Mbrëmja e sotme ka dhuruar spektakël në Champions League, si në rezultate ashtu edhe në gola.
Një mbrëmje me “5 yje” për Arsenal, të cilët kanë mposhtur 3-1 Bayern Mynih. Ndeshja e transmetuar në ekranin kampion të Vizion Plus ka qenë vërtet e një niveli të lartë, ku dy skuadrat kanë dhuruar spektakël në fushë.
Londinezët e nisën vrullshëm, duke krijuar disa raste të pastra, por pa mundur të gjenin rrugën e rrjetës në 20 minutat e para të lojës.
Në të 22-tën Timber do të kalonte Arsenalin në avantazh, ku duhet theksuar se Manuel Neuer gaboi në dalje.
Megjithatë, 10 minuta më pas, 17-vjeçari Karl, i cili është kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të gjermanëve, arrin të barazojë shifrat 1-1 dhe me këtë rezultat mbyllet fraksioni i parë i lojës.
Ndërkohë, në pjesën e dytë Arsenal ndryshon “marsh”, çka rezultoi fatal për gjermanët. Manuel Neuer, i cili pas pësimit të golit të parë bëri disa pritje spektakolare, por do të bënte sërish gafën e radhës në minutën e 69-të, duke lënë portën e boshatisur dhe duke dalë jashtë zonës së 16 metrave, çka shfrytëzohet më së miri nga Arsenal, dhe Madueke pasi kalon portierin gjerman shënon me portën e boshatisur.
Kur pritej reagimi i gjermanëve, vjen edhe goli i tretë i Arsenal me anë të Martinellit, edhe këtë herë Neuer sërish protagonist për keq.
Ndërsa Arsenal mbetet i pathyeshëm në Europë, gjermanët pësojnë humbjen e parë.
Sa i përket sfidave të tjera, PSG ka fituar me rezultat tenistik përballë Tottenham 5-3, Real Madrid ka fituar 4-3 në transfertën greke me Olimpiakos, ndërsa Interi pas humbjes zhgënjyese në derbi në fundjavë është mposhtur 2-1 nga Atletico Madrid. Liverpool vijon të zhgënjejë, ku është mposhtur nga PSV 1-4 në “Anfield”.
Pas javës së 5-të të Champions, Arsenal kryeson i vetëm me pikë të plota.