Tag: basketbollit

  • Pezullohet finalja e basketbollit në Greqi, vendimi i qeverisë nga incidentet mes tifozerive të Panathinaikos dhe Olympiakos

    Pezullohet finalja e basketbollit në Greqi, vendimi i qeverisë nga incidentet mes tifozerive të Panathinaikos dhe Olympiakos

    Qeveria greke ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ndeshjeve finale të ligës greke të basketbollit mes Panathinaikos dhe Olympiakos, pas incidenteve të ndodhura në pallatin e sportit në Pire, para dhe pas ndeshjes së fundit.

    Kësaj here, incidentet kanë në qendër vetë pronarët e dy ekipeve kryesuese në këtë ligë. Seria e të ashtuquajturave play-offs është aktualisht në rezultatin 1-1 dhe ndeshja e tretë, e planifikuar për të mërkurën, është shtyrë.
    Presidentët, njëkohësisht pronarë të dy klubeve të njohura, janë thirrur për t’u takuar me ministrin e Sportit të vendit deri të mërkurën në orën 15:00. Në postime online, në fillim përjashtuan mundësinë e pjesëmarrjes në këtë takim, duke lënë në dyshim fatin e ultimatumit qeveritar, ndërsa sot presidenti i Panathinaikos është pozicionuar pozitivisht.
    “Thirren për një takim me Zëvendësministrin e Sportit, Giannis Vroutsis, pronarët e dy klubeve të basketbollit në Ministrinë e Arsimit, Fesë dhe Sportit, me qëllim që të jepen garanci të qarta se kjo situatë do të marrë fund. Në të kundërt, kampionati i këtij viti do të ndërpritet përfundimisht”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Pavlos Marinakis.
    Presidenti dhe pronari i ekipit Panathinaikos, Dhimitrios Gianakoulos, është parë të hyjë me forcë bashkë me truprojat e tij në ambientet e pallatit të sportit para fillimit të ndeshjes së dytë dhe më pas në terrenin sportiv, duke kërcënuar gjyqtarët që të ndërprisnin ndeshjen sepse tifozët e Olympiakosit hidhnin sharje dhe kërcënime ndaj familjes së tij.
    Shumë video në mediat sociale pasqyrojnë këto çaste, por edhe sharjet e tij ndaj tifozëve kundërshtarë dhe kërcënimet ndaj dy vëllezërve presidentë të ekipit kundërshtar, Olympiakosit. Të dy klubet e Athinës kanë një rivalitet të gjatë dhe shpesh të dhunshëm, që shtrihet në basketboll, futboll dhe sporte të tjera.
    Trazirat e fundit ndodhën pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar dhunën e lidhur me sportin, ku shpesh ka pasur edhe viktima – përfshirë sistemet e mbikëqyrjes në stadiume dhe biletimin e detyrueshëm të lidhur me kartat e identitetit.
    Olympiakos dhe Panathinaikos morën pjesë muajin e kaluar në Final Four të EuroLeague në Abu Dhabi, duke u renditur përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa prej vitesh janë në majën e basketbollit europian.
    Organet greke kanë frikë se tensioni i krijuar mes presidentëve të ekipeve mund të shkaktojë incidente të dhunshme mes tifozëve fanatikë.

