Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë i ndodhur pasditen e sotme pranë Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri), punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Sipas burimeve policore, autorët lëviznin me një automjet Toyota Yaris Hybrid, nga i cili hapën zjarr ndaj makinës Benz, pak para se të mbërrinin në rrethrrotullimin e Rinasit.
Raportohet se autorët kanë qëlluar rreth 50 plumba në drejtim të automjetit ku ndodheshin viktima dhe i plagosuri. Si pasojë e breshërisë së plumbave, makina e Danit humbi kontrollin dhe doli në krahun e kundërt të rrugës.
Sipas dëshmitarëve dhe pamjeve të sigurisë, pas disa sekondash një person i maskuar, me armë zjarri në dorë, ka zbritur nga Toyota, i është afruar derës së pasagjerit dhe ka qëlluar katër herë nga afër, duke siguruar ekzekutimin e viktimës.
Më pas, autori është kthyer me shpejtësi në makinën e bashkëpunëtorëve dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa dyshohet se ka pasur edhe kundërpërgjigje me armë nga brenda “Benzit”.
Grupi hetimor po vijon punën për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur motivet e atentatit, i cili mendohet të jetë i mirëorganizuar dhe i planifikuar në detaje.
Tag: benzit
-

Zbardhen detaje të reja nga atentati në Rinas: Autorët qëlluan 50 plumba drejt “Benzit”
