Industria mbështetëse automotive në vend po shfaq tendenca të ndryshme. Ndërmarrjet që prodhojnë pjesë për autovetura kanë pasur rënie të porosive, ndërsa ato në segmentin e makinave industriale kanë treguar rritje. Të dy këto segmente reflektojnë zhvillimet në shkallë globale. Rritja e kërkesës për prodhim, por potencialisht edhe zgjerimi i bizneseve në Shqipëri, po përballen me fleksibilitet gjithnjë e më të ulët duke reflektuar qartë faktin se tashmë kemi humbur avantazhin e dikurshëm konkurrues që ishte forca e disponueshme e punës. Paparashikueshmëria e politikave, sidomos lidhur me rritjen e beftë të pagave, ku njoftimet bëhen nga institucionet në afat shumë të shkurtër duket se është një nga sfidat kyçe për këto ndërmarrje që nuk gjejnë mundësi për ta parashikuar në buxhet koston e shtuar. Industria, që nisi lulëzimin e saj në 2015 duke u rritur në mënyrë të qëndrueshme për vite me radhë, tashmë ka përpara një të ardhme të paqartë e ndikuar jo vetëm nga zhvillimet e jashtme, por edhe nga sfidat lokale. Nertila Maho Viti 2025 është përshkuar nga një pasiguri e industrisë në përgjithësi dhe ajo automotive duket se nuk bën përjashtim. Kjo nuk i përfaqëson të gjithë, sepse ecuria ndikohet nga klientët dhe segmenti për të cilat këto ndërmarrje, me aktivitet në Shqipëri, prodhojnë.Operatorët e tregut pohojnë se panorama shqiptare është një reflektim i ecurisë së përgjithshme në tregjet globale duke përhapur ulje-ngritjet e saj në të gjithë hallkat e zinxhirit. Industria automotive në vendin tonë vendosi themelet e saj një dekadë më parë me sipërmarrje, numri i të cilave u rrit vit pas viti.Në fokus të punës së tyre janë disa procese të thjeshta: montim apo bashkim kabllosh e telash, prodhim gominash e pjesë bazë për automjete.Krahu i disponueshëm i punës dhe fakti që për të kryer proceset nuk duhet ndonjë kualifikim i veçantë sollën si pasojë që tregut shqiptar t’i shtoheshin njëri pas tjetrit emra si “Forchner”, “PSZ Albania”, “Delmon Albania”, “Yura” që operon në Fier, “SEWS Cabind” dhe më pas edhe “Everest Automotive”.Tashmë duket se zgjerimi i industrisë ka arritur një pikë kritike. Planet e zgjerimit shpeshherë bëhen të vështira sepse mungesa e forcës së punës është një nga presionet më të mëdha mbi këto plane.Kjo ndihet edhe në këto tre vitet e fundit, kur duket se eksportet e këtij grupi kanë qenë në një fazë stanjacioni. Pra, planet e prodhimit janë më dinamike duke ndryshuar shpesh, ka ulje dhe rritje të papritura, të cilat kompanitë i përshtaten por nuk flasim më për një rritje të dukshme si para pandemisë së COVID-19. Ecuria e industrisë automotive gjatë 2025Viti 2025 ka pasur ecuri të qëndrueshme në prodhim nga këto kompani. Operatorët e tregut pohojnë se kjo lidhet më shumë me atë që është duke ndodhur në Europë në tregjet e automjeteve.“Situata deri në tremujorin e tretë ka qenë nën pritshmëritë e fillimvitit, por e stabilizuar.Kërkesa për produktet e prodhuara në kompaninë tonë ka qenë në mënyrë konstante rreth 10% nën vlerat e buxhetit. Kjo sigurisht ka ndikuar në reduktimin e vendeve të punës në nivel operatorësh, por stabiliteti i kërkesës na ka dhënë mundësinë që të planifikojmë më mirë dhe të ruajmë eficiencën operacionale.Një situatë e tillë për kompaninë tonë lidhet drejtpërdrejt me tregun e automobilave në Europë, duke qenë se produktet tona eksportohen 100%”, pohon Ertjan Çabiri, Drejtor Menaxherial i “Delmon Group Shqipëri”.Sipas tij, rënia e shitjeve të automjeteve gjatë këtij viti në Europë nuk është pasojë e një faktori të vetëm, por një ndërthurje e politikave mjedisore, presioneve ekonomike dhe ndryshimeve në preferencat e konsumatorëve.Disa segmente të tjera kanë pasur ecuri më të mirë dhe kjo lidhet kryesisht me mjetet e punës. Të paktën kjo ka ndodhur për “Forschner Albania” që këtë vit i është dashur të përballet me nevojën për t’u zgjeruar, si efekt i afrimit të tre klientëve të rinj potencialë.