Tag: berlusconi

  • Karriera e Capellos, hap pas hapi: Sherrin më të ashpër e kam pasur me Gullit, pothuajse u rrahëm

    Karriera e Capellos, hap pas hapi: Sherrin më të ashpër e kam pasur me Gullit, pothuajse u rrahëm

    “I pari kujtim imi lidhet me vendin tim, Pieris, ku jetonim 6 veta me rrogën e babait tim, mësues filloreje. Ishte periudha pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin vite të bollshme, jetonim në një shtëpi popullore. Motra ime flinte te tezja, sepse nuk kishte vend për të gjithë. Si fëmijë nuk kisha shumë argëtim, kishim vetëm fushën e futbollit, pastaj, gjatë verës, noti në Isonzo, me kërcime nga ura mbi hekurudhë. Babai im, Guerrino, kishte lindur në Hungari sepse gjyshërit u transferuan atje më 1915. Si kapiten artilerie nuk pranoi Republikën e Salò, kështu që u burgos. Ai përjetoi tmerrin e 6 kampeve përqendrimi.
    Pakot e ushqimit që i dërgonte nëna ime kurrë nuk mbërrinin në destinacion. Ai mbijetoi sepse në periudhën e fundit ushqehej vetëm me patate. Isha 16 vjeç dhe prej disa muajsh isha transferuar në Ferrara për të luajtur te Spal. Njëkohësisht studioja në institut për gjeometër dhe për të komunikuar duhej të dërgoja dy letra në javë në shtëpi. Po kaloja një moment zhgënjimi dhe duke ulur korrespondencën, babai e kuptoi. Një ditë dolëm nga shkolla dhe e gjeta përpara.
    Mendova ‘çfarë problemi ka’, por më tha vetëm një fjalë, ‘provo’. Ajo këshillë më ka udhëhequr gjatë gjithë jetës, për ta përballuar çdo sfidë me guxim. Në Ferrara takova gruan time, Laura. Të dy udhëtonim me të njëjtin autobus për në shkollë, ajo studionte për mësuese. U martuam më 1969 dhe nuk u ndamë më. Vetëm kur kam drejtuar Jiangsu nuk erdhi me mua. Bisedonim çdo natë në mesnatën kineze, kur në Itali ishte ora 6 pasdite. Përshëndeteshim me dhimbje, pas më pak se një viti dhashë dorëheqjen.

    Goli në ‘Wembley’ është pika më e lartë e karrierës time si lojtar. Ai gol i vitit 1973, që solli fitoren e parë të Italisë në Angli, pati edhe një kuptim shoqëror. Ua dedikova 40 mijë kamarierëve që ishin në stadium, siç ishin quajtur bashkëkombësit tanë. Në 1976, kur mbërrita te Milani dhe kërkoja shtëpi, Paolo Berlusconi më tregoi banesat në Milano 2. Ishin të bukura, por larg Milanellos. Kështu mora shtëpi në Legnano, që për 24 vite ishte baza ime.
    Marrëdhënia me Silvio Berlusconi ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, që nga koha kur si president i ri i Milanit më bëri asistent të Liedholm dhe më pas zëvendësuesin e tij në 1987 për 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Më bëri të kryej teste psikologjike me konsulentë. Rezultatet i nxori kur, pas Sacchi, ma besoi stolin e ekipit të parë. Kam njohur dy figura të mëdha si Berlusconi dhe Gianni Agnelli; avokati vinte, bënte batuta të shpejta dhe na përshëndeste. Ishte i rrethuar nga një aurë superioriteti.
    Berlusconi ishte karizmatik dhe i qasshëm në të njëjtën kohë. Pas sukseseve me Milanin, më thirri presidenti i Real Madridit, Sanz, që më bëri një kontratë 3-vjeçare. Reali ishte një përvojë unike, nuhat ajrin dhe kupton se je tek ekipi më i mirë në botë. Pas fitimit të La Liga-s, erdhi telefonata e Berlusconit. Me keqardhje i thashë Sanz-it se ë duhet ta lë, atij i detyrohem gjithçka. Në Romë ishin 5 vite fantastike, edhe pse jetuar nga një këndvështrim i veçantë.
    Duke kërkuar vendin më të mirë, qëndrova në apartamentin në Mostacciano, me pamje mbi lidhjen rrethore. Festimet i bënin vetëm tifozët, unë isha mësuar, në klubet e tjera, me festa të çmendura deri në 5 të mëngjesit, me familjet. E pabesueshme ishte që nuk u organizua asnjë darkë në nivel klubesh. Ato mbrëmje shkoja në restorant për vete. Kur u bë evenimenti në ‘Circo Massimo’, tashmë kisha blerë biletat për një nga udhëtimet e mia aventuroze dhe, i ofenduar, u largova.

