Flet Klodian Makashi, CEO i Vivere Group Tregu i eventeve në Shqipëri po kalon një periudhë rritjeje dhe diversifikimi, ku publiku është gjithnjë e më i hapur dhe i ndërgjegjshëm për përzgjedhjen e aktiviteteve kulturore.Në një intervistë për “Monitor”, Klodian Makashi, CEO i Vivere Group, nënvizon se çmimet e biletave këtë verë janë përcaktuar mbi bazën e kostove dhe analizës së kërkesës, ndërsa interesimi i audiencës, veçanërisht tek të rinjtë, është në rritje. A janë rritur çmimet e biletave për eventet verore këtë vit dhe cilët janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë rritje?Çmimet e biletave janë dinamike, sipas tipologjisë së eventeve. Faktori kryesor do të jetë gjithmonë kostoja e një eventi, ku në bazë të kostove bëhet edhe një plan biznesi me të ardhura dhe shpenzime.Në këtë plan llogariten të ardhurat nga shitja e biletave, sponsorët, konsumi në bare, etj., përballë kostove që ka eventi si pagesa e artistit, kostot teknike, skenike, kostot e transportit, akomodimit, etj.Biletat gjithmonë do të mbeten të ardhura kryesore për një event. Çmimet janë dinamike, sepse analizohet ecuria e shitjeve në raport me kohën që ka mbetur deri në ditën e eventit.Sipas analizave që bëhen, vendosen çmimet e biletave dhe ofrohen edhe oferta të ndryshme për të arritur objektivat e përcaktuara. Cilat janë grupmoshat që po frekuentojnë më shumë koncertet dhe festivalet gjatë verës në Shqipëri? A ka ndryshime krahasuar me vitet e kaluara?Grupmoshat varen nga tipologjia e eventit dhe artistit. Po të marrim si shembull Keinemusik, që ishin në Tiranë më 31 maj, grupmosha kryesore ishte 20–30 vjeç.Ndërsa për Scorpions, grupmosha është mbi 45 vjeç.Gjithmonë DJ-të janë më atraktivë te të rinjtë, ndërsa grupet e rokut sjellin një audiencë më të rritur.Ka ndryshim në frekuentimin e eventeve dhe vërehet një rritje e vizitorëve, që është një gjë shumë pozitive.Kjo tregon se edhe në Shqipëri, publiku po fillon t’i frekuentojë eventet kulturore dhe po e konsideron pjesëmarrjen në to si një nevojë për jetën. Çfarë preferencash muzikore po vëreni tek audienca shqiptare? Cilat rryma janë më të kërkuarat këtë sezon?Kjo gjithmonë lëviz sipas trendeve muzikore. Gjithmonë më të preferuarat mbeten prodhimet shqiptare, këngët dhe artistët shqiptarë, ashtu siç është e natyrshme në çdo vend, ku muzika vendase zë vendin e parë në preferencat e audiencës.Por ka rritje edhe muzika elektronike tek të rinjtë. Ndikimi i rrjeteve sociale është i madh dhe, ashtu si në gjithë botën, edhe në Shqipëri rinia ndjek trendet.Rasti më i mirë për ta theksuar ishte eventi i Keinemusik, ku suksesi i madh erdhi si pasojë e trendit muzikor që ka për momentin Afrobeat. Si po ecën tregu i eventeve këtë verë? A ka kërkesë të qëndrueshme apo ndihet një ngopje nga publiku?Ngopje nuk besoj se do të ketë ndonjëherë, por thjesht përzgjedhje. Nëse dikur kishte vetëm 1–2 evente dhe publiku shkonte tek ato “detyrimisht”, këtë vit ka më shumë opsione.Gjithmonë duhet ta krahasojmë me tregun tonë, pasi nuk mund të bëjmë krahasim me tregjet e tjera në BE apo gjetkë.Krahasimi duhet të bëhet gjithmonë me veten dhe, duke e krahasuar me pesë vitet e fundit pas pandemisë, vihet re rritje e numrit dhe tipologjisë së eventeve.Por kjo rritje sjell edhe ndarje të publikut, pasi njerëzit do të fillojnë të zgjedhin të shkojnë në ato evente ku u pëlqen artisti, vendndodhja, përvoja, etj. Dhe kjo është një gjë e mirë, sepse tregon që tregu dhe publiku po maturohen gradualisht. A keni vënë re interes në rritje nga turistët e huaj për të marrë pjesë në eventet në Shqipëri? Nëse po, cilat janë format apo zonat më tërheqëse për ta?Përveç Keinemusik, që kanë fuqinë të sjellin publikun me vete, është e vështirë të pretendojmë se eventet në Tiranë mund të tërheqin turistë.Besoj se më shumë varet nga periudha kur një turist ndodhet në Shqipëri dhe në atë kohë zhvillohet një event.Gjithmonë të huajt janë të gatshëm të ndjekin evente dhe të paguajnë bileta, pasi janë të mësuar.Por për të bërë Tiranën një destinacion kulturor dhe turistik për rajonin, do të duhet shumë punë dhe kohë.Megjithatë, jemi në rrugën e duhur dhe kemi mundësi ta kthejmë Tiranën në një destinacion kulturor rajonal. Për këtë nevojitet mbështetje nga qeveria, financim, si dhe një strategji e mirëfilltë se çfarë synojmë dhe si mund të arrihet.Besoj se tashmë kemi ekspertizën dhe eksperiencën që, së bashku me qeverinë qendrore dhe pushtetin lokal, të krijohet një strategji e plotë.Por e ritheksoj se pa një mbështetje konkrete financiare dhe politike fiskale, është shumë e vështirë. Si ka ndikuar shitja online e biletave dhe sjellja dixhitale e publikut në mënyrën si organizohen dhe promovohen eventet?Ka një progres të madh nga ku kemi qenë dhe ku jemi sot. Tashmë janë disa platforma që ofrojnë shitje biletash online, si dhe blerje “cashless” në festivale, përmes këtyre sistemeve/platformave.Kjo është një gjë shumë pozitive, pasi ka ndihmuar publikun të blejë bileta më lehtësisht online, por edhe organizatorët për të arritur çdo cep të Shqipërisë, si dhe jashtë vendit, duke shitur bileta për një audiencë më të gjerë. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.