Tag: aziatik

  • Vodhi 7.5 ton kanabis/ Mediat gjermane: Bosi shqiptar do rrëmbehej nga mercenarët për llogari të një kryetrafikanti aziatik

    Vodhi 7.5 ton kanabis/ Mediat gjermane: Bosi shqiptar do rrëmbehej nga mercenarët për llogari të një kryetrafikanti aziatik

    Nga Sabine Tenta, WDR

    Të mërkurën, Zyra Kriminale e Landit (LKA) Nordrhein-Westfalen (NRW) në Gjermani dhe Zyra Qendrore për Ndjekjen e Krimeve të Organizuara (ZeOS NRW) njoftuan një sukses hetimor: katër të dyshuar, që kërkoheshin me urdhër arresti ndërkombëtar, janë arrestuar. Të pandehurit dyshohet se kanë marrë trajnim ushtarak dhe se disa prej tyre kanë qenë pjesëtarë të Legjionit të Huaj Francez. Ata akuzohen se janë pjesë e një “lufte droge” midis bandave rivale. Thuhet se ata janë angazhuar si “shërbim me pagesë” për kryerjen e krimeve. LKA e përshkruan këtë si “Violence as a Service” – pra “Dhuna si shërbim”.

    Vjedhja e disa tonëve kanabis

    LKA e NRW-së e përshkroi këtë ngjarje, siç del nga hetimet e deritanishme: Një rol qendror luan një bos aziatik i drogës, me origjinë të panjohur, të cilit i janë vjedhur midis 5 dhe 7.5 tonë kanabis i kultivuar ilegalisht. Ky aziatik dyshonte se një bos shqiptar i drogës, që vepronte në NRW, dinte diçka për vjedhjen. Për këtë arsye, ai planifikoi rrëmbimin e shqiptarit për të zbuluar se ku ishin drogat e vjedhura. Me zbatimin e planit, bosi aziatik kishte ngarkuar një grup mercenarësh nga Letonia.

    Dy nga këta mercenarë kishin rënë në sy të hetuesve në tetor 2024 gjatë një kontrolli automjeti në qytetin Herne. Ata kishin dhënë deklarata kontradiktore, ndërsa në makinë policia gjeti pajisje profesionale për përgjim dhe armë gazi. Ndërkohë, mercenarët janë dënuar me katër dhe pesë vjet burg. Hetimet e mëtejshme çuan në arrestimin e një bande të dyshuarish shqiptarë që kishin menaxhuar tre plantacione të mëdha kanabisi në NRW. Po ashtu, edhe bosi shqiptar i drogës, që supozohej se do të rrëmbehej, është arrestuar ndërkohë në Spanjë, sipas njoftimit të LKA-së.

    Hetuesit po vazhdojnë kërkimet për bosin aziatik të drogës dhe shpresojnë të marrin të dhëna të reja nga arrestimet e fundit.

    Bashkëpunim ndërkombëtar i autoriteteve hetimore

    Hetimet janë drejtuar nga LKA e NRW dhe janë koordinuar nga Europoli. Përveç autoriteteve gjermane, sipas LKA-së, kanë marrë pjesë edhe agjenci nga Danimarka, Franca, Letonia dhe Britania e Madhe. Europol-i ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme përmes koordinimit të shkëmbimit të informacionit dhe dërgimit të një eksperti në Francë.

    Sipas LKA të NRW, tregtia e paligjshme e kanabisit vazhdon të jetë një problem i madh. Përkundër shpresave fillestare, pjesërisht legalizimi i kanabisit në Gjermani nuk e ka ndryshuar këtë situatë.

  • SHBA dhe Filipinet arrijnë marrëveshje tregtare, shteti aziatik do paguajë 19% taksa për eksportet drejt Amerikës

    SHBA dhe Filipinet arrijnë marrëveshje tregtare, shteti aziatik do paguajë 19% taksa për eksportet drejt Amerikës

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se kishte arritur një marrëveshje tregtare me homologun e tij filipinas, Ferdinand Marcos, e cila parashikon vendosjen e tarifave prej 19% për importet nga arkipelagu aziatik.

    “Ishte një vizitë e mrekullueshme dhe ne finalizuam marrëveshjen tonë tregtare, sipas së cilës Filipinet do të jenë një treg i hapur për Shtetet e Bashkuara me zero tarifa. Filipinet do të paguajnë tarifa prej 19%”, tha Trump në një postim në platformën Truth Social pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin filipinas.
    Marrëvshja mes dy shteteve vjen vetëm ditë para afatit të fundit 1 gushtit, që ka vendosur presidenti amerikan, Donald Trump për hyrjen në fuqi të tarifave që ai shpalli në ditën që ai e quajti “Dita e çlirimit”.
    Shtëpia e Bardhë ka njoftuar gjatë këtij muaji se po negociohet me shumë shtete për të arritur marrëveshje tregtare para 1 gushtit.

