Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të përgatisë terrenin për euron dixhitale edhe pasi faza aktuale përgatitore të përfundojë këtë muaj, duke parashikuar vënien në qarkullim të saj brenda katër viteve të ardhshme.Zyrtarët pritet të vendosin për vazhdimin e punës përgatitore në një takim këtë javë në Firence të Italisë. Ata po synojnë të emetojnë monedhën dixhitale në vitin 2029, me kusht që të ekzistojë një kuadër ligjor përkatës.Banka Qendrore Europiane nisi fazën dyvjeçare të përgatitjes së projektit në vitin 2023, me shpresën se Bashkimi Europian do të miratonte ndërkohë rregullat e nevojshme për të hedhur në qarkullim versionin dixhital të barasvlershëm me kartëmonedhat dhe monedhat fizike. Por qeveritë kombëtare dhe Parlamenti Europian ende nuk kanë arritur një marrëveshje.Pengesën më të madhe e ka shkaktuar Partia Popullore Europiane (EPP), ku disa eurodeputetë kanë preferuar të kërkojnë një alternativë nga sektori privat në vend të zgjidhjes dixhitale të ofruar nga BQE-ja. Megjithatë, presioni për të zhbllokuar ngërçin po rritet, pasi politikëbërësit shprehin shqetësim për varësinë e tepërt nga kompanitë amerikane si Visa, Mastercard dhe PayPal në pagesat e blerjeve me pakicë.Frika se monedhat e qëndrueshme të mbështetura në dollar (stablecoins), të promovuara nga presidenti amerikan Donald Trump, mund të fitojnë terren në Europë, ka shtuar më tej urgjencën e debatit.Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe zyrtarë të tjerë po bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit, në mënyrë që të forcohet autonomia strategjike e Europës në një kohë tensionesh të larta gjeopolitike. Sipas burimeve, kjo do të reflektohet edhe në komunikimin zyrtar të së enjtes.Data e mundshme e emetimit u përmend publikisht për herë të parë nga anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, i cili në shtator deklaroi se “mesi i vitit 2029 mund të jetë i arsyeshëm”. Faza aktuale e përgatitjes pasoi një periudhë dyvjeçare hetimore.Ndërkohë, BQE-ja ka intensifikuar gjithashtu punën për një version “me shumicë” të monedhës dixhitale të bankës qendrore (wholesale CBDC). Në korrik, ajo miratoi një plan që do të mundësojë shlyerjen e transaksioneve të kryera përmes teknologjisë DLT (Distributed Ledger Technology) duke përdorur para të bankës qendrore. / BloombergKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: banka
-

Me tren nga Durrësi në Rrogozhinë, ja çfarë ka planifikuar Qeveria
Procedurat për sigurimin e financimit të nevojshëm për rehabilitimin dhe elektrifikimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë po shkojnë drejt finalizimit.
Komisionet parlamentare kanë miratuar 2 kredi nga 30 mln euro, që do merren nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për këtë projekt. Pjesa tjetër prej 60.5 mln euro financohet përmes një granti nga Bashkimi Evropian, teksa marrëveshja tashmë ka kaluar në parlament.
Linja hekurudhore Durrës – Rrogozhinë është pjesë e korridorit VIII, teksa rehabilimi i saj parashikohet të përmirësojë ndjeshëm transportin e mallrave dhe udhëtarëve.
