Tag: basketbolli

  • Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes në Kumanovë, reagon Spiropali: Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport

    Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes në Kumanovë, reagon Spiropali: Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport

    Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kumanovë, Maqedonia e Veriut, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve.
    Në një deklaratë publike, Spiropali e cilëson incidentin si të papranueshëm dhe një kujtesë e hidhur se rruga drejt një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse kërkon përkushtim të vazhdueshëm.
    “Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme,” shprehet Spiropali.
    Ajo nënvizon se sporti, në thelb, përfaqëson vlera si bashkimi, bashkëpunimi, loja e ndershme dhe respekti, dhe nuk duhet të shndërrohet në platformë për gjuhë urrejtjeje, racizëm apo nxitje konfliktesh etnike.
    Spiropali vlerëson reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut pas incidentit, por thekson nevojën për një qëndrim më të fortë edhe nga zyrtarët më të lartë të vendit.
    “Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon,” vijon ajo.
    Kryetarja e Kuvendit përmbyll reagimin e saj me një mesazh të qartë për rëndësinë e sjelljes në tribuna dhe institucione, duke theksuar se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një modeli bashkëjetese dhe tolerancë, larg ndasive që i përkasin së kaluarës.
    Reagimi i plotë:
    “Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.
    Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.
    Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
    Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
    Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.
    Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.”