Tag: bashkia

  • I moshuari gjendet i braktisur në rrugë, Bashkia e Tiranës e sistemon në Qendrën Sociale ‘Strehëza’”

    I moshuari gjendet i braktisur në rrugë, Bashkia e Tiranës e sistemon në Qendrën Sociale ‘Strehëza’”

    Pas publikimit në rrjetet sociale të një rasti ku një i moshuar shihej në situatë rruge, Skuadra e Terrenit e Bashkisë së Tiranës ka reaguar menjëherë. Shërbimet sociale kanë shkuar në vendngjarje dhe po e shoqërojnë të moshuarin drejt Qendrës Sociale “Strehëza”, ku ai do të marrë kujdesin dhe akomodimin e nevojshëm.
    Ekipet e bashkisë kanë komunikuar menjëherë me të dhe kanë aktivizuar edhe stafin mjekësor për vlerësimin e gjendjes së tij shëndetësore. Paralelisht, po kryhen edhe procedurat për sistemimin dhe mbështetjen e tij afatshkurtër dhe afatgjatë.

    Bashkia e Tiranës dhe ekipet e saj në terren janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve, duke u kujdesur që askush të mos mbetet i pambrojtur apo pa mbështetje në momente nevoje.

  • Projektbuxheti i 2026, Zhulali: Pa transparencë nga mazhoranca, do kërkojmë llogari për qytetarët

    Projektbuxheti i 2026, Zhulali: Pa transparencë nga mazhoranca, do kërkojmë llogari për qytetarët

    Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë nisur një nismë për të zhvilluar një sërë konsultimesh publike me qytetarët dhe grupet e interesit, me synim përfshirjen e zërit të tyre në diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
    Kjo lëvizje vjen si përgjigje ndaj asaj, që opozita e cilëson si mungesë totale transparence dhe dialogu nga ana e mazhorancës socialiste, duke theksuar se konsultimi i fundit i mirëfilltë me banorët ka ndodhur vite më parë.
    Konsultimi i parë pritet të ndodhë pikërisht me familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019, të cilat ende nuk kanë marrë një zgjidhje për banesat e tyre të dëmtuara ose kontestojnë procesin e rindërtimit.
    E ftuar në një studio televizive, anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës në radhët e opozitës, Ilda Zhulali, ngriti alarmin për një fenomen tejet shqetësues, të moshuarit, të cilët në disa raste hiqen papritur nga listat e përfituesve.
    Sipas saj, kjo ndodh me shpresën se ata do të ndërrojnë jetë përpara se bashkia të detyrohet t’u japë banesën e re, duke e cilësuar këtë si një praktikë thellësisht çnjerëzore. Seanca e dytë do të fokusohet te dialogu me përfaqësues të bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha.
    Këto biznese, të cilat janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj të qytetit, përballen me një sërë vështirësish, si gjoba të majme, taksa të përllogaritura gabim që sjellin kamatëvonesa, si dhe dëme financiare nga operacione të papritura si ai i zhvilluar gjatë verës për lirimin e hapësirave publike.
    Sipas Zhulalit, këto politika po rëndojnë mbi ekonominë lokale dhe po shkaktojnë humbje të vendeve të punës.
    Çështja e arsimit dhe sigurisë në shkolla do të jetë në qendër të takimit të tretë, ku janë ftuar të marrin pjesë nxënës, prindër, mësues dhe studentë.
    Problemet e listuara, për opozitaren e Këshillit Bashkiak Tiranë, përfshijnë mungesën e shkollave dhe mësimin me dy turne, nevojën për rikonstruksionin e godinave ekzistuese, mungesën e konvikteve, si dhe mungesën e çerdheve e kopshteve në zonat me densitet të lartë banimi, gjë që rëndon trafikun dhe ndotjen.
    Në analizën e buxhetit, Zhulali theksoi se struktura e tij nuk ndryshon nga vitet e kaluara, ku burimet kryesore të të ardhurave mbeten taksa mbi ndërtimet e reja, të cilën e lidhin me pastrimin e parave, si dhe gjobat ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
    Këto konsultime publike, sipas saj, synojnë të sjellin në vëmendjen e Këshillit Bashkiak shqetësimet reale të banorëve dhe të propozojnë zgjidhje konkrete, duke bërë presion që buxheti i Tiranës të reflektojë nevojat e qytetarëve dhe jo vetëm interesat e ngushta.
    E rëndësishme është që pas kaq shumë kohësh dhe askush në Tiranë nuk e mban mend se kur ka qenë takimi i fundit i mirëfilltë, që ka pasur një konsultim mes banorëve dhe punonjësve të Bashkisë Tiranë dhe me pjesëmarrjen e pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, për të diskutuar për çështjen më të rëndësishme se si shpenzohen taksat që ata paguajnë. Kërkesa e përsëritur e jona prej dy vitesh në Këshillin Bashkiak të Tiranës për t’i zhvilluar këto konsultime që na ishte refuzuar, me sa duket me mungesën e Erion Veliajt u ça dhe ai muri i rrethimit dhe më në fund kjo u bë e mundur, kështu që me kërkesën tonë, ne do të zhvillojmë tre seanca konsultimesh me banorët dhe me disa grupe interesi.
    Në ambientet e Bashkisë Tiranë, ku janë të ftuar të gjitha familjet që janë prekur nga tërmeti, pra kanë pasur dëmtime nga tërmeti i 2019-ës, por që nuk kanë marrë ende asnjë zgjidhje apo përgjigje nga Bashkia e Tiranës, apo ata që e kontestojnë këtë proces, sepse janë të shumtë banorët që e kanë kontestuar në vijimësi procesin e prishjeve të banesave të tyre, procesin e lidhjes së kontratave të reja pasi ato janë problematike, sipërfaqja që u jepet në këmbim banorëve është shumë e vogël. Ndonjëherë edhe u mohohet kjo e drejtë. Ka banorë që fillimisht vendosen në lista, pastaj hiqen nga lista si përfitues e kështu me radhë. Pra ka një problematikë shumë të madhe.
    Mirëpo bëhet fjalë për një fond shumë të madh parash për të cilin nuk është bërë asnjëherë transparencë dhe nuk është dhënë asnjëherë llogari. Ka një fenomen veçanërisht shqetësues kohët e fundit që na është bërë me dije edhe nga banorë të ndryshëm që prek veçanërisht të moshuarit. Pra, janë të moshuar që banesa e të cilëve është dëmtuar. Ata fillimisht rezultojnë në listën e përfituesve, por për shkak se ata janë shumë të moshuar ëh, dhe Bashkia e Tiranës me sa duket pret që ata të humbin jetën dhe të mos u japë banesën në këmbim, krejt papritur i heq nga lista. Një rast i fundit ka qenë një denoncim i bërë dhe nga një gazetar përpara disa ditësh, për të cilin unë kam kërkuar informacion eksplicit nga Bashkia e Tiranës, nuk më është kthyer ende përgjigje dhe besoj që të gjitha sa pretendonte dhe zotëria e moshuar janë të vërteta për sa kohë bashkia nuk më kthen një përgjigje.
    Takime të tilla ne kemi zhvilluar më herët, pak më të ngushta, për shembull për tërmetin dhe ja kemi dalë që të kthejmë prapa punonjësit e Bashkisë Tiranë. Kemi bërë dy seanca konsultimi me banorë, një të njësisë gjashtë dhe një tjetër në njësinë katër, ku bashkia donte të shemte godinën duke pretenduar se kishte pësuar dëme shumë të rënda dhe të pariparueshme, mirëpo pas konsultimit me banorët dhe pas ballafaqimit me ta doli që ajo ishte e paqenë dhe u mor vendimi që këto godina të mos prishen por të riparohen nga bashkia. Pra është e mundur që bashkia të bëjë prapa.
