Lëvizja Bashkë ka thirrur protestë ditën e nesërme, kundër rritjes së çmimit të biletës së urbanit të linjës së Kamzës ku nga 40 lekë që ishte, qytetarët duhet të paguajnë tashmë 50 lekë.
Në një reagim në rrjete sociale, bëhet me dije se protesta do të mbahet në orën 10:00 para Bashkisë së Kamëz, ku përpos uljes së çmimit të biletës do të kërkohet edhe abone falas për pensionistët dhe studentët e kësaj zone.
Reagimi i plotë
PROTESTË PËR ULJEN E ÇMIMIT TË BILETËS SË URBANIT DHE ABONE FALAS PËR PENSIONISTË DHE STUDENTË!
Qytetarë të Kamzës,
Mbi 2000 prej jush keni nënshkruar peticioninin kundër rritjes së çmimit të biletës dhe për abonetë e autobusëve. Kjo rritje e çmimit për dhjetra mijëra punëtorët dhe të rinjtë e Kamzës u bë shpejt e shpejt dhe në terr informativ. Vetëm 2 nga 41 këshilltarë bashkiakë votuan kundër rritjes së çmimit, të cilët ashtu si Bashkia, i tradhëtuan interesat tuaja përballë kompanisë private.
A mos vallë Kamza është më e pasur se Tirana që qytetarët e saj të paguajnë më shtrenjtë transportin dhe studentët e pensionistët të mos kenë abone falas?
Prandaj, këtë të diel, ora 10:00, protestojmë përballë Bashkisë Kamëz. Në një vend ku demokracia është në rrezik dhe nuk mjafton veç nënshkrimi, është e rëndësishme ta mbështesim peticionin me protestë sa më masive, me praninë dhe zërat tanë. Vetëm kështu dëgjojnë ata atje lart.
Tag: biletës
-

Rritja e çmimit të biletës së urbanit, “Lëvizja Bashkë” thërret protestë në Kamëz
-

Kamëz, policia sherr me aktivistët. Pengojnë firmosjen e peticionit kundër rritjes së çmimit të biletës së urbanit
Lëvizja ”Bashkë” së bashku me qytetarët e Kamzës kanë bërë thirrje për firmosjen e një peticioni ku kërkohet miratimi i dy pikave, ulja e çmimit të biletës së linjave të urbanit Kamëz që ka shkuar në 50 lekë, dhe abone falas për pensionistët dhe studentët.
Policë, nëpunës dhe drejtorë të Bashkisë Kamëz janë përplasur fizikisht me aktivistët e Lëvizjes ”Bashkë” ku i detyrojnë të largohen nga trotuari, me qëllim që të mos mbledhin firma. Aktivistët e kanë cilësuar të paligjshëm urdhrin e drejtuesit të bashkisë Kamëz për largimin e aktivistëve. Në krah të tyre janë shprehur dhe qytetarët e bashkisë së Kamzës të cilët janë shprehur të pakënaqur për vendimin e rritjes së çmimit të biletës së urbanit.
I pranishëm në aktivitetin për firmosjen e peticionit, ishte dhe deputeti i lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi, i cili tha se bashkia Kamëz nuk ka pranuar të japë leje për vendosjen e një tavoline të vogël ku qytetarët të firmosin për një të drejtë të tyre. -

VIDEO – Protestë për çmimin e biletës së urbanit në Kamëz, polici kërcënon qytetarët
Gjatë ditës së sotme ,dhjetëra qytetarë të Kamzës, dolën në protestë kundër rritjes së çmimit të biletës së autobusit urban. Prej datës 1 nëntor, bileta është rritur me 10 lekë, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e familjeve me të ardhura të ulëta.
Protestuesit kërkojnë që çmimi të rikthehet në nivelin e mëparshëm dhe që pensionistët të përfitojnë transport falas. Ndërkohë gjatë mbledhjes së firmave për peticionin, policia bashkiake e Kamzës ka tentuar të largojë protestuesit, duke penguar procesin.
Raportohet se ka pasur tensione dhe kërcënime, ndërsa aktivisti Klodi Leka, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale deklaron se një polic shteti ka paralajmëruar qytetarët se do merrej “privatisht” me ta.
Protestuesit akuzojnë kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, se po mbron interesat e kompanive private të transportit publik, duke vendosur barrën e monopoleve mbi qytetarët e thjeshtë.
Ata e cilësojnë këtë si një “krim të rëndë” ndaj punëtorëve dhe pensionistëve të zonës. -

