Pamje nga perplasja
TIRANE- Një video e cila u kthye virale në rrjetet sociale mesditën e të dielës, ngriti edhe njëherë shqetësimin për përdorimin e burimeve ujore në vend nga kompanitë private. Pas Kaçinarit, Kurdarit, dje në Shëngjergj ndodhi një tjetër përplasje mes banorëve të revoltuar dhe administratorit të subjektit “Krullia shpk”, Blerim Ndou.
Shkak ishte kalimi në tokën e banorëve të tubove të kompanisë për të zgjeruar aktivitetin në zonën e Shëngjergjit. Në fakt arsyeja kryesore përse banorët pengojnë privatin është ruajtja e burimeve ujore përmes të cilave ata kryejnë vaditje dhe punët e përditshme.
“ZËRI” e ka ndjekur më tej këtë çështje dhe kontaktoi via “email” administratorin Blerim Ndreu. Ky i fundit, pretendon se ka një leje konform ligjit e cila i jep të drejtë të shfrytëzojë burimet ujore në Shëngjergj.
Pyetjeve tona, se a ka një kontratë apo marrëveshje me banorët e cila ka vlerë ligjore përsa i përket përdorimit të burimit për vaditje, Ndou nuk i është përgjigjur, por ka thënë se në lejen që institucionet i kanë dhënë është e sqaruar që banorët mund të vazhdojnë të përdorin burimet për vaditje.
“Jemi subjekt në përputhje me ligjin, kemi shmangur çdo konflikt të mundshëm me banorët duke i kuptuar për mos-informimin. Kemi hasur në vështirësi dhe jemi munduar t’i informojmë rreth kushteve të lejes për shfrytëzimin e ujit dhe detyrave që na janë dhënë nga institucionet për mirëmbajtjen e burimit, duke siguruar kushtet për të parandaluar ndotjen e burimit nga kafshët e egra dhe duke e rrethuar me rrjetë, sipas ‘kriterit të sigurisë’.
I kemi shpjeguar me shumë durim dhe respekt disa herë se kemi kushte në lejen e dhënë, të cilat përcaktojnë që nuk do të pengohet marrja e ujit nga banorët e fshatit për nevojat e tyre, si për vaditje apo për nevoja të ndryshme. Ne kemi të drejtë të shfrytëzojmë vetëm një pjesë të vogël të ujit, duke respektuar gjithmonë kushtet e lejes.
Banorët, fatkeqësisht, nuk na kanë kuptuar, duke menduar se ne do t’ua marrim ujin, edhe pse ua kemi shpjeguar disa herë se kushtet e lejes përcaktojnë qartë: ‘mos të pengohet furnizimi me ujë i banorëve të fshatit dhe të mos kufizohen nevojat për ujitje, duke respektuar sasinë që është në përdorim’.
Sa i përket Policisë së Shtetit, kemi bërë disa kallëzime në Komisariatin nr. 4, duke kërkuar mbështetje për zbatimin e ligjit dhe duke dorëzuar dokumentat. Por kemi hasur shumë vështirësi edhe nga ata, pasi nuk kanë vepruar, madje shpesh na kanë keqtrajtuar, duke mos i dhënë zgjidhje problemit dhe duke mos shmangur konfliktet me banorët.
Shpresoj që Policia të veprojë sipas ligjit dhe të mos keqtrajtojë subjektet apo personat që kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit”,-mbyll Ndou reagimin e tij për ZËRI.
Por çfarë është duke ndodhur me burimet ujore të vendit? Nga jugu në veri, dhjetra denoncime këtë verë kanë qenë në qendër të protestave dhe përplasjeve të banorëve me përfaqësuesit e kompanive private. Një prej tyre është edhe ndërtimi i 4 hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës, rast i cili është shoqëruar me protesta të vazhdueshme e përplasje mes banorëve dhe autoriteteve. Ndërkohë, rezistenca e banorëve të fshatit Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës” ka muaj që zhvillohet. Në Mirditë banorët u betuan mbi bibël që do të mbrojnë burimet ujore të zonës dhe se do ti ruajnë ato, një traditë e hershme kanunore./ZËRI