“Nisur nga ecuria e mirë gjatë vitit 2024, janë afruar të paktën tre klientë të rinj potencialë për të zhvilluar dhe për të zgjeruar hapësirat prodhuese në fabrikën në Shqipëri.Momentalisht jemi në fazën e implementimit të këtyre projekteve të reja, çka na solli edhe sfidën në fillim të periudhës së vjeshtës për shtimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, me të cilën jemi duke u përpjekur ende për të arritur një rezultat që të mos kemi problematika te dërgesat për klientët” shprehet Eris Jaçaj, Drejtor Menaxherial i “Forschner Albania” Sfidat e forcës punëtore po e bëjnë të vështirë zgjerimin e kompaniveMungesa e forcës punëtore të disponueshme ka vënë nën presion thuajse çdo sektor në vend. Për industrinë automotive, me fabrika që kanë qindra të punësuar, kjo sfidë është bërë edhe më e madhe.Së pari, kompanitë përballen me një turnover (lëvizje) të lartë të punonjësve, pra largime dhe zëvendësime në një periudhë të caktuar kohe.Ky tregues është më i lartë se më parë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, zgjerimi për t’iu përshtatur një kërkese të lartë prodhimi nga klientët potencialë është edhe më i vështirë.Sipas z. Jaçaj, Shqipëria tashmë ka humbur avantazhin konkurrues që kishte dikur me forcën e disponueshme punëtore dhe çdo ndryshim në planet e prodhimit përballet me fleksibilitet të ulët.“Sa i takon presionit në tregun e punës, vërehet se me rritjen e shpejtë të kërkesës nga klientët, kemi humbur një pjesë të fleksibilitetit që na karakterizonte më parë.Dikur kishim mundësi t’u përgjigjeshim kërkesave shtesë me një fleksibilitet prej rreth 20%, çka do të thoshte se, edhe në rast se klientët kërkonin rritje të volumit të punës në momentet e fundit, ne mund ta menaxhonim pa vështirësi.Ky avantazh na mundësonte të ishim më konkurrues në tregun ndërkombëtar dhe të ruanim pozicionin përballë konkurrentëve globalë” shprehet ai.Për z. Çabiri, një valë e re emigrimi po bëhet shqetësues dhe këtu nuk flasim për punonjësit e thjeshtë, por për ata në nivele menaxheriale.“Fuqia punëtore mbetet një problem, por duke qenë se industria automotive ka qenë në trend negativ, nuk ka qenë problemi kryesor.Më shqetësues ka qenë një valë e re emigrimi te ‘jakat e bardha’, e cila krijon mungesë stabiliteti në nivel menaxherial për periudha të caktuara”, nënvizon ai.Nëse Shqipëria është ende tërheqëse për investime, z. Çabiri shprehet se po, por për ato që nuk kërkojnë një numër të lartë punonjësish. Pikiata e Euros po bëhet problem real për kompanitë Zhvlerësimi i Euros përballë Lekut është bërë pjesë tradicionale e parashikimit në buxhetet e kompanive që eksportojnë, përfshirë ato automotive që kontratat i kanë në Euro.Pavarësisht pritshmërive për vijimin e zhvlerësimit të Euros duket se rënia ka qenë edhe më e theksuar sesa ato që vetë kompanitë kanë bërë duke e kthyer këtë në një problem real.“Në momentin e hartimit të buxhetit të vitit 2025, ne vendosëm të marrim një qasje pesimiste në parashikimin e ecurisë dhe vijimësinë e zhvlerësimit të Euros. Dhe rezultati deri tani është që po e tejkalon atë pesimizëm që patën në fund të vitit 2024.“Në momentin e hartimit të buxhetit për vitin 2025, vendosëm të adoptonim një qasje pesimiste në parashikimin e ecurisë së kursit të Euros dhe zhvlerësimit të mundshëm të saj.Megjithatë, rezultatet deri tani kanë tejkaluar këtë nivel pesimizmi që kishim parashikuar në fund të vitit 2024”, – shprehet z. Jaçaj. Pjesa më e madhe e shpenzimeve të këtyre kompanive janë pagat e punonjësve dhe këtu kemi një efekt të dyfishtë pasi përveç efektit të Euros është edhe rritja e pagave.