    Po ashtu kemi mundur që me banorët e rrugës Ferit Xhajko dhe ata t’i ndihmojmë në procesin e tyre gjyqësor, duke u ballafaquar me drejtorët e Bashkisë Tiranë, për shkeljen e të gjithë procedurave që ata presupozohet se duhet të kishin ndjekur me banorët. dhe ata këto gjetje që dolën gjatë seancës sigurisht i kanë paraqitur gjatë procesit gjyqësor për një vendim në favor të tyre. Prandaj ne duam ta vazhdojmë këtë proces konsultimi dhe çdo qytetar të na bashkohet, ata që kanë vërtet probleme. Nesër ora 4:00 pasdite, në godinë e Bashkisë Tiranë, të gjitha familjet që janë të prekura nga tërmeti, që nuk kanë gjetur zgjidhje, pra duan të dinë çfarë do të ndodhi me ta dhe ata që e kanë kontestuar apo e kontestojnë procesin për atë çfarë u është ofruar nga bashkia.
    Është po ashtu pjesë e një dialogu që ne duam të zhvillojmë me bizneset, pasi ato janë gjithashtu nga taksapaguesit më të mëdhenj të qytetit të Tiranës. Kështu që në këmbim ata duhet të marrin shërbime. Mirëpo ne kemi parë që ata kanë problematika nga më të ndryshmet, përfshirë gjobat majme që ata marrin për shkak se Bashkia e Tiranës për shembull, përllogarit gabimisht taksën që ato do të duhet të paguajnë dhe për shkak të këtij gabimi ose paaftësisë që ka Bashkia e Tiranës për ta llogaritur në kohë këtë taksë, ata duhet të paguajnë edhe kamatëvonesa. Mirëpo këto janë shuma të majme pasi kjo kamatëvonesë shkon për shembull një vit më pas ose dy vite më pas. Kështu që ne i kemi mbledhur të gjitha këto raste denoncimesh apo ajo çfarë ndodhi gjatë verës, që ne e pamë të gjithë publikisht, sesi edhe pas vendimit që kishte marrë Bashkia e Tiranës, me rregulla shumë të qarta për shfrytëzimin e hapësirës publike, menjëherë nisi një operacion blic me urdhër të kryeministrit që i dëmtoi bizneset.
    Kjo është një çështje madje për të cilën unë e kam ngritur vazhdimisht në Këshillin Bashkiak dhe për të cilën kam një ndjeshmëri të veçantë dhe më ka prekur fakti që ende një vit pas ngjarjes askush nga shkolla ‘Fan Noli’, as drejtoresha, as mësuesja kujdestare dhe asnjë nga anëtarët e tjerë të stafit mësimor arsimor, mësuesve pra të asaj shkolle, nuk ka gjetur kurajon njerëzore për të shkuar dhe për të ngushëlluar prindërit e Martin Canit. Dhe kjo për mua është gjëja më e tmerrshme që duhet ta kishte tronditur të gjithë qytetin e Tiranës dhe çdo njeri që ka një qelizë njerëzore brenda vetes, se kjo nuk është as çështje partiake, as çështje politike. Kjo është çështje njerëzore.
    Dhe nëse ata që drejtojnë një institucion arsimor nuk e gjejnë këtë kurajo njerëzore, këtë detyrim moral ndaj kësaj familjeje, çfarë presim ne që ata t’u mësojnë fëmijëve të asaj shkolle? Unë nuk pres asgjë. sepse në shkollë ti në radhë të parë çdo fëmijë shkon dhe mëson të bëhet njeri, të bëhet një qytetar i mirë. Pastaj nxë dhe në lëndët e tjera. Pa pa arritur këtë shkolla, nuk ka arritur asgjë. Kështu që për mua kjo është tronditja më e madhe dhe për më tepër që shkolla ka refuzuar dhe vendosjen e një objekti simbolik për të kujtuar Martin Canin, me gjithë refuzimet që ka bërë edhe për t’i dhënë emrin palestrës apo për vendosjen e një stoli, unë jam përpjekur që këtë të paktën ta kaloj përmes një vendimi të detyrueshëm të Këshillit Bashkiak. U mor në fakt ky vendim gjatë mbledhjes së kaluar dhe unë do ta ndjek derisa kjo gjë të realizohet, në mënyrë që të mos kalojë në heshtje dhe thashë, këto janë ndoshta gjëra shumë të vogla, por duket sikur prekin vetëm një familje, por në fakt tregojnë karakterin e një qyteti, të banorëve të një qyteti. Dhe nëse ne i lejojmë këto të rrjedhin pa vëmendje dhe thjesht si një lajm që konsumohet aty për aty, ne kemi humbur veten tonë, qytetin dhe çdo gjë.
    Për të diskutuar për shkollat që mungojnë, për shkollat që duhet të rregullohen, për konviktet e studentëve që mungojnë, për kushtet në të cilat ato ndodhen, për mungesën e çerdheve, kopshteve dhe shkollave në zona që kanë një dendësi shumë të madhe banimi dhe që pastaj përkthehen në kosto shtesë financiare, në kosto për humbjen e kohës, në kuptimin e kohës që të duhet për të lëvizur nëpër Tiranë, për të dërguar fëmijët në shkolla, çerdhe apo kopshte, por edhe për ndotjen që shkakton trafiku i rënduar në Tiranë. Kështu që ka një efekt zinxhir kjo dhe për të gjitha këto ne përsëri do të diskutojmë ditë pasnesër, ditën e enjte, në orën 4:00, në ambientet e Bashkisë Tiranë.
    Prandaj kjo është një thirrje e hapur për të gjithë banorët që të jenë atje, ata që kanë interes dhe që duan t’u dëgjohet zëri i tyre, pse jo të vijnë dhe me propozime konkrete dhe për t’i dhënë edhe përparësi zonave që kanë më shumë nevojë ose nevoja akute. Për të ardhur pra, e gjitha këto konsultime bëhen në kuadër të projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026-2028, i cili në fakt në strukturë dhe fizionomi nuk ndryshon nga ai i viteve mëparshme, që do të thotë burimet kryesore të të ardhurave për buxhetin edhe për këtë vit është, janë paratë e krimit, në një farë mënyre, vartësia e madhe nga pastrimi i parave dhe paratë e krimit, sepse pjesa më e madhe e të ardhurave vjen për nga taksa e ndërtesës dhe ndërtimeve të reja që është 37% e buxhetit ose si peshë totale zë më shumë se gjysmën, 52%.

