Nga Albert Vataj
Fatime Sokoli nuk ishte thjesht një këngëtare. Ajo ishte një zë që vinte nga thellësitë e shpirtit malësor, një magji e lindur mes gurëve të bardhë të Valbonës, një frymë që mbante erën e luleve të bjeshkës dhe jehonën e kreshtave të Dragobisë.E njohur si “Bilbili i Tropojës”, ajo iku në një moshë të parakohshme, pa i shkelur ende të dyzetat, atëherë kur fuqia e saj krijuese mund të arrinte kulmin. Një sëmundje e pashërueshme e ndali hovin, por jo kumbimin e zërit të saj që ende udhëton mbi lugjet e bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës.Ajo nuk iku thjeshtë si një jehonë. La pas këngët e pavdekshme, interpretimet që të drithërojnë, mesazhet që u kënduan me shpirt për atdheun, për dashurinë, për punën, për njeriun. La një testament që nuk shkruhet me penë, por gdhendet në kujtesën kolektive: të guxosh, të ngrihesh mbi kufijtë e vendosur nga zakoni, të dëshmosh se gruaja nuk është thjesht një hije në punët e shtëpisë dhe në heshtjen e nënshtrimit, por një forcë që sfidon kohën dhe rregullat e saj.Fatime Sokoli ishte më shumë se një artiste, ajo ishte një akt emancipimi. Në një botë ku fjala e burrit ishte ligj dhe prangat e zakonit e mbanin gruan larg skenës, ajo u ngjit aty me krenarinë e një malësoreje që di se vlera fitohet me mund, jo dhurohet. Ishte interpretuese, instrumentiste, bartëse e një trashëgimie të pasur shpirtërore, dhe e ktheu atë në një pasuri kombëtare. Zëri i saj ishte si një urë që lidhte këngën e odave të burrave me skenat e festivaleve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Ballkan e më tej në Evropë.Në Dragobi, zëri i saj buçiti për herë të parë në kremtet e fshatit, për popullin trim të Gjakovës. Më pas, ai zë do të pushtonte skenat e Tiranës e Gjirokastrës, do të merrte duartrokitje në Kosovë e Maqedoni, do të ngjitej në podiume ndërkombëtare, duke mbajtur gjithnjë me vete aromën e barit të njomë dhe tingullin e lahutës së maleve. Këndoi për Bac Bajramin, Mic Sokolin, Emin Durakun, Haxhi Zekën e Tom Kolën, duke bërë që heronjtë të rrojnë në këngë dhe populli t’i ndiejë të afërt.Në fonotekën e Radio Televizionit Shqiptar, këngët e saj ruhen si relike, por ato nuk kanë mbetur të mbyllura aty, populli i këndon ende. Sepse kënga e saj nuk ishte thjesht muzikë, por frymë që lidhet me jetën, me qëndresën, me dinjitetin.Fatime Sokoli u lind më 18 qershor 1948, në një familje me tradita patriotike e atdhetare, dhe u rrit me idealet e malësisë, krenari, besë, burrëri shpirtërore. U shpall “Artiste e Merituar” jo si një titull të cilin e mbështeti emri, por si një nder që ia detyroi puna e palodhur, guximi dhe pasioni i saj.Sot, në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, nuk mjafton vetëm ta përmendim me respekt. Duhet ta kujtojmë si një shembull të gjallë të asaj që një grua shqiptare mund të bëjë kur i jepet skena, kur i jepet fjala, kur i lejohet ëndrra. Fatime Sokoli nuk kërkoi të bëhej mit, por koha e bëri të tillë. Sepse ajo ishte dhe mbetet një zë që nuk shteron, një kumbim i përjetshëm mbi bjeshkë, një pjesë e shpirtit të kombit që nuk shuhet.
Tag: bjeshkëve
-

Fatime Sokoli, zëri kushtrues i një shpirti që kumbon ende në eterin e bjeshkëve
-

Presidenti Bajram Begaj merr pjesë në festën “Logu i Bjeshkës” në Malësinë e Madhe: Xhubleta, një trashëgimi dhe…
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në festën tradicionale të Malësisë së Madhe, “Logu i Bjeshkës”, që daton nga shekulli i kaluar dhe është një manifestim i traditës. “Mishërim i shpirtit të malësorit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar”, e cilësoi kreu i shtetit këtë festë ku ishte i pranishëm. Eventi festiv u mbajt në Qafën e Predelecit në Kelmend. Presidenti shprehu falënderimin për mikpritjen dhe vlerësimi që i bëhet trashëgimisë kulturore nga banorët e kësaj zone. “Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore. Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore”, tha Begaj mes të tjerash. Gjithashtu ai theksoi faktin se në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta. “Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës”, u shpreh ai. Dhe promovimin e saj botërisht e quajti një pasuri kombëtare.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në “Logun e Bjeshkës”:
“Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, në alpet shqiptare, në Qafën e Predelecit në Kelmend, në këtë festë që kaq bukur mishëron shpirtin e malësorit dhe krenarinë tonë kulturore si shqiptarë. Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe mikpritjen, si dhe për mundësinë që më dhatë të ndaj me ju këto çaste gëzimi e përkushtimi ndaj trashëgimisë sonë. Logu i Bjeshkëve është një nga ngjarjet më kuptimplota të jetës kulturore dhe shoqërore në trevat tona veriore. Ky manifestim tradicional prej dekadash bashkon komunitetin rreth vlerave të mikpritjes, bukurisë natyrore, kulturës popullore dhe krenarisë së gruas malësore. Logu i Bjeshkëve është një ritakim me historinë, me artin, me veshjet, vallet, këngën dhe natyrën. Ai na kujton fuqinë e rrënjëve, respektin për zakonet dhe përkushtimin për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi. Këtu, në alpet shqiptare, ku natyra ruan madhështinë e saj dhe ku zakonet flasin ende me zërin e brezave, Logu i Bjeshkëve nuk është vetëm ngjarje festive, por është një dëshmi e gjallë e pasurisë shpirtërore dhe etnografike të trevave veriore të Shqipërisë, një homazh për traditat e zonës, për bukuritë natyrore, për patriotizmin dhe identitetin tonë kombëtar.