Më herët është bërë me dije se rehabilitimi dhe elektrifikimi i kësaj linje hekurudhore pritet të përfundojë në vitin 2028, duke mundësuar udhëtime me tren me shpejtësi deri në 120 km/h -

Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë, nga ulja e komisioneve tek instant payments
Rritja e pagesave elektronike në ekonomi, përveçse nga turizmi dhe nga zhvillimi i tregut, po nxitet në një masë të madhe edhe nga nismat e institucionit rregullator.Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë disa nisma që në mënyrë direkte apo indirekte kanë nxitur formalizimin e pagesave dhe kanalizimin e tyre brenda sektorit financiar, me fokus më specifik sidomos kanalet dixhitale.Në vitin 2020, Banka e Shqipërisë vendosi të rregullonte komisionet e transfertave bankare në Lek.Masat e atëhershme parashikonin përjashtimin nga komisionet për transfertat e vogla deri në 20 mijë lekë që kryheshin nëpërmjet kanaleve dixhitale. Sipër kësaj shume, komisionet për pagesat elektronike duhet të ishin të paktën 50% më të lira se ato në degë.Në vitin 2022, ngritja e sistemit kombëtar për pagesat në Euro, AIPS Euro, mundësoi uljen e ndjeshme të komisioneve të transfertave në Euro brenda vendit dhe rritjen e volumeve të tyre brenda sektorit bankar.Në nëntor të vitit të kaluar, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në SEPA, ndërsa nga 7 tetori, bankat shqiptare filluan operacionet në të. Hyrja në SEPA mundëson uljen e kostove dhe të afateve për kryerjen e transfertave ndërkombëtare.Në shtator të këtij viti, Banka e Shqipërisë miratoi edhe një paketë të re ndryshimesh në rregulloret e sistemeve të saj të pagesave.Këto ndryshime parashikojnë ulje të mëtejshme të komisioneve për transfertat bankare brenda vendit, në Lek dhe në Euro, si dhe aplikimin e limiteve të njëjta për transfertat kombëtare dhe ndërkombëtare në Euro.Banka Qendrore po punon njëkohësisht edhe në projekte të tjera që pritet t’i japin më shumë shtysë përdorimit të pagesave elektronike në ekonomi.Projekti i radhës madhor i Bankës së Shqipërisë në fushën e pagesave është edhe ai instant payments, ose i pagesave të shpejta.Ky projekt parashikon klonimin e sistemit të përdorur nga Banka e Italisë, sipas një marrëveshjeje të arritur mes palëve.Sistemi jo vetëm do të mundësojë kryerjen e transfertave pothuajse në kohë reale, por do t’u hapë rrugën edhe produkteve të reja, që do të konkurrojnë pagesat me kartë. Ngritja e këtij sistemi do të krijojë hapësira për një përdorim të gjerë të pagesave me QR Code.Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, do të jetë një sistem i centralizuar dhe do të mundësojë shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor. Me një skanim të thjeshtë, mundësohet kryerja e pagesës për disa sekonda.Ngritja e sistemit TIPS ka si afat paraprak qershorin e vitit 2026, megjithatë nga puna e deritanishme në Bankën e Shqipërisë mendohet se ky afat mund të jetë pak ambicioz.Fakti që rishtazi në projekt është futur edhe një vend tjetër i Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut, mund të bëjë që këto afate të rishikohen.Procesi është kompleks, sepse nuk përfshin vetëm Bankën e Shqipërisë, por kërkon investime dhe zhvillim kapacitetesh edhe për bankat tregtare. Sipas parashikimeve të fundit të Bankës Qendrore, përdorimi i sistemit të instant payment mund të fillojë në vjeshtën e vitit 2026.Një ndërhyrje tjetër që pritet të ulë kostot e pagesave elektronike është ulja e komisioneve të skemave të pagesave me kartë, kryesisht Visa dhe Mastercard.Në vitin 2015, Komisioni Europian vendosi nën rregullim këto tarifa (interchange fees), duke përcaktuar një nivel maksimal prej 0.2% për pagesat me kartë debiti dhe 0.3% për pagesat me kartë krediti.Banka e Shqipërisë ka vendosur të adoptojë këtë rregullore, si pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian. Vendosja e limiteve mbi këtë element të kostos pritet të sjellë një ulje të ndjeshme të komisionit total që paguajnë tregtarët për shitjet me kartë.Banka e Shqipërisë vlerëson se komisionet do të ulen në nivelin e 1% të transaksionit.Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të ndalojë praktikën e përcjelljes së komisioneve nga tregtarët te klientët që kryejnë blerje me kartë.Ulja e komisioneve për pranimin e pagesave me kartë pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përdorimin e cash për transaksionet ekonomike.Një akses më i gjerë në pagesat me kartë gjithashtu do të lehtësonte pagesat sidomos nga turistët e huaj, që shpesh detyrohen të përdorin tërheqjet cash në ATM-të e zonave turistike, shërbim ky që për nga natyra e vet është i kushtueshëm. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

“Tavanet” kufizuan kreditë për banesa, Banka e Shqipërisë shton kushtet: Po përdoren edhe burime alternative
Kufizimet e vendosura nga banka e Shqipërisë që prej 1 korrikut 2025 në kreditë për pasuritë e paluajtshme kanë bërë që bankat të tregohen më të rrepta për këtë sektor të vendit tonë.
