Tag: autizmit

  • Pse po rritet shkalla e rasteve të fëmijëve me autizëm?

    Pse po rritet shkalla e rasteve të fëmijëve me autizëm?

    Reuters
    Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bëri të ditura të dhëna e reja këtë javë për autizmin, të cilat tregojnë se shkalla e diagnostikimeve me autizëm te fëmijët amerikanë shënoi rritje rekorde në vitin 2022.

    Autizmi është çrregullim neurologjik dhe zhvillimor, i karakterizuar nga ndërprerje në sinjalizimin e trurit, të cilat shkaktojnë sjellje, komunikim, ndërveprim dhe të mësuar të mënyra të pazakonshme.
    Numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm në SHBA është rritur ndjeshëm që nga viti 2000. Kjo ka shtuar shqetësimin publik se çfarë po e shkakton përhapjen e tij.
    Si diagnostikohet autizmi?
    Nuk ka mjete objektive për diagnostikimin e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD), siç njihet autizmi me emër mjekësor, siç janë analizat gjaku apo skanimi i trurit në rëntgen. Në vend të tyre, diagnozat bëhen bazuar në vëzhgime dhe intervista.
    Termi “spektër” pasqyron gamën e gjerë të manifestimeve të mundshme. Disa persona me ASD mund të kenë aftësi të mira për bisedë, ndërsa të tjerë mund të jenë jokomunikues. Disa mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj zërave, prekjes apo stimujve të tjerë. Të tjerë mund të kenë sjellje ose interesa të kufizuara apo të përsëritura. Disa mund të kenë nevojë për ndihmë në jetën e përditshme, ndërsa të tjerë shumë pak ose fare.
    Akademia Amerikane e Pediatrisë këshillon që të gjithë fëmijët të kontrollohen për autizëm në muajt 18 dhe 24, kur shumica e tyre fillojnë të shfaqin simptoma. Megjithatë, mosha mesatare e diagnozës mbetet afër 4 vjeç në SHBA dhe 5 vjeç globalisht.
    Sa i zakonshëm është autizmi?
    Në vitin 2022, shkalla e diagnostikimit me autizëm te 8-vjeçarët në SHBA ishte 1 në 31, ose 3.2 për qind, nga 2.77 për qind në vitin 2020, 2.27 për qind në vitin 2018 dhe 0.66 për qind në vitin 2000, sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
    Një studim në Angli në vitin 2021 gjeti se shkalla e autizmit te fëmijët atje u rrit në 1.76 për qind, nga 1.57 për qind në vitin 2009.
    Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se përhapja globale te fëmijët është 1 për qind, nga 0.62 për qind në 2012, me vërejtjen se shumë vende nuk kanë burime për t’i identifikuar dhe raportuar rastet.
    Çka e shkakton autizmin?
    Shkaqet e autizmit nuk janë të qarta.
    Shkencëtarët mendojnë se karakteristikat neurologjike mund të zhvillohen gjatë shtatzënisë, kur truri i fetusit është duke u formësuar. Studimet e lidhin autizmin me faktorë gjatë shtatzënisë, dhe disa kërkime sugjerojnë një lidhje me komplikimet gjatë lindjes dhe kohën e lindjes.
    Faktorët gjenetikë përbëjnë rreth 80 për qind të rrezikut për zhvillimin e autizmit, sipas studimeve.
    Një fushë kërkimi në rritje është epigjenetika – ndërveprimi midis faktorëve gjenetikë dhe atyre mjedisorë. Një teori sugjeron se ekspozimi i një gruaje ndaj ndotjes së ajrit ose substancave të dëmshme para ose gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë një mutacion gjenetik që çon në autizëm te fëmija.
    Variacionet gjenetike te disa persona me autizëm forcojnë provat për një komponent gjenetik. Disa çrregullime gjenetike të lidhura me rrezik më të lartë për autizëm përfshijnë sindromën Fragile X, kompleksin sklerozë tuberoz, sindromën Phelan-McDermid dhe sindromën Prader-Willi.
    Faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë peshën shumë të ulët në lindje, verdhëzën te të porsalindurit, komplikimet gjatë shtatzënisë ose lindjes, probleme me florën bakteriale të zorrëve, çrregullime të sistemit imunitar, të pasurit një vëlla ose motër me autizëm, dhe faktorë prindërorë si mosha, obeziteti dhe diabeti.
    Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy, Jr. dhe figura të tjera publike kanë promovuar një teori – në kundërshtim me provat shkencore – se vaksinat e fëmijërisë shkaktojnë autizëm.
    Ideja rrjedh nga një studim i rrëzuar më parë i studiuesit britanik, Andrew Wakefield, në fund të viteve ‘90 që e lidhi rritjen rasteve me autizëm me përdorimin e madh të vaksinës së fruthit.
    Asnjë studim serioz nuk ka gjetur lidhje midis autizmit dhe vaksinave apo përbërësve të tyre si timerosali apo formaldehidi. Shkalla e vaksinimit ka rënë ndërkohë që rastet me autizëm janë rritur.
    Pse po rriten rastet me autizëm?
    Studiuesit ia atribuojnë kryesisht rritjen e rasteve me autizëm skanimit më të madh dhe përfshirjes së një game më të gjerë sjelljesh në përkufizimin e çrregullimit. Historikisht, përkufizimi i autizmit përfshinte vetëm aftësi të kufizuara intelektuale të moderuara, deri në të rënda. Sot, mjekët njohin se format më të rënda përbëjnë vetëm rreth 25 për qind të rasteve.
    Në vitin 2013, ekspertët e shëndetit mendor kombinuan tri diagnoza të ndara – çrregullimi autistik, çrregullimi i Aspergerit dhe çrregullimi zhvillimor gjithëpërfshirës – nën ombrellën e çrregullimit të spektrit të autizmit.
    Një studim i tetorit 2024 mbi të dhënat e sigurimeve shëndetësore në SHBA gjeti rritjet më të mëdha të diagnozave në grupe që më parë kishin norma të ulëta zbulimi, përfshirë të rinjtë, gratë dhe fëmijët nga disa grupe racore ose etnike.
    Studiuesit kanë vërejtur gjithashtu se disa faktorë rreziku janë bërë më të zakonshëm, si lindja e parakohshme apo lindja nga prindër të moshuar.
    Diagnozat e formave më të rënda të çrregullimit, të njohura si autizëm i thellë, nuk janë rritur ndjeshëm sa format më të lehta të autizmit, raportoi CDC.
    Kennedy ka deklaruar, pa prova shkencore, se faktorët mjedisorë janë përgjegjës për rritjen e madhe të rasteve të autizmit dhe se ai planifikon të financojë hulumtime për t’i identifikuar ato.
    A ka tretman?
    Nuk ka tretman apo shërbim për autizmin. Megjithatë, ekspertët pajtohen se diagnoza e hershme është thelbësore. Ndërhyrjet mbështetëse – idealisht para moshës trevjeçare – janë vendimtare për përmirësimin e aftësive kognitive, sociale dhe të komunikimit.
    Këto masa mund të përfshijnë terapi për të folurit, terapi profesionale, trajnime për t’u shoqëruar, terapi për integrimin ndijor, ndihma vizuale, rutina të strukturuara, plane arsimore individuale, terapi familjare dhe ofrim të një mjedisi të qetë dhe të parashikueshëm.
    Përgatiti: Ekrem Idrizi

  • Pse autizmi mbetet një mister gjenetik

    Pse autizmi mbetet një mister gjenetik

    Pas dekadash kërkimesh dhe keqkuptimesh, shkencëtarët po arrijnë më në fund të hedhin dritë mbi komponentin gjenetik të autizmit. Deri në vitet 1970, autizmi gabimisht i atribuohej prindërimit të keq, duke u përhapur teori si ajo e “nënës frigoriferike”, e cila e lidhte këtë çrregullim me mungesën e dashurisë nga nëna. Por një studim historik në vitin 1977, i cili tregoi përqindje të larta të autizmit tek binjakët identikë, vuri bazat për një kuptim të ri dhe më të saktë: autizmi ka një komponent të fortë gjenetik.

