Oficerët dhe prokurorët që hetojnë enigmën e vrasjes brutale të ndërtuesit 27-vjeçar nga Shqipëria, i cili u gjet i karbonizuar dhe i lidhur me pranga në pjesën e pasme të një makine në Skourta, në Viotia të Greqisë më 7 nëntor, po përpiqen të bashkojnë copëzat e detajeve dhe provave, për të zbuluar motivin dhe autorët.
Deri më tani, arsyet e krimit brutal nuk janë sqaruar, me policinë që po shqyrton mundësinë e rivalitetit romantik, motivin e krimit të pasionit. Kjo sepse siç informon “Protothema”, nga njëra anë i ndjeri i identifikuar si Sulo Halili, nga Beçishti i Tepelenës, nuk duket të ketë qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe nga ana tjetër, një ish-partner i një vajze me të cilën 27-vjeçari dyshohet se ishte në një lidhje, e kishte kërcënuar atë në të kaluarën.
Sipas informacioneve, sot të afërmit e 27-vjeçarit pritet të kalojnë në Polici, së bashku me avokatin e tyre Alexandros Papaioannidis, për të kontribuar me të gjitha provat që kanë për të sqaruar çështjen. Fal analizës së ADN-së, me kampionin biologjik që iu mor një prej të afërmve, u bë edhe identifikimi i viktimës. Tezja e viktimës ishte e para që dha informacione për konfliktin e vjetër të 27-vjeçarit dhe kërcënimin.
Ata do japin dëshmi plotësuese për çdo gjë që dinë, me qëllim ndihmën e hetuesve për të zbardhur krimin e rëndë. Gjithashtu do verifikohen të gjitha mesazhet dhe telefonatat e fundit të viktimës, familjarëve të tij dhe personave të tjerë.
Kujtohet se, pasi autorët e panjohur qëlluan 27-vjeçarin, ata e vendosën trupin e tij në sediljen e pasme të një makine të vjedhur dhe e dogjën për të fshirë gjurmët. Në trup u gjet edhe një pjesë metalike, që besohet se i përket predhës së plumbit.
Përfundimisht, Halili u identifikua me analizën e ADN dhe siç rezultoi, ai ishte shpallur i zhdukur që më datën 4 nëntor nga familjarët. Ai i kishte telefonuar, duke u thënë se do kthehej pasi të mbaronte punën. Madje edhe një miku të tij i bëri me dije pasi u ndanë, se do të shkonte në punë.
Makina në të cilën u gjet ai ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara, të cilat korrespondonin me një automjet të të njëjtit lloj nga zona e Pierias. Krimi ndodhi në Halkida.
Policia greke bëri me dije se Halili nuk kishte precedentë penalë dhe as ishte i pëfshirë në aktivitete të paligjshme, ndaj besohet se krimi ka ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të kohëve të fundit apo si pasojë e grindjes për xhelozi. Ndaj po bëhen edhe kërkime për autorët e mundshëm me të cilët ai ka pasur përplasjen dhe është kërcënuar në të kaluarën.