Banka e Shqipërisë në raportin e aktivitetit kreditues bënë të ditur se kjo situatë është vërejtur në tremujorin e tretë të vitit ndërsa pritet të vazhdoj edhe në fundvit. Duke bërë blerjen e një prone edhe më të vështirë jo vetëm prej çmimit por edhe mënyrës së financimit.
Si pasojë e shtrëngimit të kushteve si dhe burimeve të tjera alternative të financimit, kërkesa e individëve për të blerë shtëpi me kredi ra sipas Bankës së Shqipërisë. Por ekspert të tregut e shohin problem një situatë të tillë në treg duke i drejtuar individët në rrugë informale si paratë nga të afërmit.
Nga ana tjetër, bankat aprovuan një numër më të lartë kredish në raport me kërkesat për kredi nga ana e bizneseve.
Përqasja e bankave në fund të vitit për kreditimin e bizneseve pritet të mbetet e pandryshuar ndërsa shtrëngimi i kushteve për individët pritet të shtrijë pasojat e efekteve edhe në fundvit sipas Bankës së Shqipërisë.
Top Channel
-

Banka Botërore: Pothuajse 700 milionë njerëz jetojnë në varfëri ekstreme
Sipas të dhënave të fundit nga Banka Botërore, rreth 700 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri ekstreme, duke mbijetuar me më pak se 2.15 dollarë në ditë për person. Kjo shifër alarmante nënvizon nevojën për veprime të koordinuara globale për të luftuar varfërinë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka shpallur 17 tetorin si Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë, në një rezolutë të miratuar më 22 dhjetor 1992. Çdo vit, kjo ditë shënohet me aktivitete dhe konferenca që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin dhe të mobilizojnë përpjekjet ndërkombëtare kundër varfërisë.Sipas OKB-së, varfëria ekstreme globale kishte shënuar rënie të ndjeshme nga viti 1990 deri në vitin 2019. Megjithatë, pandemia COVID-19 dhe krizat pasuese shkaktuan rritjen më të madhe të varfërisë globale në dekada, duke ndalur përparimin e bërë deri atëherë.
Që nga viti 2019, përparimi drejt zhdukjes së varfërisë ka qenë minimal, me shumë vende që përballen me sfida të reja ekonomike dhe sociale.
-

Banka e Shqipërisë blen 914 milionë euro për të frenuar forcimin e lekut
Guvernatori Gent Sejko prezantoi në Komisionin e Ekonomisë raportin vjetor për vitin 2024, duke vëne theksin tek zhvillimet ekonomike të vendit. Ai thekosi se perspektiva ekonomike e Shqipërisë mbetet pozitive.
Sipas Sejkos, ekonomia do të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, duke krijuar mundësi për rritje punësimi, page dhe mirëqenieje në afatmesëm.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi për rreziqe afatshkurtra që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe konfliktet tregtare, të cilat mund të ndikojnë në rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Ai theksoi nevojën për reforma strukturore që të përqendrohen në rritjen e produktivitetit përmes arsimit, shëndetësisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit, zhvillimin e infrastrukturës publike,
reduktimin e informalitetit dhe rritjen e konkurrencës, nxitjen e investimeve të huaja direkte në industri dhe energjetikë, si dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Guvernatori nënvizoi edhe sfidat e plakjes së popullsisë dhe reduktimit të forcës së punës, që mund të frenojnë produktivitetin dhe të ndikojnë në skemën e pensioneve.
Sa i takon zhvillimeve sektoriale, Banka e Shqipërisë kërkon që rritja ekonomike të jetë më e balancuar dhe e gjerë, jo e përqendruar në pak sektorë.
