Tag: bidognetti

  • Rrëfimi i një gazetari: Jeta ime u kthye në ferr kur mafiozët më fajësuan për rënien e tyre…

    Rrëfimi i një gazetari: Jeta ime u kthye në ferr kur mafiozët më fajësuan për rënien e tyre…

    Nga Roberto Saviano
    M’u deshën 17 vjet për të parë drejtësinë të vihej në vend, por më në fund ndodhi më 14 korrik. Gjykata e Apelit në Romë konfirmoi vendimin e vitit 2021, ku bosi mafioz Francesco Bidognetti dhe ish-avokati i tij u shpallën fajtorë për kërcënime me lidhje mafioze ndaj meje.
    Bidognetti është kreu i njërit prej klaneve më të fuqishme dhe të dhunshme të Camorrës: klanit Casalesi. Ai është tashmë në burg, duke vuajtur një dënim të përjetshëm. Por dënimet e reja (Bidognetti u dënua me një vit e gjysmë, avokati i tij Michele Santonastaso me një vit e dy muaj) nuk janë thjesht simbolike janë thelbësore.
    Këto janë ndëshkime për një rast që nuk përfshinte një akt të zakonshëm frikësimi, por një akt unik në historinë e krimit të organizuar. Ndodhi publikisht në mars 2008, gjatë gjyqit të madh 10-vjeçar “Spartacus”, që përfshinte 115 të pandehur dhe përfundoi me 27 dënime të përjetshme, përfshirë atë të Bidognetti. Atë ditë, përmes avokatit të tij, Bidognetti shprehu publikisht “të vërtetën” e tij kriminale duke na përmendur me emër mua dhe gazetaren Rosaria Capacchione si përgjegjës nëse ai shpallej fajtor.
    Santonastaso lexoi me zë të lartë në gjykatë një dokument një “proklamatë” që më vonë zbuluam se kishte ngjashmëri me deklaratat e grupeve terroriste.
    Ishte një akt i paprecedentë në historinë e gjyqeve ndaj mafias. Mesazhi ishte i ftohtë dhe i qartë: nëse dy bosët mafiozë, Bidognetti dhe Antonio Iovine, do përfundonin në burg siç ndodhi fajin do ta kishim ne. Reportazhet tona, denoncimet dhe ndikimi mbi prokurorët do të ishin shkaku.
    Pas leximit të dokumentit, Santonastaso hoqi rrobën e avokatit një gjest simbolik që nënkuptonte se që nga ai moment, loja do të zhvillohej jashtë mureve të gjykatës. Proklamata kishte një qëllim të qartë: të na bënte të heshtnim ne gazetarëve dhe t’i dërgonte një mesazh të qartë botës së jashtme njerëzit përgjegjës për dënimin e Bidognetti kishin emra.
    Në atë kohë, një skuadër vrasësish e Camorrës mbillte terror në Campania. Ajo raportonte direkt te Bidognetti. Kjo bandë e armatosur, e drejtuar nga Giuseppe Setola, kreu një numër të madh krimesh mizore për të treguar se fuqia e klanit vazhdonte, pavarësisht gjyqeve dhe dënimeve. Në shtator 2008, për shembull, Setola drejtoi masakrën në Castel Volturno, ku u vranë gjashtë emigrantë nigerianë që nuk kishin asnjë lidhje me kriminalitetin.
    Për ta kuptuar peshën e kësaj proklamate kundër meje, duhet të kuptoni edhe historinë dhe egërsinë e autorit të saj. Bidognetti, i njohur me nofkën “Cicciotto di Mezzanotte” sepse kushdo që i dilte përpara, e shihte “mesnatën” përpara kohe drejtonte një organizatë që ndërtoi fuqinë mbi gjakun, frikën dhe shkatërrimin e territorit përmes depozitimit të paligjshëm të mbetjeve toksike në të gjithë Italinë.
    Në vitin 1993, ai urdhëroi vrasjen e mjekut Gennaro Falco, një mjek i pafajshëm që kishte trajtuar gruan e parë të Bidognetti, Teresa Tamburrino. Familja Bidognetti e akuzoi Falco-n se nuk e kishte diagnostikuar në kohë një tumor që do t’i shpëtonte jetën. Mjeku u vra nga djali i Bidognetti, Raffaele.