    Që atëherë, përmes dekadash kërkimi, studiuesit kanë identifikuar të paktën 100 gjene të lidhura me autizmin. Disa mutacione të fuqishme, të quajtura “de novo”, ndodhin spontanisht në embrion dhe janë përgjegjëse për raste të rënda me paaftësi të mëdha. Në raste të tjera, mutacionet trashëgohen nga prindërit, edhe nëse ata vetë nuk shfaqin shenja të autizmit, për shkak të ndërveprimeve të ndërlikuara me variante të tjera gjenetike.

    Por ndonëse kërkimi gjenetik ka sjellë përparim, ai ka hapur edhe debate të thella etike. Shumë në komunitetin autik e shohin autizmin jo si një çrregullim, por si një pjesë të identitetit të tyre. Ata shprehin shqetësimin se kërkimi gjenetik mund të çojë në përdorime diskriminuese, si testet prenatale që mund të nxisin prindërit të ndërpresin shtatzëninë nëse zbulohet një predispozitë për autizëm.

    Studiuesit si Daniel Geschwind dhe Thomas Bourgeron, ndërkohë, theksojnë se gjetjet e tyre mund të ndihmojnë familjet që të kuptojnë më mirë sfidat dhe të parashikojnë zhvillimin e fëmijëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ekspertët pranojnë se autizmi është një spektër i gjerë, dhe se shumë njerëz autikë zotërojnë aftësi të jashtëzakonshme në fusha si matematika, arti apo analiza sistemike – ndoshta pikërisht për shkak të atyre gjeneve që i bëjnë të ndryshëm.

    Me kërkime që tashmë synojnë të kuptojnë edhe dallimet gjinore në autizëm, shkencëtarët përballen me një pyetje sfiduese: Si të përdoren njohuritë gjenetike pa shkelur të drejtën për identitet dhe diversitet neurozhvillimor? Përgjigjja mbetet ende e paqartë – por ajo që është e sigurt, është se zbulimet gjenetike po e transformojnë mënyrën se si e kuptojmë autizmin në shekullin XXI.

  • Sekretari amerikan i Shëndetësisë zotohet të gjejë shkakun e autizmit brenda shtatorit

    Sekretari amerikan i Shëndetësisë zotohet të gjejë shkakun e autizmit brenda shtatorit

    Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr, ka njoftuar nisjen e një fushate pesëmujore kërkimore për të identifikuar shkakun e autizmit, duke premtuar një “përpjekje masive testimi dhe kërkimi” me përfshirjen e “qindra shkencëtarëve nga e gjithë bota”.Kennedy tha se deri në shtator, administrata e tij do të zbulojë se çfarë e ka shkaktuar rritjen e rasteve të autizmit dhe se do të punojë për të “eliminuar ato ekspozime”. Ai përmendi vaksinat, ajrin, ujin dhe sistemin ushqimor si pjesë të hetimit.
    Megjithatë, ekspertët dhe shoqatat shëndetësore kanë kritikuar këtë plan, duke e cilësuar jorealist, të dëmshëm dhe jo të bazuar në prova shkencore. Shoqata e Autizmit të Amerikës reagoi ashpër, duke theksuar se autizmi nuk është një sëmundje dhe se fokusi vetëm në faktorët mjedisorë ushqen stigmat dhe keqinformimin.Kennedy, i cili prej kohësh ka lidhur pa prova vaksinat me autizmin, është vënë në qendër të kritikave për përfshirjen në ekipin e tij të David Geier, një person i diskredituar dhe i gjobitur për praktikë të paligjshme të mjekësisë dhe trajtime të rrezikshme për fëmijët autikë.
    Shkencëtarët theksojnë se autizmi është një çrregullim kompleks, që nuk ka një shkak të vetëm, dhe se kërkimi shkencor ka identifikuar një kombinim faktorësh gjenetikë dhe mjedisorë. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që vaksinat shkaktojnë autizëm.

