Julian Sula, Dalan Alliaj, Gilmando Dani, Muçi Shaljani dhe Mondi Mëhalla
TIRANË-Muaji Nëntor, i njohur zakonisht si periudha e festave ku vendi u vesh kuqezi për të festuar Pavarësinë dhe Ditën e Çlirimit, 28-29, këtë vit u mbyll me një atentat mafioz. Por për ‘ironi’ jo vetëm fundi! Nëntori filloi me një ekzekutim në Selenicë dhe pasoi në një seri ngjarjesh tronditëse, ku vendi u përfshi nga katër atentate.
1 Nëntor-Vritet në derën e shtëpisë me 6 plumba Dalan Alliaj
Dalan Gjollek Alliaj 36-vjeç u gjet pa shenja jete nga familjarët e tij mbrëmjen e 1 nëntorit në fshatin Gjormë të Selenicës. Bertil Alliaj ishte rikthyer në Gjormë 2 ditë më parë,dhe për tiu shmangur arrestimit nga policia përdorte një pasaportë të falsifikuar me identitetin e një shtetasi nga Kosova. Ai thirri mbrëmjen e të shtunës Dalan Alliaj, 36 vjeç babai i 2 fëmijëve për të sqaruar një bisedë, takim që përfundoi tragjikisht.
Bertil Alliaj rezulton si një nga personat më të kërkuar nga drejtësia për masakrën e Çolës në 2015, për të cilën ishte dënuar me 35 vite burg në mungesë. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë 3 të rinj, Akil Hasanaj, Ardi Velaj si dhe Albi Limaj. 36-vjeçari u ekzekutua nga djali i xhaxhait Bertil Alliaj, i cili u arrestua 5 orë mbas ngjarjes. Ky i fundit i dënuar në mungesë me 35 vite burg për vrasje dhe rezultonte i shpallur në kërkim si autor i masakrës së Çoles ku mbetën të vrarë tre të rinj. Edhe pse në kërkim për vrasje, Bertil Alliaj arriti që të qëllonte për vdekje kushëririn e tij, Dalan Alliaj, i cili sipas dëshmive të familjarëve, e kishte ndihmuar financiarisht gjatë kohësh që autori ishte në arrati, që prej vitit 2015. Autori deklaroi në polici se e ka kryer vrasjen për një arsye të fortë, të cilët nuk mund ta bëjë publike, por la të kuptohet se mund ta bëjë më vonë.
Muaji filloi me një vrajse, autori në pranga, por seria e tre ngjarjeve që shënjuan nëntorin mbeten pa arrestime dhe pa një motiv të caktuar.
11 Nëntor-10 ditë më pas ekzekutohet në mes të ditës në aeroportin e Rinasit, Gilmando Dani dhe shoqëruesi i tij, punonjësi i AMP, Muçi Shaljani
Gilmando Dani, mik dhe bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit u ekzekutua mesditën e 11 nëntorit me breshëri plumbash pranë aeroportit ‘Nënë Tereza’, teksa i plagosur rëndë mbeti edhe miku i tij, që e shoqëronte Muçi Shaljani Sheqeri, agjent i AMP-së. Ky i fundit ndërroi jetë katër ditë pas atentatit, duke çuar bilancin në 2 viktima. Ndaj automjetit të tyre ‘Benz’ u qëllua nga persona të paidentifikuar me një mjet tip “Toyota Yaris”, e cila u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes në Fushë Krujë. Autorët e maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, kanë qëlluar në drejtim të mjetit, duke e ndaluar atë në vend. Më pas, një prej autorëve ka zbritur nga makina, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të Gilmando Danit, i ulur në sediljen e pasagjerit.
Gilmando Dani sapo kishte mbërritur me mikun e tij në Shqipëri nga Barcelona, Spanjë. Të dy ishin nisur me avion drejt Barcelonës më 7 nëntor dhe kishin lënë makinën të parkuar në aeroport, ndërsa u kthyen nga Barcelona më 11 nëntor. Avioni me të cilin udhëtonte Dani zbriti në tokën shqiptare në orën 13:55, rreth 35 minuta para orarit të planifikuar. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas në rrethrrotullimin e Rinasi.
Mbi dy javë tashmë nga atentati por ende nuk ka një asnjë autor, apo të arrestuar në lidhje me ngjarjen që tronditi opinionin publik.
25 Nëntor-Atentat në Lushnjë- qëllohet drejt makinës së Julian Sulës, i njohur si ‘Juli i Pashakos’
Mesditën e 25 nëntorit në Lusnjë regjistrohen të shtëna me armë zjarri, fatmirësisht pa viktima.
Persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi mesditën e 25 nëntorit drejt automjetit të 45-vjeçarit Julian Sula. Dy autorët e kapur nga kamerat e sigurisë me kapele dhe të maskuar kanë dalë nga mjeti me kallashnikov në duar dhe kanë qëlluar drejt automjetit tip ‘BMW’, në të cilin ndodhej ‘Juli i Pashakos’. Pas atentatit autorët u larguan drejt fshatit Lifat aty ku braktisën mjetin me targa greke dhe i vunë flakën.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti i përdorur nga autorët ishte vjedhur në vitin 2022 në Greqi, ndërsa targat ishin vjedhur një vit më parë, po në Greqi, por në qytete të ndryshme. “Juli i Pashakos” nga të gjithë njihet si një nga kundërshtarët e betuar të Aldo Bares, pjesëtarit të bandës së Lushnjes. Pistat ku po hetohen janë disa duke nisur nga e kaluara e Julian Sulës në vitin 1997 e deri më sot, si lidhjet e tij me trafikun e drogës, dhe bizneset. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë.
Por sërish asnjë autor. Policia e Lushnjës ka shoqëruar mbi 30 persona për atentatin, pjesa më e madhe e tyre janë anëtarë të grupit të Aldo Bares dhe fisit Aliçka në Lushnjë, pjesëtarë të 2 fiseve të cilët vitet e fundit kanë pasur konflikte të shumta me 45-vjeçarin Sulo. Të shoqëruarit kanë mohuar përfshirjen në ngjarje dhe janë lënë të lirë.
30 Nëntor-Ekzekutohet biznesmeni Mondi Mëhalla në një atentat pranë karburantit “Xhaxhi OIL” në pronësi të tij
Biznesmeni 43-vjeçar Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e 30 nëntorit në mjetin e tij ‘Range Rover’, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit “Xhaxhi Oil” në pronësi të tij, ndërsa autorët janë larguar në drejtim të Librazhdit.
Sipas hetuesve, autorët janë siguruar për prezencën e objektivit dhe kanë pritur deri sa ai të dilte jashë dhe të hipte në automjetin e tij “Range Rover”. Menjëherë sapo ai është ulur në makinë, autorët i janë afruar me një “Audi” të zi, ku njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe ka qëllluar disa herë në drejtim të biznesmenit. Dyshohet se vetëm njëri është qitësi, ndërsa personi tjetër ka drejtuar automjetin me të cilin janë larguar pas ngjarjes. Dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Librazhdit, teksa paraditen e sotme u gjet një automjet i djegur në afërsi të fshatit Mirakë.
Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash. Mondi Mëhalla, ishte pronari i club lounge “Hollyvood Lounge Bar”, i cili njëherësh zotëronte dhe një pikë karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil” si dhe një kompani taksish me emrin “El Taxi”.
Teksa muaji nëntor u mbyll mes, atentateve dhe viktimave, vendi kthehet drejt një muaji të ri ku hetimet priten të finalizohen me pista konkrete për të zbardhjen e ngjarjeve, autorë apo arrestime./ZËRI