Tag: bashës

  • BIRN: “Euroatlantikët”, përpjekje e Bashës për të qëndruar në politikë, pa ide të reja dhe vizion

    BIRN: “Euroatlantikët”, përpjekje e Bashës për të qëndruar në politikë, pa ide të reja dhe vizion

    Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës ofron mbështetje për drejtësinë dhe subvencione për familjet, por analistët janë kritikë ndaj programit dhe e shohin atë si përpjekje të Bashës për të qëndruar në skenën politike.
    Lulzim Basha, ka zhveshur kostumin e dikurshëm partiak dhe po shkon drejt zgjedhjeve të 11 majit me një profil më sportiv dhe retorikë populiste, në një betejë për mbijetesën e tij politike.

    Pasi humbi në gjykatë përplasjen me ish-kumbarin e tij politik, Sali Berisha, për siglën dhe vulën e Partisë Demokratike, Basha themeloi “Demokratët Euroatlantikë” së bashku me një grup të vogël deputetësh që i qëndruan atij besnikë.
    Ai garon në zgjedhjet e 11 majit si “Koalicioni Euroatlatik”, një nga fraksionet e shkëputura nga trungu i Partisë Demokratike pas konfliktit të brendshëm 4-vjeçar që nisi me vendimin e Bashës për të përjashtuar Berishën nga partia, pas shpalljes së tij non- grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Në dallim nga PD e Berishës, Koalicioni Euroatlantik i Bashës mbështet pa doreza Prokurorinë e Posaçme, SPAK dhe synon që të kapitalizojë vota të djathta në këtë drejtim.
    “Koalicioni Euroatlantik është i vendosur të mbështesë drejtësinë dhe të forcojë luftën kundër korrupsionit. Duke luftuar korrupsionin, ne mundësojmë më shumë investime, punësim, mirëqenie dhe shërbime cilësore për qytetarët tanë”, thuhet në përmbledhjen e programit që iu vu në dispozicion BIRN.
    Koalicioni prezanton një program të qendrës së djathtë, me taksa të ulëta dhe kthimin e pronës te pronarët, por nga ana tjetër përfshin stimuj socialë për familjet dhe premtime për mbështetje të rritjes së lindshmërisë apo buxhetit për arsimin.
    Sa i përket kostove, Koalicioni Euroatlatik, premton se paratë do t’i nxjerrë përmes luftës ndaj korrupsionit dhe ngritjes së një strukture të re për konfiskimin e pasurive të grabitura.
    Megjithatë, programi i tij nuk i ka bindur analistët politikë se mund të sjellë ndonjë ndryshim në zgjedhjet e 11 majit.
    Neritan Sejamini, konsulent strategjish dhe analist politik, e konsideron Koalicionin e Bashës një “projekt personal”, ndërsa programin e prezantuar prej tij si një “seri bulletpoints” (pika referimi), pa ide të reja dhe vizion.
    “Modeli i Bashës nuk sjell asgjë të re, por përfaqëson modelin e politikanit shqiptar që nuk pranon të ikë”, thotë Sejamini.
    Ndërkohë, gazetari dhe analisti Arion Sulo, e sheh programin e Koalicionit Euroatlantik si një përpjekje për të adresuar problematika, por thekson se zgjedhjet nuk do të varen nga programet elektorale.
    “Është në letër një përpjekje që adreson problematika të forta, të cilat rrezikojnë ta kthejnë vendin në një azil të moshuarish”, tha Sulo.
    “Zgjedhjet tek ne nuk varen nga programi që ke, por nga fuqia financiare, faktorët elektoralë të ligjshëm e të paligjshëm, klientelizimi që është pothuaj i gjithi me partinë në pushtet dhe mediat që e mbështesin”, theksoi ai.
    Kritikat për programin
    Lulzim Basha, ka tashmë një përvojë 20 vjeçare në politikë, i angazhuar fillimisht si drejtues i KOP-it, një nismë e Partisë Demokratike për të afruar figurat e reja në vitin 2005. Gjatë dy mandateve të qeverisjes së Berishës [2005-2011], Basha mbajti portofole të rëndësishme qeveritare, duke u projektuar si pasardhësi i Berishës në PD.
    Në vitin 2011, ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës përballë Edi Ramës në një garë të kontestuar ashpër. Pas dorëheqjes së Berishës nga drejtimi i partisë në vitin 2013, Basha u zgjodh kryetar me mbështetjen e tij dhe e drejtoi Partinë Demokratike në 4 fushata elektorale kombëtare, tre nga të cilat i humbi dhe në njërën prej tyre (zgjedhjet lokale 2019) nuk mori pjesë.
    Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2021, Basha e gjeti veten në një përplasje me ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin tentoi ta mënjanonte nga politika aktive për shkak të shpalljes non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Si rezultat, Basha u detyrua të largohej nga Partia Demokratike dhe bashkë me mbështetësit e tij, u grupuan te Koalicionin Euroatlantik, duke pretenduar të qëndrojnë njëherazi kundër Ramës dhe Berishës.
    Në rast fitoreje, Koalicioni Euroatlantik premton heqje vizash me SHBA-të brenda mandatit të parë dhe mbështetje me 20 mijë euro për familjet që sjellin në jetë fëmijën e tretë. Në ato që quhen zotimet kryesore të programit parashikohet subvencionim i familjeve të reja dhe ofrimi i ushqimit në shkolla për fëmijët, subvencion direkt dhe indirekt me 150 milionë euro në vit për fermerët, pensione të posaçme për ish-të përndjekurit politikë dhe krijimi i një force të re policore të pagëzuar si “xhandarmëri”.
    Në ndryshim nga PD-ja zyrtare, Euroatlantikët e kanë bazuar fushatën në akuzat dhe dënimet ndaj figurave të rëndësishme të mazhorancës. Në një seri replikash në distancë me kryeministrin Edi Rama, batutat e Bashës “Rama ku i ke shokët” dhe “7 X 7 baraz 313” u bënë virale në rrjet të shoqëruara edhe me këngë rap.
    Gjithashtu, partia premton zgjerim të mbështetjes për drejtësinë dhe ngritje të institucioneve të reja për rikuperimin e pasurive të vjedhura.
    Por Arion Sulo, e sheh të zbehtë programin e Koalicionit Euroatlantik, ashtu sikurse edhe të partive të tjera opozitare, të cilat nuk adresojnë sipas tij problemin themelor të një sistemi autokratik në Shqipëri.
    “Çfarë qasje kanë për oligarkinë ekonomike, kriminale dhe mediatike? Pa zgjidhur ndryshimin e modelit dhe sistemit që është vendosur prej 10 vitesh, programet elektorale janë pa vlerë”, tha Sulo.
    Duke arsyetuar se teknikalitetet në programe nuk do i bindin votuesit, Sulo thotë se Basha duhej të kishte synuar një koalicion më të madh të së djathtës.
    “Basha minimumi duhet të ishte pjesë e një koalicioni të gjerë të partive opozitare, qoftë dhe pa PD-në e Berishës. Një bashkim me Lapaj, Shabanin, Alibeaj, Topin, Shehin etj do të kishte një kuptim politik dhe numerik dhe nuk do të digjte mijëra vota të së djathtës, që do të shkojnë për PS dhe Ramën në 11 maj”, shtoi ai.
    Për Neritan Sejaminin, pikat e prezantuara nga Koalicioni Euroatlantik, nuk mund të shihen si program elektoral, pasi premtimet janë të shkëputura nga çdo analizë apo mekanizëm zbatimi dhe nuk përmbajnë asnjë kosto reale.
    “Nuk ka programe fare, të gjitha këto janë një tufë premtimesh në nivelin primitiv,” tha ai, duke iu referuar edhe partive të tjera. “Takojnë një njeri, ai u thotë një problem dhe këta i premtojnë që do ta zgjidhin”, shtoi më tej Sejamini.
    Në aspektin elektoral, Sejamini është skeptik për suksesin e koalicionit jashtë Tiranës për shkak të sistemit zgjedhor, ku “dy partitë e mëdha dominojnë krejtësisht”.
    Ai thotë se edhe në kryeqytet, Basha duhet të provohet për herë të parë si lider i një force politike.
    Përtej partisë së Bashës, Sejamini thotë se fushatës për zgjedhjet e 11 majit i mungojnë emocionet dhe nuk sheh se si ajo do të prekë votuesin.
    “E gjithë kjo fushatë, nga të gjitha partitë politike, janë e njëjta gjë si gjithmonë, fushata amatore, kritiko-kritiko, pa krijuar një lidhje emocionale me votuesit, pa krijuar një imazh që i prek votuesit në nivel emocional”, tha Sejamini, ndërsa shtoi: “votuesi nuk analizon programe në mënyrë teknike”.