Në lidhje me kursin e këmbimit, Sejko bëri të ditur se gjatë vitit 2024 Banka ka blerë 914 milionë euro në tregun vendas, për të frenuar forcimin e lekut dhe për të qetësuar tregun valutor, proces që po vijon edhe në vitin 2025. -

Banka e Shqipërisë kufizoi kredinë e ndërtimit nga frika e fluskës
Banka e Shqipërisë ndërhyri për të kufizuar kredinë e sektorit të ndërtimit për shkak se i druhej rritjes së kredive të këqija. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se masat e marra, janë më shumë parandaluese ose mbrojtëse të sistemit bankar që të mos përsëritet kriza e 2008-ës.
“Për tregun e pasurive të paluajtshme, është një treg që po zhvillohet. Ne e shohim tregun në tërësi në raport me sektorin financiar. Shqetësimi ynë parësor është që mos të ndikojë në kreditim, ngjashmërisht me krizën e 2008-ës kur në Amerikë falimentuan bankat dhe tregu u fry u fry deri në momentin kur çmimet ranë, ra vlera e kolateralit dhe natyrisht kreditë nuk paguheshin më. Ndaj ne kemi marrë masat tona”, tha Sejko.
Megjithatë guvernatori theksoi mesazhin se bankat aktualisht janë në kushte të mira ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.
“Sistemi bankar është i kontrolluar nga ekspozimi në këtë treg, por ne kemi marrë masa për të rregulluar ekspozimin më tej në këtë treg. E rëndësishme është që rritja e çmimeve të pronave duhet të shkojë në paralele me rritjen e të ardhurave të familjeve”, tha Sejko.
Përmes një rregulloreje, e cila hyri në fuqi në korrik të këtij viti, Banka e Shqipërisë kufizoi me tavan vlerën e kredisë që bankat private mund të japin për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Kredia në lekë për blerjen e banesës së parë, u kufizua deri në në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për shtëpinë e dytë e në vijim deri në 80%.
Kufizimi tjetër i caktuar nga Banka Qendrore është për këstet mujore të kthimit të kredive. Për huatë në lekë kësti mujor nuk duhet të jetë më shumë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit, ndërsa për kredinë e dytë etj raporti ulet në 35%.
Kurse për huanë në valutë tavanet do të jenë 75% dhe 70% në varësi të blerjes nëse është banesë e parë apo e dytë. Sa u përket kësteve mujore, ato do të jenë sa 35% e totalit të të ardhurave të individin për huanë e shtëpisë së parë, dhe 30% kur është kredi për të blerë një pronë të dytë apo më shumë./kapitali.al/
-

DOSJA e zezë e ABI BANK/ Paratë e bankave, ndërtimeve dhe mbledhjes së borxheve në vende offshore
Një mori firmash, duke përfshirë banka të nivelit të dytë, institucione financiare të mikrokredisë, nga ato që vendosin përqindje tepër të larta, apo edhe ato të mbledhjes me forcë të borxheve, kontrollohen nga një “dorë”. Pronarët e ABI BANK drejtojnë një rrjet firmash, të cilat vetëm sa shtohen dita-ditës, me qëllim humbjen e gjurmëve se ku shkojnë paratë e shqiptarëve.
Të njëjtët pronarë kontrollojnë dhënien e kredive, individëve apo bizneseve me kolateral. Të njëjtët janë edhe ata që japin mikrokredi, ku interesat janë tepër të larta. Por, mjeti më fitimprurës i tyre është mbledhja e borxheve, pasi kontrollojnë edhe një institucion financiar.
Paratë dyshohet se lëvizin jashtë Shqipërisë, në vende offshore, nga ato vende që origjina nuk deklarohet dhe askush nuk mban përgjegjësi. Por, të njëjtët individë, janë futur edhe në sektorin e ndërtimit, në Tiranë apo edhe në vende bregdetare, duke krijuar një zinxhir të pastrimit të parave. Një dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme, pasi ka dyshime tepër të mëdha për pastrim parash.