“Forcimi i Lekut në raport me Euron ka filluar të jetë përsëri shqetësues, ndonëse në gjashtëmujorin e parë ka pasur stabilitet. Nga ana tjetër, pagat e fuqisë punëtore kanë qenë në rritje dhe pritet të rriten më shumë nëse rritet paga minimale.Pra, në përgjithësi, presioni mbi marzhin e fitimit është në rritje, si nga rënia e të ardhurave, ashtu edhe nga rritja e kostove, duke e bërë shumë më pak tërheqës aktivitetin ekonomik për kompanitë e mëdha në industri”, pohon z.Çabiri. Parashikueshmëria e politikave dhe pritshmëria për 2026Një nga elementet që kompanitë shohin si problem është mungesa e informacionit në kohë dhe kjo lidhet me disa politika që ndërmerren nga qeveria.Konkretisht, me vendimet për rritjen e pagave. Ato gjykojnë që do të ishte e udhës që të kishte një plan afatmesëm për trendin që do të ndjekin pagat si një formë për ta parashikuar atë në buxhetet vjetore, por edhe në kostot e tyre reale që lidhen direkt me çmimet e kontratave që kanë me klientët.Teksa pak javë më parë, qeveria deklaroi për një rritje pagash, sot kur ka kaluar pjesa më ë madhe e tetorit nuk ka një vendim konkret që përcakton këtë rritje.Pavarësisht sfidave dhe situatës së përgjithshme, kompanitë presin që të mbyllin vitin 2025 në nivelet e vitit 2024. Ndërkohë për vitin e ardhshëm, panorama mbetet e paqartë.“Për fat të keq, edhe viti që vjen karakterizohet nga një paqartësi dhe pasiguri e lartë dhe rrjedhimisht shitjet parashikohen përsëri në rënie në gjashtëmujorin e parë.Paqartësia vjen nga situata gjeopolitike që ndikon ekonominë në përgjithësi. Mjafton të përmendim që rreth 60% e automjeteve në Europë blihen nga kompanitë, pra jo individët, për të kuptuar sa i ndjeshëm është sektori automotiv nga ecuria e sektorëve të tjerë dhe ekonomia në tërësi.Megjithatë, pasiguria është e lartë, që do të thotë se është e vështirë të parashikohet saktë, dhe nëse duam të jemi optimistë, mund të shpresojmë një trend në rritje në gjashtëmujorin e dytë”, nënvizon z. Çabiri.Nga ana tjetër, disa segmente të tregut presin që të mos ndiejnë të njëjtën luhatje si tregu i autoveturave të thjeshta.“Sektori automotiv në Europë, kryesisht i automjeteve të vogla, ka një rënie të theksuar sipas gjithë diskutimeve që bëhen.Megjithatë, sektori specifik ku ne operojmë apo ku janë klientët tanë, që i takojnë industrisë apo mjeteve të punës, është më i stabilizuar.P.sh., në momentin që një bashki në Gjermani vendos të ndryshojë flotën e autobusëve, do të marrë autobusët e Citaro apo Daimler, që është prodhuesi kryesor, dhe kjo gjeneron kërkesën.Pra ka efekt zinxhir, ndaj dhe ne nuk e ndiejmë shumë këtë pjesë. Përveç kësaj, dhe klientët e rinj që përmenda, mendoj se do të vijojmë me rritjen, ndaj kemi planifikuar edhe zgjerimin e sipërfaqes prodhuese me të paktën edhe 5 mijë m² shtesë në afatmesëm”, shprehet z. Jaçaj. Eksportet, 8-mujori shënoi rritje me rreth 6%Në fund të gushtit, eksportet në grupin “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ku klasifikohen edhe produktet e industrisë automotive shënuan vlerën 26 miliardë lekë, apo rreth 260 milionë euro me një rritje prej 6% në raport me 8-mujorin e një viti më parë.Por pavarësisht një situate më pozitive duket se ajo nuk reflekton ecurinë apo pritshmëritë që operatorët kanë në tërësi për sektorin në vazhdim.Nga viti 2023, ai po tregon një stanjacion të lidhur ngushtë me zhvillimet në tregun europian ku pjesa më e madhe e tyre eksportojnë për kompanitë mëmë.Viti 2025 pritet të jetë pak a shumë në të njëjtin nivel si viti i kaluar dhe gjasat janë që me panoramën aktuale edhe ai pasardhës të lundrojë në të njëjtën pasiguri.Për herë të parë që nga 2016, kur filluan rritjen e vrullshme, eksportet e makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit shënuan tendencë rënëse, ndonëse të lehtë në vitin 2023. Shitjet e këtij grupi ishin rreth 39 miliardë lekë, me tkurrje prej 1.5% me bazë vjetore.Tendenca rënëse është përkeqësuar në vitin 