Tag: barazinë

  • Ligji për barazinë gjinore, Berisha: Nuk kemi bindje diskriminuese. Pse u përjashtua debati në Kuvend?

    Ligji për barazinë gjinore, Berisha: Nuk kemi bindje diskriminuese. Pse u përjashtua debati në Kuvend?

    Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar, komentoi ligjin për barazinë gjinore që ka shkaktuar debat në opinionin publik.

    Ai theksoi se nuk ka bindje diskriminuese, ndërsa shtoi se opozita nuk do të pajtohet kurrë me ligjin për barazinë gjinore.
    Ndër të tjera kryedemokrati citoi Gjykatën e Luksemburgu ku thuhet se e drejta e gjinisë nuk buron nga e drejta e bashkimit.
    “Ata e dinë mirë që i kam ndihmuar, kemi miratuar ligjin dhe kam qëndruar kundër diskriminimit. 21 vende anëtarë të BE nuk e kanë kaluar këtë ligj. Vetë gjykata e Luksemburgut thotë se e drejta e gjinisë nuk buron nga e drejta e bashkimit. Mirë  bërë këtë ligj, por pse e përjashton debatin? Merr dhe monton një sërë mekanizmash për të sulmuar opozitën. Kush është ai që pranon censurën? Këta e mbyllën në mënyrën më të turpshme. Krijuan ata që u interesonte. Me të drejtat e opozitës nuk mund të pajtohemi kurrë me këtë ligj. Sot do të diskutojmë për një përgjigje të merituar. Ne nuk bëhemi kurrë vegla të tyre. Ju shkoni në komisione, e mbyll dyqanin ai”, tha ai.

    Top Channel

  • ‘Ligji për barazinë gjinore u përdor si top për të goditur’, Balla – Gonzatos: Ne s’i bëjmë ligjet se na i kërkoni ju

    ‘Ligji për barazinë gjinore u përdor si top për të goditur’, Balla – Gonzatos: Ne s’i bëjmë ligjet se na i kërkoni ju

    Ligji për barazinë gjinore u kthye sërish në temë diskutimi në një tryezë më të rinjtë në Shkollën e Integrimit Europian, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato. Ky i fundit tha se akte të tilla ligjore duhet të diskutohen gjerësisht në mënyrë që të ketë sa më pak hapësirë për dezinformim, ndërsa shtoi se miratimi është vetëm pikënisja.
    “Akte ligjore që kanë të tillë komponent me vlerë sociale duhet të përgatiten dhe diskutohen gjerësisht, duhet të ketë debat mbarëshoqëror dhe për të siguruar që termat e reformës të kuptohen dhe që ka më pak hapësirë për dezinformim. Ligji synon të ofrojë garanci në mënyrë që barazia mes grave e burrave të jetë realitet. Ligji garanton mos të ketë diskriminim bazuar në faktorë të ndryshëm, përfshirë seksin. Ne monitorojmë sepse çdo vit botojmë një raport progresi, çka nënkupton që kërkojmë llogaridhënie qeverisë dhe aktorëve për angazhimet kundrejt ligjeve, por kryesisht përgjegjësia monitoruese i takon qeverisë dhe agjencive. Miratimi i një ligji është vetëm pikënisja”, tha Gonzato.
    Në të njëjtën tryezë, kreu i grupit të PS, Taulant Balla kujtoi polemikat që janë krijuar mbi këtë ligj, duke thënë se u përdor si top për të goditur tjetrin, por pa përmendur me emër Sali Berishën dhe sulmet që ai lëshoi ndaj ambasadorit nga foltorja e Kuvendit.
    Akuzave të Berishës se ligji u miratua pasi e kërkoi Gonzato, Balla iu përgjigj duke ia thënë në sy ambasadorit se ligji nuk i miratua me kërkesë të tij, duke sqaruar edhe arsyet që e çuan qeverinë në hartimin e këtij ligji.
    “Ndihem i habitur me shoqatat e barazisë gjinore që marrin pjesë nëpër takime, harxhojnë nëpër restorante, hotele, kokteje dhe t’iu them të drejtën nuk kanë bërë, ligji për barazinë gjinore nuk ka pas lidhje me gjithçka u tha, u tjerë nëpër banakë, u tha që ligji për barazinë gjinor e ndryshon gjinitë, ligji të thotë gjini sipas këtij ligji janë roli që shoqëria i ka caktuar burrit dhe gruas. Në këtë vend realisht këta namuzqarët mendojnë se gratë e Shqipërisë trajtohen me pagë njëlloj nëpër të njëjtin vend pune që bëjnë dhe burrat, jo. Një burrë në vend të saj e merr rrogën më të lartë.
    Këtu u krijua një histori e madhe, e morën edhe parti politike për ta shfrytëzuar ligjin si një top për të goditur tjetrin. Thirrja ime është që Shqipëria. Ambasador ne nuk u bëjmë ligjet se na thoni ju, që të jemi të qartë për këtë pjesë. Kryetari i kuvendi e ka thënë dhe unë them, gjëja që duhet të bëjmë ndryshe është pjesa e kontrollit post legjislativ është një ndër ligjet më të mira të barazisë gjinore sot në Europë, gjëja që mbetet është ta çojmë tek zbatimi”, tha Balla.