Ai përfaqëson jo vetëm festën e bukurisë, shpirtit dhe traditës malësore, por edhe një vlerë të çmuar për unitetin, kulturën dhe dinjitetin shqiptar. Logu i Bjeshkëve është qilimi i kulturës shqiptare i shtruar mes gjelbërimit të këtyre grykave magjepsëse, i qëndisur me gojëdhënat e këtyre trojeve, i shoqëruar me tingujt e kthjellët të kësaj krahine dhe i ndërkombëtarizuar veçanërisht përmes Xhubletës, tashmë pasuri e kulturës botërore njerëzore. Në këto treva ka lindur Xhubleta, e cila mishëron mjeshtërinë artistike të brezave dhe misterin e kohëve të lashta. Xhubleta qëndron para nesh si një gjuhë pa fjalë, që flet për identitetin tonë, për forcën, për dashurinë ndaj traditës dhe të bukurës. Logu i Bjeshkëve promovon botërisht këtë pasuri të shenjtë shqiptare dhe na kujton rëndësinë e mbrojtjes së saj.
Më shumë se një manifestim popullor, Logu është një agora shqiptare, një hapësirë ku komuniteti mblidhet për të festuar dhe për të forcuar lidhjet mes traditës dhe të sotmes. Vajza e Bjeshkës, e veshur me kostum popullor, nuk përfaqëson thjesht bukurinë e jashtme, por dinjitetin, mençurinë dhe qëndresën e gruas shqiptare dhe banorëve të këtyre trevave. Ky manifestim unik përçon për brezat e sotëm e të ardhshëm mesazhe të rëndësishme për ruajtjen e vlerave tradicionale, trashëgiminë tonë kulturore dhe bashkimin e komuniteteve rreth zakoneve të lashta dhe mikpritjes së Malësisë. Përmes veshjeve popullore, këngëve epike, valleve dhe simbolikës së “Vajzës së Bjeshkës”, Logu vazhdon të jetë një udhërrëfyes i gjallë i identitetit të palëkundur shqiptar në thellësi të alpeve.
Me rastin e Logut të Bjeshkëve, uroj që kjo festë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore të vazhdojë të mbledhë zemrat e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të identitetit, krenarisë dhe bukurisë, sepse këtu në Malësi identiteti dhe traditat nuk janë muzeale. Ato janë pjesë e të përditshmes, ato jetohen, ruhen në sofra, në biseda, në ndërlidhjet me natyrën, në vargjet e kësaj zone, si ato të Gjergj Fishtës që na flasin përjetësisht. Udhëtimi ynë drejt integrimit evropian na mëson t’i kthejmë këto thesare në asete të mbrojtura. Le të punojmë e të sigurohemi që ne do t’ua lëmë, siç i trashëguam, këto thesare, këto peizazhe, bashkë me legjendat e tyre, brezave të ardhshëm, duke i promovuar e forcuar. U uroj organizatorëve suksese të mëtejshme në ruajtjen dhe promovimin e këtij thesari kulturor të papërsëritshëm, si dhe të gjithë pjesëmarrësve, vendas e të ardhur nga Diaspora, një përvojë të paharrueshme në gjirin e natyrës dhe traditës shqiptare. Le të jetojë përherë fryma e mikpritjes, forcës dhe hijeshisë që Logu përcjell ndër breza. Gëzuar Logun e Bjeshkëve!” Gëzuar festën e shpirtit shqiptar!”. -

Zgjidhet më e bukura e Kelmendit, “Logu i Bjeshkëve” promovon traditat, trashëgiminë dhe turizmin
Në amfiteatrin natyror në Qafën e Predelecit u organizua Logu i Bjeshkëve, një nga festat më të bukura që ruan vlerat e trashëgimisë kulturore të Malësisë së Madhe. Këngët e moçme, vallet e gjalla, tingujt e lahutës, çiftelisë dhe fyellit, u bashkuan me elegancën e vajzave konkurrente në “Mis Bjeshka”.