  • SYRI TV/ Shteti ‘bekon’ kullat e drogës, por ndjek penalisht nënën e dy fëmijëve për një mur pa leje në Pogradec

    SYRI TV/ Shteti ‘bekon’ kullat e drogës, por ndjek penalisht nënën e dy fëmijëve për një mur pa leje në Pogradec

    Institucionet shtetërore që çdo ditë amnistojnë kullat e financuara me para droge në mes të Tiranës dhe në bregdet, kanë treguar forcën e ligjit me një familje në fshatin e thellë malor të Slabinjës në Pogradec. Bashkia Pogradec, i ka prishur murin rrethues familjes Balliu, ku  kryefamilarja nënë e dy fëmijëve të mitur që kujdeset dhe për prindërit e sëmurë, por ndiqet penalisht për ndërtim pa leje.

    Syri TV

    Në një kohë që shteti mbyll sytë për qindra kantiere ndërtimi në Tiranë dhe  qytetet turistike që ngrihen në të financuara me para drogë, kur vjen puna për ndërtime pa leje, qofshin stane për bagëti apo mure rrethues, e godet paligjshmërinë në fshatin më të thellë në vend.

    I tillë është edhe rasti i Klodiana Balliut, e cila jeton në fshatin Slabinjë të njësisë administrative Propisht në Pogradec, ku zyrtarët e Bashkisë i kanë prishur murin rrethues, një gruaje kryefamiljare, që rrit e vetme dy fëmijë të mitur, teksa kujdeset dhe për babain e sëmurë.