    Top Channel

  • Igli Zejno rrëfen të bërat dhe të pabërat e rrugëtimit të tij në basketboll

    Igli Zejno rrëfen të bërat dhe të pabërat e rrugëtimit të tij në basketboll

    Basketbolli mbylli sezonin me jo pak probleme. Natyrisht niveli i garave në basketbollin tonë lë për të dëshiruar, sikurse dhe audienca, e cila nuk është në lartësinë e kërkuar, gjë që e shprehin sallat me pak spektatorë që ndjekin ndeshjet. Por ka dhe përpjekje titanike që bëhen nga individë dhe klube të caktuara për të mbajtur basketbollin gjallë e me nivel të kënaqshëm. Për të mësuar se si perceptohet basketbolli në terren, sidomos në një akademi me ekipe zinxhirë moshash, gazeta “SOT”, intervistoi kryetrajnerin e ekipeve zinxhir të Akademisë “Goga Basket”, Igli Zejno, i cili foli për karrierën e tij, për sfidat me të cilat është përballur, arritjet në krye të ekipit vajza U-20, por edhe “plasaritjet” e krijuara në raport me Federatën Shqiptare të Basketbollit, e cila i mbyll dyert në momentin e tij më të mirë. Zejno shpalos edhe mjaft objektiva personalë që ka për në vazhdim, duke vënë theksin tek domosdoshmëria e përfshirjes të sa më shumë elementëve të rinj në ekipet e basketbollit dhe rritjen e cilësisë së garave, pa harruar apelin që FSHB duhet të dijë të menaxhojë marrëdhëniet me klubet. Ai mbetet i vendosur ta çojë më tej punën e bërë tek Akademia “Goga Basket”. Këto e shumë të tjera vijnë për lexuesit në intervistën e mëposhtme.
    – Igli Zejno, kryetrajneri i ekipeve zinxhir të Akademisë Goga Basket si dhe Drejtori Sportiv në të njëjtën kohë prej disa vitesh, si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
    – Së pari faleminderit për ftesën dhe për vëmendjen që ju i kushtoni basketbollit në gazetën tuaj çdo javë! Eksperienca ime në këtë akademi ka filluar që në moshë të hershme si lojtar për ekipet zinxhirë si dhe kam qenë pjesë e ekipit të parë të krijuar nga Goga Basket. Aventura ime si trajner në këtë akademi ka nisur përpara tre sezonesh, ku në vitin e parë kisha pozicionin si trajner i moshave U16 djem dhe vajza dhe zv.trajner i moshave U18. Në sezonin e dytë dhe të tretë kam mbajtur rolin e drejtorit sportiv si dhe kryetrajner i moshave U-16, U-18, U-20 djem dhe vajza. Në këto dy sezone kemi arritur të fitojmë 2 kampionate U18 djem dhe U20 vajza si dhe të marrim 3 medalje nënkampion të Shqipërisë 2 herë U16 vajza dhe një herë U18 vajza! Qëllimi jonë kryesor ka qenë zhvillimi dhe katapultimi i lojtarëve të rinj dhe lojtareve të reja në elitën e basketbollit brenda dhe jashtë Shqipërisë .
    – Jeni trajneri i ekipit kampion të vajzave U-20. Komentet tuaja për këtë kampionat, për organizimin, risitë te Goga Basket, objektivat?
    – Kampionati U-20 ishte një risi në basketbollin shqiptar  si dhe një mundësi për djem dhe vajza të reja që të shprehin talentin dhe punën  e tyre në një kompeticion të dedikuar posaçërisht për ta duke qenë se Superliga Shqiptar për djem dhe vajza është e dominuar kryesisht nga lojtarë të huaj ku elementët e rinj nuk kanë mundësi të sigurojnë minuta dhe ndonjëherë as një vend në stolat e ekipeve. Goga Basket arriti të shkruajë historinë duke ngritur kupën e kampionatit të parë të organizuar për U-20 vajza, kjo falë përkushtimit dhe punës të jashtëzakonshme të lojtareve tona. Do të doja që pjesëmarrja në këto kampionate të ishte më e madhe për ta bërë garën dhe kompeticionin sa më të fortë dhe të bukur. Objektivi për Goga Basket është krijimi i një ekipi të parë tek femrat për t’i dhënë mundësinë vajzave të akademisë tonë pas gjithë këtyre arritjeve ndër vite të luajnë në elitën e basketbollit shqiptar.
    – Igli Zejno trajneri i vendit të 3-të të Europianit U16 vajza, për vitin 2024, si do ta përshkruani këtë eksperiencë ?
    – Përfaqësimi i kombëtares shqiptare në një Europian për mua ishte një krenari dhe një kënaqësi e madhe. Faktikisht kjo kombëtare mu ofrua në momentin e fundit dhe pritshmëritë që federata kishte për këtë ekip ishin shumë të ulëta, kjo u tregua nga suporti që ata na dhanë duke mos u paraqitur asnjë zyrtar i federatës në 14 ditë grumbullim madje as edhe për t’i uruar vajzave suksese dhe një rrugë të mbarë! Si dhe fakti që në arritëm në shtetin ku zhvillohej ky kampionat (Gjibraltar) vetëm 12 orë para ndeshjes së parë ndërkohë që kundërshtari jonë i asaj ndeshjeje kishte arritur 2 ditë përpara. Gjithashtu, ne si staf trajnerësh dhe lojtarët duhet të lanim uniformat e kombëtares me lekët tona. Pavarësisht të gjithave, 12 vajzat e grumbulluara në këto 14 ditë punuan fort, ndoqën planin e stërvitjes dhe dhanë maksimumin ende pa arritur në kampionatin Europian. Kjo punë u shpërblye duke marrë 3 fitore dhe 2 humbje në kompeticion dhe duke u kthyer në shtëpi me medaljen e vendit të 3-të.

    – Jemi në dijeni që keni aplikuar për të qenë trajneri i një ekipi kombëtar për vitin 2025? Cili ka qenë ai dhe pse ju nuk u përzgjodhët ?
    – Kam lexuar gazetën tuaj të fundit ku keni folur hapur se si funksion “tenderi” i kombëtareve. Kam fatin të jem pjese e një Akademie si Goga Basket ku presidenti Perikli Goga ndër vite  ka suportuar ekipet kombëtare duke vënë në dispozicion të gjitha mjetet dhe shërbimet e kësaj strukture. Është e vërtetë që këtë vit kam aplikuar për të vazhduar punën e vjetshme me kombëtaren U18 duke i komunikuar federatës që kishim mundësinë të ishim në finale të këtij kompeticioni. Por, edhe pse ne si Akademi plotësuam kërkesën për të grumbulluar ekipin kombëtar në ambientet tona me shërbimet maksimale, federata nuk vendosi që në këtë ekip kombëtar të isha unë trajner. Arsyen sepse mund t’jua shpjegojnë personat përgjegjës në federatë. Për këto vendime, zoti Sekretar i Përgjithshëm dhe Drejtori Teknik i kombëtareve i cili, siç keni shkruar dhe ju, faktikisht ka emëruar veten trajneri i kombëtares U18 djem.
    – Si kanë qenë marrëdhëniet institucionale me organizmin qendror, FSHB? A ka vend për përmirësime? Dhe nëse po, si mendoni ku dhe si mund të jenë ato?

