Me urdhër të SPAK, policia ka kryer dje kontrolle në banesën e dy motrave, Xhovana dhe Alda Nikollit. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka dhënë një urdhër kontrolli për banesën e dy motrave, të cilat kanë qenë kryefjalë e medias lidhur me një ngjarje të rëndë të ndodhur pak muaj më parë në Elbasan. Një sasi tritoli që kishte në shënjestër banesën e dy motrave shpërtheu, por la të plagosur rëndë 29-vjeçarin Enea Themollari. Ky i fundit ndërroi jetë pas 3 muajsh në koma në spital për shkak të plagëve të marra.
Tritoli shpërtheu në shtëpinë ku jetonin me qira Alda dhe Xhovana Nikolli, po pati dëmtime edhe në banesën ngjitur, ku i riu jetonte me familjen e tij. Si pasojë e shpërthimit dera e banesës së 29-vjeçarit ra, duke e plagosur rëndë. Dy motrat akuzuan publikisht Nuredin Dumanin si autor të ngjarjes. Alda Nikolli deklaroi se kishte qenë në një lidhje me Dumani, ndërsa motra tjetër dyshohet se është e dashura e Amarildo Xhanej, i cili akuzohet se në bashkëpunimin me Leonard Luzin, Muharrem Koroveshin (alias Muharrem Ismaili alias Muharrem Myftaraj) dhe Erio Zejnon po planifikonin vrasjen e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullait në qytetin e Vlorës dy vite më parë.
Alda Nikolli rrëfen lidhjen me vrasësin me pagesë
E reja ka rrëfyer pak kohë më parë se me Nuredin Dumanin është njohur nëpërmjet të dashurit të motrës së saj Giovanna Nikolli, Amarildo Xhanej, po ashtu i dyshuar si vrasës me pagesë, pasi të dy ndodhen në burgun 313 në Tiranë. Por gjërat, sipas Alda Nikollit, ndryshuan pasi e dashura e Nuredin Dumanit, Mirjeta Avdiu, zbuloi lidhjen me tyre. Mirjeta Avdiu është 22-vjeçarja nga Kosova, e cila ishte në banesën me Nuredin Dumanin në momentin që ai u arrestua më 29 Mars në Fier, ku ishte strehuar pasi u plagos gjatë një atentati që i bënë në qytetin e Elbasanit po atë ditë.
“Mirjeta mori mundimin edhe të na kërcënojë, ma vërteto thoshte që ti ke folur me të. Moj po kam folur i thosha, jo “ma vërteto”. Ia vërtetova me një vokal, mbas 5 minutash pastaj ka marrë Nuredin Dumani dhe më ka kërcënuar”, rrëfeu ajo në një intervistë për TCH. Gjithashtu tregoi se vrasësi me pagesë i kishte rrëfyer disa prej krimeve të tij. “Më tregonte për vrasjet që kishte bërë me gjakftohtësi, tregonte për vajzën që kishte përdhunuar e ishte hedhur para makinës, që ka vdekur. Shumë gjëra të tjera”, tha ajo, duke pohuar se Nuredin Dumani në fakt po e përdorte, pasi sipas saj kërkonte t’i hiqte statusin e të pandehurit kunatit të saj, Amarildo Nikoll (Xhanej).