sali berisha dhe jamarber malltezi
TIRANË- Dosja ‘Partizani’ është zvarritur sërish, ndërsa këtë të martë seanca u shty për shkak se mungonte një prej avokatëve. Gjykata e Posaçme shtyu seancën për në datën 10 Dhjetor në ngarkim të Sali Berishës, Jamambër Malltezit, Fatmir Bektashit, Xhimi Begesë dhe Andia Pustinës, për shkak të mungesës së avokatit Sokol Hazizaj. Ky i fundit është avokati mbrojtës i Bektashit.
Në seancën e datës 10 nëntor, GJKKO rrëzoi kërkesat paraprake të avokatëve mbrojtës të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, lidhur me pavlefshmërinë e akteve të administruara gjatë hetimeve për dosjen “Partizani”.
Sipas vendimit të gjykatës, pretendimet e mbrojtjes u vlerësuan si të pabazuara në ligj. Trupi gjykues theksoi se ndaj prokurores së çështjes, Irena Gjoka, nuk ekziston asnjë vendim që ndalon ushtrimin e detyrës së saj, ndërsa caktimi i ekspertëve është bërë në përputhje me procedurat ligjore.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.