    – Siç thashë edhe më sipër presidenti i kësaj strukture, e cila duhet theksuar që është më e mira në rajon, ka qenë mbështetës ndër vite për të gjitha ekipet kombëtare, për ekipet e rritura dhe ekipet e moshave. Një marrëdhënie e cila është sfumuar së fundmi për mendimin tim për arsye të keqmenaxhimit të federatës. Në 3 vite që unë jam pjesë e kësaj akademie kam parë të zhvillohen mbi 10 ndeshje të ekipit kombëtar A meshkuj dhe femra si dhe kampionatin europian U18 femra, e po ashtu dhe shumë finale dhe kupa të organizuara të Superligës shqiptare ku infrastruktura jonë është e vetmja në Shqipëri ku mbas ndeshjes FSHB nuk gjobitet nga FIBA. Për mendimin tim federata jonë dhe presidenti i saj duhet të gjejnë personat e duhur për të menaxhuar këtë marrëdhënie.
    – Ju jeni pjesë e një akademie që për hir të së vërtetës është më e kompletuara me infrastrukturë sportive dhe aksesore ndihmës në vendin tonë. Si mendoni që mund të jenë format e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërmjet jush e FSHB-së?
    – Akademia jonë e shfrytëzon maksimalisht infrastrukturën sportive dhe aksesorët ndihmës, duke qenë se jemi pjesëmarrës në çdo aktivitet dhe kampionat të FSHB, ku vetëm këtë sezon duke marrë pjesë me 8 ekipe djem dhe vajza! Këtë vit ne i kemi ofruar FSHB-së ambientet tona si fusha dhe zyra për t’i shfrytëzuar për të mirën e ekipeve kombëtare, për grumbullime gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm 10 ditë para kompeticionit, si dhe projekte, trajnime dhe klinika. Por zyrtarët e federatës, për arsye që mund t’i shpjegojnë vetëm ata, refuzuan ofertën tonë. Refuzuan pa na dhënë një arsye specifike.
    – Disa komente apo mesazhe mbi basketbollin shqiptar?
    – Për mendimin tim basketbolli shqiptar është në krizë dhe kjo duket nga finalet e Superligës ku në 3 ndeshje pallatet e sportit ngelën gati bosh. Sidomos kjo e krahasuar me finalet e kampionatit kosovar, ku nuk gjen stola bosh në pallatet e sportit. Gjithashtu, elementët e rinj janë në zhdukje dhe kjo jo sepse nuk kemi djem dhe vajza të talentuara por sepse ata nuk gjejnë dot një hapësirë në ekipe ku mbizotërojnë lojtarët e huaj. Një tjetër problem janë tarifat e larta ku vetëm për të marrë pjesë me një ekip 16-vjeçarësh duhet t’i paguajmë federatës 100.000 lekë të reja si dhe transferimi i një lojtari kushton 30.000 lekë të reja duke e krahasuar përsëri me Kosovën ku transferimi i një lojtari në ekipin U18 kushton me jo me shumë se 50 euro.
    – Çfarë pritet në të ardhmen e afërt dhe të largët nga Igli Zejno?
    – Në të ardhmen e afërt e shikoj veten në këtë Akademi duke vazhduar punën e nisur me të njëjtin pasion dhe dedikim që nga dita e parë. E ardhmja e largët nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ketë rezervuar, por shpresoj trajner në nivelet e larta të basketbollit.
    Intervistoi: Adriatik BALLA

  • FSHB turpëron Flamurin Kuqezi

    FSHB turpëron Flamurin Kuqezi

    Adriatik BALLA
    Në Federatën Shgqiptare të Basketbollit gjërat nuk ecin sipas logjikës së normalitetit të zhvillimit të basketbollit në një vend normal, përkundrazi, ka lëvizje që cenojnë rëndë parimet e funksionalitetit për të pasur një basketball cilësor dhe me gjithëpërfshirjen e komunitetit, ku zbatohen mbi gjithçkas parimet e meritokracisë në përzgjedhjen e stafeve të ekipeve kombëtare. Këto shqetësime që komuniteti i basketbollit i ka ngritur në vazhdimësi, duket se kanë rënë në vesh të shurdhët në FSHB, pasi institucioni, here haptas e herë nën zë, po akuzohet se funksionon si grup okult, si një ekip ku presidenti e zyrtarët vendosin në kokën e vet. Në çështjet e analizuara më poshtë, vijnë mes faktesh shkeljet, abuzimet dhe skandalet që kanë përfshirë FSHB-në.