  • Robert F. Kennedy Jr zotohet të gjejë shkakun e autizmit deri në shtator

    Robert F. Kennedy Jr zotohet të gjejë shkakun e autizmit deri në shtator

     

    Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr, ka shpallur nisjen e një iniciative ambicioze për të zbuluar shkaqet e autizmit brenda pesë muajsh, në atë që ai e përshkroi si një “përpjekje masive testimi dhe kërkimi” me pjesëmarrjen e qindra shkencëtarëve nga mbarë bota.

    Duke folur në një takim të kabinetit të enjten, Kennedy premtoi një qasje gjithëpërfshirëse, e cila do të shqyrtojë çdo faktor të mundshëm – nga vaksinat dhe ndotja, deri te stili i jetesës dhe prindërimi.

    “Deri në shtator, ne do të dimë se çfarë e ka shkaktuar epideminë e autizmit dhe do të jemi në gjendje t’i eliminojmë ato ekspozime,” deklaroi ai, duke theksuar rëndësinë e transparencës, bashkëpunimit shkencor dhe të dhënave të hapura.

    Ky angazhim vjen në një kohë kur diagnozat e autizmit janë në rritje, me shifra që tregojnë se 2.77% e fëmijëve 8-vjeçarë në SHBA janë diagnostikuar me çrregullimin e spektrit të autizmit deri në vitin 2020. Kennedy argumenton se është koha për të kuptuar thellësisht se cilët faktorë kontribuojnë në këtë rritje, për të ndihmuar familjet, komunitetet dhe sistemin shëndetësor të përgatiten dhe të përgjigjen më mirë.

    Përmes kësaj nisme, Kennedy synon të çojë përpara një politikë të re të shëndetit publik që nuk shmang pyetjet e vështira dhe nuk mbyllet ndaj teorive të reja kërkimore. Ai nënvizoi se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë shkencore: “Ne do të shohim vaksinat, por do të shohim gjithçka – sistemin ushqimor, ujin, ajrin tonë, mënyrat e prindërimit, çdo ndryshim potencial që mund të ketë ndikuar.”

    Megjithëse disa ekspertë kanë shprehur skepticizëm për kohëzgjatjen e afatit, shumë e shohin nismën si një shans për të përqendruar më shumë vëmendje dhe burime në një çështje që prek miliona familje në mbarë botën. Në fokus të Kennedy-t është bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përdorimi i mjeteve më të avancuara të kërkimit për të ndriçuar më shumë mbi këtë çrregullim kompleks.

    Me këtë hap të guximshëm, Kennedy synon të vendosë në qendër të debatit publik një prej temave më të rëndësishme të shëndetit modern, duke shfaqur një qasje të hapur dhe kërkimore që shumë e shohin si të domosdoshme për të ecur përpara.

  • Autizmi në moshë madhore/ Shenjat dhe sfidat e diagnostikimit

    Autizmi në moshë madhore/ Shenjat dhe sfidat e diagnostikimit

    Simptomat e autizmit tek të rriturit mund të shfaqen ndryshe nga ato te fëmijët dhe shumë individë të rritur kanë mësuar si të jetojnë me to, duke i menaxhuar me kalimin e viteve.

    Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ASD) është një nga çrregullimet neurozhvillimore më të zakonshme, dhe zakonisht diagnostikohet gjatë fëmijërisë, shpesh pas moshës 4 vjeçare. Megjithatë, disa të rritur nuk diagnostikohen që në fëmijëri, edhe kur simptomat e tyre janë të dukshme dhe të rënda.