    Në Londër isha shumë mirë, jetoja në Knightsbridge, vizitoja muzetë më të mirë. Pas Botërorit në Afrikën e Jugut, nga i cili u eliminuam për golin jo-gol të Lampard ndaj Gjermanisë, ishim tashmë të kualifikuar për Europianin… Fatkeqësisht nuk vazhdova, por përplasja me federatën mbi heqjen e shiritit nga John Terry ishte e pakapërcyeshme.
    Pas akuzave ndaj Terry për fyerje me përmbajtje racore ndaj Anton Ferdinand, federata më njoftoi se kishte vendosur t’i hiqte shiritin e kapitenit. Unë isha kundër sepse zgjedhja bëhej para gjykimit të lojtarit dhe përbënte ndërhyrje në kompetencën time. Për informim, më vonë Terry u shpall i pafajshëm.
    Sherri më i ashpër i karrierës sime ishte me Gullit, pothuajse u rrahëm, nuk mbaj mend nëse për një vonesë. Jam strikt në kërkesën për respektimin e rregullave; lojtarëve të mi iu thoja t’i trajtonin shërbëtorët ashtu si do të donin që prindërit e tyre të trajtoheshin nga të tjerët”.
    — FABIO CAPELLO

  • Mourinho: Respekti na bën më të mirë, Berlusconi dhe Galliani më uronin pasi mundja Milanin

    Mourinho: Respekti na bën më të mirë, Berlusconi dhe Galliani më uronin pasi mundja Milanin

    28 Tetor 2025

    10:44

    Alfred Lleshi

    José Mourinho ka folur për respektin ndaj kundërshtarëve në një lidhje me video gjatë ceremonisë për mbylljen e 100-vjetorit të “Corriere dello Sport”, mbajtur në teatrin “San Carlo” të Napolit.
    “Gjatë kohës time tek Interi kam fituar dhe humbur ndaj Milanit, por gjithmonë kujtoj, edhe duke folur me miqtë, se pas një fitoreje, Galliani dhe presidenti Berlusconi hynin në dhomën tonë të zhveshjes për të na uruar. Këto janë gjëra të vogla dhe të mëdha, që tregojnë karakterin sportiv të njerëzve, gjë për të cilën kam shumë respekt”, – tha Mourinho.
    Ai shtoi: “Për mua, kundërshtarët, si në aspektin individual, ashtu edhe si skuadra, janë ato që na bëjnë më të mirë. Gjithmonë e kam parë Juventusin si Juventus për historinë e tij, edhe pse në atë periudhë Interi ishte më i fortë dhe Buffon thjesht një nga portierët më të mirë, nëse jo më i miri”.

  • ‘Nga Di Pietro te Berlusconi: historia e një ‘inkuizioni’ kundër së djathtës italiane’

    ‘Nga Di Pietro te Berlusconi: historia e një ‘inkuizioni’ kundër së djathtës italiane’

    Nga Tritan Shehu 

    “Mani Pulite” dhe Di Pietro në Itali, ishin një komplot drejtësie për të goditur të djathtën, antikomunistët, Demokracinë Kristiane.

