Tag: beogradit

  • Situata e tensionuar në Serbi, Komisionerja Kos bën thirrje për vetëpërmbajtje

    Situata e tensionuar në Serbi, Komisionerja Kos bën thirrje për vetëpërmbajtje

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi të shtunën se po ndjek me kujdes situatën në Serbi, duke përfshirë bllokadën e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), dhe u bëri thirrje të gjithëve të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve. Ajo shprehu shqetësimin për ngritjen e një padie penale kundër rektorit të Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq.
    “Bashkimi Evropian po ndjek bllokadën e RTS-së. Mediat publike kanë përgjegjësinë të veprojnë në interesin më të mirë të publikut dhe të sigurojnë hapësirë për të gjitha pozicionet legjitime; ata kanë të drejtë, ashtu si të gjithë gazetarët, të kryejnë detyrën e tyre pa asnjë presion”, shkroi Kos në rrjetin social X.
    Ajo tha se shpreson që situata aktuale mund të zgjidhet përmes dialogut konstruktiv dhe frymës demokratike.

    Komsionarja Kos theksoi gjithashtu se, për të dalë nga ngërçi politik dhe ndarjet në shoqëri, Serbia duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe të përmirësojë reformat në sundimin e ligjit, përfshirë forcimin e pluralizmit mediatik dhe zgjedhjen e Këshillit të Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike (REM), përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.
    “Këto reforma janë kyç për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane. BE-ja ofron mbështetje, dhe unë planifikoj të vizitoj Serbinë më vonë këtë muaj për të diskutuar për këtë”, përfundoi Kos.
    Studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi kanë filluar bllokimin e ndërtesave të RTS-së dhe Radio Televizionit të Vojvodinës (RTV) mbrëmjen e 14 prillit, duke pretenduar se mediat publike nuk raportojnë në mënyrë objektive për protestat e tyre.
    Ata kanë deklaruar se bllokada do të vazhdojë “derisa të shpallet një konkurs i ri për anëtarët e Këshillit të REM-it”.
    Studentët kanë protestuar për muaj të tërë, duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, që shkaktoi vdekjen e 16 personave.
    Ata gjithashtu kërkojnë ndëshkimin e sulmuesve të studentëve gjatë protestave që pasuan pas tragjedisë dhe ndalimin e procedurave kundër demonstruesve të arrestuar.
    Kërkesat e tyre janë mbështetur nga organizata të punonjësve të arsimit, avokatëve, profesorëve universitarë, bujqve dhe një pjesë e qytetarëve të tjerë.
    Rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, është marrë në pyetje më 18 prill në kuadër të një procedure paraprake hetimore për veprën penale të abuzimit të pozitës zyrtare.
    Ai është një nga rektorët që ka mbështetur kërkesat e studentëve që, përmes bllokimeve të fakulteteve dhe protestave në të gjithë Serbinë, kërkojnë përgjegjësi për ngjarjen në Novi Sad.
    Mbrëmjen e 10 marsit, studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi janë mbledhur pa paralajmërim para mediave publike dhe kanë bllokuar të gjitha hyrjet, duke kërkuar raportim objektiv për protestat.
    RTS ka raportuar më parë se, për shkak të kushteve të vështira të punës të shkaktuara nga bllokimi, është detyruar të përshtatë skemën programore, dhe është paraqitur një padi penale në Prokurorinë Publike Themelore të Beogradit kundër personave të panjohur, duke kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare./REL

  • Kryeministri i ri serb flet për Kosovën: Paqja, e pamundur

    Kryeministri i ri serb flet për Kosovën: Paqja, e pamundur

    Bota E Martë, 15 Prill 2025 20:39
    I zhytur në letër, lexoi programin e tij qeverisës në Parlament. Kryeministri i ri i Serbisë, Gjuro Matsut pretendoi se një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re do të jetë e ashtëquajtura mbrojtje e sovranitetit dhe integritetit territorial në Kosovë, duke vazhduar kështu linjën e gjatë të kryeministrave serbë që e kanë humbur lidhjen me realitetin.
    Matsut paralajmëroi vazhdimin e blerjes së ndikimit të Beogradit tek serbët e Kosovës përmes pagave dhe pensioneve. Ai lëshoi dhe akuza në drejtim të Perëndimit duke pretenduar se po shfrytëzojnë problemet e brendshme të Serbisë, siç tha në Parlamentin e Beogradit, për t’i dhënë “një vrull të ri promovimit të agjendave të njëanshme të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes së Prishtinës”.