    Shenjat dhe simptomat e autizmit në moshë madhore mund të përfshijnë vështirësi në zhvillimin e bisedës, probleme në krijimin e miqësive të ngushta, parehati gjatë kontaktit me sy, sfida me rregullimin e emocioneve, dhe një interes ekstrem për një temë të caktuar. Disa individë mund të përjetojnë mbindjeshmëri ndaj tingujve dhe aromave, vështirësi në kuptimin e sarkazmës, dhe probleme me leximin e emocioneve të të tjerëve.

    Për shumë individë autikë, diagnoza mund të jetë sfiduese për shkak të simptomave më të buta ose të maskuara, që i bëjnë ato më të vështira për t’u identifikuar. Mjekët që nuk janë të njohur me shenjat e autizmit në moshë madhore mund të mos i diagnostikojnë me saktësi, veçanërisht kur simptomat janë të lehta ose kur shfaqen edhe çështje të tjera, si ankthi.

    Megjithatë, diagnoza mund të sjellë përfitime të rëndësishme, duke përfshirë një shpjegim për sfidat që individët autikë përjetojnë, kuptim më të mirë nga familjarët dhe miqtë, si dhe mundësi për shërbime dhe përfitime shtesë. Për ata që e preferojnë, një diagnozë mund të hapë mundësi të reja për mbështetje dhe përparim në mjediset e punës dhe arsimore.

  • SHBA drejt zbulimit të shkaqeve të autizmit, Sekretari i Shëndetësisë pritet të raportojë deri në shtator

    SHBA drejt zbulimit të shkaqeve të autizmit, Sekretari i Shëndetësisë pritet të raportojë deri në shtator

    Shtetet e Bashkuara do të identifikojnë shkaqet e autizmit deri në shtator, tha të enjten Sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr., duke vendosur një afat specifik për t’i dhënë një përgjigje pyetjes që shkencëtarët nuk kanë arritur të sqarojnë për dekada.

    Shtetet e Bashkuara do të identifikojnë shkaqet e autizmit deri në shtator, tha të enjten Sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr., duke vendosur një afat specifik për t’i dhënë një përgjigje pyetjes që shkencëtarët nuk kanë arritur të sqarojnë për dekada.
    Diagnozat e autizmit në SHBA janë rritur ndjeshëm që nga viti 2000, duke rritur shqetësimin e publikut. Në vitin 2022, shkalla e autizmit te fëmijët 8-vjeçarë në SHBA arriti në 2.77% (1 në 36), krahasuar me 2.27% në 2018 dhe 0.66% në 2020, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
    “Do ta dimë deri në shtator”. “Ne kemi nisur një përpjekje masive testimi dhe kërkimi që përfshin qindra shkencëtarë nga e gjithë bota,” tha Kennedy gjatë një takimi të kabinetit ku mori pjesë edhe Presidenti i SHBA Donald Trump.
    Megjithëse detajet e planit nuk janë publikuar, Christine Roth, një drejtuese e Shoqatës së Autizmit të Amerikës, pyeti veten nëse do të ishte e mundur të kishte një përgjigje për pyetjen e shkaqeve të autizmit deri në shtator.
    Të quash rritjen e niveleve të autizmit një epidemi “është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe thellësisht shqetësuese”, tha Roth, duke shtuar se “inkurajon frikën dhe paranojën” dhe stigmatizon komunitetin autik.
    “Autizmi është një çrregullim i zhvillimit të përjetshëm që prek njerëzit në mënyra të ndryshme”, theksoi ajo.
    Trump në shkurt bëri thirrje për krijimin e komisionit “Making America Healthy Again”, i cili përfshin Kennedy dhe ministra të tjerë dhe është përgjegjës për shqyrtimin e një sërë çështjesh, nga normat e autizmit dhe astmës tek fëmijët deri te sasia e ilaçeve të përshkruara për ADHD (Çrregullim i Vëmendjes/Hiperaktivitetit) dhe çrregullime të tjera.
    “Duhet të ketë diçka artificiale atje që po e shkakton këtë,” i tha Trump Kenedit gjatë takimit të kabinetit. “Nuk do të ketë kurrë një konferencë më të madhe për shtyp se ajo që do të mbahet kur të gjeni këtë përgjigje”, shtoi ai.
    Shkencëtarët kanë kërkuar për dekada për faktorë gjenetikë dhe mjedisorë që mund të kontribuojnë në autizëm, por në shumicën e rasteve shkaqet mbeten të paqarta.
    Ata shpjegojnë gjithashtu se rritja e shkallës së autizmit tek fëmijët në SHBA shpjegohet me zgjerimin e termit për të përfshirë më shumë sjellje, si dhe norma më të larta të diagnozave dhe ndërgjegjësim më të madh publik për këtë çështje.
    Një studim i ri, i madh, rezultatet e të cilit u shpallën këtë javë, gjeti prova që lidhin diabetin gestacional me një rrezik në rritje të çrregullimeve të trurit dhe sistemit nervor tek fëmijët, përfshirë autizmin.
    Kennedy ka mbështetur prej kohësh teorinë e zhgënjyer shkencërisht se autizmi është i lidhur me vaksinën e fruthit.
    “Ne do të shikojmë vaksinat, do të shikojmë gjithçka. Gjithçka është në tryezë, ushqimi, uji, ajri, mënyra të ndryshme të rritjes së fëmijëve, të gjitha llojet e ndryshimeve që mund të kenë shkaktuar këtë epidemi,” tha sekretari amerikan i shëndetësisë për Fox News.

