Personi që shihni në foton e mësipërme është Xhino Ago, ish-ortak i biznesmenit Mondi Mëhalla, i cili u vra mbrëmjen e së dielës në Elbasan. Ago është vënë në pranga nga policia si bashkëpunëtor në ekzekutimin e 43-vjeçarit.
Ai akuzohet për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas hetimeve, Xhino Ago dyshohet se ka ndihmuar autorët duke u vënë në dispozicion automjetin që u përdor në atentat, si dhe duke krijuar kushtet për kryerjen e krimit. Arrestimi i tij konsiderohet një nga zhvillimet kyçe në zbardhjen e plotë të vrasjes së biznesmenit Mëhalla.
LEXO EDHE:
Ekzekutimi i Mëhallës, del FOTO – ja e Marselo Aranit, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Atentatorët, pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë, janë larguar me mjetin tip “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.