2024. Eksportet e makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit kanë rënë me 3.8% me bazë vjetore, duke reflektuar kryesisht zhvlerësimin e Euros. Burimi: INSTAT Treguesit e 2024, ngec industria mbështetëse automotive, bie punësimiIndustria mbështetëse automotive ishte nga të paktët sektorë që tërhoqi investime të huaja vitin e fundit duke shfrytëzuar avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore.Ky sektor kryesisht punon me sistemin e materialit të porositësit, nëpërmjet montimit të sistemeve elektrike dhe mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.Kompanitë kryesore në këtë segment janë “Yura Corporation”, “SEWS Cabind Albania”, “Forschner Albania”, “Delmon Group Albania”, “PSZ Albania”.Pas një rritjeje të shpejtë në 2021–2022, në dy vitet e fundit segmenti ka shfaqur shenja të forta ngadalësimi, madje dhe tkurrje, duke qenë larg planeve të zgjerimit, teksa ka filluar dhe reduktimin e numrit të punonjësve.Të ardhurat e pesë operatorëve kryesorë të këtij segmenti në vitin 2024 ishin 11.9 miliardë lekë, me tkurrje prej 1.6% me bazë vjetore, përkundrejt rritjes me 72% dhe 20% përkatësisht në vitin 2022 dhe 2023. Por cilët janë treguesit që regjistruan kompanitë më të mëdha në vend gjatë 2024-s?“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në këtë segment, ka shënuar rënie të të ardhurave, për herë të parë që pas fillimit të aktivitetit.Në vitin 2024, kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 5.7 miliardë lekësh, me tkurrje prej 3.7% me bazë vjetore. Në vitin 2023, kompania kishte parë një zgjerim prej 10% dhe në vitin 2022, me 30%.Megjithatë, numri i punonjësve ka ardhur në rritje, duke arritur në 1915 në fund të vitit 2024, nga 1889 në vitin 2023.Për dy vjet radhazi (2023-2024) shoqëria ka rezultuar me humbje prej rreth 215-219 milionë lekësh në vit, duke e detyruar atë të rrisë kapitalin në mënyrë që të vazhdojë aktivitetin, si dhe të kërkojë mbështetje nga shoqëritë e vendeve të tjera.“Në mënyrë që Shoqëria të plotësonte nevojat e saj për likuiditet dhe të vazhdonte pa ndërprerë operacionet, më 5 dhjetor 2024, ortaku i vetëm i shoqërisë vendosi për rritjen e kapitalit të nënshkruar të shoqërisë në shumën 4,500,000 euro (në shumën ekuivalente në lekë 442,485,000).Përveç kësaj, ‘Yura Sllovakia’ është zotuar, përmes një letre mbështetëse të datës 21 janar 2025, të mbështesë Shoqërinë për të përmbushur detyrimet e saj për të ardhmen e parashikueshme”, thuhet në raportin vjetor.Pas këtyre ndërhyrjeve, shoqëria vlerëson që “bazuar në pozicionin e likuiditetit të Shoqërisë, në datën e autorizimit të këtyre pasqyrave financiare, dhe në pasigurinë që rrethon zhvillimin e ardhshëm të shpërthimit, menaxhmenti vlerëson se ajo nuk do të ketë nevojë për financim shtesë për të përmbushur detyrimet e saj financiare”.“Yura Corporation Albania” sh.p.k., mori status si investitor strategjik nga qeveria shqiptare në 2018-n. Në korrik 2019 nisi ndërtimin e fabrikës në Fier.Në atë kohë, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë investim si bazë për zhvillimin e sektorit të prodhimit teknik dhe elektronik për automobilat.Në planin fillestar, kompania parashikonte të zgjerohej vazhdimisht, duke arritur 4,000 të punësuar në total nëpërmjet ngritjes edhe të dy fabrikave të tjera në Elbasan dhe Librazhd.Planet duket se janë lënë në pritje, teksa në raportin e 2024, kompania specifikon se nuk ka në plan të rriste numrin e punonjësve më shumë se 2 mijë persona.