Një “makineri golash”. Barcelona e këtij sezoni po shkatërron mbrojtjet e gjysmës së Europës. Sulmi i saj spektakolar, i përbërë nga ylli i ri Lamine Yamal, veterani i papërmbajtshëm Robert Lewandowski, dhe Raphinha në formë për “Topin e Artë”, është vetëm një nga rreziqet që sjell skuadra e Hansi Flick.
Në fakt, nuk janë vetëm ndjesitë që flasin për katalanasit, por edhe shifrat. Barça është skuadra që ka shënuar më shumë në Champions League, plot 37 gola në 12 ndeshje, me një mesatare prej mbi 3 golash për ndeshje. Një ritëm i çmendur që katalanasit e kanë ruajtur edhe në La Liga: 81 gola në 31 takime, sulmi më i mirë mes 5 kampionateve më të forta europiane.
Megjithatë, ka një pikë që i jep shpresë Interit: nëse Barça shënon shumë, pëson po aq, sidomos në ndeshjet jashtë shtëpie, në Europë. Duke analizuar ecurinë e Barcelonës në transfertë, në Champions, bie në sy një statistikë shumë interesante: në 5 nga 6 ndeshjet jashtë fushe, katalanasit kanë pësuar të paktën nga 2 gola.
I vetmi përjashtim është ndeshja e parë e 1/8-ave kundër Benfica, ku Barcelona nuk pësoi. Por edhe ajo ndeshje mund të konsiderohet një rast i veçantë: dy skuadrat ishin takuar pak javë më parë në fazën e grupeve, në një ndeshje spektakolare të përfunduar 4-5 për Barcelonën.
Në total, Barcelona ka pësuar 13 gola në 6 transferta, që përkthehet mesatarisht mbi 2 gola për ndeshje. Ka edhe një precedent që i shërben Interit për të besuar: Barça–Atalanta në “Montjuïc”. Bergamaskët nuk u dorëzuan përballë forcës sulmuese të katalanasve dhe morën barazimin 2-2, me më shumë keqardhje për Gasperinin sesa për Flick.
Duke pasur parasysh këtë, si dhe duke u mbështetur në një fazë mbrojtëse elitare, Interi mund të tentojë në ndeshjen e parë në “Montjuïc” një strategji të kujdesshme, për të limituar dëmet dhe më pas për të vendosur gjithçka në ndeshjen e kthimit në një “San Siro” të zjarrtë. Barcelona është e frikshme, por edhe e ndëshkueshme. Interi, me cinizmin dhe përvojën e viteve të fundit, di si të luajë në këtë nivel.
Tag: barça
-

Barcelona shënon si e çmendur, por pëson shumë në transfertë. Interi, gati ta godasë në pikën e dobët
-

“El Clasico” në merkato, Barça dhe Real sfidohen për yllin e Serisë A
16 Prill 2025
15:01
Telesport
Barcelona është kthyer të interesohet për mesfushorin e Milan, Tijjani Reijnders, për të cilin interesohen edhe rivalët e Real Madrid.
Sipas Fichajes, Blaugrana po fokusohet në rritjen e skuadrës së tyre me lojtarë që nuk do të kenë një ndikim masiv në bilancet e klubit me pagën e tyre.
Mundësia për të luajtur për një nga klubet më prestigjioze në botë dhe për të konkurruar në Champions League mund të jetë e mjaftueshme për të arritur këtë marrëveshje.
Deri më tani këtë sezon, mesfushori 26-vjeçar ka bërë 46 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 14 gola dhe duke dhënë katër asiste. -

Flik: Ndihem mirë, Barça klubi më i mirë në botë
Trajneri gjerman Hansi Flik e ka bërë të qartë qëndrimin e tij për të ardhmen me Barcelonën, duke demonstruar entuziazëm të madh për përvojën në Blaugrana, por në të njëjtën kohë duke ruajtur një qasje të kujdesshme dhe të përqendruar në të tashmen.
Pas fitores dërrmuese 4-0 kundër Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve dhe përpara ndeshjes së Ligës kundër Leganes, trajneri gjerman theksoi se ndihet i lumtur në klub dhe në qytet, por nuk është i interesuar për planifikim afatgjatë:
“Më pëlqen të punoj për klubin më të mirë në botë dhe mentaliteti im është t’i marr gjërat vit pas viti.”
Edhe pse nuk konfirmoi një takim të afërt midis agjentit të tij Pini Zahavi dhe menaxhmentit të Barçës, Flik përsëriti lidhjen e tij me mjedisin katalanas, duke lavdëruar stafin, profesionalizmin e grupit dhe atmosferën familjare që gjeti: “E vlerësoj shumë atë që kam këtu: një staf fantastik, mjekë, fizioterapistë dhe një ekip shumë profesional. Atmosfera në klub është e pabesueshme.”
Flik e la derën hapur për një rinovim (kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2026), por pa u nxituar apo ushtruar presion. Fokusi i tij mbetet te ky sezon, në të cilin Barça po lufton për La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit.
Vazhdo leximin
-