  • Ligji për barazinë gjinore, Berisha: Do të hapim platformë parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë!

    Ligji për barazinë gjinore, Berisha: Do të hapim platformë parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë!

    Kreu i PD, Sali Berish ka deklaruar se së shpejti do të komunikojë datën e protestës kombëtare.  “Së shpejti do komunikojmë para jush, protestën e parë kombëtare”, tha dje Berisha në një konferencën për shtyp. Ai Theksoi se opozita është lejuar të flasë në Kuvend vetëm pas 9 seancash plenare.
    “Narkomazhoranca apo pseudomazhoranca ka kaluar në ekstrem. Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit. Përpjekja jonë për ta transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve dhe interesave të tyre, has në absurditetin, banditizmin e paprecedentë në historinë e vendit”, tha ai. #
    Kryedemokrati njoftoi se PD-ja do të hapë platformën parlamentaro-qytetare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, pasi sipas tij, “demokratët nuk nënshtrohen”. “Do rikonsiderojmë referendumin dhe çdo gjë të nevojshme për anulimin e këtij ligji, i cili përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën katër nene të Kushtetutës, rrëzon Kodin e Familjes, Kodin Civil”, paralajmëroi kreu i PD-së, pas miratimit të Projektligjit për Barazinë Gjinore.

  • Ambasada Britanike: Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi, të panegociueshme! Nuk ka vend për sulm ndaj ambasadorëve

    Ambasada Britanike: Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi, të panegociueshme! Nuk ka vend për sulm ndaj ambasadorëve

    Ambasada Britanike ka reaguar pas miratimit të ligjit për barazinë gjinore, nga Kuvendi i Shqipërisë. Në deklaratë thuhet se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë të panegociueshme, ndërkohë shton se nuk ka vend për sulm ndaj ambasadorëve.
    “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi nuk janë te negociueshme. Ato janë te drejta themelore të njeriut dhe vlera universale që mbeshtesin shoqerite demokratike. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme te mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të avancuar barazinë, dinjitetin dhe parimet demokratike. Në një shoqëri të përkushtuar ndaj këtyre vlerave nuk ka vend për sulme ndaj ambasadorëve“, thuhet në reagimin e ambasadës.
    Ligji i ri për barazinë gjinore shihet si fitore nga grupet e të drejtave të njeriut, por ka shkaktuar debate të forta, kryesisht të nxitura nga dezinformimi në media dhe jo nga përmbajtja reale e ligjit.
    Kryetari i opozitës, Sali Berisha, e konsideroi ligjin si “atentatin më të rrezikshëm ndaj qenies njerëzore” dhe tha se ai çon në “dërgimin e qenies njerëzore në kafshëri”. Berisha përmendi edhe orientimin seksual të ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, duke shkaktuar reagimin e Komisioneres Marta Kos, që dënoi çdo sulm ndaj ambasadorit.