Në krye të kësaj skeme qëndron ANDI BALLTA, i cili kontrollon të gjithë këtë zinxhir, me në krye firmën Tranzit. Kjo firmë, e krijuar për të mbledhur borxhet e këqija, zotëron Abi Bank, NBG Bank, institucionin financiar NOA, të cilën e ka blerë në fillim të vitit 2025. Madje, firma Tranzit zotëron edhe firmën Moscopole. Moscopole zotëron kompaninë MA1, apo edhe firmën e sapo krijuar të ndërtimit BAY VIEW ALTERNATIVE INVESTMENT. Kjo e fundit do të zhvillojë një pronë të stërmadhe prej 32 hektarësh në Poro të Vlorës, e lënë kolateral te ABI BANK.
Faksimile: Ekstrakti në QKB i firmës BAY VIEW Alternative, e cila është krijuar në korrik 2025
Kjo firmë është krijuar në muajin korrik 2025 nga Banka Amerikane e Investimeve, e cila është edhe pronarë me rreth 99 % të aksioneve, ndërkohë që më pak se 1 % të aksioneve zotërohen nga Andi Ballta. Ky i fundit është edhe pronari pasi Banka Amerikane e Investimeve është në zotërim të TRANZIT, ky vetë TRANZITI është në pronësi në mazhorancë nga Ballta. Por, më e çuditshmja në këtë rast është që paratë e bankave, apo të atyre të institucioneve të mikrokredive, po investohen në një pronë të stërmadhe, në zonën bregdetare në Poro të Vlorës.
Por si u la kolateral në bankë kjo pronë? Kush janë kreditorët e këqinj? A mos vallë kemi të bëjmë me një skemë të pastrimit të parave? A është nxjerrë në ankand prona, sipas rregulloreve të Bankës së Shqipërisë?
Një mori institucionesh duhet të nisin kontrollet ndaj kësaj skeme të stërmadhe, e cila pasi zhvati deri në palcë shqiptarët, tashmë po u merr edhe pronat. Një skemë që po përdoret masivisht në Shqipëri, kryesisht nga grupet kriminale, ku rasti i Rrumit të Shijakut veçse është maja e ajsbergut. Letrat janë të hapura dhe mjaftojnë hetimet apo kontrolle, kryesisht nga institucionet ligjzbatuese për të gjurmuar paranë, e cila pasi xhiron në Shqipëri, përfundon në vende offshore.Faksimile: Bilanci i vitit 2023 i Tranzit doli me fitim 26 milionë euro, për vitin 2024 nuk e ka depozituar
Në krye të skemës është kompania TRANZIT, e cila kohë më parë ishte firmë që merrej me mbledhjen e borxheve të këqija, njëjtë siç vepruan Micro Credit Albania, ADCA apo edhe FINAL. Por, çuditërisht jashtë hetimeve të Prokurorisë së Tiranës dhe më vonë të SPAK-ut ka mbetur TRANZIT, e cila tashmë gjeneron miliona euro të fituara, kryesisht në kurriz të shqiptarëve të varfër.
Sipas dokumenteve, në vitin 2023, në kulmin e lulëzimit të skemës së mbledhjes së borxheve, TRANZIT do të deklaronte një fitim kolosal, prej 26 milionë eurosh. Ndërkohë, e njëjta firma ka refuzuar në vitin 2025 të publikojë bilancin e vitit 2024, në shkelje të plotë të ligjit.
Natyrisht fshehja e bilancit bëhet me të vetmin qëllim fshehjen e skandaleve të mbledhjes së borxheve, për të mos pasur të njëjtin fat si simotrat e saj, tashmë të mbyllura dhe në procese penale dhe civile.
Skandali i mikrokredive vetëm sa ka fuqizuar rolin e saj në këtë treg të turpshëm të Tranzit. Me manovrat e pronarit, Andi Ballta, tashmë Tranzit është kompania mëmë e firmave të tjera. Duke përfshirë edhe vetë ABI BANK!Faksimile: Në janar të vitit 2025 ABI BANK bleu institucionin financiar NOA, ku transaksionet u bënë në DELAWARE (një shtet që njihej si parajsë fiskale)
Zinxhiri i kompanive sa vjen e shtohet, gjithashtu edhe portofoli i tyre, tepër i diskutuar. Sipas dokumenteve, ABI BANK ka shtrirë tentakulat e saj edhe në institucionet financiare të licensuara nga Banka e Shqipërisë, për dhënien e mikrokredive, siç është rasti i NOA.
