Sot ose kurrë më për Napolin. E tillë është ndeshja ndaj Bologna, e cila kohët e fundit lejon vërtet pak shanse për kundërshtarët. Ky është udhëkryqi i titullit, që e pret këtë mbrëmje Napolin në “Dall’Ara”. Një mundësi unike ose pothuajse, sepse barazimi i Interit në Parma i lejon Antonio Contes të shkurtësojë distancën me -1 pikë nga kreu, me sprintin për “scudetto” që ka hyrë në fazën vendimtare.
Tashmë, çdo pikë e lënë apo e fituar peshon si një gur…, për mirë apo për keq. Ekziston edhe ana tjetër e barrikadës, teksa blutë do të përballen me një Bologna në formë të shkëlqyer, që vjen nga 4 fitore radhazi, në garë për Champions-in dhe e aftë, vetëm disa javë më parë, të shënonte 5 gola ndaj Lazios, e cila nuk është skuadër e panjohur në Serie A. Pra, Conte duhet të fitojë, por nuk do të jetë aspak e lehtë.
E sigurt është që, në llogaritje të fundit, ndeshja në “Dall’Ara” do të jetë pengesa e fundit e madhe për Napolin, sepse nga aty e në vijim kalendari i bluve bëhet shumë më i lehtë, me 4 ndeshje në shtëpi në 7 ndeshjet e fundit dhe të gjithë kundërshtarët nën potencialin real të Napolit.
Kësisoji, është logjike që vëmendja të jetë maksimale dhe formacioni, për shkak të rrethanave, më i miri i mundshëm. Me rikthimin e McTominay, aplikimi i skemës 4-3-3 është i pashmangshëm. Lukaku do të jetë në qendër të sulmit, i përforcuar në të djathtë nga Politano dhe në të majtë nga Neres. Në mesfushë, përveç skocezit, do të jenë Lobotka dhe Anguissa.
Mbrojtja do të jetë titullare, me Di Lorenzo dhe Olivera në anët, si dhe Rrahmani e Buongiorno në qendër. Disa dilema më shumë ka Bologna, ku, për shembull, Italiano do të duhet të zgjedhë mes Castro dhe Dallinga në sulm. Pas tyre, Orsolini, Odgaard dhe Ndoye janë të padiskutueshëm, ndërsa në mesfushë luhet për dy pozita mes Freuler, Ferguson dhe Pobega. Mbrapa duken të sigurt për të startuar Beukema, Lucumì dhe Miranda, me balotazh në të djathtë mes Holm dhe De Silvestri.
Conte duhet të bëjë kujdes nga “rossoblù”, sepse janë në formë të shkëlqyer. Këtë sezon ata kanë treguar se dinë të dëmtojnë kundërshtarë që në letër janë më të fuqishëm. Një rastësi e vogël: Bologna, fushë ku Interi humbi titullin e dhimbshëm ndaj Milanit, është përsëri qendra e garës për titullin e këtij edicioni. NJë trajner si Conte e di këtë gjë dhe nuk mund të gabojë.