  • Deputeti i Lëvizjes Bashkë argumenton pse nuk votoi ligjin për barazinë gjinore

    Deputeti i Lëvizjes Bashkë argumenton pse nuk votoi ligjin për barazinë gjinore

    Lëvizja Bashkë nuk e ka votuar ligjin për barazinë gjinore, as pro, as kundër dhe as ka abstenuar, duke mos marrë pjesë fare në votim.
    Deputeti i vetëm i kësaj partie, Redi Muçi, i kontaktuar nga TPZ, deklaroi se ligji mbi barazinë gjinore është hartuar për të plotësuar disa rekomandime të BE-së, por nuk merr parasysh specifikat e Shqipërisë, konkretisht sipas tij, “nuk merr në konsideratë informalitetin në punë, nuk përmend miratimin e një minimumi jetik që do të ndihmonte gratë dhe nuk specifikon objektiva për masat që do t’ju vinin në ndihmë grave për të dalë nga puna shtëpiake”.
    I pyetur nëse Lëvizja Bashkë ka propozuar amendamente të projektligjit të cilat mund të adresonin këto shqetësime, Muçi tha se nuk ka propozuar amendamente për të përmirësuar këtë ligj pasi e konsideron se ligji ka nevojë për “ndryshime rrënjësore”.
    “Arsyeja pse nuk votova dje per ligjin mbi barazinë gjinore eshtë se e konsiderojmë si tipikisht një ligj që hartohet në letër për të plotësuar disa rekomandime te BE, por që nuk merr në konsideratë specifikat e Shqipërisë per ta bërë atë të zbatueshëm dhe në të mirë të barazisë gjinore.
    Përshembull ky ligj flet për pabarazinë në paga, por nuk merr në konsideratë informalitetin në vendin e punës që bën që dhjetëra mijëra punëtore të fasonerive, apo gra që punojnë si sanitare, etj, të mos marrin as pagën minimale.
    Ky ligj flet ne mënyrë të vagullt për njohjen e punës së grave që punojnë në biznese familjare në skemën e pensioneve, por nuk flet për përfshirjen në skemë për gratë shtëpiake që kujdesen për familjen dhe nuk specifikon asgjë më shumë për ta bërë këtë propozim të zbatueshëm, në një kontekst ku skema e pensioneve edhe kështu siç eshtë po shkon drejt falimentit.
    Ligji nuk përmend përshembull miratimin e Minimumit Jetik, qe do t’i ndihmonte shumë gratë që ndodhen në një kontekst familjar në vështirësi ekonomike, kontekst në të cilin abuzimet ndaj grave janë edhe më të rëndat. Ligji nuk specifikon as objektiva të matshëm për nje sërë masash që do t’u vinin në ndihmë grave për të dalë nga puna shtëpiake/kujdesi familjar, si numri i mjaftueshëm dhe cilësia e çerdheve dhe kopshteve, shkollat me orar të zgjatur etj, ekzistenca e të cilave do t’u mundësonte grave përfshirjen e plotë në punën profesionale dhe jetën ekonomike të vendit”, deklaroi Muçi.
    Barazia gjinore është një nga pikat e programit që Lëvizja Bashkë paraqiti kur garoi në zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë program thuhej se: “Barazia gjinore është një parim themelor i drejtave të njeriut dhe një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie. Kur grave u sigurohen të njëjtat mundësi si burrave, ato kontribuojnë në mënyrë të barabartë në ekonomi, politikë dhe jetën shoqërore. Studimet tregojnë se vendet me nivele më të larta të barazisë gjinore kanë tendenca për ekonomi më të forta, nivele më të ulëta të varfërisë dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjithë qytetarët. Përveç kësaj, një shoqëri e edukuar, arsimuar dhe e ndërgjegjësuar për barazinë gjinore është më e aftë të luftojë stereotipat dhe paragjykimet që pengojnë zhvillimin e plotë të individëve dhe të shoqërisë në tërësi.
    LEVIZJA BASHKE aspiron të kontribuojë në ndërtimin një shoqërie ku gratë dhe çdo minorancë identitare të kenë mundësi të jetojnë pa frikë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e plota”.