    Në një kohë që ra Muri i Berlinit, në Itali u vu në bankën e të akuzuarve e djathta, Demokracia Kristiane, partia e De Gasperit, Andreotit.

    U goditën ata që krijuan Europën e Bashkuar, NATO-n, ata që ishin në vijë të parë të kolapsit komunist.

    U shfrytëzuan qëllimshëm edhe probleme reale qeverisjeje për të hedhur pluhur mbi ata që shpëtuan për dekada Italinë prej diktatit të Moskës.

    Ndërsa komunistëve, atyre që konsideronin atdhe Moskën, që merrnin valixhet plot prej andej në shkëmbim të informacioneve e shërbimeve speciale, nuk u ndodhi asgjë.

    E gjithë ajo ngrehinë “Mani Pulite” ishte një skenar i tillë.

    Di Pietro, si një “inkuizitor”, realizoi një “inkuizicion” ndaj demokracisë së vërtetë, ndaj DC-së.

    Fatmirësisht, shumë shpejt në skenën politike italiane hyri Berlusconi, që ndaloi atë revansh komunist dhe bëri të dështojë ai komplot i vërtetë ndaj atij vendi demokratik, thelbësor për BE dhe NATO.

    Si vazhdim i asaj historie, më tej edhe Berlusconi vetë u bë viktimë e po të njëjtit “inkuizicion”; u tentua të baltosej disa herë me një urrejtje patologjike nga të njëjtët mekanizma, për shërbimet e mëdha që i bëri Italisë dhe Europës.

    Derisa, para pak ditësh, Gjykata e Lartë e Italisë, pas një kalvari shumë të gjatë, e shpalli të pafajshëm.

    Në fakt, po këto mekanizma po veprojnë edhe në vendin tonë, si një instrument i Rilindjes, në vazhdim të keqpërdorjes politike të drejtësisë nga të majtat radikale.

    Reflektim ky i lindur nga debati i sotëm në Kuvend, si dhe për ata që ngatërrojnë këtë të vërtetë historike të Italisë.

  • Dikur priste Putinin, vila me vullkan e Berluskonit drejt shitjes për 500 milionë euro

    Dikur priste Putinin, vila me vullkan e Berluskonit drejt shitjes për 500 milionë euro

    Ka 68 dhoma, 174 vende parkimi, katër bungalo, pishina talasoterapie, një palestër… e madje edhe një vullkan. Dhe kishte pritur udhëheqësit e huaj më në zë.
    Bëhet fjalë për Villa Certosa, një nga pronat më ikonike të Italisë dhe ish-kryeministrit të ndjerë Silvio Berlusconi, që do shitet sipas mediave italiane për rreth 500 milionë euro.
    Prona luksoze do të ndërrojë pronar dhe siç raportohet pronari i ri do të jetë një biznesmen arab. Kjo pritet të jetë blerja më e madhe ose, të paktën, më e rëndësishmja e pasurive të patundshme në Itali.

    Kompania e famshme Sotheby’s International Realty po merret me shitjen, në partneritet me Knight Castle Real Estate, një firmë pasurish të patundshme me seli në Dubai, e specializuar në prona luksoze.
    Vila Certosa, e cila shtrihet në 4,500 metra katrorë dhe përfshin 68 dhoma, 174 vende parkimi, katër vila njëkatëshe dhe një park të gjerë prej 580,000 metrash katrorë, ka qenë në qendër të vëmendjes së disa personaliteteve të famshme, përfshirë presidentët George W. Bush dhe Vladimir Putin, si dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Ndër mjediset e vilës, të cilat përfshijnë një amfiteatër, palestër dhe pishina, bie në sy vullkani i rremë, i cili ka shkaktuar alarm kur dukej se do të shpërthente.