    Ajo thotë se ngriti një mur rrethues pranë banesës së saj, për të cilin kishte kërkuar paraprakisht leje nga Njësia Administrative dhe Bashkia Pogradec, por leja nuk iu akordua.

    Pavarësisht kësaj, Klodiana vendosi të investonte rreth 6 milionë lekë për ndërtimin e murit. Pas përfundimit të punimeve, IKMT e Bashkisë Pogradec ndërhyri duke e shembur ndërtimin, ndërsa ndaj saj u nis edhe procedim penal për ndërtim pa leje.

    Ajo tregon se është nënë e dy fëmijëve dhe kujdeset e vetme për prindërit e moshuar. Për të përballuar vështirësitë ekonomike, Klodiana punon si emigrante në Greqi. Sot, kërkesa e saj ndaj bashkisë është që muri të riparohet ose të ndërtohet nga institucionet.

    Nga ana tjetër Bashkia Pogradec, e kontaktuar nga Syri Tv pretendon se ndërtimi i  murit ishte pa asnjë leje përkatëse.

  • BIRN: Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

    BIRN: Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

    Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, rrugët e Tiranës u mbushën me postera elektoralë të Partisë Socialiste në pushtet, të afishuara në stenda ‘city lights’ dhe ekrane LED të instaluara në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
    Pas rrjetit të stendave moderne fshihet kompania BNI, e cila mori nga Bashkia e Tiranës pjesën më të madhe të hapësirës reklamuese ‘outdoors’ në kryeqytet – për një afat 7-vjeçar – në prag të garës elektorale të vitit 2023 dhe, njëkohësisht, u kontraktua për reklamat politike të fushatës nga Partia Socialiste.
    Edhe pse hapësira reklamuese iu transferua BNI-së nëpërmjet qindra vendimeve të veçanta të firmosura brenda pak ditësh pa asnjë procedurë tenderimi, sipas ekspertëve të prokurimeve publike, ato së bashku krijuan një të drejtë ekskluzive për një operator të vetëm.
    Ky monopol ‘de facto’ i dhënë në prag të zgjedhjeve shihet si klientelizëm politik nga vëzhguesit e fushatave zgjedhore, ndërsa opozita pretendon se i kufizoi edhe garën elektorale për Bashkinë e Tiranës – ku kryebashkiaku në detyrë, Erion Veliaj, përballej me deputetin Belind Këlliçi.
    “Vendet prioritare dhe me shikueshmëri e frekuentim më të lartë, sigurisht i ka pasur PS dhe Veliaj,” i tha Këlliçi BIRN.
    “Domethënë, si përfundim, unë kam pasur mundësinë të marr hapësirë vetëm çfarë kanë lënë, pasi procesin e ka kontrolluar tërësisht bashkia dhe kandidati i PS-së,” shtoi ai.
    Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar për korrupsion dhe pastrim parash në shkurt 2025, nuk ishte i arritshëm për koment. Ndërkohë, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me gjetjet e konstatuara.
    Beqir Nuredini, themelues i BNI-së dhe ish-kryebashkiak i Rrogozhinës, mohoi se kompania e tij zotëronte një monopol në tregun e reklamave në natyrë në Tiranë. Ai pretendoi se çdokush mund të aplikonte për leje për të vendosur stenda afishimi, por se nuk kishte treg dhe reklamat mbeteshin bosh.
    “Nuk është monopol, tregu është i lirë; kushdo që do hapësirë, mund të aplikojë dhe të marrë hapësirë,” tha Nuredini. “Jo aty ku kam marrë unë leje, kuptohet, por Tirana është e madhe,” shtoi ai.
    Të dhëna private?
    Në nëntor 2025 BIRN i drejtoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar kontratat me kompanitë që kishin në shfrytëzim hapësirën publike për reklamim nga viti 2018 deri në fund të 2024-ës.
    Qasja në dokumente kërkoi gati 1 vit.
    Saga e kërkesës për informacion nisi me përplasjen e dy zyrave brenda bashkisë. Fillimisht, Drejtoria Juridike i komunikoi Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave, por edhe BIRN-it, se përgjigja nuk ishte kompetencë e saj. Ndërkohë, DPTTV-ja, në një letër dërguar BIRN-it dhe kolegëve të saj në zyrën juridike, këmbënguli se informacioni i kërkuar “nuk ekzistonte”.
    “Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore nuk ka lidhur kontrata me subjekte tregtare për shfrytëzimin e hapësirave publike”, thuhej në shkresë. Por vetëm pak rreshta më poshtë, e njëjta drejtori pohonte të kundërtën: informacioni ekzistonte, por konsiderohej “e dhënë personale”.
    BIRN u ankua pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, por bashkia vijoi refuzimin, duke argumentuar se e drejta për përdorimin e hapësirës publike nuk ishte dhënë përmes “kontratave”, por përmes dokumenteve të quajtura “leje”.
    Më 16 janar 2025, BIRN paraqiti një kërkesë të re, kësaj radhe duke cituar në mënyrë të detajuar Vendimin e Këshillit Bashkiak dhe formulimin ligjor të përdorur nga bashkia.
    Por edhe më 24 janar, Bashkia e Tiranës iu përgjigj me të njëjtin refren: informacioni nuk mund të jepej pasi përmbante të dhëna personale. “Legjislacioni i posaçëm nuk e lejon identifikimin e tatimpaguesit specifik”, shkruhej në letër.
    I bindur se emrat e kompanive dhe hapësira publike e dhënë në përdorim nuk përbënin të dhëna personale, BIRN paraqiti një tjetër ankesë te Komisioneri. Pasi KDI konstatoi shkeljen, bashkia pranoi të jepte informacionin, por vonoi dorëzimin, kërkoi një pagesë prej 5850 lekësh dhe vetëm më 13 gusht vuri në dispozicion një dosje me 1170 faqe.
    Kur dokumentet mbërritën, BIRN konstatoi se emrat e kompanive dhe NIPT-et ishin fshirë. Çdo leje përmbante vetëm argumentimin standard ligjor, datën, vendndodhjen dhe sipërfaqen e reklamës.
    Po atë ditë, BIRN njoftoi KDI-në se dokumentacioni, përveç kostos së panevojshme për mjedisin, nuk përmbushte kërkesën për informacion, pasi NIPT-i dhe emri i kompanisë nuk janë të dhëna personale.
    Tri javë më vonë, më 3 tetor, bashkia u rikthye me një premtim për informacion të plotë dhe kërkoi edhe 10 ditë shtesë.
    Më 15 tetor, pas një sage që zgjati gati një vit, BIRN mori në dorë dosjen finale – këtë herë me emrat e kompanive dhe planimetrinë e vendosjes së reklamave në rrugët e Tiranës.
    Mirela Ruko, këshilltare në Këshillin Bashkiak nga Lëvizja Bashkë, tha se mungesa e transparencës ishte kthyer në normë për zyrtarët e bashkisë.
    “Bashkia e Tiranës më ka refuzuar edhe mua disa herë informacionin, duke përdorur të njëjtin justifikim absurd që ka marrë edhe BIRN-i,” u shpreh ajo. “Këto janë përpjekje të hapura për të fshehur informacionin.”
    Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Ilir Alimehmeti, këshilltar i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak. Ai shtoi se përdorimi i argumentit të “të dhënave personale” për të ndaluar dhënien e informacionit ishte një mënyrë për të mbuluar problemet.
    “Absolutisht bëhet fjalë për fshehje të qëllimshme dhe për një dëm të mundshëm ekonomik,” tha Alimehmeti.
