Fatos Nano dhe Bashkim Fino
TIRANË-Fatos Nano, i cili u nda nga jeta një ditë më parë (31 tetor) do të kujtohet si një figurë që la ndikim të fortë në jetën publike dhe në kulturën politike të vendit.
Nano drejtoi jo përmes forcës së pushtetit, por u imponua përmes betejave të brendshme, duke u tërhequr, për t’u rikthyer në majë, me forcën e votës dhe mbështetjen e anëtarësisë. Kjo metodë mori kuptim edhe në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, KPD në datat 3-5 dhjetor 2001, e cila do të mbahet mend si shembulli më i mirë i vërtetimit të luftës për pushtet brenda partive politike shqiptare.
Ish-kryeministri Fatos Nano, asakohe kishte filluar që pas gushtit 2001 kur Ilir Meta u votëbesua sërish si kryeministër i Shqipërisë, të sulmonte ashpër kabinetin qeveritar “Meta 2” për korrupsion, shpërdorim detyre, lidhje me krimin e organizuar, etj. Në shënjestër kryesore, Nano vendosi Metën dhe disa udhëheqës të Partisë Socialiste. Një prej mbledhjeve e cila mund të konsiderohet historike për shkak dhe të akuzave dhe kundër akuzave të forta mes dy kampeve në Partinë Socialiste të vitit 2001 zgjati plot 3 ditë nga data 03 dhjetor deri me 5 dhjetor 2001.
Në KPD-në e famshme të dhjetorit 2001 dhanë dorëheqjen tre ministrat e qeverisë Meta, e më konkretisht: Ministri i Financave Anastas Aangjeli; Ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit Mustafa Muçi; Ministri i Punëve Publike dhe Turizmit Bashkim Fino.
Fatos Nano: Kryeministri Ilir Meta, po e drejton qeverinë dhe Shqipërinë, në mënyrë fashiste, duke bërë lidhje vertikale direkte nga zyrat e tij në zyrën e agjensive të specializuara të shtetit, nga policia deri tek Gjykata apo Prokuroria, jashtë vëmendjes së drejtuesve të institucioneve që japin llogari para popullit dhe para ligjit”. Unë nuk do të lejoj, që qeverisja të shkatërohet e sundohet prej Ilir Metës, për shkak të presionit ekzekutiv dhe policor ndaj forumeve të partisë duke i diktuar të heshtin, me metodat që po ushtron Ilir Meta, po e përsëris, që po drejton në mënyrë fashiste.
Fatos Nano: Ndërkaq ky largim i yni, ty Bashkim, ty Arben e shumë shokë të tjerë iu ndihmoi të dilni nga goditja e zjarrit të opozitës dhe të opozitës brenda partisë. Pra ne ia kemi marrë dorën ndryshimit të qeverive me kontribute të brendshme dhe pikërisht për shkak të rehabilitimit të imazhit tënd në rreth një vit që qëndruam jashtë qeverisë, ti u riktheve natyrshëm në qeveri, tani nuk është më faji im, as i ndonjë opozite brenda partisë, që ti je sërish mjaft sensibël në opinion politik në parti dhe në opinion publik që na voton. Unë nuk të ndihmoj dot më, aq më pak sot e tutje, se të kam këshilluar drejtpërdrejt largohu nga Miri i Xhikes se Miri i Xhikes nuk është shoku yt.
“Shoku Fatos sulmon këtu Mirin e Xhikes. Po atje shkojë të gjithë me familjet tona, ku pushojmë e pijmë kafe”, tha Hajdaraga duke mbrojtur në mënyrë të hapur personazhin e përmendur nga Nano.
“Miri i Xhikes” është pseudonimi i shtetasit Fatmir Rama, i cilësuar si një nga të fortët e rrugës së elbasanit, por edhe si drejtues I një rrjeti trafiku droge. Gjithashtu biznesmen dhe pronar i ish-kartodromi në Tiranë. Mbeti i vrarë me 29 mars të vitit 2003. Për vrasjen e tij u dënua me burg Lavdrim Tufa.
Por kryetari i PS-së ishte në offensive dhe prej gojës së tij doli trioja deri përqeshëse “Muçi-Naçi-Baçi” *falë tre ç-ve), siç i quajti ai Mustafa Muçin, Anastas Angjelin dhe Bashkim Finon. Prej asaj dite, këto figura politike morën një goditje që kurrë nuk i ngriti dhe nuk iu dha mundësinë të rikuperonin reputacionin që mbanin deri atëherë.