    Vila i përkiste Gianni Onorato-s, pronarit të rrjetit televiziv La Voce Sarda, dhe u ble nga Silvio Berlusconi nëpërmjet ndërmjetësit Flavio Carboni, i cili u dënua për falimentimin e Banco Ambrosiano në vitet 1980. Kur presioni nga kreditorët e detyroi Carbonin ta shiste, prona u ble nga Silvio Berlusconi.
    Vila u riemërua “Villa Certosa”, ndërsa përdorimi i saj si një “vend sigurie alternativ” për kryeministrin e atëhershëm të Italisë e bëri vilën edhe më misterioze.

    Përfundimi i shitjes, sipas mediave italiane, mbetet i paqartë, pasi trashëgimtarët e ish-kryeministrit nuk po nxitojnë të heqin dorë nga kjo parajsë e vogël, vetëm pak hapa nga Costa Smeralda.
    Në vitet e fundit, pas vdekjes së Kavalierit, ka pasur thashetheme të ndryshme interesi, disa prej të cilave ishin më pak të besueshme, siç ishte thashethemi i vitit të kaluar për interes nga Sulltani i Bruneit, Hassanal Bolkiah, ose nga gjigandi i hoteleve Four Seasons, i cili megjithatë mohoi çdo përfshirje me pronësinë e vilës së famshme të Silvio Berlusconi-t.

    Në filli të viteve 2000, Villa Certosa u etiketua si “tepër sekrete”, me të gjithë zonën nën monitorim të rreptë. Kjo përfshinte amfiteatrin, pishinat e talasoterapisë dhe “skelën 007”, që përflitet se ishte i lidhur me një shpellë nëntokësore të arritshme nga anijet dhe nëndetëset, si një skenë nga një film i James Bond.
    Një vendim nga autoriteti portual ndalonte afrimin brenda 500 metrave nga bregu. Më vonë u zbulua se ndalimi nuk ishte rezultat i një kërkese nga “shërbimet sekrete”, siç ishte zbuluar, por vinte nga një kompani aktive në ndërtimin detar dhe donte ta mbante zonën bosh nga njerëzit.

  • Galliani drejt kthimit te Milan-i: Ja roli i me peshë që do të ketë

    Galliani drejt kthimit te Milan-i: Ja roli i me peshë që do të ketë

    Adriano Galliani mund të kthehet te Milan pas tetë vitesh, në rolin e një konsulenti të lartë.
    Zërat gjithnjë e më këmbëngulëse të javëve të fundit janë konfirmuar më tej nga takimi i fundit midis drejtuesit 81-vjeçar të lindur në Brianza dhe Gerry Cardinale, pronarit të klubit kuqezi përmes RedBird Capital Partners.
    Në këtë takim, Cardinale thuhet se i propozoi Gallianit një rol këshillues strategjik.
    Prandaj, ish-i plotfuqishmi i Silvio Berlusconi-t gjatë viteve të tij të arta nuk do të kthehej në klub në Via Aldo Rossi si CEO, madje as si president në vend të Paolo Scaroni (siç vazhdojnë të spekulojnë disa), por në një rol të veçantë:
    Një figurë me ndikim mediatik, politik dhe teknik, që do të përdoret në marrëdhëniet me klubet dhe institucionet e tjera të futbollit.
    Propozimi i Cardinale-s për Galliani-n është konkret, zbulon ‘Repubblica’. Tani i takon drejtorit aktual ekzekutiv të Monza-s (80% e aksioneve të të cilit u shitën së fundmi nga familja Berlusconi te fondi amerikan Beckett Layne Ventures për afërsisht 30 milionë euro) të vendosë se çfarë të bëjë.
    Roli i tij në skemën organizative ende nuk është përcaktuar, por sigurisht që nuk është sipërfaqësor apo nderi: ndikimi i Galliani-t në botën e futbollit mbetet i paprekur, ashtu si edhe rrjeti i tij i marrëdhënieve personale dhe aftësia e tij e padiskutueshme drejtuese.

