MARSELO ARANI, XHINO AGO DHE MONDI MEHALLA
TIRANË- 3 persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim si të implikuar në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, alias Edmond Hyka, megjithatë autoritetet nuk kanë deklaruar ende një pistë zyrtare për motivet e ekzekutimit të tij.
Policia ka vënë në pranga Xhino Agon, ish-ortakun e Mëhallës, i cili akuzohet se iu ka dhënë hua mjetin dy prej autorëve të përfshirë në ngjarje, të shpallur në kërkim Amarildo Kola dhe Marselo Arani, si dhe rojen e karburantit, shtetasin Kujtim Pisha, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Nga ana tjetër gjatë ditës së sotme, policia njoftoi arrestimin e 29-vjeçarit Nevzat Spaho, një person me rekorde të theksuara kriminale, i cili u vu në pranga në Përrenjas, si i dyshuar në vrasjen e 30 Nëntorit.
29-vjeçari rezulton i dënuar më parë nga gjykata e Elbasanit për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie” dhe “Mbajtje pa lejë të armë”. Në vitin 2022, ka rezultuar se shtetasi Nevzat Spaho, ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3 mijë eurosh.
Megjithatë pavarësisht arrestimeve, grupi hetimor ende nuk ka deklaruar një pistë konkrete për vrasjen e biznesmenit Mëhalla, i cili u qëllua me disa plumba, 2 prej tyre në kokë. Jozyrtarisht mësohet se kohët e fundit ai ka pasur konflikte me ish-ortakun Ago, ndërsa të dy dyshohen si të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Marselo Arani, një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e ndodhur të dielën, të biznesmenit Mondi Mëhalla. 32-vjeçari, i cili ishte nën masën e arrestit të shtëpisë për akuzën e pastrimit të parave, ka qenë një emër i njohur për autoritetet shqiptare. Në muajin Qershor të këtij viti, Aranit iu sekuestruan 14 pasuri, për shkak se dyshohet se janë produkt i veprimtarisë së tij kriminale.
Arani rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në Itali, për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Gjatë hetimeve është provuar se ai ka kryer veprimtari kriminale në territorin italian. Edhe pse do të duhej të ishte nën masën e arrestit të shtëpisë, në rrethana që nuk dihen ende, Arani i ka shpëtuar mbikëqyrjes policore, duke u bërë një prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e biznesmenit Mëhalla. Personi tjetër që dyshohet si bashkëpunëtor, është shtetasi Amarildo Kola me banim në qytetin e Laçit. Ndërkohë që dy persona janë arrestuar si të përfshirë në këtë vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar.
Në pamjet filmike të grumbulluara nga grupi hetimor, Arani shihet duke marrë markinën tip audi nga parkimi, ndërsa më pas makina u përdor për largimin e vrasësve të biznesmenit në drejtim të Librazhit, ku dhe mjeti u gjet i djegur në fshatin Mirakë.
Nëse fillimisht atentati u mendua si i mirëorganizuar, nga të dhënat e deritanishme rezulton se personat e përfshirë kanë lënë mjaft gjurmë, duke nisur nga makina e përdorur, që u huazua nga Ago, te pamjet filmike apo e shkuara kriminale e disa prej të arrestuarve. /ZËRI








