edi rama
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë reagimin e tij të parë pas zgjedhjeve të pjesshme të së dielës, ku socialistët arritën të merrnin fitore të thellë në 5 bashki, pavarësisht pjesëmarrjes mjaft të ulët të qytetarëve. Rama ka veçuar kryebashkiaken e zgjedhur të Vlorës, Bruna Mersinin, që do të jetë e para grua në krye të qytetit, si dhe rezultatin historik të arritur në Berat, duke marrë 83% të votave.
Postimi i Ramës
5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk është se e stimulojnë pjesëmarrjen.
Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës;
Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës;
Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve.
Bashkia e Beratit do të drejtohet nga Ervin Ceca i cili në këto zgjedhje arriti të siguronte 13,050 vota, që përbëjnë 83.35% të totalit, duke lënë pas me diferencë të thellë kandidatin e mbështetur nga Partia Demokratike, Pavlo Shkarpa, i cili siguroi 2,607 vota ose 16.65%.
Garën për drejtimin e Bashkisë së Tepelenës e fitoi kandidati i Partisë Socialiste, Gramoz Sako, i cili arriti të merrte 77.85% të votave, përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Gabriel Guma, që mori 22.15%.
Bashkia e Cërrikut për një mandat rreth 1 vit e gjysmë do të drejtohet nga Florenc Doka i cili në këto zgjedhje mundi të siguronte fitoren e thellë me 6,201 vota, që përbëjnë 66.22% të totalit, ndërsa “kundërshtari i tij” në këtë garë Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike, mori 1,888 vota ose 20.16%.
Në krye të garës për Bashkinë e Vlorës u pozicionua Brunilda Mersini e cila shënoi një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti. Ajo siguroi 15,573 vota, që përfaqësojnë rreth 78% të totalit, duke e bërë rezultatin të pakontestueshëm.
Dy kandidatët e tjerë në garë, Dionis Sota (i pavarur, i mbështetur nga Partia Demokratike) dhe Gjergji Nika (i pavarur), morën përkatësisht 233 vota (11.6%) dhe 1,975 vota (9.8%).
Ndërsa Bashkia e Matit, e fundit që mbylli numërimin e votave, do të drejtohet gjithashtu nga socialisti Altin Bojni. Ky i fundit shënoi fitore me difencë të thellë ndaj dy kandidatëve të pavarur, Eduart Brahilika kandidat i mbështetur nga opozita dhe Suzana Pasha, kandidatja e pavarur, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në këtë bashki.
Bojni siguroi 7425 vota ose 66.54 % të totalit, kandidati i mbështetur nga opozita ka siguruar 3318 vota ose 28.54 %, ndërsa ish-drejtuesja e Forumit të Gruas Socialiste në Bashkinë Mat ka marrë vetëm 547 vota në këtë bashki ose 4.92 %.