    Top Channel

  • Autizmi tek të Rriturit – Çfarë Duhet të Dini Rreth Simptomave dhe Diagnostikimit

    Autizmi tek të Rriturit – Çfarë Duhet të Dini Rreth Simptomave dhe Diagnostikimit

    Simptomat e autizmit tek të rriturit mund të shfaqen ndryshe nga fëmijët dhe shumë të rritur me kalimin e viteve kanë mësuar si të jetojnë me to.

    Çrregullimi i spektrit të autizmit (ASD) është një nga çrregullimet neurozhvillimore më të zakonshme.

    Në shumicën e rasteve, njerëzit autikë diagnostikohen në fëmijëri, zakonisht pas moshës 4 vjeçare.

    Megjithatë, disa të rritur autikë nuk diagnostikohen që në fëmijëri edhe nëse simptomat e tyre janë të rënda.

    Në këtë artikull, AgroWeb.org ju njeh me shenjat dhe simptomat e autizmit në moshë madhore dhe rëndësinë e marrjes së diagnozës.

    Shenjat dhe simptomat e autizmit tek të rriturit

    Shenjat dhe simptomat e zakonshme mund të përfshijnë :

    vështirësi në zhvillimin e bisedës

    vështirësi në krijimin ose mbajtjen e miqësive të ngushta

    parehati gjatë kontaktit me sy

    sfida me rregullimin e emocioneve

    interes ekstrem për një temë të caktuar

    monologë të shpeshtë për të njëjtën temë

    mbindjeshmëri ndaj tingujve ose aromave që duket se nuk shqetësojnë të tjerët

    vështirësi në të kuptuarit e sarkazmës ose idiomave

    mungesa e lakimit gjatë të folurit

    interesi i kufizuar vetëm për disa aktivitete

    probleme me leximin e emocioneve tek të tjerët

    vështirësi në të kuptuarit e shprehjeve të fytyrës dhe gjuhës së trupit

    vështirësi për t’u përshtatur me ndryshimin

    sjellje të përsëritura

    ankth social

    nevoja për të rregulluar artikujt në një rend të caktuar

    Njerëzit autikë zakonisht nuk i kanë të gjitha shenjat dhe simptomat e mësipërme.

