Festim Bexhdili dhe Jani Prenga
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lexoi sot pretencën për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden”, aty ku u vra Jani Prenga. Në seancën e sotme të zhvilluar në GJKKO, prokurorët kërkuan dënime të ndryshme. Për prokuroren Elida Kaçini, Bexhdili duhet të dënohet me burg përjetë, për akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Por prokurori tjetër i çështjes Behar Dibra kërkoi dënimin me 20 vite burg për Bexhdilin. Kjo sepse, sipas tij, nuk provohet që Festim Bexhdili ka vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ashtu siç pretendoi kolegia e tij. Megjithatë i kërkuar Gjykatës së Apelit të rikualifikojë veprën penale dhe ta dënojë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
Prokurorja Elida Kaçkini: Ne vlerësojmë që vendimi i GJKKO, i dhënë për Festim Bexhdilin, duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhe prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre. I pandehuri, ditën e ngjarjes, ka pasur një vendndodhje të ndryshme nga kompleksi deri të paktën në orën 10:57, ku ka hyrë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim të një garazhi, më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. Altin Hajri shfaqet në 11:27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve. Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen. Në tërësinë e provave, ne vlerësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve, ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues.
Behar Dibra: Në respekt të koleges dhe duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlerësim ndryshe për elementët e fajësisë së të pandehurit. Fakti është që vepra penale ‘mbajtja peng e Jan Prengës’ është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli nga një i pandehur tjetër që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve të tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj. Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirrnin Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Në automjetin ku u fut trupi hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë, dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di.
Pas pretencës së SPAK, në sallën e gjyqit u dëgjua edhe vetë i pandehuri Festim Bexhdili, i cili vijoi të mohojë akuzat.
“Jam dakord me çfarë kam thënë në shkallë të parë. Nuk jam dakord as me pengmarrjen, as me vrasjen. Kam qenë aty, nga frika kam marrë trupin. Kushdo të ishte ashtu do bënte dhe prokuroria. Jam hallexhi, isha në punë, u gjenda aty. Ishalla bëhet drejtësi,”- tha ai. Në mbrojtje të tij, avokati i Bexhdilit, Ilir Murati gjithashtu kërkoi pafajësi.
“Gjykata e Lartë e prishi këtë vendim. Prokuroria ka qëndrim të dyzuar. Thotë se ai ka pasur telefon, por nuk e kemi hapur dot. Kishte Encro, por s’gjetëm gjë. Zoti gjyqtar, duhen prova. E vërteta e Festimit është që u ndodh në atë ambient dhe bëri ato veprime. Përkrahu autorët, nuk kallëzoi krimin… Së fundmi, dënimi i Festim Bexhdilit ka bërë jehonë edhe për vetë ata aty,”- tha avokati.
Në këto kushte, Gjykata e Apelit të Posaçëm për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe përsëritjes së shqyrtimit gjyqësor, shtyn shpalljen e vendimit në datë 25 korrik ora 11:00. Bexhdili është kopshtari i resortit luksoz “Golden” në Shijak, ku dyshohet se u mbajt peng dhe më pas u nxorr i vrarë Jani Prenga, trupi i të cilit nuk është gjetur edhe sot./ZËRI