    Seleksionimet, skandali sheshit
    Prej disa ditësh, FSHB ka zyrtarizuar emrat e trajnerëve të kombëtareve të moshave, e si mund të mungonin skandalet e kësaj zyre edhe kësaj here! Përzgjedhja e trajnerëve për ekipet kombëtare u krye në mënyrën më të turpshme dhe të padenjë: me formularë aplikimi, ku trajnerëve u kërkohej të tregonin sa para mund të ofronin për të mbuluar kostot organizative. Me fjalë të tjera – kombëtarja shqiptare u hodh në ankand! Kush ofron më shumë, e merr ekipin. Jo eksperienca, jo licencat ndërkombëtare, jo kontributi në fushë – por paraja. Një çmim për të veshur fanellën që duhet të përfaqësojë një komb të tërë. Në ekipet kombëtare, u pa qartë se në përbërje të tyre kishte trajnerë të pakualifikuar dhe jo aktivë në kampionatet vendase – gjë që duhet të ishte minimumi i pranueshëm për përzgjedhjen e një trajneri në varësi të kategorisë. Kështu do të vepronte, dhe vepron, një federatë normale me parime dhe vizion. Por në Shqipëri, në një federatë që nuk njeh as rregulla, as moral, mjafton të jesh “shoku i duhur” për të marrë gjithçka.
    Skandali i U18: Kombëtarja në duart e “Punonjësve të Federatës”
    Rasti më flagrant është ai i Kombëtares U18, i vetë-shpallur trajner Klaudio Ndoja – një person pa asnjë licencë trajnimi dhe pa asnjë eksperiencë aktive këtë sezon. Ndoja, njëkohësisht drejtor i ekipeve kombëtare, anëtar i komisionit të disiplinës dhe tashmë edhe i vetë emëruar trajner. Pasi zgjedh çfarë i duhet vetë, çfarë mbetet ia le të tjerëve. Që kur ky person ka marrë edhe kompetencat e presidentit të federatës? Ai ka kapur çdo rol në strukturë, duke shkelur në mënyrë flagrante çdo standard të etikës dhe duke dhunuar nocionin më elementar të konfliktit të interesit. Për më tepër, së fundmi rrjetet e tij sociale janë mbushur me video nga stërvitje individuale që ai zhvillon me disa prej kandidatëve të ekipeve kombëtare, ku vetë mban rolin e trajnerit dhe ka kompetencën e përzgjedhjes. Ky fakt ngre pikëpyetje serioze mbi etikën dhe transparencën e procesit të seleksionimit, duke nënkuptuar se ky pozicion mund të jetë kthyer në një mënyrë të re për të gjeneruar të ardhura personale, duke ushqyer shpresa tek lojtarët se përmes këtyre stërvitjeve mund të sigurojnë një vend në ekipin kombëtar.
    Pse u larguan trajnerët që sollën sukses?
    Vitin e kaluar, ashtu siç u mburrën publikisht vetë zyrtarët e FSHB-së, nga gjashtë ekipet kombëtare të moshave, katër arritën podiumin europian – një sukses për basketbollin shqiptar. Por sot, tre nga trajnerët që udhëhoqën këto ekipe nuk janë më në detyrë. A thua vallë suksesi ishte i padëshiruar? Jo, thjesht ata nuk ishin pjesë e rrethit të ngushtë të miqve dhe të përzgjedhurve të Federatës, e cila promovon qokat, lidhjet personale dhe interesat e vogla, e jo meritokracinë. Në vend që të vlerësohen rezultatet dhe profesionalizmi, është krijuar një “treg i zi” që përdhos flamurin dhe uniformën kombëtare. Burime të shumta flasin hapur për çmime të vendosura nën dorë për t’u bërë pjesë e kombëtares – qoftë si trajner, qoftë si lojtar.
    FSHB fsheh edhe mundësitë për trajnime europiane
    Skandalet në Federatën Shqiptare të Basketbollit nuk kanë fund. Një tjetër rast flagrant është mënyra si është menaxhuar aplikimi për programin prestigjioz FECC (FIBA Europe Coaching Certificate). Në vend që të njoftonte zyrtarisht të gjitha shoqatat anëtare – siç është detyrim moral dhe ligjor për të ruajtur barazinë e trajnerëve – FSHB e mbajti të fshehtë këtë mundësi ndërkombëtare, duke ia mohuar trajnerëve shqiptarë të drejtën për të konkurruar ndershëm.
    Pse ndodhi kjo? Sepse federata donte që vendin ta merrte, sërish, i vetmi njeri që i mban të gjitha postet: Klaudio Ndoja – drejtori i ekipeve kombëtare, trajner kombëtaresh, anëtar i komisionit të disiplinës, dhe tashmë edhe përfitues i FECC, pa garë, pa transparencë, pa ndershmëri. Kjo është shkelje e pastër e çdo norme konkurruese dhe një tjetër dëshmi e kapjes së federatës nga një grup i vogël njerëzish. Po ky aplikim nuk mund te shkojë pa firmën e shokut te tij, Sekretarit te Pergjithshëm Franko Bushati i cili jo vetëm rikonfirmon formimin e tij të cunguar por edhe arrogancën, duke injoruar me karshillëk anëtarët e këtyrë shoqatave që deri dje nëpër telefonata i quante bashkëpunëtorë të cilët nuk dinte si t’i falenderontë për punën e bërë, kundrejt ZEROS ofruar nga FSHB.
    Një pyetje për Klaudio Ndojën:
    Pse nuk u rendite në listën e pritjes së trajnimeve, si gjithë të tjerët? Pse nuk lejuat trajnerë të tjerë të aplikonin për të qenë pjesë e FECC? Pse të duhet ky kualifikim, kur vetë injoron dhe përjashton trajnerët që tashmë e zotërojnë atë? Në çdo vend normal, ky do të ishte një skandal institucional. Në Shqipëri? Thjesht edhe një faqe më shumë në dosjen e errët të FSHB-së.
    Federata që po rrënon sportin kombëtar
    Revolucioni i sjellë nga dyshja emigrantëve kaq e pati frymen. Franko Bushati, një sekretar pa kredenciale akademike dhe pa vizion drejtues, ka zgjedhur të jetë prezent vetëm në ceremonitë ku ka kamera, ndërsa në vendimmarrje është i padukshëm, i papërgjegjshëm dhe i paarsyeshëm. Në krahun tjetër, Klaudio Ndoja ka marrë gjithçka për vete – nga titujt formalë e deri te përzgjedhja e stafit dhe lojtarëve, duke e kthyer federatën në një çerdhe interesash personale. Kjo nuk është më thjesht dështim në menaxhim. Kjo është një tradhti e hapur ndaj komunitetit dhe më tek akoma e fanellës kombëtare.
    Ku janë institucionet shtetërore?
    Ku janë institucionet shtetërore që duhet të kontrollojnë këto abuzime me kombëtaret, dhe reagojnë vetëm kur fitohen medalje? Ku janë strukturat e etikes dhe integritetit të kësaj federate?
    Po presidenti?
    Lindin dyshime të mëdha mbi heshtjen e Presidentit të Federatës, Avni Ponari, i cili nuk ka reaguar publikisht ndaj asnjë prej këtyre zhvillimeve të turpshme. Si është e mundur që një president i një federate të mos jetë në dijeni të këtij trafiku të hapur pozicionesh dhe përgjegjësish? Apo edhe ai ka zgjedhur të heshtë, duke dhënë pëlqimin në heshtje për këtë degradim dhe skandaleve të denoncuar dhe më përpara? Kombëtarja nuk është tender. Fanella kuqezi nuk ka çmim. Shqipëria nuk është biznes privat. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Koha për llogari – është tani.