Aurela Lulaj, vajza me origjinë nga Vukli, e lindur në Itali, u shpall më e bukura e malësisë. Ajo tashmë jeton dhe vazhdon studimet në Kanada dhe promovoi me krenari xhubletën.
Në këtë festë ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, deputetë dhe qytetarë të ardhur nga çdo anë, të cilët përjetuan nga afër këtë festë të mbushur me spektakël ngjyrash, tingujsh dhe hijeshie.Spektakli, ku marrin pjesë artistë nga trevat shqiptare dhe diaspora, promovon turizmin dhe trashëgiminë kulturore të Kelmendit, por edhe të gjithë Malësisë së Madhe.
/vizionplus.tv -

Malësorja Aurora Lumaj shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti, Bajram Begaj
Albert Vataj
Më 10 Gusht 2025, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, u zhvillua një nga shpërfaqjet më fantastike dhe më origjinale të etnofolkut, një nga traditat më të shkëlqyera të Malësisë së Mdhe, Mis Bjeshka 2025. Pas një beteje konkurruese me vajzat e tjera malësore, juria ka zgjedhur më të bukurën e vajzave, më të bukurën e dheut të Malësisë, vajzën nga Vukli i Kelmendit, që vjen nga Kanadaja për të marrë pjesë dhe për të fituar në Logun e Bjeshkëve, në triumfin e festës së traditës.Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit, e bukura e Malësisë, vajza e Logut të Bjeshkëve, Zana e këtyre maleve kreshnike, mbushur me histori e legjenda, u kurorëzua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
“Logun e Bjeshkëve”, është një manifestim më të jashtëzakonshme kulturore, tradicionale dhe historike, me veçori unike dhe karakteristikat e spikatura që e kanë trashëguar dhe e mbajnë atë si një hajmali në gjerdanin e mrekullive të Malësisë.
I rikthyer nga kohë e largët, ky event që zhvillohet çdo vit, që nga vitin 1998, të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, sinjifikon shpirtin e pasur që ka begatuar këtë tokë, këtë natyrë, këtë vend me tradita dhe vlera përfaqësuese.
Malsia e Madhe përmes “Logut të Bjeshkëve”, u rrëfen të gjithëve atë që ka qenë dhe do të mbetet në shekuj e shtrenjtë dhe e çmuar, amanetin e ruajtur thellë në gjirin e këtyre maleve dhe në shpirtin e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të thesarit të traditës, të hirit hyjnor të malësores.
Historia e “Logut të Bjeshkëve”, si lindi dhe u kultivua kjo traditë e malësorëveËshtë një manifestim kulturor që zhvillohet çdo vit që nga vitin 1998 në të shtunën e dytë të muajit Gusht në fshatin Lepushë të Kelmendit në vendin e quajtur Qafa e Predelecit.
Në këtë manifestim vajzat e Kelmendit konkurojnë për të qenë më e bukura e Bjeshkëve, për të fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Ky është një rast shumë i mirë që ju të njiheni dhe me veshjet tradicionale, këngët dhe vallet e Kelmendit.
Historia e Logut të Bjeshkëve është e hershme. Dikur njerëzit në mënyrë formale e të paorganizuar e shprehnin simpatinë e tyre për një nga vajzat apo nuset e fshatit, duke e vlerësuar atë nga hiret e saj. Ajo personifikohej si e veshur mirë, e pastër dhe shëndetplotë. Ky vlerësim bëhej në momentin që ajo shihej në rrugë për tek kroi i fshatit apo ceremoni e festa si të dielave në Kishë. Ajo kthehej në simbol të bukurisë dhe të gjithë mundoheshin ta imitonin në mënyrën se si ajo , vishej, sillej, ecte, këndonte. Dikur kjo ditë logu kishte karakter fetar ajo zhvillohej diten e Shna Prendes, në Malësi njihej si festa e bjeshkatarëve, ndaj kjo festë ka marr emrin “Logu i Bjeshkeve”.
Ndër vite në zonën e Kelmendit ka ekzistuar një “log” që në ato kohëra quhej ‘Logu i Nuseve’ ,ky “log” filloi në kishat kryesore të fshatrave të Komunës Kelmend: Selcë, Vukel, Vermosh. Nuset merrnin pjesë në këto fshatrave në mungesë të kishave të tjera dhe udhëtonin disa orë për të arritur në meshë. Pas meshës të gjithë banorët e fshatrave organizonin një spektakël që në këtë zonë quhet: ”log” (një fushë ku mblidheshin të gjithë banorët e fshatrave për të parë nuset e atij viti që ishin martuar në këto fshatra dhe për të përzgjedhur më të bukurën). Në vitin 1998 nga “logu i nuseve” ky spektakël u quajt “Logu I Bjeshkëve” ku tashmë nuk janë nuset por vajzat e fshatrave që marrin pjesë në këtë konkurs jo vetëm bukurie dhe përzgjidhet më e bukura. “Logu” ka mbi të gjitha një vlerë të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore pasi shfaqet përveç bukurisë edhe trashëgimia kulturore e trevës, veshjet karakteristike, vallet, këngët, instrumentet, lojërat popullore etj.