Bileta e autobusit në Kamëz u rrit me 50 lekë, PL thirrje: Anulojeni, po rëndoni xhepat e qytetarëve
Partia e Lirisë kërkon anulimin e rritjes me 10 lekë të tarifës së biletës së autobusit në Kamëz. PL thotë se shërbimi nuk e justifikon çmimin, pasi qytetarët përballen çdo ditë me trafikun, rrugët e prishura dhe vonesa të autobusëve.
“Bashkia Kamëz së fundmi me anë të një vendimi të Këshillit Bashkiak ka vendosur rritjen e çmimit të biletës së autobusit nga 40 në 50 lekë, si dhe të abonesë mujore nga 1 200 në 1 400 lekë. Ky vendim është i padrejtë, i pamenduar dhe thellësisht i dëmshëm për qytetarët që përballen çdo ditë me çmime në rritje dhe shërbime publike që degradojnë nga dita në ditë”, tha Arla Merja.
Në një deklaratë nga selia, sekretarja për Marrëdhëniet me Publiku, Arla Merja denoncoi kushtet në transportin urban të bashkisë së Kamzës.
“Në vend që të përmirësojë cilësinë e transportit publik, Bashkia Kamëz ka zgjedhur të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve. Autobusët që qarkullojnë në linjat Kamëz–Tiranë janë të amortizuar, shpesh pa ajër të kondicionuar, me ndenjëse të dëmtuara dhe kushte të papranueshme higjienike. Udhëtimi me to është lodhje dhe poshtërim për qytetarët që çdo mëngjes përpiqen të arrijnë në punë apo në shkollë.
Përveç kushteve të këqija, qytetarët përballen çdo ditë me vonesa të mëdha për shkak të trafikut galopant dhe mungesës së menaxhimit urban. Autobusët vijnë rrallë, shpesh plot përtej kapacitetit, dhe njerëzit detyrohen të udhëtojnë në këmbë, ngjeshur, në temperatura ekstreme. Këto nuk janë kushte për një qytet që pretendon të jetë pjesë e zhvillimit”, tha ajo.
Vendimi për rritjen e biletës nga 40 lekë në 50 lekë u mor nga Këshilli Bashkiak i Kamzës më 31 tetor, ndërsa çmimi i abonesë së përgjithshme është rritur nga 1400 lekë në 1600 lekë. -

Rritja e çmimit të abonesë dhe biletës së urbanit, eksperti: Ja pse qytetarët do të paguajnë më shumë
Nga 1 Nëntori hyri në fuqi vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Kamëz, që parashikon rritjen e çmimit të biletës me 10 lekë dhe rritjen e çmimit të abonesë me 200 lekë.
Bëhet fjalë për dy linja transportit publik, Tiranë-Kamës dhe Tiranë-Paskuqan. Por pse ishte e nevojshme një rritje e çmimit?
Dashnor Memaj kryetar i shoqatës së transportit ndërqytetës, duke folur në një emision televiziv dha arsyet pse ky vendim u kërkua prej operatorëve.
“Rritja e fundit e çmimit të biletës u bë në vitin 2016, pra 10 vite më parë, ku çmimi u rrit në 40 lekë. Në këto 10 vite paga minimale nga 20 mijë lekë ka arritur në 40 mijë lekë, me njoftimin se do të shkojë në 50 mijë në janar të këtij viti. Ky është një element që ne si operator na rrit kostot për sigurime për punonjësit. Paralelisht dhe pagat janë rritur në tërësi. Gjatë këtyre viteve edhe çmimi i karburantit nuk është më i njëjti, pasi është shtrenjtuar. Janë të gjitha këto kosto të cilat rëndonin aktivitetin e linjave të transportit. Ndaj duhej një ndërhyrje ose subvencionim, që për bashkinë Kamzës dukej e pamundur ose rritje e çmimeve. Këshilli vendosi rritjen e çmimeve”, tha Memaj në Vizion Plus.
Por sipas Memajt çmimi i abonesë së përgjithshme nuk ka ndryshuar. Ndërsa nuk ka parashikim për një rishikim të çmimit të biletës për bashkinë Tiranë. Sipas operatorëve të fushës, në këtë bashki po funksionon skema e subvencionimeve.
Por teksa qeveria ka miratuar me vendim për krijimin e një operatori publik të transportit, operatorët në këtë fushë thonë se kjo ishte e panevojshme.
“Ne shohim që shteti nëpërmjet një kompanie publike do të jetë një operator më shumë në treg. Eksperienca ka treguar se shërbimet publike i menaxhon më mirë privati. Ndaj e shohim si të panevojshme një ndërhyrje të shtetit në tregun privat”, tha Memaj në E-ZONE.
Sipas të dhënave gjatë një dite në Tiranës përdorin transportin publik rreth 25 mijë qytetarë. Operatorët kanë vendosur një pajisje në çdo autobus për të patur një shifër reale të frekuentimit të urbanit, për të parë më pas analizën e kostove/përfitime. -