  • Glen Prodani: Kamza U20 dëshmoi se të rinjtë do të sjellin rezultatet e duhura

    Glen Prodani: Kamza U20 dëshmoi se të rinjtë do të sjellin rezultatet e duhura

    Sezoni i basketbollit 2024-2025 pothuajse është mbyllur, ku pritet të shpallet kampioni i Shqipërisë për Meshkuj të Rritur. Po bëhen, gjithashtu, analiza për ecurinë e klubeve dhe pritshmëritë e tyre për sezonin e ardhshëm. Kamza është shndërruar vitet e fundit në një nga pikat e rëndësishme të zhvillimit të sportit në nivel kombëtar, duke marrë pjesë me disa ekipe në elitë dhe me një numër të madh disiplinash që kanë prezencë të konsiderueshme të rinjsh e të rejash, e ku klubi i Kamzës ka fituar edhe trofe të rëndësishëm si në nivel individësh ashtu dhe ekipor.

    Një nga sukseset e rëndësishme të Kamzës në sport ishte titulli kampioni Shqipërisë në basketboll për moshën deri në 20 vjeç. Gazeta “SOT” intervistoi trajnerin e basketbollit të Kamzës, Glen Prodani, i cili përshkroi si mjaft pozitiv sezonin në superligë, kategorinë U20 dhe përmbysjet spektakolare që kjo skuadër bëri në kampionat e sidomos në fazën përfundimtare “Final Four”. Për Prodanin, trofeu i titullit për Kamzën U20 dëshmon se sukseset në të ardhmen te ky klub do të vijnë nga të rinjtë, rezultatet e të cilëve janë në rritje.
    – Kamza U-20 regjistroi një sukses të rëndësishëm këtë sezon, duke fituar titullin për këtë grupmoshë. Si trajner i Kamzës, si do ta përshkruanit këtë sukses të skuadrës?
    – Po, ky ishte një sukses i rëndësishëm i basketbollit në Kamëz. Kujtoj që ky kampionat quhej Liga Sigal U20, në të cilin merrnin pjesë gjashtë ekipet e kësaj moshe si:Teuta, Vllaznia, Partizani, Goga, Elbasani dhe, siç thamë, Kamza. Skuadra jonë e U20 e mbylli në vend të dytë renditjen në kampionatin e rregullt, por arritëm të fitonim duelet në “play-off”, gjë që na dha titullin kampion. Në gjysmëfinale të fazës “Final Four”, ne mundëm Partizanin në një duel mjaft të rivalizuar. Ata shkuan deri në 12 pikë avantazh, por ne mundëm të barazonimn e në fund ta përmbysnim ndeshjen, duke fituar e duke kaluar direkt në finale. Gjysmëfinalen tjetër përballë Vllaznisë e fitoi Teuta, me 6 pikë diferencë. Ndaj Kamza U20 u përball në finale me Teutën U20. Ishte një ndeshje e kontrolluar nga skuadra jonë prej fillimit e deri në fund, takim që u fitua prej nesh me rezultatin 87-77.
    – Cili është kontigjenti i Kamza U20? Sa janë të ingranuar ata në ekip të parë?
    – Kamza U20 është skuadër me të ardhme, pasi ka një grup mjaft cilësor për moshën. Spikat mes të tjerave Ajet Cahani, lojtar i talentuar që luan me Kombëtaren e kësaj moshe, në pozicionin 3-4 i cili u shpall edhe MVP i këtij kampionati. Ne e shohim si lojtar me të ardhme tek Kamza e basketbollit. Por nuk duhet të lëmë mënjanë vlerën e grupit në tërësi, pasi i gjithë grupi është cilësor. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm në një skuadër, ndaj më duhet t’i përmend të spikaturit, si Erti Kongjoni, Fabio Paloka, Klevis Mardhoci, Eldi Rrahmani dhe Ergys Cahani.
    – A janë këta lojtarë të angazhuar edhe në ekipin e parë të Kamzës në Superligën e meshkujve?
    – Po, Kamza U20 stërvitet me ekipin e parë dhe këtë e kemi parë si avantazh të skuadrës në garën e saj sezonale në superligën e kësaj moshe. Duke u stërvitur me ekipin e parë këta lojtarë kanë mundur të marrin ngarkesë fizike e tekniko-taktike më të madhe ndaj dhe suksesi nuk është rastësor. Këtë e treguan edhe ndeshjet që zhvilluam në fazën “Final Four”, takime të luajtura të gjitha në pallatin e sportit të Durrësit, “Ramazan Njala”.