    Por dhuna nuk nisi aty. Në dhjetor 1980, gjatë një shkëmbimi zjarri, Bidognetti përdori si mburojë njerëzore një grua 25-vjeçare, Filomena Morlando. Ajo u vra gjatë përplasjes. Në një rast tjetër, një i ri i quajtur Antonio Petito, që nuk kishte lidhje me Camorrën, pati një konflikt me një nga djemtë e Bidognetti, Gianluca. Petito u vra për “mungesë respekti ndaj djalit të bosit”.
    Pas asaj proklamate, masat për mbrojtjen time u përforcuan menjëherë, nga niveli tre (një makinë e blinduar dhe dy agjentë) në nivelin dy (dy makina të blinduara dhe pesë agjentë). Jeta nën mbrojtje do të thotë të jetosh në një të tashme të blinduar, në një shtëpi që është njëkohësisht strehë dhe burg. Do të thotë të humbasësh jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe atë të marrëdhënieve njerëzore dhe emocionale. Çdo takim ndodh pas dyerve të mbyllura. Nuk ka privatësi. Intimiteti zhduket. Spontaniteti fshihet.
    Pasojat nuk janë vetëm praktike, por të thella. Marrëdhëniet e mia romantike janë dëmtuar. Miqësitë janë zbehur nën peshën e situatës sime. Kushdo që më afrohet ndien nevojën të më mbrojë, të thithë një pjesë të tensionit tim. Kjo është e padurueshme për këdo.
    Për 17 vjet jam përballur me gjyqe, seanca dhe përpjekje për të më njollosur. Jo vetëm nga klanet, por edhe nga elementë të shtetit që duhej të më mbronin, por që e thelluan izolimin tim.
    Gazetaria antimafia është izoluar, kriminalizuar, është zvarritur nëpër gjykata. Në këtë heshtje, mafia ka fituar. Ajo është zhdukur nga diskursi publik, por jo nga realiteti. Ajo është shndërruar në një fuqi ekonomike një formë kapitalizmi kriminal, e padukshme, por gjithpranishme.
    Vendimi i 14 korrikut shkon përtej simbolikës: ishte një akt njohjeje ligjore që proklamata e Bidognetti në vitin 2008 ishte kërcënim dhe drejtpërdrejt e lidhur me veprimtarinë mafioze. Mund të thuhet gjithashtu se ajo ishte një “fatwa” një sinjal për cilindo në klan që donte të ngjitej në hierarki duke eliminuar dikë të emëruar si objektiv.
    Për herë të parë në një gjyq ndaj një organizate kriminale, shihet qartë se mafia i konsideron gazetarët investigativë si shkaktarët kryesorë të humbjeve të saj. Sipas kësaj logjike kriminale, të shkruash, të raportosh apo të hetohet, do të thotë të pengosh drejtësinë. Dhe për këtë arsye, ata që shkruajnë për mafian, duhet ndëshkuar. Është një pranim i heshtur që gjithçka që mund të më ndodhë nga tani e tutje, do të mbajë firmën e tyre.
    Dal nga kjo betejë i copëtuar. Kam sakrifikuar jetën time për një luftë që më ka përpirë tërësisht. Ekzistenca ime është si një dënim i përjetshëm  e pezulluar mes frikës, izolimit dhe mbikëqyrjes. Vetmia është ndëshkimi shtesë për guximin.
    Është e mundur që në Itali të mos ndryshojë asgjë. Por të paktën mund të them se ndihmova për të zbuluar mënyrën si funksionon mafia. Dhe besoni, nuk është vetëm një çështje italiane është një rrjet që synon edhe qendrat financiare botërore.

  • Gazetari italian Roberto Saviano shpërthen në lot teksa lexohej vendimi ku dënohej bosi i Camorrës: Me vodhën jetën

    Gazetari italian Roberto Saviano shpërthen në lot teksa lexohej vendimi ku dënohej bosi i Camorrës: Me vodhën jetën

    Ai nuk kishte qarë kështu, që nga funerali i mikeshës së tij, shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht, dy vjet më parë, në Kishën e Artistëve në Piazza del Popolo.