    Ata mund të përjetojnë të tjera simptoma që nuk janë në listë. Simptomat ndryshojnë nga personi në person, por edhe sipas gjinive.

    Pse diagnoza mund të jetë sfiduese tek të rriturit

    Diagnoza e një të rrituri mund të jetë sfiduese për disa arsye:

    Simptomat mund të jenë më të buta dhe si rezultat më të vështira për t’u njohur.

    Ata mund të maskojnë shenjat dhe simptomat mjaft mirë.

    Hulumtimet tregojnë se një nga testet e zakonshme që diagnoztikon autizmin në moshë madhore, ADOS-2, mund të jetë i besueshëm. Por një mjek duhet të njohë simptomat e një personi në mënyrë që t’i referojë ata në testim.

    Shumë mjekë mund të mos jenë të njohur me shenjat e autizmit në moshë madhore. Veçanërisht nëse simptomat e pacientit nuk janë të rënda ose nëse pacienti ka edhe shqetësime të tjera, për shembull, ankth.

    Përfitimet e diagnozës

    Jo çdo i rritur autik i padiagnostikuar mund të dëshirojë ose të ketë nevojë për një diagnozë.

    Është e rëndësishme të respektohen nevojat dhe preferencat e individit.

    Për ata që e preferojnë atë, një diagnozë mund të ofrojë disa përparësi.

    Diagnoza mund të japë një shpjegim për sfidat që mund të përjetojë një individ autik.

    Mund t’u japë anëtarëve të familjes, miqve dhe kolegëve një kuptim më të mirë të autizmit.

    Mund të hapë akses në shërbime dhe përfitime, duke përfshirë në vendin e punës ose mjediset arsimore.

    Mund të zëvendësojë një diagnozë të gabuar./AgroWeb.org

  • Ekstrakti i kanabisit zbut simptomat e autizmit dhe përmirëson aftësitë shoqërore pa efekte anësore

    Ekstrakti i kanabisit zbut simptomat e autizmit dhe përmirëson aftësitë shoqërore pa efekte anësore

     Një studim i ri nga Universiteti i São Paulos sugjeron se ekstrakti i kanabisit me kanabidiol (CBD) mund të ndihmojë në përmirësimin e sjelljes dhe lehtësimin e simptomave të zakonshme te fëmijët dhe adoleshentët me çrregullim të spektrit të autizmit (ÇSA).

    “Përhapja globale e diagnozave të ASD-së te fëmijët dhe adoleshentët po rritet, por shumë nga trajtimet ekzistuese nuk janë efektive,” tha studiuesja kryesore, dr. Lara Branco. “Është premtuese të shohim efektin e ekstraktit të kanabisit me CBD te pjesëmarrësit në studim.”

    ASD është një term i gjerë që përfshin një sërë gjendjesh zhvillimore, të karakterizuara nga sjellje të përsëritura, vështirësi në komunikim dhe sfida në ndërveprimin shoqëror.

    Numri i diagnozave të autizmit në SHBA është rritur ndjeshëm vitet e fundit, me një shtim befasues prej 175% midis viteve 2011 dhe 2022, kryesisht për shkak të shtimit të rasteve te të rinjtë.

    Sot, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) vlerëson se rreth 1 në 36 fëmijë në SHBA ndodhet në spektrin e autizmit. Studimet tregojnë se problemet emocionale dhe të sjelljes janë më të zakonshme te të rinjtë me autizëm në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre neurotipikë, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e jetës së fëmijës dhe familjes së tij.

    “ASD-ja mund të jetë zhgënjyese për të gjithë të përfshirët, prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve me këtë çrregullim, mjekët që i trajtojnë dhe, sigurisht, vetë fëmijët dhe adoleshentët,” tha profesori Geert Dom, president i Shoqatës Europiane të Psikiatrisë.