    – Cili ishte niveli i skuadrave në këtë kampionat, në tërësi?
    – Të gjitha ekipet ishin me nivel pothuaj të njëjtë kompetitiv. Diferencën e bënë detajet që erdhën nga përgatitja më e madhe e skuadrës tonë. Në fakt, në fillim ne humbëm shumë ndeshje, por rikuperuam hap pas hapi e në fund bëmë diferencë, duke merituar trofeun. Nuk duhet të harrojmë që ky kontigjent do të jetë baza për Kamzën e ardhshme të basketbollit, pra bazë për ekipin e të rriturve.
    – Sa prej këtij kontigjenti luajnë me ekipin kombëtar të moshës U20?
    – Janë tre lojtarë të angazhuar në Kombëtaren e kësaj moshe. Bëhet fjalë për A.Cahanin, Merdhocin dhe Palokën. Por në Kamzë ka dhe elementë të moshave më të vogla që kanë cilësi dhe do të angazhohen hap pas hapi në përfaqësueset e moshave.
    – A mund të sqaroni pozicionin tuaj në pankinën e të dy ekipeve të basketbollit të Kamzës?
    – Unë jam trajner i skuadrës së basketbollit të të rriturve që luajtën në Superligë, por jam edhe trajner i skuadrës Kamza U20. Në këtë të fundit bashkëtrajner me mua është kapiteni i ekipit të të rriturve të Kamzës, Niko Thano, një rast i veçantë pasi është edhe lojtar edhe trajner.
    – Kush ishin vlerësimet që morët nga federata për këtë ligë U20, që rikthehet pas 3 viteve mungesë?
    – Pas rënies së bilbilit të fundit, kur rezultati ndau fituesin, Presidenti i federatës, siç e do tradita, bashkë me titullarë të tjerë të kësaj zyre, japin medaljet, kupën dhe në rastin tonë kishim dhe një trofe më shumë, atë të lojtarit më të mire. Ajo që u vu re ishte angazhimi i lartë i presidentit për t’i uruar një për një pjestarët e ekipit, dhe indiferenca e sekretarit të kësaj federate, duke kapur një qoshe të sallës. Një sjellje aspak etike, por që i dha një përgjigje të qartë me sjelljen e tij, qëllimit të marrjes së vendimeve të mëparshme, të pamenduara mirë dhe pa arsyetime, tipike të një njeriu me formim të kufizuar zyrtar dhe social.
    – Çfarë ishte pikante për sezonin 2024-2025?
    – Ky sezon së bashku me dinamikat e tij, na ka dhënë leksione sportive dhe leksione jete. Na ka mësuar se si të fokusohemi tek prioritetet tona dhe si t’i ndjekim ato që të arrijnë suksesin. Na ka forcuar punën në ekip, pasi vit pas viti Kamza mban në gjirin e saj lojtarë, trajnerë, ish-lojtarë, të cilët i aktivizon në aktivitete të ndryshme duke evidentuar pikat e tyre të forta dhe se ku mund të japin kontribute më shumë. Na ka mësuar të jemi mirënjohës dhe ta shprehim atë ndaj mbështetësve financiarë dhe atyre moralë. Na ka rritur, duke i shtuar CV personale dhe të akademisë tituj dhe kapituj të lexuar me vëmendje. Dua të ndalem në veçanti, për të falenderuar dhe Artesa Ndoj, që iu bashkua ekipit tonë U20 dhe atij të rritur, si e vetmja femër në ekipet e Superligës Meshkuj e ulur në stol. Një falenderim edhe për kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, që na ka besuar dhe ka mbështetur sportin në këtë bashki e në veçanti basketbollin.
    Intervistoi: Adriatik BALLA

  • Pjerin Ndreu rrahu zyrtarin e Federatës së Basketbollit, reagon FSHB: Përgjegjësit të vendosen para ligjit

    Pjerin Ndreu rrahu zyrtarin e Federatës së Basketbollit, reagon FSHB: Përgjegjësit të vendosen para ligjit