  • Kryeministri ‘ngel në klasë’/ Hapi zyrtarisht fushatën e tij politike, Rama kopjon skenografinë e Bashës në 2021-shin

    Kryeministri ‘ngel në klasë’/ Hapi zyrtarisht fushatën e tij politike, Rama kopjon skenografinë e Bashës në 2021-shin

    Kryeministri Edi Rama ka çelur zyrtarisht fushatën e tij politike, por ajo që tërhoqi menjëherë vëmendjen nuk ishte vetëm pjesëmarrja e detyruar e administratës publike, por skenografia. Me një sfond të stolisur me yjet blu të Bashkimit Evropian, Rama duket se ka zgjedhur të kopjojë pamjen vizuale të fushatës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2021.
    Ndërsa në atë kohë, Basha dhe PD premtonin një integrim të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe një luftë të hapur kundër korrupsionit, Edi Rama sot e përdor simbolikën e BE-së në një kohë kur shumë prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ndodhen në burg ose janë nën hetim, pikërisht për afera të rënda korrupsioni. Ironia qëndron në faktin se Rama premton Evropën, ndërsa sistemi që ai drejton është shpesh përmendur si pengesa kryesore për integrimin e vendit.
    Kjo qasje e re e Ramës ngjall debat nëse kemi të bëjmë me një përpjekje të dëshpëruar për të rikuperuar imazhin e një qeverie të rrënuar nga skandalet, apo me një strategji të qëllimshme për të përvetësuar retorikën dhe pamjen e opozitës. Në çdo rast, qytetarët duket se po përballen sërish me një fushatë ku fasada mbizotëron mbi thelbin.

  • Fushata e Bashës fiton mbështetjen e CDU-së gjermane , Falenski në Tiranë për programin e Koalicionit Euroatlantik

    Fushata e Bashës fiton mbështetjen e CDU-së gjermane , Falenski në Tiranë për programin e Koalicionit Euroatlantik

    Koalicioni Euroatlantik ka tërhequr vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke marrë mbështetjen e CDU-së gjermane. Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum – zëdhënës i CDU-së në Bundestag për çështjet europiane – ndodhet sot në Tiranë për t’u bërë pjesë e fushatës së Lulzim Bashës.
    Falenski ndjek nga afër zhvillimet politike në Ballkan dhe është një njohës i vjetër i Shqipërisë. CDU ka kontribuar në hartimin e programit elektoral të Koalicionit Euroatlantik, të prezantuar më 1 qershor 2024, duke sjellë përvojën dhe standardet europiane në qendër të politikave të propozuara.
    Pjesëmarrja e përfaqësuesit të CDU-së është tregues i partneritetit të konsoliduar dhe besueshmërisë që Lulzim Basha gëzon në qendrat kyçe të politikëbërjes europiane dhe amerikane – përballë një audience ndërkombëtare gjithnjë e më të përfshirë në zhvillimet politike shqiptare.
    Prania e Falenskit në krah të Bashës nënvizon vëmendjen që CDU i kushton Koalicionit Euroatlantik, si e vetmja forcë që mbështet SPAK-un dhe që nuk ka probleme me drejtësinë. CDU ka marrë një pozicion të qartë në mbështetje të një lidershipi që përfaqëson angazhimin për një të ardhme europiane për Shqipërinë.

  • Lulzim Basha i merr gjysmën e elektoratit Sali Berishës, PD pa frymë dhe e përçarë si parti drejt 11 majit, zbardhet…

    Lulzim Basha i merr gjysmën e elektoratit Sali Berishës, PD pa frymë dhe e përçarë si parti drejt 11 majit, zbardhet…