“SEWS Cabind Albania”, pjesë e grupit “SEWS Cabind S.p.A”, me seli qendrore në Collegno, Torino, Itali, hyri në Shqipëri në vitin 2019.Pas rritjes së shpejtë në vitin 2023, kur shënoi një zgjerim prej 40%, aktiviteti është ngadalësuar në 2024-n.Të ardhurat e shoqërisë ishin 4.1 miliardë lekë, me një rënie prej gati 1% me bazë vjetore, teksa po punon me rreth gjysmën e kapacitetit.Siç thuhet në raportin e aktivitetit, “gjatë vitit 2024, Shoqëria ka operuar me kapacitet prodhimi prej 53% dhe ka ruajtur një nivel të qëndrueshëm shitjesh kundrejt klientëve të saj kryesorë”.Numri i punonjësve ka rënë në 1224, nga 1303 në fund të vitit 2023. Shoqëria ka ndërtuar disa fabrika prodhimi dhe ka vazhduar me procesin e instalimit të makinerive për linjat e reja të prodhimit.Ndërkohë Shoqëria është ende në proces për rekrutimin e stafit dhe trajnimin e tyre për operacionet e prodhimit për të mbuluar kapacitetin e synuar të operacioneve prodhuese.Në kuadër të financimit të investimeve të saj në Shqipëri, Shoqëria ka nënshkruar një linjë kredie me shoqërinë mëmë “SEWS Cabind S.p.A”, me një vlerë maksimale deri në 10 milionë euro me kohëzgjatje 1 vit dhe me normë interesi prej 4,5%.Për vitin e mbyllur, më 31 dhjetor 2024, Shoqëria ka përdorur 8.8 milionë euro nga kjo linjë kredie.“Forschner Albania” është themeluar në vitin 2015. Aktiviteti kryesor i Shoqërisë përfshin prodhimin e sistemeve kabllore, prodhimin e sistemeve elektromekanike, përfshirë edhe aktivitete të tjera të lidhura me sistemet e prodhimit të sistemeve elektromekanike.Të ardhurat e kompanisë u rritën me 11.9% në vitin 2024, duke arritur në 1.38 miliardë lekë, pas një zgjerimi me 30% vitin e mëparshëm.Ndonëse të ardhurat janë rritur, numri i punonjësve ka rënë për të dytin vit radhazi, nga 1010 në vitin 2022, në 865 në vitin 2023 dhe 813 në 2024-n.“Kostoja e prodhimit u menaxhua më mirë, ndërsa u investuan mbi 65 milionë lekë në makineri dhe pajisje të reja”, thuhet në raportin vjetor.Kompania thotë se ecuria e të ardhurave lidhet me çmimet e larta të transportit dhe materialeve të importuara; Ndryshimet në kërkesat e industrisë automobilistike; Luhatjet e kursit të këmbimit, ku në 2024-n, një euro u këmbye mesatarisht me 98.15 lekë.Shoqëria planifikon zgjerimin e linjave të prodhimit në Domje, integrimin e teknologjive ERP për logjistikë, si dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit teknik për përmirësimin e cilësisë dhe eficiencës.“PSZ Albania”, shoqëri në fushën e fasonerisë për montimin, riparimin, bashkimin e kabllove dhe paketave elektronike me kapital gjerman, ndonëse është nga të parat që është hapur në këtë segment, nuk është treguar agresive në zgjerim, përkundrazi po shënon tkurrje të aktivitetit për të dytin vit radhazi.Kompania raportoi të ardhura prej rreth 355 milionë lekësh, me tkurrje prej 14% me bazë vjetore, pas rënies me 22% vitin e mëparshëm. Edhe personeli po shkurtohet.Sipas të dhënave nga raporti i aktivitetit, shoqëria ka pasur të punësuar 284 persona në vitin 2024, nga 373 persona në vitin 2023, 449 persona në fund të vitit 2022 dhe 465 persona në fund të vitit 2021. “PSZ Albania GmbH” zhvillon veprimtarinë e saj në fushën e fasonerisë për montimin, riparimin, bashkimin e kabllove dhe paketave elektronike.“Delmon Group Albania”, pjesë e grupit francez me të njëjtin emër, e krijuar në 2017-n, me aktivitet në prodhimin dhe përpunimin e materialeve të gomës dhe plastikës në pjesët e prodhuara dhe aplikimet industriale të lidhura me to (fasoneri), ka raportuar të ardhura prej 355 milionë lekësh në 2024-n, me tkurrje prej 9.5% me bazë vjetore.Kompania kishte 150 punonjës në vitin 2024, nga 139 në vitin 2023. Burimi: INSTAT Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Tag: automotive
-

Ngec industria mbështetëse automotive, bie punësimi
Industria mbështetëse automotive ishte nga të paktët sektorë që tërhoqi investime të huaja vitin e fundit, duke shfrytëzuar avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore.Ky sektor kryesisht punon me sistemin e materialit të porositësit, nëpërmjet montimit të sistemeve elektrike dhe mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që p…