    “Një pjesë e madhe e këtij zhgënjimi vjen nga vështirësia për të gjetur një opsion trajtimi që funksionon për të reduktuar simptomat,” theksoi ai.

    Këtu hyn CBD-ja, një përbërës natyral nga bima e kanabisit që ka tërhequr vëmendje për përfitimet e tij të mundshme shëndetësore.

    Ndryshe nga THC-ja, përbërësi psikoaktiv që shkakton efektin “euforik”, CBD-ja nuk ka efekte dehëse. Në të gjithë vendin, të 50 shtetet amerikane kanë ligje që e legalizojnë atë me shkallë të ndryshme kufizimi.

    Ndërkohë që studimet e mëparshme kanë lënë të kuptohet për potencialin e CBD-së në menaxhimin e simptomave të ASD-së, kërkimet gjithëpërfshirëse për efektivitetin dhe rreziqet e saj kanë qenë të kufizuara.

    Për të plotësuar këtë boshllëk, studiuesit kryen një meta-analizë të tri provave klinike që shqyrtonin përdorimin e ekstrakteve të CBD-së në trajtimin e 276 pjesëmarrësve të moshës 5 deri në 21 vjeç, 78% prej të cilëve ishin meshkuj.

    Ekipi zbuloi se ekstrakti i kanabisit me CBD përmirësoi përgjegjshmërinë shoqërore të pjesëmarrësve, uli sjelljet shqetësuese, lehtësoi ankthin dhe përmirësoi cilësinë e gjumit.

    Ajo që është më e rëndësishme, CBD-ja nuk shkaktoi më shumë efekte anësore në krahasim me placebo-n, çka sugjeron se ka një “profil të favorshëm sigurie”.

    “Këto gjetje mbështesin mundësinë e përfshirjes së ekstrakteve të kanabisit me CBD në planet e trajtimit të ASD-së,” thanë autorët e studimit.

    Megjithatë, ata vunë në dukje disa kufizime të meta-analizës së tyre, përfshirë numrin e vogël të studimeve dhe madhësitë e kufizuara të mostrave. Studiuesit theksuan nevojën për prova më të mëdha dhe më të fuqishme për të vlerësuar plotësisht sigurinë dhe efektivitetin e CBD-së.

    “Është kënaqësi të shohim rezultatet e kësaj meta-analize,” tha Dom. “Shpresojmë të shohim më shumë kërkime në këtë fushë në mënyrë që të afrohemi drejt një zgjidhjeje për këtë nevojë të paplotësuar brenda këtij komuniteti.” / Scitech Daily – Syri.net

  • Selia e PD ngjyroset blu në ditën e Autizmit, Berisha: Me paketën e dhembshurisë ofrojmë dinjitet

    Selia e PD ngjyroset blu në ditën e Autizmit, Berisha: Me paketën e dhembshurisë ofrojmë dinjitet

    Selia e PD-së është ngjyrosur blu në solidarizim me Ditën Ndërkombëtare të Autizmit. Sali Berisha thekson se PD do të nxjerrë mijëra familje nga harresa dhe indiferenca e keqqeverisjes së Ramës dhe do t’u vijë në ndihmë për ta përballuar me dinjitet, së bashku, luftën ndaj këtij fenomeni.
    Postimi i plotë

    Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, PD solidarizohet me të gjitha familjet që përballen çdo ditë me vështirësitë e kësaj sfide.
    PD zotohet se me ardhjen në pushtet, do të nxjerrë mijëra familje nga harresa dhe indiferenca e keqqeverisjes së Ramës dhe do t’u vijë në ndihmë për ta përballuar me dinjitet, së bashku, luftën ndaj këtij fenomeni.
    Me paketën e dhembshurisë, Partia Demokratike nuk ofron lëmoshë, por dinjitet!
    Në nder të kësaj dite dhe të përpjekjes së mijëra nënave, baballarëve e familjeve shqiptare, selia e PD është ngjyrosur sonte në blu.