    Lulzim Basha po tregon se është surpriza e padiskutueshme e fushatës së 11 majit, duke rrëmbyer zemrat dhe votat e demokratëve. Një sondazh i brendshëm i vetë Partisë Demokratike, aktualisht e drejtuar nga Sali Berisha, tregon një përmbysje tronditëse: 50% e demokratëve tashmë mbështesin Bashën, ndërsa vetëm 30% qëndrojnë pas Berishës dhe 20% janë të zhgënjyer dhe pa orientim, duke i dhënë Bashës terren të pastër për të dominuar. Ky sondazh i publikuar në një moment kyç, ka krijuar panik në kampin e Berishës dhe konfuzion të thellë në strukturat e PD-së.
    Fushata e Bashës ka marrë përmasa virale me mbi 1.2 milionë shikime në vetëm një javë në Facebook, pa përfshirë shpërndarjet e panumërta në rrjete të tjera. Në çdo dalje publike, ai po shfaqet si lideri modern që demokratët kishin kohë që e kërkonin. Edhe kundërshtarët më të egër të Bashës janë detyruar të pranojnë rikthimin e tij spektakolar. Të shqetësuar nga rritja e tij, disa prej tyre po përpiqen ta imitojnë, të tjerë kërkojnë formula të reja për ta ndalur. Por shifrat flasin vetë: në krahasim me Bashën, as Rama me makinerinë e tij propagandistike nuk po arrin të ngjallë aq shumë interes. Basha ka kapërcyer pengesa të mëdha, nga sulmet denigruese deri te tradhtitë brenda partisë.
    Skema
    Por sot, ai është në majë të valës, me një stil politik të freskët dhe europian. Fushata e tij është ndryshe nga gjithçka tjetër në terren dhe ai shihet gjithnjë e më shumë si alternativa reale për të ardhmen. Nëse në 2021 Basha luftoi i vetëm, në 2025 ai po ecën si një lider i ringjallur që ka mbrapa një valë të re mbështetjeje. Ai është bërë trendi i këtyre zgjedhjeve, duke kthyer çdo fjalë, çdo video dhe çdo takim në një magnet për publikun. Berisha dhe grupimi i tij po e shohin veten të përçarë dhe të paralizuar politikisht.
    PD është më e fragmentuar se kurrë më parë, ndërsa Basha po e kanalizon të gjithë potencialin drejt Koalicionit Euroatlantik. Kundërshtarët përpiqen të mohojnë ndikimin e tij duke thënë se klikimet nuk janë vota, por realiteti në terren është ndryshe. Qytetarët nuk ndjekin më thjesht figura politike, por kërkojnë liderë me vizion dhe koherencë dhe madje këtë e shohin te Basha. Pra nëse trendi aktual vazhdon, 11 maji pritet të jetë dita kur Lulzim Basha jo vetëm që rikthehet fuqishëm në skenën politike, por bën histori. Ai është jo thjesht në fushatë, por është vetë fushata.

  • “Rama-Basha gili-vili çdo ditë”, Berisha: U riktheva në politikë për shkak të…

    “Rama-Basha gili-vili çdo ditë”, Berisha: U riktheva në politikë për shkak të…

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me demokratët e Malësisë së Madhe, ku foli për situatën politike dhe replikat mes kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës.

    Kryedemokrati, replikat mes Ramës dhe Bashës i quajti ‘gili-vili’ të përditshëm.
    Më tej ai theksoi se ishin rrethanat e detyruan që të rikthehej në politikë.
    “A e shikoni çfarë ndodh me Lulzim Bravën, gili vili përditë me Ramën. A ka keqpërdorim më të madh se ky? Është keqpërdorim. Ishin rrethanat që më imponuan të kthehem. Që të kthehem më i sigurt se kurrë. Berisha nuk e bën këtë betejë për veten apo për familjen, por për Shqipërinë Madhështore, që vendi të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. E bëj këtë betejë për shqiptarët, që rrogat të jenë më të mira dhe cilësia e jetesës të rritet”, tha ndër të tjera ai.
    Sakaq gjatë fjalës së tij, Berisha tha se pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 11 majit, do të eliminohen taksat e larta për bizneset e vogla, duke vendosur një kufi maksimal prej 1% të xhiros për këto biznese.

    Top Channel

  • PD denoncon sërish në KQZ: Partia e Bashës po na i përdor simbolet edhe online!

    PD denoncon sërish në KQZ: Partia e Bashës po na i përdor simbolet edhe online!

    Partia Demokratike vijon të denoncojë në KQZ dhe autoritetet e tjera përkatëse atë që e quajnë keqpërdorimin e logove dhe simboleve të tyre.
    Pas denoncimit të demokratëve për keqpërdorimin e logos në zyrat ku zhvillon aktivitetin politik Lulzim Basha, tashmë kërkojnë dhe online mos të përdorë më simbolet dhe logot e tyre.
    Kjo kërkesë lidhet me faqen e internetit dhe mediat sociale që përdoren nga partia e Lulzim Bashës që në shumë raste përdoret dhe logo e Partisë Demokratike.

  • “Berisha ankohet pse të sulmojë unë ty”, Rama i përgjigjet Bashës: Është xheloz për ne mo burrë!

    “Berisha ankohet pse të sulmojë unë ty”, Rama i përgjigjet Bashës: Është xheloz për ne mo burrë!