    Federata Shqiptare e Basketbollit ka reaguar në lidhje me aktet e dhunës të regjistruara ditën e djeshme në ndeshjen Besëlidhja-Vllaznia në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ku kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu dhunoi sekretarin e FSHB-së, Franko Bushatin.
    “Bushati, gjatë pushimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale, e vlefshme për fazën e play-off-it të kampionatit të meshkujve, mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë, u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga drejtues dhe financues të klubit Besëlidhja.” – thuhet në komunikatën e FSHB-së, teksa dënon aktet e dhunës.
    Sipas FSHB-së, ky rast përbën një akt të dënueshëm ligjërisht të dhunës dhe për këtë, Franko Bushati ka vënë menjëherë në lëvizje autoritetet përgjegjëse përmes një kallëzimi penal.
    Federata e Basketbollit thotë se mbetet në pritje, që autoritetet përgjegjëse të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore individuale autorët e dhunës dhe shprehet institucionalisht e gatshme të bashkëpunojë. FSHB thotë se edhe vetë do të marrë masa, teksa ngjarjen e ka raportuar dhe në organet e FIBA-s.
    Deklarata e Federatës Shqiptare të Basketbollit
    Federata Shqiptare e Basketbollit, përmes kësaj deklarate, dënon me forcë aktet e dhunës të ndodhura mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë.
    Federata dëshiron të njohë më tej publikun me rastin e paprecedentë të dhunës fizike dhe verbale, pësues i së cilës, dje, ishte sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Basketbollit, z. Franko Bushati.
    Z. Bushati, gjatë pushimit të ndeshjes së parë gjysmëfinale, e vlefshme për fazën e play-off-it të kampionatit të meshkujve, mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë, u sulmua fizikisht dhe verbalisht nga drejtues dhe financues të klubit Besëlidhja.
    Ky rast përbën një akt të dënueshëm ligjërisht të dhunës dhe për këtë, z. Bushati ka vënë menjëherë në lëvizje autoritetet përgjegjëse përmes një kallëzimi penal.
    Rasti, përveç të tjerash, për Federatën Shqiptare të Basketbollit, përbën një shkelje të normave njerëzore, morale dhe, mbi të gjitha, sportive.
    Akti cenon vetë thelbin e asaj që do të duhet të përcjellë si mesazh në publik komuniteti i basketbollit dhe mbarë komuniteti sportiv.
    Federata Shqiptare e Basketbollit e dënon ashpër shfaqjen e shëmtuar, e cila dje, mbivendosi anti-vlerat mbi vlerat sportive.
    Ngjarja e djeshme mbivendosi dhunën mbi sportivitetin dhe kjo, në botën e sportit, përgjegjëse për krijimin dhe përçimin e modeleve shoqërore ndër breza, për sa i takon basketbollit shqiptar, do të jetë e ndaluar dhe e dënueshme kurdoherë.
    Kultura e dhunës është problem i përbashkët dhe për ta luftuar dhe mposhtur atë do të duhet të bashkërendojmë përpjekjet.
    FSHB-ja mbetet e angazhuar ne përcjelljen tek çdo klub të edukatës qytetare, që ndeshjet sportive janë gara për edukimin e sportistëve dhe kënaqësinë e tifozëve. Ajo kërkon nga klubi Besëlidhja të analizojë rastin dhe të marrë masat e duhura ndaj autorëve të kësaj ngjarjeje të shëmtuar.
    Federata mbetet në pritje, që autoritetet përgjegjëse të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore individuale autorët e dhunës dhe shprehet institucionalisht e gatshme të bashkëpunojë.
    Federata do ta bëjë të njohur rastin në organet e larta të lidershipit të basketbollit botëror si FIBA Ëorld. Kjo ngjarje e paprecedentë, që drejtuesit e klubit të sulmojnë sekretarin e Përgjithshëm nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e basketbollit.
    Ndërkaq, njoftojmë publikun dhe komunitetin sportiv se rasti i dhunës është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Disiplinës dhe shpejt vendimet do të bëhen publike.
    Me keqardhje dhe indinjatë për sa ndodhi, mbetemi të angazhuar të mbajmë sa më larg botës së sportit raste të tilla të papranueshme,
    Federata Shqiptare e Basketbollit.

  • Sherri me drejtuesin e Federatës së Basketbollit/ Shoqërohet në polici vëllai i kreut të bashkisë Lezhë

    Sherri me drejtuesin e Federatës së Basketbollit/ Shoqërohet në polici vëllai i kreut të bashkisë Lezhë

    Detaje të reja janë bërë publike për sherrin që I tha se është përfshirë edhe kreu i bashkisë së Lezhës.

    Gazetari i Syri tv Klajdi Bodlli mëson se ka qenë Albert Ndreu vëllai i Pjerin Ndreut kryetarit të Bashkisë së Lezhës që është konfliktuar ditën e djeshme me Franko Bushatin Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit.

    Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në pallatin e Sportit Asllan Rusi teksa luhej ndeshja Vllaznia-Besëlidhja.

    Albert Ndreu dhe Franko Bushati fillimisht janë konfliktuar verbalisht më pas fizikisht. Në konflikt është përfshirë dhe Erion Lleshi i cili ka qenë me Albert Ndreun. 3 personat janë shoqëruar në komisariat për të kryer veprimet proceduriale.

  • Plas sherri tek “Asllan Rusi”, Pjerin Ndreu dhunon zyrtarin e Federatës së Basketbollit

    Plas sherri tek “Asllan Rusi”, Pjerin Ndreu dhunon zyrtarin e Federatës së Basketbollit

    Në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, një incident i rëndë raportohet të jetë regjistruar mbrëmjen së enjtes në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, ku është përfshirë kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu.Sipas raportimeve, Ndreu ka ushtruar dhunë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Franko Bushati, gjatë zhvillimit të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes.
    Fillimisht mes tyre ka pasur një përplasje verbale, e cila më pas ka përshkallëzuar në konfrontim fizik.
    Ngjarja është denoncuar pranë Komisariatit të Policisë Nr.2 në Tiranë, ndërsa shkaqet e sherrit ende nuk janë bërë publike. Pritet që në vijim të dalin detaje të reja rreth këtij incidenti.