    ”Ky sukses tregon gatishmërinë e serbëve për një luftë të palëkundur politike dhe qeveria do t’i ndihmojë ata në këtë luftë për të arritur gjithçka që u garanton e drejta ndërkombëtare, veçanërisht Marrëveshja e Brukselit, zbatimin e plotë të së cilës ne do ta mbrojmë vazhdimisht kudo, duke luftuar për mbijetesën dhe të drejtat e popullit tonë në province, ku ekziston një kërcënim i vazhdueshëm se Prishtina do të kryejë në mënyrë të njëanshme dhunë dhe me sponsorizimin e forcës do të përpiqet të arrijë qëllimet e saj”.

  • Bllokohet për trafik qendra e Beogradit para tubimit të thirrur nga Vuçiç

    Qendra e Beogradit është mbyllur për trafik më 11 prill, para mbajtjes së një tubimi nga mbështetësit e Qeverisë serbe. Protesta e quajtur “Ne nuk do të heqim dorë nga Serbia”, është thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Një bulevard dhe një shesh në qendër të kryeqytetit serb janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve, por qytetarët lejohen që të kalojnë.

    Policia ka dalë në rrugë për të ofruar siguri gjatë tubimit dhe disa qytetarë po i shkruajnë letra Vuçiqit dhe po i bashkohen “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin”, thanë gazetarët e Radios Evropa e Lirë që po raportojnë nga terreni.

    REL-i bisedoi me qytetarët që po nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në një pikë të ngritur në Beograd, duke i pyetur pse po anëtarësohen në këtë lëvizje të Vuçiqit.

    “Sepse e dua Serbinë”, tha Millan Lonçar, duke shtuar se ai nuk është anëtar i partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe, por është mbështetës i Vuçiqit.

    Përfaqësuesit e Qeverisë në Serbi vazhdimisht i kanë cilësuar si “revolucion shumëngjyrësh” protestat që studentët po organizojnë tash e disa muaj.

    Studentët po bllokojnë edhe fakultetet dhe po kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad nëntorin e vitit të kaluar. Studentët protestues kanë thënë se nuk duan të negociojnë me Vuçiqin për kërkesat e tyre sepse ai nuk ka autoritet që t’i plotësojë ato.

    Më 8 prill, Vuçiq ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin, që do të nisë më 11 prill dhe do të zgjasë deri më 13 prill. Ftesën për tubim ai e bëri në emër të lëvizjes që sapo ka formuar të quajtur “Lëvizja për Popullin dhe Shtetin”.

    Vuçiq, një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe, disa herë kishte njoftuar për themelimin e kësaj lëvizjeje.

    Tubimet nga 11 deri më 13 prill do të mbahen në kohën kur për muaj të tërë Serbia po përballet me protesta masive të organizuara nga studentët, që po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë në Novi Sad.

    Vuçiq ka deklaruar se në tubimet e “Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin” do të paraqesë kushtet e tij “që janë në përputhje me Kushtetutën”.

    “Kërkesat janë serioze dhe do të paraqesin vullnetin e njerëzve të përgjegjshëm në shtetin tonë, vullnetin e shumicës në Serbi”, tha ai përmes një postimi në Instagram.

    Përveç qytetarëve, ai ftoi edhe “të gjitha partitë politike dhe lëvizjet” që të bashkohen në tubim.

    Kreu i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq, tha se në tubimin e 11 prillit do të përcaktohen kërkesat dhe një nga to do të jetë ndalja e bllokadave.

    Disa grupe mbështetësish janë nisur në këmbë për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Vuçiqi – një grup është nisur nga Novi Sadi, dhe një tjetër grup i serbëve nga Kosova janë nisur drejt Beogradit.

    Ata thanë se duan ta mbështesin Vuçiqin, por edhe të kundërshtojnë studentët që po bllokojnë fakultetet dhe që të kthehen në mësim.

