Nuk ka munguar as këtë vit urimi i Erion Veliajt në prag të vitit të ri shkollor të cilin e konsideron të veçantë, pasi edhe djali i tij nis klasën e parë.
“Ky vit është posaçërisht i veçantë për mua, teksa edhe im bir shkon në klasën e parë. Edhe pse më është thyer zemra, pasi nuk mund ta shoqëroj në shkollë në ditën e parë, e di që edhe për shumë familje të tjera ka pasur sfida këtë vit”, shkruan Veliaj.
Në mesazhin e tij nga qelia kryebashkiaku i Tiranës ndau disa këshilla për nxënësit me në fokus rëndësinë e dijes dhe mbështetjes së ndërsjelltë. Por nuk la permendur indirekt edhe situatën në të cilën ai gjendet prej mujash.
“Bëhuni gjahtarë idesh dhe jo gjahtarë njerëzish. Në një shoqëri demokratike, ku mund të jeni gjithçka, zgjidhni të jeni luanë dhe jo hijena. Mësoni historinë për të mos e përsëritur atë! Lakojeni bukur gjuhën shqipe për ta përdorur si ilaç që shëron, jo si helm në rrjete e portale ndaj njëri-tjetrit. Thikat përdorini në një kurs gatimi, por kurrë në oborre shkollash ndaj shokut”, shkruan kryebashkiaku.
Në përfundim të mesazhit të tij Erion Veliaj thotë se dija është e vetmja pronë që njerëzit do të kenë gjithnjë me vete./vizionplus.tv