    “Është e vërtetë, kështu është”, pranon gazetari investigativ Roberto Saviano, ndërsa hipën në njërën nga dy makinat shoqëruese në dalje të gjykatës. Por, dje, në sallën e Gjykatës së Apelit në Piazzale Clodio, gazetari që denoncoi Gomorrës qau edhe më fort, më me dëshpërim. Ai përqafoi avokatin e tij, Antonio Nobile, duke përsëritur fjalët: “Ma vodhën jetën, më shtypën.”
    Publiku i përkushtuar që kishte ardhur posaçërisht nga qytete si Torino, Pesaro dhe Bolonja për ta mbështetur, duartrokiti vendimin, konfirmimin e dënimit për shefin famëkeq të klanit Casalesi, Francesco Bidognetti, i njohur si “Cicciotto ‘e mezzanotte”. Pseudonimi, sipas disave, rrjedh nga aftësia e tij për të përhapur frikë edhe në mes të ditës.

    Emocioni ishte i jashtëzakonshëm. Të shihje përballë, përmes lidhjes video nga burgu i sigurisë së lartë Opera në Milano, njeriun që i kishte shkatërruar jetën që nga 14 marsi i vitit 2008, ishte një përballje e rëndë dhe e dhimbshme. Bidognetti e urren Savianon – kjo është e njohur – dhe gjyqi i djeshëm e vërtetoi sërish këtë. “Proklamata” e lexuar nga avokati i tij, Michele Santonastaso, në vitin 2008 gjatë gjyqit “Spartacus”, ishte në fakt një dënim me vdekje për Savianon dhe për gazetaren e guximshme të Il Mattino-s, Rosaria Capacchione.
    Por edhe Saviano, me atë që ka kaluar – pothuajse 20 vjet nën mbrojtjen e policisë – e urren atë:
    “Bidognetti është ai që përdori një vajzë 25-vjeçare, Filomena Morlando, si mburojë njerëzore një mbrëmje, për t’i shpëtuar vrasësve me pagesë të nënoficerëve. Ai u shfaq sot me mëngë të shkurtra, përpara kamerave. Por ai nuk ka munguar kurrë në asnjë seancë, sepse, nën regjimin 41-bis prej mbi 30 vjetësh, këto seanca janë e vetmja kohë e lirë për të.”
    Duket qartë se vitet nën presion kanë lënë gjurmë: “Ata ma shkatërruan jetën dhe nuk kam qenë në gjendje ta përballoj. Tani trupi im duhet të mbrohet. Për vite të tëra thonin se nuk kisha nevojë për mbrojtje policore, se ishte privilegj. Por unë ëndërroj çdo ditë të kem pak liri… një udhëtim me motor, një shëtitje.”Një vajzë romake, Claudia, që ndodhej pranë, dëgjoi dhe i tha: “Do të ta blej unë motorin, Roberto.”
    Lotët e tij janë fryt i vërtetë i frikës që e kishte pushtuar më 18 mars 2008, vetëm katër ditë pas “shpalljes” së rrezikut nga Bidognetti. Atëherë, në moshën 29-vjeçare, Saviano u zhvendos me urgjencë nga Campania në një ishull, pa bagazhin e tij, për shkak të një rreziku të afërt. Kishte hyrë në lojë Giuseppe Setola, i njohur si “o Cecato”, vrasësi i masakrës ganeze, që e kërkonte me anije peshkimi…
    “Dënimi i djeshëm ishte më i rëndësishmi i jetës sime,” deklaroi Saviano.
    Sepse kurrë më parë në historinë e drejtësisë, asnjë gjykatë nuk kishte parë shefa mafiozë që, me avokatët e tyre, të mos akuzonin politikën, por gazetarinë si përgjegjëse për dënimet e tyre.
    Dhe për politikën kishte një thirrje të qartë:”A patë ndonjë përfaqësues politik sot në sallën e gjyqit?” – pyeti ai me hidhërim. “Unë nuk pashë askënd.”