    Kundërshtarët e studentëve protestues e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë”. Ata kanë ngritur tenda në një park në qendër të Beogradit, që gjendet afër Presidencës serbe. Këta studentë që po protestojnë në Parkun Pionieri, kanë hedhur poshtë pretendimet se protestat e tyre janë organizuar nga Qeveria serbe./ REL/ 

  • VIDEO/ Skena e Beogradit Serbi-Shqipëri përsëritet në Copa Libertadores, ekipi i Brazilit e pëson si Shqipëria

    VIDEO/ Skena e Beogradit Serbi-Shqipëri përsëritet në Copa Libertadores, ekipi i Brazilit e pëson si Shqipëria

    Nëse futbolli në Europë arrin nivelin më të lartë, jashtë Europës, është përjetimi i vërtetë, ai i çmendur, i tifozëve që tejkalojnë cdo fantazi vetëm për të parë një ndeshje futbolli. Jo më kot stadiumet që japin pamje të çmendur dhe që të rrënqethin duke shkaktuar presion të madh mbi lojtarët nuk janë as Camp Nou dhe as Santiago Bernabeu, por ai i River Plate dhe ekipeve të tjera të ngjashme ku brohorimat janë të frikshme.
    Në mbrëmjen e djeshme është luajtur një ndeshje në Copa Libertadores, Colo Colo-Fortaleza, një ekip i Kilit që priti një ekip nga Brazili, dhe pamja ishte e ngjashme mes asaj mbrëmje të paharrueshme të Beogradit, Serbi-Shqipëri. Por këtë herë situata ishte edhe më dramatike pasi u shkaktua një tragjedi.
    Para ndeshjes, 150 veta që nuk kishin arritur të siguronin biletë u munduan të shkaktonin kaos dhe të hynin në stadium duke carë rrethimin e policisë. Më pas një makinë policie me gaz lotsjellës është munduar të hyjnë në atë kaos për të shpërndarë njerëzit dhe thuhet se kjo makina ka goditur dy fëmijë që kanë ndërruar jetë në vend, një djalë 18 vjecar dhe një vajzë 13 vjecare.
    Dhe arsyeja e vetme është se donin të hynin në stadium pa biletë. Aktualisht autoritet po hetojnë rastin në fjalë dhe polici që drejton makinën nuk është arrestuar ende. Ndërkohë gjatë ndeshjes me pamjet që afrojnë me atë që ndodhi në Beograd, ishte pikërisht e njëjta skemë, por pa dronin e famshëm.
    Në minutën e 72, kur rezultati ishte 0-0, disa incidiente po ndodhnin në tribunë e tifozëve vendas dhe arbitri ndërpreu ndeshjen. Për fatin e mirë, lojtarët e Fortalezas kuptuan se rrethimi i stadiumit u ça dhe tifozët po hynin brenda. Kështu ata vrapuan para kohe me vrap drejt dhomave të zhveshjes, por vendi ku ndodhej tuneli për t’u larguar nuk ishte aspak në pozicion të favorshëm. Ata duhej të shkonin shumë afër vendit ku ndodheshin tifozët e Colo Colo-s, për të rritur shansin e përplasjes.?Ashtu si edhe në Beograd, tifozët hynë dhe goditën lojtarët e Fortalezas, por për fat këto raste ishin shumë të pakta pasi ata e kapën më shpejt në kohë skenën e futjes së tifozëve. Gjithashtu një tjetër ndryshim nga ngjarja e Beogradit dhe Europa, në këtë rast ishin edhe shumë huligane femra që hynë në fushë për të shkelmuar lojtarët kundërshtarë. Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, organizatorët kërkuan në fillim që të zbrazej stadiumi dhe ndeshja të riluhej ku u la, por në fund lojtarët e Fortalezas nuk dolën dhe ndeshja u shty. /Sport Ekspres/

  • Macron zbarkon sërish në Serbi së shpejti, zbardhen  prapaskenat, ja pse presidenti francez po “i shtrin dorën” Vuçiçit

    Macron zbarkon sërish në Serbi së shpejti, zbardhen prapaskenat, ja pse presidenti francez po “i shtrin dorën” Vuçiçit