  • Votoi pro ligjit/ Deputeti i Gjirokastrës shpjegon “barazinë gjinore”:  Hap historik për Shqipërinë

    Votoi pro ligjit/ Deputeti i Gjirokastrës shpjegon “barazinë gjinore”: Hap historik për Shqipërinë

    Deputeti socialist i Gjirokastrës, Piro Dhima, i cili votoi pro ligjit për barazinë gjinore, thotë përmes një shënimi në Facebook se ky ligj është “një hap historik për Shqipërinë”. Më poshtë shpjegimi i plotë i Dhimës.
    Ky ligj nuk detyron askënd të ndryshojë gjini, por mbron dhe fuqizon gratë dhe vajzat duke vendosur standarde të reja për drejtësi, dinjitet dhe mundësi të barabarta.
    ⚖️ Mbrojtje dhe garanci të reja
    • Ndalon çdo formë diskriminimi në punë, arsim, shëndetësi apo drejtësi.• Gratë mbrohen ligjërisht barra e provës bie mbi shkelësin, jo mbi viktimën.• Çdo trajtim i pabarabartë konsiderohet shkelje ligjore.
    Diskriminim pozitiv në favor të grave
    • Masa të përkohshme që ndihmojnë për të barazuar shanset midis grave dhe burrave.• Kuota gjinore 30–50% në politikë, administratë, polici dhe diplomaci.• Prioritet në strehim dhe mbështetje për viktimat e dhunës, nënat e reja, vajzat-nëna dhe familjet njëprindërore.• Lehtësi për gratë që kujdesen për të moshuar ose persona me aftësi të kufizuara.
    Ekonomi dhe punësim të drejtë
    • Paga të barabarta për punë me vlerë të barabartë.• Ndalim i diskriminimit gjatë punësimit, trajnimit apo promovimit.• Njohje ligjore e punës së papaguar në familje si kontribut real ekonomik.
    ️ Strukturë dhe përgjegjësi
    • Çdo institucion do të ketë nëpunës për barazinë gjinore.• Politikat publike do të përfshijnë buxhetim gjinor dhe të dhëna të ndara sipas gjinisë.
    Ky është një ligj që sjell më shumë drejtësi, më shumë barazi dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar. Një hap i rëndësishëm drejt Shqipërisë 2030 vend i mundësive të barabarta për të gjithë.

  • NGA NERSADA MANDIJA – Përse ligji “Për barazinë gjinore” nuk e kërcënon familjen shqiptare- pëkundrazi!

    NGA NERSADA MANDIJA – Përse ligji “Për barazinë gjinore” nuk e kërcënon familjen shqiptare- pëkundrazi!