    Edhe mbrëmjen e sotme kanë vijuar replikat në rrjetet sociale midis kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës.Përmes një video-montazhi, Rama i ka kthyer përgjigje Bashës për deklaratat e tij, ku nuk mungojnë dhe ironitë për Sali Berishën.
    Më frazën “O Rameeee”, ka nisur dhe ‘dialogu’ i sotëm mes tyre, ku kryeministri shprehet se është bërë tashmë frazë e njohur dhe ka shumë që po e thërrasin kështu.Dialogu në video-postimin e Ramës:
    Basha: O Rameee…!
    Rama: O Lul, po ku je o vlla, ku je?! Se ka dalë në modë kjo thirrja ‘O Rameeee…!’, edhe kush nuk më thërret, kështu që nuk ia kthej kokën, nuk ia var! Ku je më vlla?!
    Basha: Ça bohet me Ramë?
    Rama: Ça të bohet mo Lul, i shqetësum jam, shumë i shqetësum jam, për ty, kuptohet, se për vete e di që po e ndave mendjen, përfund edhe këtë herë. Po si do bëhet, se u ngrejte lartë kur u zgjove, më vure para, por ke ra. Ke ra prapë! Të tremb, të tremb ai dreq bufi më duket. S’je ai Lul cunami i dikurshëm, nuk je, nuk e ke atë, s’e di ça ka ndodh me ty!
    Basha: Ka dalë doktori me u anku, sepse të sulmoj unë ty. A e ndigjove ça thotë?
    Rama: A e shef, a e shef, rri e dëgjon bufin! Hala i thuaj doktori, po ça doktori me Lul?! Të shkuli si me qenë dhemb qumështi, pa anestezi, me qysqi, doktori, doktori… Cili doktor mo?!
    Basha: Ke dalë nga realiteti, që kur merresh me Lul Bashën, dmth, përpara ishe në realitet ë?
    Rama: Por është xheloz, është xheloz për ne mo burrë! Plus që i ka lëshu pllumbat ai, e ke vu re a jo? I fiket llamba mo, përditë! Në mes të bisedës flet kuturu! Mezi po pres kur t’i thotë Flamurit, Luli…! Ti prapëseprapë ke frikë, çudi e madhe mo, pse e ke frikë bufin, pse?
    Basha: Edhe flet ti për dashni! Ty s’të ndahet shpirti nga bufi me Rame, por as bufit nga ty me Ram!
    Rama: Mos ma thuj këtë se më vret. Unë sa hap sytë mo flas me vete, ku është Luli, a do ta shof vallë Lulin, ça do bëjë Luli sot?! Pastaj trembem, se më del përpara vigani, timonier, fitimtar, dhe sa hap ti gojën, them mosss, ky mezi pret me ja fut gjumit verës më duket, s’ka sy për qabe. Të përshëndes!

  • Pa simbolet e PD për herë të parë në zgjedhje, zbulohet logo e partisë së Bashës në 11 maj

    Pa simbolet e PD për herë të parë në zgjedhje, zbulohet logo e partisë së Bashës në 11 maj

    Zbulohet logoja e partisë së Lulzim Bashës.

    Kjo do të jetë hera e parë që Basha do të kandidojë në zgjedhje pa logon e PD-së.

    Top Channel

  • Paralajmërimi i Kryemadhit: Pas Erion Veliajt, radhën e ka Lulzim Basha

    Paralajmërimi i Kryemadhit: Pas Erion Veliajt, radhën e ka Lulzim Basha

    Deputetja Monika Kryemadhi në emisionin “Opinion” ka bërë paralajmërimin e fortë për Lulzim Bashën.
    Sipas Kryemadhit pas Veliajt radhën e ka Lulzim Basha.
    Ajo la të nënkuptojë se pala holandeze po bën një hetim mbi Lulzim Bashën.
    “Siç i erdhi radha Veliajt, do i vijë dhe Bashës.
    Shpresoj që pala holandeze të vazhdojë të zbulojë se si jeton bashkëshorti i Aurela Bashës në Tiranë”, tha Kryemadhi.
    Kryemadhi ka thënë se arsyeja e ndarjes me kreun e PL Ilir Meta sipas tij ka qenë djegia e mandateve.
    E pyetur se sipas rastit “shkak” ka qenë Basha, Kryemadhi u shpreh se, gënjeshtra ka lindur në trupin e Bashës.
    “Mandatin do e digjja vetëm unë në shenjë solidraiteti. Garancia erdhi nga zoti Basha. Gënjeshtra ka lindur në trupin e Bashës, pasi na tha se kancelarja Merkel do na mbronte”, tha Kryemadhi.
    Kryemadhi është shprehur se Lulzim Bashës i është refuzuar viza nga SHBA. Sipas saj ekziston një file për financimet ruse.
    “Ka patur refuzim të vizës amerikane nga SHBA. Do iknim bashkë për disa takime në Micigan dhe atij iu refuzua viza. Ekziston një file për financimet ruse”, deklaroi Kryemadhi.