Atlético Madrid-Barça, “finalja” para finales. Fatkeqësisht, do të mbijetojë vetëm njëri
Kupa e Mbretit arrin kulmin e vet të interesit në fazën gjysmëfinale. Dueli i kthimit mes Atlético Madridit dhe Barcelonës, që zhvillohet sonte (21:30) në një “Metropolitano” të mbushur plot, justifikon tërheqjen e kësaj gare, ku skuadra katalanase është rekordmene me 31 tituj të fituar, i fundit në vitin 2021.
Nga ana tjetër, Atlético Madridi synon të mbajë gjallë shpresat për triumfin e 11-të në këtë kompeticion, me suksesin e fundit që daton në vitin 2013. Finalja e madhe, që do të luhet më 26 prill në “La Cartuja”, do të mësojë sonte finalistën e dytë, një natë pas kualifikimit dramatik të Real Madridit ndaj Real Sociedadit, pas kohës shtesë.
Pas barazimit spektakolar 4-4 në ndeshjen e parë në “Montjuïc”, një muaj më parë, ky duel kthimi nis pa avantazh për asnjërin ekip. Megjithatë, përveç rezultatit të hapur, ekzistojnë disa faktorë psikologjikë dhe tre precedentë të sezonit që e kornizojnë këtë sfidë.
Në La Liga, Atlético Madridi e përmbysi Barcelonën në “Montjuïc” (1-2), ndërsa Barça ia ktheu me të njëjtën monedhë në “Metropolitano” (2-4). Ndërkohë, përballja e parë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit përfundoi me një festival golash, që e la gjithçka të hapur.
Si Atlético Madridi, ashtu edhe Barça e shohin këtë ndeshje me entuziazëm, por nga këndvështrime të ndryshme. Për “colchoneros”, Kupa e Mbretit është bërë objektivi më i arritshëm pas eliminimit dramatik nga Champions League përballë Real Madridit dhe largimit thuajse të pakthyeshëm nga gara për titullin në La Liga.Ndërkohë, për Barcelonën, një fitore sonte do të thoshte vazhdim i ëndrrës për të garuar në tri fronte, siç theksoi edhe trajneri Hansi Flick: “Këta lojtarë kanë uri për të fituar”. Seria e pamposhtmërisë prej 20 ndeshjesh në vitin 2025, e nisur pikërisht pas humbjes në dhjetor ndaj Atlético Madridit (1-2), i ka dhënë ekipit katalanas një vetëbesim të lartë.
Diego Simeone beson se faktori “Metropolitano” mund ta nxjerrë ekipin e tij nga “depresioni”, pas eliminimit të hidhur në Champions League. Finalja e Kupës së Mbretit shihet si terapia më e mirë për të ringritur skuadrën. Ndërkohë, pritet që Flick të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë për këtë “finale para finales”.
Përballjet mes Atlético Madridit dhe Barcelonës kanë rikthyer emocionet dhe spektaklin e viteve ’90, me referenca historike si finalja e Kupës së Mbretit më 1996, e fituar nga “colchoneros”, apo përmbysja e jashtëzakonshme e katalanasve më 1997. Gjithashtu, ky duel sjell edhe përplasje individuale, si sfida taktike mes Flick dhe Simeone, trajneri që i ka shkaktuar më shumë probleme gjermanit këtë sezon.
Për më tepër, një “mini-klasike” argjentinase është e freskët në kujtesë: kombëtarja e “Albiceleste”, e mbushur me lojtarë të Atlético Madridit (Nahuel Molina, Giuliano Simeone, Rodrigo de Paul, Julián Álvarez dhe Ángel Correa), i shkaktoi humbje të rëndë 4-1 Brazilit të Raphinha, i cili tani kërkon “hakmarrje”.
Në fund të fundit, kjo Atlético Madrid-Barça ka gjithçka që i duhet një dueli të madh. Por mbi të gjitha, siç thuhej në filmin klasik “Të pavdekshmit”, do të mbetet vetëm njëri… -

“Reali ankohet për ndeshjet e ngjeshura? Nuk jemi Reali, por Barça”/ Fliku ndërron mendim pas ndeshjes: Nuk duhet të luanim sot
“Jemi Barça dhe jo Reali i Madridit. Edhe unë jam shumë krenar që ne jemi Barça”, kjo ishte përgjigja e Hansi Flikut për pyetjen mbi ankesat e Realit të Madridit për mungesën e distancës së mjaftueshme mes ndeshjeve.
Por mbrëmjen e sotme Hansi Fliku duket se ka ndërruar mendim. Trajneri i Barcelonës ka thënë pas fitores 3-0 se skuadra e tij nuk duhej të luante këtë mbrëmje. Ai ka shtuar se dëmtimi i Dani Olmos është pasojë e kalendarit të ngjeshur.
“Mendoj se luajtëm shumë mirë, duke marrë në konsideratë situatat tona. Nuk duhet të luanim sot, por kemi marrë tre pikët. Por ky është çmimi, dëmtimi i Dani Olmos”, ka deklaruar Hansi Flik./Sport Ekspres/