtë në largim, megjithëse kohët e fundit është distancuar nga presidenti Gabriel Boric, i cili përgjatë vitit 2025 ka pasur popullaritet nën 30%.
    “Kili nuk po shkatërrohet. Është një vend i madh, me një të ardhme të madhe”, deklaroi ajo në mitingun e fundit, duke shtuar se do të largohej nga Partia Komuniste nëse zgjidhet presidente. Pavarësisht kritikave ndaj qeverisë, Jara ka firmosur si ministre disa nga reformat e saj të pakta të suksesshme, si rritja e pagës minimale.
    Ndërkohë, bilanci i mandatit të Boric është më i zbehtë. Katër vjet pas protestave të 2019-s, që krijuan pritshmëri për një transformim të thellë, dy përpjekjet për të miratuar një Kushtetutë të re dështuan, fillimisht varianti progresist dhe më pas ai i propozuar nga e djathta. Në vend të reformave, dolën në pah probleme të tjera: kriminaliteti është rritur ndjeshëm, emigracioni nga Venezuela ka arritur nivele rekord dhe sot Kili ka rreth 2 milionë të huaj në një popullsi prej 19 milionësh.
    Edhe ekonomia mbetet e brishtë: në tremujorin e dytë të vitit 2025 rritja ishte 3,1%, por 45% e familjeve thonë se mezi arrijnë në fund të muajit, 72% janë futur në borxhe dhe papunësia qëndron në 8%. Shteti është gjithashtu i varur nga eksportet drejt Kinës, që përthith rreth 40% të prodhimeve kiliane.