Këngëtari Shpat Kasapi ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare mëngjesin e kësaj të mërkure. Artisti ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Miku i tij i ngushtë, këngëtari Blero, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e Living Day me moderatoren Brunilda Lahe ka ndarë kujtimet më të bukura me artistin.Lexo edhe :
Ai gjithashtu tha se kur mori vesh lajmin e trishtë, ndodhej në Londër. Blero e përshkroi Shpatin si një artist shembullor, njeri pozitiv dhe mik të vërtetë, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij dhe të gjithë estradës shqiptare.
Këngëtari deklaroi se hyri menjëherë për të lexuar mesazhet e fundit me mikun e tij të ndjerë.
Pjesë nga intervista:
Lahe: Si e mësuat lajmin?
Blero: Gjendem në Londër për momentin. Në mëngjes sot kur më telefonoi vëllai im, Burimi, ma dha lajmin. Ishte një ndër lajmet më të këqija që kam dëgjuar së fundmi, edhe më trishtuese. Nuk di, s’po mundem ta besoj ende. Emocionalisht jam shumë keq.
Lahe: Me Shpatin kishit një komunikim të vazhdueshëm. Cila ishte hera e fundit që u takuat me të?
Blero: Që jam takuar me Shpatin kanë ndoshta dy muaj, ama që kam folur, ka diku 10 ditë, dy javë ndoshta. U futa në WhatsApp dhe i shikoja fjalët e fundit me të, dhe ishte pak emocionuese sepse e kam pasur shumë mik.
Lahe: Cilat janë kujtimet më të bukura që ke me Shpat Kasapin?
Blero: Shpati ka qenë një djalë shembullor, një mik, një shok. Ka qenë një djalë me të cilin ke biseduar diçka dhe aty ka vdekur ai muhabet, nëse ka qenë i tillë. Unë e kam pasur shumë mik dhe unë kur t’i them këto e kam me të vërtetë, sepse kam pasur mik shumë të afërt, edhe kolegë. Fatmirësisht më ka rënë të punoj me Shpatin, sidomos një ndër këngët që i kemi bashkë quhet “Falma”, që ka qenë një këngë shumë e bukur dhe vazhdon të jetë, po më duket. Çfarë të them përveç fjalëve të bukura.
Lahe: Ai me sa duket ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjithë estradën, me të gjithë artistët, me të gjithë këngëtarët. Nuk është gjë e rrallë kjo për një artist, që ta duan të gjithë njëlloj?
Blero: Absolutisht. Për Shpatin nuk mund të gjesh dikë që mund të thotë diçka tjetër përveç fjalësh të bukura. Edhe energji pozitive, një edukatë e jashtëzakonshme familjare. Një shembull i mirë si shok, si mik. Kurrë nuk ka ditur të të thotë ndonjë fjalë, të të ofendojë, apo ndonjë fjalë të keqe. Unë do ta kujtoj me energjinë më të mirë dhe pozitive të mundshme, sepse ka qenë vërtet i tillë. Po ta pyesësh krejt estradën, të gjithë thonë që Shpati ka qenë shembullor.
Lahe: Kjo u ndje menjëherë nga reagimet e të gjithë artistëve, nga fjalët e zemrës që kishin thënë për të. Çfarë do t’i kujtosh gjithmonë si pikën e tij më të fortë?
Blero: Si pikën e tij më të fortë mund të të them që Shpati ka qenë gjithmonë inkurajues. Çfarëdo lloj situate, Shpati ka qenë pozitiv. Edhe nëse vetë ka qenë keq, ai ka ditur të të japë motiv, fjalë të mira, këshilla të mira. Thjesht, një djalë shembullor, një mik i vërtetë që do më mungojë jashtëzakonisht shumë.
Lahe: A ka pasur shqetësime shëndetësore Shpat Kasapi?
Blero: Unë absolutisht nuk e di që ka pasur.
Lahe: Nuk keni pasur dijeni që të ketë pasur shqetësime?
Blero: Edhe sigurisht që nuk duhet të futemi në këtë pjesën çfarë ndodhi, por siç kemi marrë lajme tashmë edhe zyrtare, ka pasur një arrest kardiak. Sido që të jetë, pak rëndësi ka kjo. Me rëndësi është që ne të gjithë të lutemi për Shpatin dhe familjen e Shpatit, dhe ta kemi mendjen te familja e tyre, sidomos tek bashkëshortja e Shpatit, te djali i tij, dhe te nëna dhe familja e tij. Për të ka shumë fjalë për të thënë. Vetëm që u prehtë në paqe dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes.
/vizionplus.tv