  • Fund i epokës! Familja Berlusconi shet AC Monza pas 7 vitesh, ja kush e mori klubin

    Fund i epokës! Familja Berlusconi shet AC Monza pas 7 vitesh, ja kush e mori klubin

    Pas gati shtatë vitesh, epoka Berlusconi te AC Monza ka marrë fund. Familja Berlusconi ka finalizuar marrëveshjen për shitjen e klubit te fondi amerikan Beckett Layne Ventures, me seli në Larchmont, New York.
    Sipas agjencisë ANSA, operacioni është ndarë në dy faza. Fillimisht transferohen 80% e aksioneve, ndërsa 20% e mbetur do të kalojë pas 12 muajsh. Vlera totale e marrëveshjes arrin në rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe disa bonuse të paracaktuara.
    Nga ëndrra në realitet, trashëgimia e Berlusconit
    Ishte 28 shtatori 2018 kur Silvio Berlusconi vendosi të rikthehej në futboll, pas largimit nga Milani, duke blerë klubin modest të Monzës. Me vizionin dhe investimet e tij, Monza u transformua nga një ekip i Serie C në një skuadër që u ngjit për herë të parë në histori në Serie A. Një arritje historike që u pa si kulmi i një ëndrre të re futbollistike për “Kavalierin”.
    Por pas ndarjes nga jeta të Berlusconit në vitin 2023, filloi edhe rënia sportive. Monza nuk arriti të ruajë statusin elitar dhe ra në Serie B, çka shtyu familjen të marrë vendimin për t’u tërhequr nga projekti.
    “Me vdekjen e Silvios, i cili ishte qendra e këtij projekti dhe pas shumë investimeve për një ëndërr, familja po kërkon një grup të besueshëm për të garantuar të ardhmen e klubit”, u shpreh Paolo Berlusconi, president nderi i klubit, duke konfirmuar zyrtarisht largimin nga skena.
    Një epokë e re amerikane
    Tani Monza nis një kapitull të ri nën drejtimin e Beckett Layne Ventures, një fond investimi amerikan me interesa të shumta në sport dhe teknologji. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë ambiciet dhe planet afatgjata të pronarëve të rinj për rikthimin e Monzës në elitën e futbollit italian.

  • Monza, mbyllet epoka “Berlusconi”. Klubi kalon në pronësi të një fondi amerikan

    Monza, mbyllet epoka “Berlusconi”. Klubi kalon në pronësi të një fondi amerikan

    Marrëveshja për shitjen e AC Monza nga “Fininvest” te fondi amerikan “Beckett Layne Ventures”, një shoqëri “venture capital” me qendër në Larchmont, shteti i Nju Jorkut, është firmosur. Sipas asaj që ka rindërtuar ANSA, operacioni është strukturuar në dy faza: fillimisht kalimi i 80% të kuotave dhe, pas 12 muajsh, shitja e 20% të mbetura. Vlera totale e marrëveshjes llogaritet rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe disa bonuse të lidhura me objektiva të mundshëm.
    Ishte 28 shtatori 2018, kur Silvio Berlusconi u rikthye në botën e futbollit, pas shitjes së Milanit, duke blerë Monza. Nën drejtimin e tij, klubi briancol arriti rezultate të paimagjinueshme deri atëherë, si ngjitja historike për herë të parë në Serie A. Pas vdekjes së “Kavalierit” nisi rënia, e cila kulmoi me rënien e skuadrës në Serie B dhe vendimin e familjes “Berlusconi” për ta shitur klubin.
    Ky vendim u bë publik nga presidenti i nderit Paolo Berlusconi në fund të majit: “Me vdekjen e Silvios, që ishte në të vërtetë qendra e këtij projekti, dhe pasi u shpenzuan me të vërtetë shumë para për një ëndërr, sot familja, do të thoja me të drejtë, kërkon një grup të besueshëm që të mund të garantojë të ardhmen e klubit dhe të marrë drejtimin e tij”.
    Në këtë operacion marrin pjesë gjithashtu disa familje të rëndësishme sipërmarrësish nga Brianca, mes tyre familja “Agrati”, aktive në sektorin e sistemeve të fiksimit dhe të komponentëve për industrinë automobilistike, dhe familja “Fontana”, që drejton një grup ndërkombëtar të specializuar në ndërtimin e stampave dhe prodhimin e karrocerive prej alumini.