  • Skandal/ Shoku i Ramës, Pjerin Ndreu, bën boksierin në sallën e lojrave të basketbollit, rreh sekretarin e Federatës së…

    Skandal/ Shoku i Ramës, Pjerin Ndreu, bën boksierin në sallën e lojrave të basketbollit, rreh sekretarin e Federatës së…

    Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu ka rrahur sekretarin e përgjithshëm të Fedetarës së Basketbollit, Franko Bushati.

    Ngjarja ka ndodhur rreth 1 orë më parë. Përplasja ka ndodhur gjatë ndeshjes Vllaznia-Besëlidhja. 

    Raportohet se fillimisht Ndreu dhe Bushati kanë shkëmbyer fjalë dhe më pas janë përplasur fizikisht.

    Burimet bljnë me dije se për këtë rast po bëhet një kallëzim në komisariatin numër 2 në Tiranë, pasi ngjarja ka ndodhur në kryeqytet.

  • FSHF nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit për promovimin, zhvillimin & përmirësimin e cilësisë së arbitrimit

    FSHF nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Federatën e Basketbollit për promovimin, zhvillimin & përmirësimin e cilësisë së arbitrimit

    Federata e Futbollit dhe Federata e Basketbollit kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim promovimin, zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arbitrimit në të dyja sportet, përkatësisht futbollit dhe basketbollit.
    Me anë të kësaj marrëveshjeje synohet shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe gjetja e burimeve për të arritur rezultate më pozitive, si dhe për të rritur nivelin e profesionalizmit të arbitrave.
    Ky memorandum bashkëpunimi u nënshkrua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.
    Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e cilësoi këtë marrëveshje bashkëpunimi shumë të rëndësishme dhe falënderoi Presidentin Ponari për gatishmërinë e tij. Presidenti Duka u shpreh i sigurt se kjo marrëveshje do t’i shërbejë të dyja federatave për shkëmbimin e eksperiencave më të mira dhe për të bërë akoma më shumë për dy sportet më të rëndësishme në Shqipëri.
    “Jemi në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit për të firmosur një marrëveshje shumë të rëndësishme për arbitrimin, bashkë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, z. Avni Ponari, të cilin e falënderoj dhe i uroj mirëseardhje. Gjithashtu, e falënderoj për gatishmërinë e tij për këtë marrëveshje. Dy sportet tona, futbolli dhe basketbolli, për mua më të rëndësishmet në vendin tonë, janë sporte të ngjashme sepse janë sporte kolektive dhe kanë elementë që mund t’i bashkojnë. Nëpërmjet këtij memorandumi ne do të bëjmë seminare dhe përgatitje të përbashkëta për arbitrat gjatë dy viteve të ardhshme.
    Unë jam i sigurt që kjo marrëveshje do t’i shërbejë të dyja federatave dhe të dyja sporteve për shkëmbimin e eksperiencave më të mira që kanë Federata e Basketbollit dhe Federata e Futbollit. Së bashku do të bëjmë akoma më shumë. Një pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes është aktivizimi i arbitrave vajza dhe gra, si në futboll ashtu edhe në basketboll, mënyra se si duhet t’u qasemi atyre, kushtet që duhet të krijojmë dhe ndihma e tyre për zhvillimin e arbitrimit dhe gjithë sportit të basketbollit e futbollit.
    Duke falënderuar edhe një herë Presidentin Ponari, uroj që të kemi një bashkëpunim sa më të mirë dhe të mos ndalemi vetëm në fushën e arbitrimit, por edhe në çdo aspekt tjetër ku kemi interesa të përbashkëta për zhvillimin e futbollit dhe basketbollit në Shqipëri dhe arenën ndërkombëtare”, – tha Presidenti Duka.
    Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, e cilësoi këtë marrëveshje si historike dhe shumë të rëndësishme, pasi do të ndikojë në rritjen e cilësisë së arbitrimit. Gjithashtu, ai falënderoi Presidentin Duka për gjithçka ka bërë për sportin në Shqipëri.
    “Faleminderit, President Duka! Për mua është një ditë e veçantë, ndoshta dhe historike, sepse për herë të parë dy federata nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët. Një marrëveshje që do t’i shërbejë bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe ndërtimit të një programi e strategjie për edukimin dhe rritjen e nivelit të cilësisë. Vajza dhe djemtë që ushtrojnë këtë profesion do të kenë mundësinë të pasqyrojnë dhe tregojnë nivelin e lartë të arbitrimit, sepse ata janë në të vërtetë njerëzit që përfaqësojnë federatat dhe janë dinjitozë, si në fushat e blerta ashtu edhe në pallatet e sportit.
    Do të punojmë për të larguar konceptin e gabuar që arbitrat janë fajtorët e humbjeve. Do të luftojmë që kjo frymë të largohet dhe arbitrimi të marrë peshën dhe rolin që ka për të pasqyruar denjësisht aktivitetet dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive.
    Edhe njëherë, z. Duka, të uroj për këtë iniciativë dhe për gjithçka që ke bërë edhe për basketbollin, pa përmendur sukseset e mëdha që futbolli ka arritur nën drejtimin tuaj, si në Shqipëri ashtu edhe më gjerë”, – tha Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.