    Top Channel

  • Nga karaoket në kishë! Kush është kardinali filipinas që mund të bëhet Papa i parë aziatik

    Nga karaoket në kishë! Kush është kardinali filipinas që mund të bëhet Papa i parë aziatik

    Kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, një figurë e njohur për thjeshtësinë dhe qëndrimet e tij progresive, përmendet gjithnjë e më shpesh si një ndër kandidatët potencialë për të pasuar Papa Françeskun.

    I njohur me nofkën “Chito”, Tagle ka fituar zemrat e shumë besimtarëve në Filipine dhe më gjerë, por në të njëjtën kohë është përballur me kritika në rritje për trajtimin e çështjeve të ndjeshme brenda Kishës Katolike.
    Në një intervistë të vitit 2015, Tagle u përgjigj me humor kur u pyet nëse kishte menduar ndonjëherë të bëhej papë: “Unë bëj një rrëfim publik këtu. Nuk mund ta menaxhoj as jetën time. Si mund ta imagjinoj një komunitet mbarëbotëror?”.
    Megjithatë, ai mbetet një nga emrat më të përfolur për kreun e Selisë së Shenjtë – dhe nëse zgjidhet, do të bëhet papa i parë aziatik në kohët moderne.
    Tagle është përshkruar shpesh si “Françesku Aziatik”, për shkak të stilit të tij të jetesës modeste dhe pikëpamjeve të tij përfshirëse. Si peshkop i Imus, ai preferonte të udhëtonte me xhipnej (mjet tradicional transporti publik në Filipine) dhe shpesh ftonte të varfrit të hanin me të. Ai ka kritikuar qëndrimet e ashpra të Kishës ndaj nënave beqare, homoseksualëve dhe të divorcuarve.
    Një tjetër element që e veçon Taglen është aftësia për të komunikuar me publikun, veçanërisht të rinjtë. Videot e tij duke kënduar dhe vallëzuar janë bërë virale në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok. Historiani Michael Xiao Chua e përshkruan atë si një “prift karaokeje” dhe “yll roku” që pas meshës mblidhet nga turma të tëra besimtarësh.
    I lindur në Imus në vitin 1957, Tagle vjen nga një familje e thjeshtë dhe fillimisht kishte dëshirë të bëhej mjek. Por rruga e tij mori një kthesë kur, sipas tij, një prift “e mashtroi” që të aplikonte në një seminar fetar. Më pas, ai mori doktoraturën në Universitetin Katolik të Amerikës dhe u emërua peshkop, më pas kryepeshkop i Manilës dhe kardinal në vitin 2012 nga Papa Benedikti XVI.
    Megjithatë, rrugëtimi i tij në hierarkinë kishtare nuk ka qenë pa polemika. Si president i Caritas Internationalis nga viti 2015 deri në 2022, ai u përfshi indirekt në një skandal të keqmenaxhimit që çoi në shkarkimin e gjithë ekipit drejtues. Edhe pse nuk ishte i përfshirë në operacionet e përditshme, largimi i tij ngjalli diskutime të shumta.
    Së fundmi, një grup i të mbijetuarve të abuzimeve seksuale nga klerikët, përfshirë Rrjetin e të Mbijetuarve të atyre që janë Abuzuar nga Priftërinjtë (SNAP), ka kërkuar hetim ndaj Tagles dhe pesë kardinalëve të tjerë për trajtimin e rasteve të dyshuara të abuzimit me fëmijë nga Caritas në Zelandën e Re dhe Republikën Qendrore Afrikane. Tagle nuk ka komentuar mbi këto akuza.
    Aktivistët gjithashtu e kanë kritikuar për mungesën e transparencës në trajtimin e abuzimeve në Filipine. Anne Barrett Doyle, nga organizata BishopAccountability.org, ka deklaruar se “kisha në Filipine është ende në epokat e errëta” për këtë çështje dhe ka vënë në dyshim gatishmërinë e Tagles për të udhëhequr një reformë në shkallë globale.
    Ndërsa emri i tij përmendet gjithnjë e më shpesh si një pasues i mundshëm i Papa Françeskut, mbetet për t’u parë nëse do të jetë karizma apo kritikat ato që do të peshojnë më shumë në vendimin për drejtimin e ardhshëm të Kishës Katolike.

    Top Channel