  • Açka dhe Alibeaj të zhgënjyer nga diss-et e Bashës për Ramën: Klikimet nuk janë vota

    Açka dhe Alibeaj të zhgënjyer nga diss-et e Bashës për Ramën: Klikimet nuk janë vota

    Hidhje-pritjet virtuale mes dyshes më virale, konkurruese në zgjedhje, Rama- Basha, po kthehen në bezdisëse dhe të papërtypshme për disa vëzhgues.
    Ata që besuan deri në momentet e fundit të drejtimit të PD-së te Lulzim Basha, sot janë të befasuar për shndërrimin 180 gradë të ish kryetarit.
    Zhgënjim ndjen Flutura Açka që njihet si mikja dhe bashkudhëtare e mëparshme e Bashës në parti.
    Megjithëse, kjo shfaqje për ishin tjetër të Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajn nuk e favorizon atë në të ardhmen politike.
    “Një kërkesë dëshpëruese e tij për të rënë në sy për vota, por çfarë do të përkthehet në mandat? Humbi nga sytë e shqiptarëve gjatë kohës që po përpunohej përgatitja e polit të tretë dhe shfaqet befas në këto forma e këto shfaqjet e fundit të shëmtuara, ka kaluar kufijtë jo vetëm të seksizmit, por të lapërdhisë. Më ka lënë një shije të keqe për faktin a është ky njeriu që kam mbështetur unë?”, tha Açka.
    “Klikimet, likes, shares, views, nuk janë vota. Deformimi, shfaqja ndryshe, të mos qenurit i vërtetë, në fakt është një nga kufijtë që duhet përdorur në rrjete sociale. Sigurisht janë mjete të mira ta pranojmë, por do duhet të shfaqen ashtu sic janë dhe jo thjesht në segmentin e fundit kohor para fushatës. Të nxjerrim një fytyrë tjetër që s’është e vërteta. Kjo për mendimin tim, është “antifushatë”, tha Alibeaj.
    Vendimi i Flutura Açkës për t’u tërhequr nga angazhimi elektoral, pa emrin në lista, lidhet edhe me lëvizjet e politikanit që i besoi, i cili sipas saj e ka përdorur për interesin e tij personal, të mbajë në pushtet Ramën e në opozitë Berishën.
    “Rama vetë është në lojën e tij, në qëllimin e tij për të shkatërruar çdo votë opozitare; gjithë format e veta që i ka thënë e shprehur e në fushata të tjera, jo dajre, jo timon, jo tenxhera, jo këngë rrep… por çështja është pse e bën Basha këtë? Kjo që shoh sot është se qëllimi i tij ka qenë për të shkatërruar. Qëllimi i tij është i vetëm për të qenë në piacë bashkë me Berishën dhe Ramën; domethënë ky trekëndëshi i tyre i famshëm i Bermudës është më shumë se kaq. Pra, po mbron establishmentin dhe po dëmton forcat e reja politike që mund ti japin gjallëri demokracisë shqiptare”, tha Açka.
    Por Enkelejd Alibeaj që ka krijuar partinë e tij të re e garon në 11 majin me koalicionin “Djathtas për zhvillim”, mendon se teknologjia ndikon në përshpejtimin e mesazheve, edhe pse vlerëson se mjetet e reja të fushatës po keqpërdoren nga kolegët.
    “Kam pozicionin e siluetën time të pangjashme me asnjërin, me Bashën jo e jo. Kjo fushatë nuk do duhet të jetë sipërfaqësore. Momenti politik dhe historik i vendit është kaq i rëndësishëm për çështje po kaq serioze: drejtësia, mungesa e demokracisë, ekonomia ; s’mund të kalojnë me gallatën 30 sekondshe të rrjeteve sociale”, tha Alibeaj.
    Drejtuesi politik i Euroatlantikëve i ndarë nga të besuarit e të shkuarës, duket se nuk impaktohet nga fjalët e tyre dhe vazhdon marrëdhënien atipike në distancë me kryeministrin…