    Marsela SHYTIA
    Marrëdhënia mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe presidentit francez Emmanuel Macron ka rrëmbyer sërish vëmendjen e mediave të Beogradit, të cilat shkruajnë se është e çuditshme që kreu i Elysee, si gjithmonë i zgjat një “dorën shpëtimtare” homologut të tij në momente krize. E bëri sërish këtë herë, kur në mes të hetimeve për përdorimin e një topi zanor, sulmeve ndaj studentëve dhe përgjithësisht krizës më të thellë politike me të cilën është përballur Serbia që nga ardhja në pushtet e SNS-së, Macron e ftoi Vuçiçin në një takim në prill. Të paktën kështu është mburrur presidenti Vuçiç në Instagram, duke përmbledhur bisedën e tij me presidentin francez. Dhe ajo bisedë erdhi, duket, si një fashë në plagën e Vuçiçit në Bruksel, ku nuk pati mesazhe ngushëlluese për të në takimin me von der Leyen, madje as një konferencë të përbashkët për shtyp.
    Paraja si faktor
    Është logjike, deri diku, që Franca është e shqetësuar për situatën politike në Serbi dhe për (pa)stabilitetin e saj. Kompanitë franceze në Serbi kanë një sërë projektesh shumë fitimprurëse, nga ndërtimi i metrosë, përmes partneriteteve në pronësi dhe menaxhim të aeroportit të Beogradit, blerja e “Rafale” dhe “Falcon” (avionët luftarakë dhe civilë), deri te partneritetet në fushën e energjisë bërthamore, në kuadër të të cilave Vuçiç herë pas here shpall ndërtimin e termocentraleve bërthamore. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet: kompania franceze Aegis ka ofruar mbikëqyrje eksperte në pjesën e projektit që ka të bëjë me rindërtimin e ndërtesës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, shembja e së cilës u kushtoi jetën 16 qytetarëve serbë.
    Ana e errët dhe “dora e shtrirë”
    Ashtu si ana e errët e hënës, edhe Serbia dhe Franca kanë një anë të errët të marrëdhënies së tyre. Një pjesë e opozitës dhe publikut kritik në Serbi gjithashtu e sheh negativisht arritjen e sipërpërmendur të Macron me Vuçiçin në momentet më të vështira për qeverinë e tij. Hera e fundit që presidenti francez ishte në Serbi ishte vitin e kaluar në gusht, pak pas përfundimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme, të cilat një pjesë e konsiderueshme e opozitës serbe i bojkotoi, pikërisht sepse nuk u pajtua me kushtet dhe klimën zgjedhore që në fund të 2023 çoi në mashtrime jo vetëm të dyshimta, por edhe të bazuara në prova në Republikën e Beogradit, veçanërisht nga votuesit publikë të Beogradit. Pak muaj më parë, në prill të po atij viti, Vuçiç udhëtoi për në Paris. Dhe më pas Macron e priti ngrohtësisht dhe pikërisht në atë takim u ra dakord për blerjen e “Rafales” franceze, me një çmim prej 2.7 miliardë euro. Blerja e avionit civil “Falcon”, avioni për nevoja të Qeverisë së Serbisë, për 50 milionë euro, është zbuluar së fundmi.
    Interesat e Francës
    Dje të dy liderët kanë njoftuar publikun se kanë biseduar me telefon dhe kanë rregulluar një takim të ri. “Ne diskutuam çështje dypalëshe dhe bëmë një përmbledhje pas kontakteve të tij të fundit në Bruksel. Unë i përsërita atij dëshirën time që Serbia të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj evropiane,” shkroi Macron në rrjetin X. Është interesant fakti se që nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit dhe fillimi i protestave të studentëve, nuk ka pasur vizita nga zyrtarë të lartë evropianë. Nëse ky takim mbahet në Serbi, Macron praktikisht do të “thyejë akullin”. Ish-diplomati Srećko Gjukiç tha për “Nova.rs” se Macron ka qenë prej kohësh në anën e Vuçiqit. “Nëse ai do të vinte në Serbi, do të ishte vizita e tij e tretë në vendin tonë, dhe nuk e mbaj mend të ketë qenë ndonjëherë diku në rajon kaq herë. Natyrisht, nuk janë vetëm arsye politike. Për më tepër, do të thosha se dominojnë disa arsye të tjera. Para së gjithash, unë po mendoj për armët, dhe jo vetëm Rafales, por edhe helikopterët francezë që po riorientohen nga ajri në Serbi s… Është edhe aeroporti, metroja, impianti i djegies së mbeturinave dhe së fundi, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e programit bërthamor”, thotë Gjukiç.