    Top Channel

  • ‘Më kanë shkatërruar jetën’, Saviano shpërthen në lot pas dënimit të bos-it të Camorrës që e kërcënoi me vdekje

    ‘Më kanë shkatërruar jetën’, Saviano shpërthen në lot pas dënimit të bos-it të Camorrës që e kërcënoi me vdekje

    Ishte një nga momentet më emocionalë të jetës së tij. Roberto Saviano, shkrimtari i njohur italian dhe autori i romanit “Gomorra”, nuk mbajti dot lotët në sallën e Gjykatës së Apelit në Romë, ku u konfirmua dënimi ndaj Francesco Bidognetti, bos i klanit të Casalesit, i njohur me nofkën “Cicciotto ’e Mezzanotte”.

    Saviano shpërtheu në të qara të dëshpëruara, të krahasueshme vetëm me dhimbjen që kishte ndier në funeralin e shkrimtares Michela Murgia, më 13 gusht të dy viteve më parë. “Po, është e vërtetë. Nuk kam qarë kështu prej asaj dite,” pranoi ai, ndërsa largohej nga godina nën shoqërimin e makinave të blinduara të mbrojtjes.

    I përqafuar me avokatin e tij Antonio Nobile, Saviano përsëriste: “Më kanë vjedhur jetën. Më kanë shkatërruar.” Rreth tij, ndjekës të ardhur nga qytete të ndryshme si Torino, Bolonja e Pésaro, e përshëndetën mes duartrokitjesh vendimin e gjykatës.

    Bidognetti, një emër që i ngjall tmerr

    Për Savianon, rikthimi i figurës së Bidognetti-t përmes lidhjes me videokonferencë nga burgu i Operas, ku ai vuan dënimin me regjim të ashpër (41-bis), ishte një përballje me ankthin që e ndjek prej vitit 2008.

    Atë vit, gjatë procesit gjyqësor “Spartacus”, avokati i Bidognetti-t lexoi në sallën e gjyqit një “proklamatë” që, sipas gjykatës, përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e Savianos dhe gazetares së gazetës Il Mattino, Rosaria Capacchione.

    “Nuk është rastësi që ai nuk ka munguar në asnjë seancë. Prej më shumë se 30 vitesh është në 41-bis dhe këto seanca janë si ‘ore ajrimi’ për të,” komentoi Saviano duke treguar nga ekrani.

    Dy dekada nën mbrojtje, një çmim i rëndë

    Prej vitit 2006, kur publikoi Gomorra, që u shit në mbi 10 milionë kopje, Saviano jeton nën mbrojtje të rreptë. “Më kanë shkatërruar jetën dhe unë nuk kam ditur si ta përballoj. Tani, trupi im duhet të ruhet çdo ditë. Për vite më thanë që mbrojtja ishte luks, por unë ëndërroj vetëm një shëtitje, një udhëtim me motor…”, rrëfeu ai i lodhur emocionalisht. Një vajzë nga publiku, Claudia, i tha: “Ta blej unë motorin, Roberto”.

    Ai kujtoi edhe momentin kur u detyrua të largohej fshehurazi nga Campania: “Ishte 18 marsi i vitit 2008, katër ditë pas kërcënimit. Kisha tashmë dy truproja, kur papritur shoferi ndryshoi itinerarin dhe më çuan në një ishull, pa bagazh, sepse prokuroria vlerësoi rrezikun si të menjëhershëm. Po më kërkonte Giuseppe Setola, ‘o Cecato, një vrasës i njohur, autor i masakrës së emigrantëve ganezë”.

    “Asnjë politikan në sallë”

    Saviano e quajti vendimin e djeshëm “më të rëndësishmin e jetës”, pasi për herë të parë drejtësia pranoi se kërcënimet ndaj tij ishin një përpjekje për të goditur gazetarinë, jo politikën. Ai shprehu keqardhje për mungesën e reagimit institucional:

    “E patë ndonjë politikan sot në sallë? Unë nuk pashë asnjë…”.