    Ka tash sa ditë që flitet shumë për projektligjin (tashmë ligj) “Për Barazinë Gjinore”, shpesh me emocione dhe interpretime të pasakta që e kanë paraqitur si një nismë që “rrezikon familjen” apo “ndryshon vlerat tradicionale”. Kjo më bani shumë kureshtare se çka paska kaq kërcënuese në këtë document dhe e hapa ta lexoj. Konstatoj se, ky ligj është një përpjekje për të sjellë në një dokument të vetëm të gjitha standardet ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian që garantojnë barazinë mes grave dhe burrave, duke harmonizuar ligjet ekzistuese dhe duke vendosur bazën për politika më të drejta dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
    Keqkuptimet kryesore kanë lindur nga interpretimi jashtë kontekstit i disa termave dhe parashikimeve që janë pjesë e këtij ligji. Për shembull, përkufizimi i “gjinisë” si një koncept gjithëpërfshirës është parë gabimisht si një përpjekje për të mohuar dallimin biologjik mes burrave dhe grave. Në fakt, ligji nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim, ai thjesht garanton që askush të mos diskriminohet për shkak të identitetit apo shprehjes së tij gjinore, një standard tashmë i njohur në shumicën e vendeve evropiane dhe i kërkuar nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
    Një tjetër pikë që ka krijuar reagime është përdorimi i termit “gjuhë me ndjeshmëri gjinore”. Kjo nuk ka të bëjë me ndryshimin e gjuhës shqipe apo me detyrime në jetën private të njerëzve, por me përdorimin e formave të barabarta gjinore në dokumente zyrtare, tekste, diploma apo shpallje pune, pra që gjuha e administratës të reflektojë respekt të njëjtë për gratë dhe burrat.
    Edhe përfshirja e termave si “orientim seksual”, “identitet gjinor” apo “karakteristika të seksit” është keqinterpretuar si nxitje e një ideologjie të caktuar. Në realitet, këto terma ekzistojnë në ligjin shqiptar që nga viti 2010, në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dhe shërbejnë vetëm për të ndaluar trajtimin e padrejtë ndaj kujtdo, jo për të “promovuar” ndonjë mënyrë jetese apo për të ndikuar në arsim apo familje.
    Edhe kuotat gjinore, që parashikojnë një përfaqësim prej 30 deri në 50 për qind për secilën gjini në vendimmarrje, janë shpallur gabimisht si “favorizim” i një gjinie ndaj tjetrës. Në fakt, këto janë masa të përkohshme affirmative, një instrument ligjor që ndihmon të korrigjohet një pabarazi e vjetër në pozitat publike dhe politike, i cili pushon së zbatuari sapo arrihet barazia faktike.
    Në mënyrë të ngjashme, koncepti i “buxhetimit të përgjigjshëm gjinor” është keqkuptuar si një fond për “ideologjinë gjinore”. Në të vërtetë, ai është një mekanizëm ekonomik që përdoret në të gjitha vendet e BE-së për të kuptuar se si fondet publike ndikojnë ndryshe te burrat dhe gratë, për shembull në fushat e arsimit, shëndetësisë apo transportit.
    Së fundi, interpretimi se ky ligj “cënon familjen” nuk ka asnjë mbështetje në tekstin e tij. Asnjë nen nuk prek Kodin e Familjes, përkufizimin e martesës, të prindërimit apo të të drejtave familjare. Përkundrazi, ligji përfshin masa mbrojtëse për prindërit e rinj, për nënat shtatzëna dhe për familjet që kujdesen për persona me aftësi të kufizuara.
    Ky projektligj nuk synon të ndryshojë vlerat morale të shoqërisë, por të garantojë që çdo qytetare dhe qytetar, pavarësisht gjinisë apo përkatësisë së tij, të ketë mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet, për të punuar, për t’u përfaqësuar dhe për t’u mbrojtur nga çdo formë diskriminimi. Në vend që të shihet si kërcënim, duhet parë si një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë, që njeh dhe respekton dinjitetin e secilit individ. /Nga Nersada MANDIJA, publikuar në Facebook/

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • Ligji për Barazinë Gjinore/ Reagon Luarasi: Disa shtete të BE kanë miratuar ndryshimet ligjore

    Ligji për Barazinë Gjinore/ Reagon Luarasi: Disa shtete të BE kanë miratuar ndryshimet ligjore

    Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka bërë një postim në rrjetin e saj social Facebook, përmes të cilit sqaron ndryshimet ligjore të projektligjit për Barazinë Gjinore, i cili u miratua mbrëmë (6 nëntor) me 77 votat e socialistëve.
    Reagimi i Luarasit vjen pas debatit opozitë-mazhoranacë për barazinë gjinore. Partia Demokratike kundërshton projektligjin për Barazinë Gjinore, duke argumentuar se ndryshimet në projektligj shkelin vlerat themelore të familjes.
    Sakaq socialistja thekson në shkrimin e saj se vendet e BE-së që kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”, nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së.
    Sipas Luarasit ndryshimet ligjore vetëm me “dy sekse biologjike “janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.”
    “Jane permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane. Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian”, shprehet Luarasi.
    Postimi i plotë
    Ligji për Barazinë Gjinore i miratuar dje nga Parlamenti Shqiptar, synon të transformojë në realitet parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave në çdo fushë të jetës.Për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së lirisë së debatit dje në Parlament, është e rëndësishme të adresojmë panikun dhe debatet që ky ligj ka shkaktuar, të cilat i i kemi dëgjuar në komisone dhe i dëgjuam edhe dje në seancën plenare dhe ishte e qartë se shumë kolegë kishin më shumë kohë për rrjetet sociale sesa për leximin e projektligjit.Janë shprehur shqetësime për terminologjinë e përdorur, duke pretenduar se ligji “kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive”. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua. Nëse dikush do të donte të prezantonte gjini të reja në shoqërinë shqiptare do të duheshin reforma të thella ligjore, duke nisur nga ndërhyrjet në Ligjin “Për Gjendjen Civile” apo duke miratuar një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore.
    Eshtë pretenduar se ligji “kërcënon familjen tradicionale dhe shton numrin e gjinive”. Le të jemi të qartë: narrativa që “po legalizohen 70 gjini në Shqipëri” është një gënjeshtër e qëllimshme, e përsëritur aq shumë sa disa filluan ta besonin. Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrësesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.
    Koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” që referohet në ligj nënkupton diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik. Ky koncept, nuk lidhet me konceptin “perkatesi e shumëfishtë gjinore” siç është pretenduar gabimisht. Mjafton një kërkim në tekstin e projektligjit dhe do kuptohet se togfjalëshi “Përkatësia e shumëfishtë gjinore” nuk ekziston. “Përkatësia e shumëfishtë” është koncept ligjor që do të thotë se një person mund të përjetojë diskriminim bazuar në më shumë se një shkak. Për shembull, si grua dhe rome dhe si grua me aftësi të kufizuara, si baba i vetëm dhe emigrant, ose si vajzë e re nga zonat rurale.
    Në realitetin shqiptar, këto ndërthurje janë të zakonshme dhe të dukshme dhe këto realitete nuk mund të injorohen nga ligji kryesor kombëtar që pretendon të adresojë efektivisht barazinë gjinore. Pa njohjen e konceptit të përkatësisë së shumëfishtë, këto raste komplekse bëhen juridikisht të padukshme.
    Kemi degjuar gjatë kësaj periudhe se projektligji detyron përdorimin e “gjuhës gjithëpërfshirëse gjinore”, duke zëvendësuar termat “nënë” dhe “baba” me shprehje neutrale si “prind 1” dhe “prind 2”. As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonin kurre per nje ligj qe nuk do na jepte mundesine qe femijet mos na therrasin nënë dhe baba dhe termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale.Koncepti “Gjini” i marrë nga Konventa e Stambollit, e nenshkruar dhe ratifikuar nga ky Parlament kur opozita e sotme ishte ne pushtet, nuk flet per shume gjini. Me lejoni ta citoj sic eshte ne projektligj meqe shumica e narratives eshte ngritur nga njerez qe s’e kane lexuar fare projektligjin, por vetem besojne narrativen e rrjeteve sociale se duan te na shkaterrojne familjen.
    Gjini nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat;Në projektligj nuk përdoret termi “gjuhë gjithëpërfshirëse gjinore”, por flitet për gjuhë me ndjeshmëri gjinore, e cila nuk përfaqëson asgjë më tepër sesa korrektësi gramatikore në terma, qe koleget e mia në vendimarrje mos te nenshkruajne me termin Minister, por te nenshkruajne me termin Ministre. Mos te perdorim termin drejtor, por drejtore kur drejtuesja e institucionit eshte nje grua, e keshtu me rradhe.Jane permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane. Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian.
    Ashtu sic eshte e vertete se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje ndaj disa prej këtyre shteteve dhe ka paralajmëruar sanksione financiare sipas nenit 260 të Traktatit për Funksionimin e BE-së.
    Nëse shtetet refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së, apo përjashtim nga programet e bashkëpunimit.Pra, nuk kemi të bëjmë me “shembuj të mirë” que duhen ndjekur, por me shkelje që po diskutohen në gjykatat evropiane si cenim i parimeve themelore të së drejtës evropiane.Realiteti që Injorohet Ndërkohë që disa shpikën probleme imagjinare, le të flasim për problemet reale që ky ligj adresson: Çdo ditë në Shqipëri 7 gra raportojnë dhunë në familje. Vetëm në 6 muajt e parë të 2025-ës, janë regjistruar 1,260 denoncime—një alarm social që duket se disa kolegë preferojnë ta injorojnë në emër të “familjes tradicionale”.
    Gratë në Shqipëri paguhen 4.5% deri në 17.4% më pak se burrat për të njëjtën punë. Për çdo 100 lekë që fiton një burrë, një grua fiton vetëm 82.6 lekë sipas disa studimeve.31% e grave dhe vajzave nuk kërkojnë punë sepse janë të dedikuara detyrave shtëpiake, krahasuar me vetëm 2% të burrave. Kjo është “familja tradicionale” që disa duan ta mbrojnë—ku gruaja mbetet në shtëpi, e pa paguar dhe e pa mundësi.
    Në përfundim, ky projektligj nuk është një eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai nuk kërcënon familjen, por e përforcon atë duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e saj. Nuk krijon privilegje, por korrigjon padrejtësi historike. Nuk imponon ideologji të huaja, por zbaton vlera universale të të drejtave të njeriut që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar.Nuk ecën përpara shoqëria shqiptare kur në emër të familjes, do që ta kthesh gruan në rolin e saj tradicional që të mos shkoj në punë, por të kujdeset për familjen. Shoqëria ecën përpara kur burrë e grua janë partnerë, e paguhen njësoj për të njëjtën punë, e trajtohen me dinjitet pa u ndarë në qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë.
    Dhe të gjithë ata që vazhdojnë të shpërndajnë dezinformim dhe të nxisin urrejtje, le ta dinë: historia nuk do t’i mbajë mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit. Ndërkohë që ne do të vazhdojmë përpara, duke ndërtuar një Shqipëri ku çdo qytetar—burrë apo grua—ka të njëjtat mundësi, të njëjtat të drejta, dhe të njëjtin respekt.Kjo është Shqipëria që ne po ndërtojmë. Dhe kjo është Shqipëria që do të hyjë në Bashkimin Evropian—jo me diskriminim dhe pabarazi, por me drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.

