Adriatik BALLA
Kanë kaluar tashmë dy javë nga kërkesa e 10 shoqatave anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), drejtuar Presidentit të saj, dhe ende nuk ka asnjë përgjigje zyrtare apo thirrje për Asamble për të diskutuar problematika mjaft serioze dhe të rënda që po dekompozojnë basketbollin shqiptar. Për ironi, presidenti i federatës Avni Ponari vazhdon të bëjë komente mbi marrëdhëniet e anëtarëve midis njeri-tjetrit, ndërkohë që shmang përgjigjen ndaj kërkesave urgjente të komunitetit sportiv. “Sjellje e papërgjegjshme, aspak serioze dhe krejtësisht e papranueshme për një drejtues federate në një vend europian”, thonë në gjirin e komunitetit të basketbollit. Fatkeqësisht, nuk është hera e parë që FSHB hesht. Edhe kërkesa e Kamza Basket, dërguar më 17 prill për një vendim arbitrar dhe të paligjshëm të Sekretarit të Përgjithshëm, u injorua. Rasti tashmë është në ndjekje ligjore dhe është vetëm një nga shumë të tjera që tregojnë qartë krizën e thellë të institucionit që menaxhon basketbollin në vend.
Çfarë nëse anëtarët reagojnë njësoj?
Çfarë ndodh nëse një ditë, anëtarët vendosin të reagojnë me të njëjtën arrogancë dhe indiferencë, madje të refuzojnë të marrin pjesë në veprimtaritë e një federate që nuk praktikon “fair play”? Kjo nuk do të ishte befasi. Federata tashmë ka humbur legjitimitetin dhe integritetin, e drejtohet nga persona të paaftë, të paarsimuar dhe pa asnjë standard etik apo profesional.
Kërkesat janë të qarta:
Thirrje për Asamble për të diskutuar mbi financat, tarifat dhe rregulloren e sezonit të ardhshëm.
Transparencë dhe llogaridhënie.
Sqarim mbi statusin ligjor të vetë Federatës.
Dikur, faqja zyrtare e FSHB-së publikonte vendimet e gjykatave, buletinet dhe arkivat e aktiviteteve. Sot, gjithçka është fshirë. Pse? Sepse historia e vërtetë nuk i shërben interesave të personave të emëruar në mënyrë të paligjshme e të padenjë për postet që mbajnë. Për ta, historia e basketbollit shqiptar fillon vetëm kur ata erdhën në pushtet.
Rastet flagrante po shtohen – askush nuk reagon
Rastet e abuzimeve në ekipet kombëtare të moshave po shtohen dita-ditës. Nga mesazhe denoncuese të prindërve të shqetësuar, deri te paditë zyrtare në gjykatë, tabloja është e qartë: zyrat e Federatës nuk ofrojnë asnjë zgjidhje. Aty gjen vetëm konfuzion, përçarje dhe arrogancë të institucionalizuar. Çdo ditë, prindërit e sportistëve të ekipeve U16 dhe U18 në vend që të mbështesin fëmijët e tyre në ëndrrën përfaqësuese vrapojnë në korridoret e ministrive, zyrave shtetërore dhe gjykatave, në përpjekje për të zbardhur të vërtetën dhe për të kërkuar të drejtën. Ndërkohë, nga zyrat e Federatës nuk prodhohet asgjë përveç shkeljeve të njëpasnjëshme, nepotizmit të hapur dhe vendimeve të cilat shpesh bien ndesh me rregullat që vetë anëtarët kanë miratuar. E vërteta është e thjeshtë: kjo federatë nuk është në gjendje të funksionojë pa mbështetjen e anëtarëve të saj, dhe megjithatë, i shkel dhe i injoron sistematikisht, për hir të rehatisë dhe privilegjeve të zyrtarëve që janë kthyer në turistë luksozë në kurriz të komunitetit.
Kryesia e FSHB – një kukull në shërbim të një urdhërdhënësi
Kryesia e Federatës është kthyer në një organ fiktiv, pa zë, pa rol, pa mision. Ajo nuk përfaqëson më as komunitetin, as anëtarët. Ajo thjesht bindet verbërisht ndaj udhëheqjes dhe interesave personale të presidentit.
Sekretari i Përgjithshëm në qendër të arrogancës dhe përfoljeve
Emri i Sekretarit të Përgjithshëm, Franko Bushati, përmendet çdo ditë në komunitetin sportiv me akuza të rënda. Përflitet për deklarata nën efektin e alkoolit, për arrogancë në vendimmarrje, për kapërcim të kompetencave dhe për përzgjedhje të ekipeve apo trajnerëve sipas preferencave personale.
Deklarata të tilla si: “Sa të jem unë në këtë post, bëhet si dua unë” nuk janë thjesht të papërgjegjshme. Ato përbëjnë abuzim me detyrën dhe shpërdorim autoriteti. A është i vetëdijshëm z. Bushati për kompetencat që i njeh apo i ndalon statuti i FSHB-së? Deri tani, duket se jo.
Basketbollit i duhet vizion – jo sundim
Basketbolli shqiptar është kthyer në pasqyrë të krizës së madhe në sportin shqiptar: mungesë transparence, mungesë ligjshmërie, mungesë llogaridhënieje, mungesë etike. Nëse drejtuesit nuk janë të gatshëm të japin llogari, të respektojnë statutin dhe të përballen me të vërtetat – atëherë është koha për ndryshim.
NJË PËRMBLEDHJE E DËSHTIMEVE TË FSHB NË DY SEZONET E FUNDIT
Më poshtë jepet një pasqyrë e përmbledhur e dështimeve të federatës dhe natyrisht disa konkluz9ione që dalin natyrshëm nga leximi i ngjarjeve në FSHB dhe të mbledhura nga diskutimet e bëra brenda komunitetit të basketbollit.
FSHB është ilegjitime, me një Sekretar të Përgjithshëm të pazgjedhur nga komuniteti dhe ende të panjohur nga gjykata.
Një sekretar që firmos letra pa pasur as kompetencë ligjore, as njohje statutore. I paarsimuar, arrogant dhe në kundërshtim flagrant me statutin.
Një kryesi e paligjshme, ende e panjohur nga gjykata, që firmos për të mbrojtur interesat e shefit.
Një kryesi “sahanlëpirëse” që vepron vetëm me urdhër.
FSHB që nuk zbaton rregulloret e veta dhe statutin. Në çdo vend tjetër të Europës, komuniteti sportiv do të protestonte fuqishëm.
Në janar 2025, pas vendimeve arbitrare dhe selektive, FSHB njoftoi organizimin e seminareve për “integritet në sport”. Pyetja është: ku është SPOKU i shumëpërfolur? Kush do flasë për integritet në një federatë që e ka braktisur këtë parim?
Dështoi edhe me organizimin e kampeve të verës në Përmet, për shkak të mungesës së besimit të komunitetit ndaj propagandës “hajde paguaj, se bëj ç’të dua”.
Kombëtarja është kthyer në treg të zi – përzgjedhjet e trajnerëve bëhen mbi bazën e bindjes dhe jo meritës, ndërsa talentet lihen jashtë për të bërë “qoka”.
FSHB vazhdon të paraqesë dështimet si suksese. Medaljet e vendeve të dyta dhe të treta në divizionet C quhen “arritje”. Skandaloze! Liga C është ligë e dorës së fundit, e skuadrave nga mikroshtetet.