    Koncesioni i fshehur
    Dokumentet e vënë në dispozicion nga bashkia, tregojnë se gjatë viteve 2018 – 2021, tregu i citylight-eve ishte më i larmishëm dhe përfshinte kompani si “Platea sh.a.”, “Iris sh.p.k.”, “La Strada”, “City Wings” dhe “Albartex”, të cilat zotëronin, kush më shumë e kush më pak, leje për hapësira të ndryshme në qytet. Edhe në këtë rast, kompanitë rezultojnë të kenë aksionerë të përbashkët dhe i afrohen më shumë një oligopoli me pak emra dominues.
    Lejet e lëshuara në këtë periudhë – gjithsej 160, të ndara sipas viteve dhe kompanive, kishin afat maksimal njëvjeçar, ndërsa në disa raste ishin edhe më të shkurtra.
    Por pas vitit 2021 panorama ndryshon rrënjësisht. Pikërisht në këtë moment, BNI shfaqet si përfituesi kryesor i një serie lejesh që, sipas ekspertëve, të marra së bashku funksionojnë si një koncesion i padeklaruar mbi hapësirën vizuale të Tiranës.
    Kompania është themeluar në vitin 2014 nga Beqir Nuredini dhe në fillim të vitit 2021 kontrollohej plotësisht prej tij. Megjithatë, struktura aksionere ndryshoi disa herë dhe aktualisht kompania kontrollohet 50% nga Flamur Salija dhe 50% nga Aleksandër Naçi.
    Pavarësisht ndryshimeve në pronësi, Beqir Nuredini vijon të ketë ndikim dhe interesa të lidhura me kompaninë, gjë që e pohoi edhe vetë në një bisedë telefonike me BIRN.
    Nuredini, i cili më herët ka zotëruar kompani në fushën e reklamimit, e themeloi BNI-në fillimisht si shoqëri tregtare. Vetëm në mars 2021, pak kohë para marrjes së lejeve të para nga bashkia, kompania përfshiu në objektin e veprimtarisë në QKB edhe reklamimin me city lights dhe ekrane LED.
    Më 6 prill 2021, Këshilli Bashkiak ndryshoi rregulloren e vitit 2018, e cila kufizonte afatin e lejeve për reklamimin në rrugë deri në një vit. Vendimi i ri autorizoi DPTTV-në të jepte leje 7-vjeçare për stenda afishimi ‘city lights’ dhe deri në 10-vjeçare për ekranet LED.
    Një javë më vonë, BNI siguroi e vetme mbi 423 leje për city lights, me afat deri në mars 2022. Vetëm një muaj pas, BNI mori leje për instalimin e 31 ekraneve LED në kryeqytet për një afat 10-vjeçar. Ndërsa në fund të shkurtit dhe fillim të marsit 2023, BNI mori mbi 421 leje të tjera për vendosjen e city lights për një periudhë 7-vjeçare.
    “Me qindra leje të dhëna deri në 2030–2031, hapësira fizike publike bëhet praktikisht e padisponueshme për operatorë të tjerë për një dekadë”, tha Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës kërkimore ekonomike ALTAX, duke e cilësuar këtë hap si bllokim të tregut.
    Sipas tij praktika e ndjekur kishte eliminuar konkurrencën dhe kishte rritur rrezikun e abuzimit me çmime nga një operator dominues.
    “Kjo krijon një barrierë absolute hyrjeje, duke eliminuar mundësinë e konkurrencës së re ose zgjerimit të operatorëve ekzistues”, shtoi ai.
    Lejet pë BNI janë firmosur nga ish-drejtori i DPTTV-së, Arlin Naska, i cili këmbënguli se procesi ka qenë i hapur.
    “Të gjithë subjektet mund të aplikonin”, tha ai. “Në lidhje me pyetjen e nxitimit, nuk e mbaj realisht mend sa ka qenë kjo kohë, po dikush tjetër do të thoshte të njëjtën gjë nëse do të merrte kohë më të gjatë”, tha Naska, duke iu referuar dhënies së qindra lejeve në një periudhë disa-ditore.
    Edhe themeluesi i BNI, Beqir Nuredini mohoi se kishte krijuar monopol dhe këmbënguli se kompanitë e tjera mund të aplikonin lirisht.
    “Nuk janë të ndaluar të aplikojnë të tjerët,” tha ai në një bisedë telefonike.
    Nuredini argumentoi se arsyeja pse kompani të tjera nuk kërkonin leje ishte mungesa e tregut. “Jo se nuk ka fitim, por nuk ka treg,” u shpreh Nuredini, duke pretenduar se puna ishte e përqendruar kryesisht në verë dhe gjatë sezonit të festave.
    Megjithatë, ndryshe nga sa pohon ai, rregullorja e Bashkisë Tiranë që menaxhon përdorimin e hapësirës publike vendos kufizime të qarta fizike, duke e bërë thuajse të pamundur marrjen e lejeve në zonat ku reklamat ekzistuese janë tashmë të instaluara.
    Gjokutaj sugjeroi se në një situatë të tillë duhej ndërhyrja e Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa shpjegoi se kishte vendime të ngjashme në Bashkimin Europian.
    “Autoriteti i Konkurrencës ka kompetencë të plotë të hapë hetim dhe të rekomandojë anulimin ose rihapjen me gara të lejeve ekzistuese, si dhe të propozojë ndryshime në rregulloren e bashkisë për të futur ankande periodike”, tha ai.
    Sipas tij, hapja e garës do të rriste të ardhurat publike dhe do të ulte rreziqet korruptive.
    Klientelizëm politik
    Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, Partia Socialiste përdori gjerësisht reklamat LED dhe city lights, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, për të shpërndarë mesazhet e saj elektorale dhe ato të kandidatëve për kryetar bashkie.
    Por pasi dorëzoi raportin e saj për financat zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PS deklaroi zero shpenzime për këtë formë komunikimi politik.
    Ndryshe nga raporti financiar, auditi i pasqyrave financiare të Partisë Socialiste raportoi se një shumë prej 9.2 milionë lekësh – e paguar nga ky subjekt për kompaninë BNI, fillimisht e raportuar si shpenzim për reklama në rrjete sociale, përfshinte edhe shpenzime për reklama në natyrë.
    Rigels Xhemollari, drejtues ekzekutiv i organizatës Qëndresa Qytetare, i tha BIRN se Partia Socialiste ‘ishte favorizuar’ gjatë fusharës zgjedhore të vitit 2023, për sa i takon ekspozimit në city lights dhe ekrane LED.
    Edhe Mirela Ruko nga Lëvizja Bashkë shpreh dyshime se procesi ka qenë klientelist.
    “Kjo mënyrë veprimi është pjesë e një sjelljeje të vazhdueshme të administratës së drejtuar nga Erion Veliaj – një sjellje që lidhet drejtpërdrejt me klientelizmin dhe me grupime të organizuara brenda bashkisë,” tha ajo.
    Këshilltari tjetër i opozitës, Ilir Alimehmeti, tha se momenti kur u dhanë masivisht lejet nuk dukej aspak rastësor, por një përpjekje për të kontrolluar hapësirën vizuale të qytetit.
    “Duke qenë se koha përkon saktësisht me fushatën elektorale vendore të vitit 2023, dyshimi i arsyeshëm është se kemi të bëjmë me një manovër elektorale për kontrollin e hapësirave vizuale,” theksoi ai.
    Por Nuredini i mohoi lidhjet e shkurtra me partitë politike. Ai theksoi se hapësira u ishte vënë në dispozicion njësoj të gjitha palëve dhe se për të partitë politike ishin thjesht klientë.
    “Për mua është biznes, unë në fund u marr lekët, nuk më intereson cila parti është”, përfundoi ai./BIRN

  • Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

    Monopoli i reklamave ‘city lights’ kufizoi garën elektorale për bashkinë e Tiranës

    POSTER NE TIRANE

    TIRANË- Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, rrugët e Tiranës u mbushën me postera elektoralë të Partisë Socialiste në pushtet, të afishuara në stenda ‘city lights’ dhe ekrane LED të instaluara në rrugët dhe kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.

  • “Pena e Shkodrës” vijon rrugëtimin, del në librari volumi i 10- të jubilar, i mbështetur nga Bashkia Shkodër

    “Pena e Shkodrës” vijon rrugëtimin, del në librari volumi i 10- të jubilar, i mbështetur nga Bashkia Shkodër

    Nga dita e sotme, “Pena e Shkodrës”, një botim voluminoz dhe shumë serioz për letërsinë shqiptare, është në libraritë e qytetit të Shkodrës. Tashmë në volumin e 10- të të saj, “Pena e Shkodrës” është rreshtuar me dinjitet në lëminë e botimeve të fushës.
    Në këtë numër jubilar, i cili është mbështetur nga Bashkia e Shkodrës, do të mund të gjeni krijimtarinë e emrave të mirënjohur si Alfred Çapaliku, Ridvan Dibra, Stefan Çapaliku, Xhabir Tabaku, Kolec Traboini, Namik Dokle, Xhahid Bushati, Zija Çela, Enkel Demi, Frano Kulli e shumë e shumë autorë.
    Ashtu siç edhe volumet e tjera, nga numri 3 e deri më sot, antologjia periodike “Pena e Shkodrës” vijon të publikohet nën kujdesin e kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës, Zija Vukaj. Pas mbylljes së pakuptimtë të revistës “Gegnia”, “Pena e Shkodrës” është e vetmja që vijon të rezistojë në treg, me dëshirën e shpresën e vazhdimësisë.
    Në fund, një thirrje miqësore për institucionet shtetërore- publike por edhe biznese e dashamirës të letërisë: ti afrohen dhe ta mbështesin këtë iniciativë, e cila po mbahet në këmbë me shumë sakrifica. Është një sherbim që i bëhet jo vetëm Shkodrës por edhe letërsisë shqiptare në përgjithësi për sot e sidomos për vitet që do të vijnë. /ShkodraWeb/

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

    Post navigation

  • Publikohet ‘lista e zezë’ e bashkive, ja qyteti që ka kaluar edhe Tiranën për borxhet e pashlyera

    Publikohet ‘lista e zezë’ e bashkive, ja qyteti që ka kaluar edhe Tiranën për borxhet e pashlyera

    Bashkitë kane treguar përgjegjshmëri në uljen e detyrimeve të prapambetura ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
    Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se deri në Shtator 2025 borxhet e mbartura të bashkive kundrejt kompanive që kryejnë punë publike por edhe qytetarëve regjistrohen në vlerën  e 2.8 miliardë lekëve apo 28 milionë eurove.
    Aji që vihet re është se ka një tendencë të reduktimit të detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor prej  afro 800 milionë lekë apo 8 milionë euro në raport me fundin e Qershorit 2025, dhe po ashtu reduktim në krahasim me Dhjetorin 2024, ku stoku regjistrohej në 33 milionë euro.
    Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut megjithëse ka pasur ecuri pozitive në dy vitet e fundit, sërish ka luhatje të herëpashershme nga një tre mujor në tjetrin. Edhe pse qëllimi është që stoku i detyrimeve të prapambetura të zerohet totalisht.
    Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve rreth 10 milionë euro janë detyrime të papaguara për investime publike, 5 milionë euro për shërbime,  rreth 2.5 milionë euro vendime të gjykatave dhe 7 milionë euro shpenzime të tjera.
    Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.
    Konkretisht në vendin e parë renditet bashkia Kavajë, e cila ka lënë pas Bashkinë Tiranë që kryesonte deri në Qershor. Kavaja rezulton me një vlerë detyrimesh në rreth 7.2  milionë euro.
    Më pas renditet bashkia Pogradec me 2.6  milionë euro borxhe,  ndjekur nga  bashkia Tiranë me 2 milionë euro, më pas vjen bashkia Dimal me 1.7 milionë euro dhe Rrogozhinë me 1.6 milionë euro, duke ia lënë radhën Vorës, Dibrës dhe Lezhës.
    Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Vlorë, Shkodër, Korçë dhe  Has.
    Bashkitë që tregojnë përgjegjshmëri në drejtim të shlyerjes së detyrimeve si dhe mirëmenaxhimit financiar, përfitojnë më shumë nga granti i perfomancës.
    Detyrimet e prapambetura të bashkive, Shtator 2025
    Bashkia Kavajë 7.2 milionë euro
    Bashkia Pogradec 2.6 milionë euro
    Bashkia Tiranë  2 milionë euro
    Bashkia Dimal 1.7 milionë euro
    Bashkia Rrogozhinë 1.6 milionë euro

  • Mes skamjes e sëmundjes, apeli për ndihmë i nënës në Delvinë: Bashkia nuk na ndihmon, po jetojmë si qeni

    Mes skamjes e sëmundjes, apeli për ndihmë i nënës në Delvinë: Bashkia nuk na ndihmon, po jetojmë si qeni

    Kjo është strehëza që fati i ka rezervuar prej vitesh 74-vjeçares Hasime Rakipi dhe djalit të saj të sëmurë nga epilepsia.

    Pa kushte higjeno–sanitar, në vështirësi ekonomike e shëndetësore, kjo familje është e njohur në Delvinë, për kushtet me të cilat përballet.

    E sikur të mos mjaftonte e gjitha, e moshuara dhe djali i saj i sëmurë gdhihen e ngrysen prej vitesh në errësirë, pasi faturat e papaguara sollën ndërprerjen e energjisë prej më shumë se dy vite.