  • Irfan Hysenbelliu dhe Paolo Berlusconi takohen në Milano, hapin rrugën për bashkëpunim në biznes e media

    Irfan Hysenbelliu dhe Paolo Berlusconi takohen në Milano, hapin rrugën për bashkëpunim në biznes e media

    Gjatë një vizite pune në Itali, Presidenti i “Hysenbelliu Group” dhe i “Focus Media News”, zoti Irfan Hysenbelliu, shoqëruar nga i biri Fatmir Hysenbelliu, ka zhvilluar një takim me biznesmenin dhe botuesin Paolo Berlusconi, vëllain e ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi.
    Takimi i zhvilluar në Milano u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit në fushat e biznesit dhe mediave, duke hapur mundësi të reja për partneritete strategjike midis të dyja palëve. Ky bashkëpunim i mundshëm pritet të sjellë përfitime të ndërsjella dhe të kontribuojë në forcimin e lidhjeve mes vendeve.

    Në shenjë mirënjohjeje dhe kujtimi, Paolo Berlusconi i dhuroi presidentit Hysenbelliu një album nga jeta e Silvio Berlusconit, një simbol i respektit dhe lidhjeve të forta mes dy botëve të biznesit dhe medias.

  • Ndërron jetë ish-presidenti i Milanit, i fundit para epokës ‘Berlusconi’

    Ndërron jetë ish-presidenti i Milanit, i fundit para epokës ‘Berlusconi’

    Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare Giuseppe Farina, ish-presidenti i Milanit, i njohur më mirë si Giussi. Drejtuesi i AC Milan mbajti frenat e klubit nga viti 1982 deri në 1986, përpara se t’ia dorëzonte Silvio Berlusconit.
    I lindur në Gambellara, në provincën e Viçenzës, në vitin 1933, ai do të mbushte 92 vjeç në shtator. Gjatë karrierës së tij si sipërmarrës ai drejtoi përveç kuqezinjve, Padovan dhe Vicenzën , ku arriti një vend të dytë historik në Serie A gjatë sezonit 1977-78.
    Golashënuesi më i mirë ishte Paolo Rossi, kampioni i ardhshëm i botës në vitin 1982; ai shënoi 24 gola. I mbiquajtur Giussi, gjatë karrierës së tij ai drejtoi 12 skuadra; Milan, Padova, Vicenza, Audace, Valdagno, Legnago, Schio, Rovigo, Belluno, Rovereto, Modena dhe Palù.

    Farina mori drejtimin e Milanit më 19 janar 1982 nga Gaetano Morazzoni. Ishin kohët e Gigi Radice në stol dhe disa vështirësi. Pak ditë pas marrjes së detyrës, Farina zëvendësoi Radicen me Italo Galbiatin. Por kuqezinjtë përfunduan në vendin e 14-të, duke rënë në Serie B për herë të dytë.

    Në 1982-83 mbërriti Ilario Castagner, i cili e ktheu menjëherë Milanin në divizionin e lartë. Farina dha dorëheqjen si president në 1986, pas një përkeqësimi të situatës financiare. Në vend të tij u zgjodh Rosario Lo Verde, i cili mbeti në krye të kompanisë si regjent. Më 20 shkurt 1986, presidenti i Fininvest Silvio Berlusconi bleu ekipin, duke shlyer borxhin prej disa miliardë liretash dhe duke shpëtuar klubin nga falimentimi. Pjesa tjetër është histori.