Shtrenjtohet bileta e urbanit/ Bashkia e Kamzës vendos rritjen e çmimit pa konsultim, revoltohen qytetarët
Nga 1 Nëntori çdo qytetar që përdor linjën e transportit urban Kamëz -Tiranë do të përballet me çmime të rritura të biletës dhe aboneve. Sipas burimeve nga VNA çmimi i biletës do nga 40 lekë bëhet 50 lekë, ndërsa aboneja nga 1200 lekë që është aktualisht do kushtojë 1400 lekë.
Operatori i linjës ka kërkuar Drejtorisë së Transportit në bashkinë Kamëz, një kërkesë për rritje tarife, me analizë të kostove, me arsyetimin se janë rritur kudo çmimet.
Bashkia e Rakip Sulit ka përgatitur relacion teknik dhe financiar për justifikimin e ndryshimit.
Propozimi është shqyrtuar nga komisionet në këshill bashkiak (ekonomia, financat, transporti).
Dhe Këshilli Bashkiak ka votuar për miratimin e tarifës së re.
Për banorët e Kamzës, rritja e çmimit është e pajustifikueshme.
“Nuk ka as kushte, dje kur erdhëm poshtë, pavarësisht rritjes së çmimit, mund të kenë qenë në autobus 300 veta”-thotë një qytetar.
Ndërsa pensionistët janë ata më të indinjuarit nga kjo rritje çmimi.
“1o lekë, por shtrenjtë është“; “50 dhe 50, janë shumë, çoj një bukë në shtëpi“, “10 lekë për ne janë shumë”.
Por ka edhe qytetarë indiferent. “Për momentin kemi lekë dhe nuk na intereson”-thotë njëri prej tyre.
Deri më tani nuk është publikuar ndonjë vendim i i Këshillit Bashkiak të Kamzës për rritjen e çmimit të biletës, ndonëse një proces i tillë duhet të kalojë zyrtarisht përmes këtyre procedurave dhe të njoftohet publikisht.
Fakt është që qytetarët sot kanë blerë abonetë nga 1400 lekë dhe nga nesër bileta do kushtojë 50 lekë.
Rritja e çmimeve të transportit urban në Kamëz është e papranueshme në një kohë që ky shërbim nuk ka shtesa në intenerar, nuk ka kryer investime apo përmirsime në transport, apo për më tepër të ketë rritur rrogat e punonjësve të vet, por vetëm sepse privatit nuk i dalin llogaritë, thotë se janë rritur kostot. Dhe sigurisht mënyra më e mirë për të mbuluar kostot janë xhepat e qytetarëve. -

Nga 1 nëntori për dy linja urbane të Kamzës çmimi i biletës arrin 50 lekë, aboneja 1,400 lekë
Nga 1 nëntori qytetarët që përdorin dy nga 10 linjat urbane të Bashkisë Kamëz, konkretisht Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht. Bileta do të rritet 10 lekë apo 25% nga sa paguhet.Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj i kontaktuar nga Monitor tha se vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat të licensuar që menaxhon shërbimin e dy linjave dhe nis zbatimin nga 1 Nëntori.Memaj thotë se rritja e çmimit ishte e domosdoshme për të përballuar shtimin e kostove të mirëmbajtjes dhe të karburantit, në mungesë të subvencioneve shtetërore.Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e abonesë mujore për këto linja, nga 1,200 lekë në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh ose rreth 17% (nga ndryshimet nuk preket çmimi i abonesë së përgjithshme, por ndryshon vetëm për këto 2 linja).Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj nënvizoi se për bashkinë e Kamzës funksionojnë rreth 8 linja urbane, të cilat menaxhohen nga operatorët privatë të licensuar në mungesë të subvencioneve shtetërore.Ndërsa për bashkinë e Tiranës funksionojnë 16 linja urbane, shërbim që menaxhohet nga 12 operatorë privatë të licensuar, por të cilët subvencionohen nga Bashkia e Tiranës për abonetë mujore të pensionistëve dhe të studentëve dhe 10 lekë për çdo biletë të shitur.Në rang vendi sipas Shoqatës së Transporteve, transporti urban subvencionohet vetëm nga Bashkia e Tiranës, pra bashkia subvencionin rritjen e munguar të çmimit të biletës. Subvencionet e dhëna nga Bashkia kanë ndikuar në mosndryshin e çmimit, ku disa herë nga operatorët privatë është kërkuar rritja e biletës me 40 lekë. Për linjat urbane të Tiranës çmimi i biletës vijon të mbetet 40 lekë.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