  • Miratimi i ligjit për barazinë gjinore, Komisioni Evropian “duartroket” Shqipërinë: Një hap drejt BE-së

    Miratimi i ligjit për barazinë gjinore, Komisioni Evropian “duartroket” Shqipërinë: Një hap drejt BE-së

    Komisioni Europian

    TIRANË- Komisioni Europian (KE) e ka cilësuar miratimin e ligjir për barazinë gjinore një hap të rëndëisëm në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Në një reagim për mediat shqiptare, KE është shprehur se mrëpresin dhe mbështesin miratimin e këtij ligjt për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar.
    KE thekson se përafrimi me acquis të Bashkimit Europian është pjesë e procesit të anëtarësimit dhe nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, duke u përgjigjur në këtë mënyrë në lidhje me deklaratat e Sali Berishës për ambasadorin Silvio Gonzato. Miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore, KE e cilëson si një shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE, ndërsa vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025,
    “Përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë. Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE. Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”. Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë. Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj. Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE”, njoftoi Komisioni.

    Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e së enjtes projektligjin për Barazinë Gjinore, me 77 vota pro, pas një seance maratonë të shoqëruar nga debate të forta politike. Pas shumë reagimesh dhe dikutimesh në Komisione Parlamentare, ligji i ri për barazinë gjinore do të zbatojë vetëm dy kategori gjinore: burrë dhe grua. Me 22 amendamente të dorëzuara në Kuvend, Partia Socialiste propozoi heqjen e termave. Tashmë drafti u miratua në seancë plenare./ZËRI

  • PS mbron “barazinë gjinore”, Luarasi: Ligji i ri nuk krijon gjini, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare

    PS mbron “barazinë gjinore”, Luarasi: Ligji i ri nuk krijon gjini, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare

    Një ditë pas debateve në Kuvend, mazhoranca ka sqaruar dhe një herë ligjin për barazinë gjinore, i cili kaloi në kuvend me 77 vota pro dhe 36 kundër. Ishte relatorja e këtij ligji, deputetja socialiste Iris Luarasi e cila shpjegoi se ky ligj nuk cënon familjen tradicionale por garanton të drejta të barabarta mes burrit dhe gruas.
     “Ai nuk krijon kurrësesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.Koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” që referohet në ligj nënkupton diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik”, tha Iris Luarasi.
    Gjatë një deklarate nga Kuvendi, ligjvënësja mohoi tërësisht pretendimet që i hapin rrugë termave prindi 1 dhe 2.

     “As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonin kurre per nje ligj qe nuk do na jepte mundesine qe femijet mos na therrasin nënë dhe baba dhe termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale”, shtoi Luarasi.
    Mazhoranca theksoi se ky ligj është në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai nuk imponon ideologji të huaja por zbaton vlera universal të të drejtave universale të njeriut që Shqipëria i ka nënshkruar./vizionplus.tv