Aldo Bare dhe Julian Sula
LUSHNJË-Policia e Lushnjës ka shoqëruar mbi 30 persona për atentatin ndaj Julian Sulës, i njohur si Juli i Pashakos, ngjarje e ndodhur mesditën e 25 nëntorit. Pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka në Lushnjë, pjesëtarë të 2 fiseve të cilët vitet e fundit kanë pasur konflikte të shumta me 45-vjeçarin Sulo.
“Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë.
Sula është shoqëruar në polici edhe në vitin 2017, si i dyshuar për përfshirje në një atentat në tetor të atij viti ku mbetën të vrarë dy persona, miq të nipit të Bares, Xhulio Shkurti, i cili ishte edhe shënjestër e atentatit. Konkretisht Sula ishte ndër të dyshuarit për atentatin ku u vranë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, miq të nipit të Aldo Bares, por ai para hetuesve deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me këtë krim. Ai u la i lirë për mungesë provash.
Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi mesditën e 25 nëntorit drejt automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula. Dy autorët e kapur nga kamerat e sigurisë me kapele dhe të maskuar kanë dalë nga mjeti me kallashnikov në duar dhe kanë qëlluar drejt automjetit tip ‘BMW’, në të cilin ndodhej ‘Juli i Pashakos’. Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti i përdorur nga autorët ishte vjedhur në vitin 2022 në Greqi, ndërsa targat ishin vjedhur një vit më parë, po në Greqi, por në qytete të ndryshme. Autoritetet greke, në përgjigjet e dërguara Policisë së Fierit, kanë konfirmuar se bëhet fjalë për vjedhje pa autorë dhe ngjarje të pazbardhura./ZËRI