    Në pamundësi për të dalë nga kjo situatë vetë, nëna tregon për Report TV se ka trokitur disa herë në dyert e pushtetit vendor, ka marrë dhjetëra premtime, por kurrë një zgjidhje.

    “Me sëmundje toke e kam djalin. Bie gjithmonë djali. Kemi vajtur në bashkia, bashkia nuk merr pjesë. Do të bëjmë neve thonë ata, hiç gjë. Jetojmë si qeni”,- thotë 74-vjeçarja.

    E lodhur nga vitet që mban mbi supe, e rënduar edhe nga situata në të cilën ndodhet, 74 vjeçarja ende shpreson se dikush do të mendojë, të paktën për një strehë ku të mund të përjetojë “luksin” e të pasurit një tualet, siç e quan ajo. /shqiptarja.com

  • Qarku Korçë/ Reshje shiu dhe dëbore, ja si paraqitet situata orët e fundit

    Qarku Korçë/ Reshje shiu dhe dëbore, ja si paraqitet situata orët e fundit

    Situata në territorin e Qarkut të Korçës është e qëndrueshme dhe nën kontroll pas reshjeve të fundit. Institucionet vendore dhe shërbimet emergjente vijojnë punën për normalizimin e zonave të prekura.
    Bashkia Korçë:
    Situata pas reshjeve është normale.
    U intervenua për pastrimin e urave të bllokuara dhe sistemimin e rrugëve të dëmtuara.
    Rruga Lekas–Mazrek është hapur, ndërsa Lekas–Denas mbetet e izoluar.
    Bashkia Kolonjë:
    Po punohet me mjete fadrome në rrugën e fshatit Leshnjë.
    Rruga Lubonjë–Rehovë–Korçë është e riparuar dhe e kalueshme.
    Bashkia Maliq:
    Aksi Tre Urat–Velçan–Mesmal është i hapur, por ka dëmtime strukturore që kërkojnë ndërhyrje afatgjatë.
    Fshati Desmirë ka humbur urën këmbësore; po përdoren masa provizore derisa të ndërtohet ura e re.
    Në Gjinikas dhe Osojë janë evidentuar dëmtime në urat dhe rrugët.
    ARRSH – Drejtoria Qendër-Lindje:
    Qarkullimi në të gjithë akset e raportuara vijon normalisht pa problematika.
    OSHEE
    Të gjithë fiderat janë në punë, nuk ka problematika.
    Bashkitë Pogradec, Pustec dhe Devoll:
    Vijohet puna për pastrimin e përrojeve dhe rregullimin e dëmeve të konstatuara.
    Institucionet vendore njoftojnë se situata në rang qarku mbetet nën kontroll dhe çdo zhvillim i ri do të publikohet menjëherë.

  • Bashkia Vlorë me administratën më të fryrë në vend për 2026, Brunilda Mersini kërkon të shtojë numrin e punonjësve

    Bashkia Vlorë me administratën më të fryrë në vend për 2026, Brunilda Mersini kërkon të shtojë numrin e punonjësve

    Bashkia e Vlorës ka depozituar në Këshillin Bashkiak projektvendimin për strukturën dhe pagat e vitit 2026. Parashikohet bashkimi i disa ndërmarrjeve, shtimi i personelit dhe rritja e pagave. Projekvendimi është firmosur nga kryetarja e re, Brunilda Mersini.
    Administratë e fryrë, rritje e numrit të punonjësve në të gjitha sektorët
    Në projekvendimin që pritet të kalojë këtë javë për votim në këshill, ndër të tjera shkruhet se administrata e Bashkisë së Vlorës do të ketë mbi 1,100 punonjës, duke e bërë një nga bashkitë më të mëdha dhe më të kushtueshme të vendit. Prej tyre, 394 do jenë në administratë qendrore, të tjerët në institucionet e varësisë.
    Projektvendimi parashikon gjithashtu shtim të personelit për Policinë Bashkiake, duke e argumentuar me rritjen e detyrave. Efektivët përfitojnë shtesë prej 4,000 lekësh për vështirësi në punë. Ajo ccka vihet re është se rritja e stafit nuk shoqërohet me analiza për koston dhe as nuk ka objektiva të qarta.
    Bashkimi i Ndërmarrjes së Gjelbërimit me Ndërmarrjen e Pastrimit
    Në relacion thuhet se Ndërmarrja e Gjelbërimit do bashkohet me Pastrimin. Për vitin 2026, ndërmarrja e re do të ketë 336 punonjës, duke u shndërruar në strukturën më të madhe të bashkisë. Por në praktikë, rritja e kësaj ndërmarrjeje do të thotë edhe shtim të kostos së pagave.
    Transferimi i sektorit të ndriçimit te Ndërmarrja e Shërbimeve Publike
    Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është zhvendosja e sektorit të ndriçimit nga Drejtoria e Infrastrukurës tek Ndërmarrja e Shërbimeve Publike. Bashkia argumenton se kjo do të sjellë koordinim më të mirë, shfrytëzim më efikas. Kjo ndërmarrje do ketë 150 punonjës dhe do të vendoset në godinën e ish-gjimnazit “Shaban Demiraj” Bashkia e justifikon këtë me mungesën e hapësirave dhe rritjen e volumit të punës.