Me një transaksion tepër të dyshimtë, në janar të vitit 2025, ABI Bank bleu institucionin NOA. Më vonë ABI BANK përthithi kompaninë NOA dhe tashmë veprojnë si një trup i vetëm!Faksimile: ABI BANK ka blerë disa vite më parë edhe bankën NRG
Disa vite më parë, sipas dokumenteve, banka ABI BANK me në krye Andi Balltën ka blerë për rreth 70 milionë euro edhe NRG Bank, ose siç njihej ndryshe banka greke në Shqipëri.
Transaksionet veçse kanë konfirmuar dominimin total të sektorit bankar nga e njëjta dorë, e cila duket se ka lidhje deri në kupolën qeverisëse, pasi anëtarë e Këshilli Mbikëqyrës ka qenë edhe zonja Lindita Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama. Por, lidhje të fortë e njëjta bankë ka edhe me opozitën, pasi Elvana Hana ka qenë në poste drejtuese.
Duket një “mburojë” e fortë që ABI BANK ka nga pushteti apo nga opozita në Shqipëri, ku megjithëse vepron në mënyrë të dyshimtë, deri më tani ia ka hedhur paq ndonjë kontrolli administrativ apo hetimi penal. Ndoshta këto lidhje e kanë ndihmuar që të shtojë dita-ditës gamën e firmave nën kontroll, ku përqendrimi tashmë është te ndërtimi.
/Vox News/ -

Si “dalin” shifrat e Bilancit të Pagesave?
Duke pasur në konsideratë edhe një shkallë të lartë informaliteti në ekonominë shqiptare, një nga pyetjet që ngrihen shpesh kur raportohen statistikat e Bilancit të Pagesave është se si i llogarit Banka e Shqipërisë ato. Në një prononcim për “Monitor”, Banka Qendrore shpjegon se shifrat e bilancit të pagesave janë rezultat i matjeve të drejtpërdrejta, të kombinuara për zëra të veçantë me anketime …
-

‘Ndërtimi dhe turizmi mbajnë gjallë ekonominë shqiptare’, Banka Botërore ngre alarmin: Vitin e ardhshëm…
Ndërtimi dhe turizmi po mbështesin rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa bujqësia vijon të bjerë, thotë në raportin e fundit Banka Botërore. Për vitin aktual ajo vlerëson se ekonomia do të rritet me 3.7%, ndërsa punësimi u rrit, i udhëhequr po nga sektori i shërbimeve, që sipas bankës kompensoi humbjet e vendeve të punës në bujqësi në tremujorin e parë të vitit 2025.
Por, për vitin e ardhshëm e në vijim Banka Botërore paralajmëron një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.5%, për shkak të pasigurive në tregtinë globale dhe ndryshimeve në perspektivën ndërkombëtare. Megjithatë, në raport theksohet se Shqipëria mund të përfitojë nga negociatat me BE-në.
“Një zbatim më i shpejtë i reformave të mbështetura nga BE-ja mund të përshpejtojë ritmin e rritjes së të ardhurave për frymë deri në 3.1 për qind mbi skenarin bazë si edhe konvergjencën me standardet e jetesës së BE-së”, thuhet në raport.
Jo vetëm Shqipëria, por të gjitha ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pritet të përjetojnë ngadalësim vitin e ardhshëm, dhe mund të ri-gjallërohen përsëri në 2027-ën thotë Banka Botërore nëse pasiguritë në ekonominë globale zbuten. Rritja ekonomike në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2026, parashikohet në 3.1% në kushtet kur po përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe rënie të popullsisë.
“Nëse tendencat aktuale të popullsisë, rritjes ekonomike dhe të tregut të punës do të vazhdojnë, rajoni mund të përballet me një mungesë prej më shumë se 190,000 punëtorësh gjatë pesë viteve të ardhshme”, vlerëson banka Botërore, e cila sugjeron të investohet më shumë në infrastrukturë, arsim dhe kapital njerëzor.
