12 studio arkitekture nga vende të ndryshme prezantuan projektet e tyre për “Parkun e Besimit” një hapësirë që do të ndërtohet në Petrelë, brenda të cilit do të bashkëjetojnë të gjitha komunitetet fetare në vend.
I pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky park do të jetë një hapësirë reflektimi shpirtëror dhe gjithashtu shpalos qartë historinë e vendit tonë.
“Ky është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësirë, është një transformim kuptimplotë dhe s’ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës, por duam të mbjellim pemë, shpresë e vazhdimësi. Parku i Besimit nuk është simbol i fesë, është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje se në çfarë besoni, të vini re formën e pemëve e të ullirit dhe të kuptoni atë çfarë kuptuan paraardhësit tanë, që zhvillimi nuk ishte thjesht në sfond, ishte në fakt shkrim i shenjtë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se shqiptarët nuk kanë nevojë të shpikin tolerancën fetare, pasi ajo ekziston prej shekujsh tashmë.
“Një vend ku askush nuk pyetet në çfarë anë qëndrojë, por pyetja e vetme është a mundesh ende të mrekullohesh nga jeta. Ne shqiptarët nuk kemi nevojë ta shpikim tolerancën, komunitete tona janë rritur në xhami, kisha. Trashëgimia jonë nuk ka qenë përherë e lehtë, por ka qenë e urtë”, tha shefi i qeverisë.
Sipërfaqja ku do ndërtohet “Parku i Besimit” është 210 mijë metër katrorë buzë luginës së Erzenit. Projekti duhet të ideohet për të pritur 30 mijë vizitorë në vit. Brenda tij do të ketë struktura që do të shërbejnë për evente të vogla por edhe për ngjarje me kapacitet deri 500 persona./vizionplus.tv

