Tag: australiane

  • Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16-vjeç në Australi, a do të ketë sukses?

    Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16-vjeç në Australi, a do të ketë sukses?

    Qeveria australiane ka vënë në fuqi një ndalim kombëtar që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të hapin llogari në platformat kryesore të mediave sociale, një reformë që kryeministri Anthony Albanese e ka quajtur “moment historik” dhe “arsye krenarie”.

    Kompanitë e teknologjisë do të përballen me gjoba të rënda nëse nuk ndërmarrin hapa të arsyeshëm për të ndaluar regjistrimin e të miturve.
    Ligji, i cili hyri në fuqi nga mesnata, zbatohet për rrjete të mëdha si Facebook, Instagram, Snapchat, Threads, TikTok, X, YouTube, Reddit, si dhe platformat e transmetimit Kick dhe Twitch.Megjithatë, aplikacionet e përshtatura për të mitur ose për përdorim arsimor, si YouTube Kids, Google Classroom dhe shërbimet e mesazheve si WhatsApp – mbeten të disponueshme për përdoruesit nën 16 vjeç.
    Kompanitë e mediave sociale kanë kundërshtuar masën duke paralajmëruar se ndalimi mund të jetë joefektiv dhe i vështirë për t’u zbatuar, pasi shumë të rinj mund të anashkalojnë sistemin duke përdorur të dhëna të rreme.
    Shembulli i 15-vjeçares Lulu, e cila arriti të krijojë një llogari të re pasi llogaritë e saj të vjetra u bllokuan për shkak të moshës, tregon sfidat praktike të kontrollit.
    Administrata australiane synon që deri në Krishtlindje të ketë një vlerësim të qartë të efektivitetit të ndalimit, përfshirë numrin e shkeljeve dhe masat që do të merren kundër kompanive që nuk respektojnë rregulloren.
    Sipas analistëve në Australi, vendet e tjera po e vëzhgojnë nga afër këtë politikë, e cila mund të shërbejë si model për mbrojtjen online të fëmijëve në mbarë botën.

    Top Channel

  • Pse Eminem paditi markën australiane të plazhit ‘Swim Shady’?

    Pse Eminem paditi markën australiane të plazhit ‘Swim Shady’?

    Reperi amerikan Eminem ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një kompanie australiane të veshjeve të plazhit të quajtur Swim Shady, duke thënë se emri i saj është shumë i ngjashëm me pseudonimin e tij të regjistruar si markë tregtare repi Slim Shady.
    Në shtator, Eminem emri i vërtetë i të cilit është Marshall B Mathers III – paraqiti një peticion në Zyrën e Patentave dhe Markave Tregtare të SHBA-së, duke kërkuar që ajo të anulojë një markë tregtare që i ishte dhënë kompanisë. Ligji amerikan kërkon që kompania t’i përgjigjet peticionit deri javën tjetër. Avokatët e reperit 53-vjeçar akuzuan markën me seli në Sydney për krijimin e një “shoqërimi të rremë” me Eminemin.
    Swim Shady i tha BBC-së në një deklaratë se do të “mbrojë pronën tonë të vlefshme intelektuale”.
    Emri i kompanisë u regjistrua në shtator 2023, sipas rregullatorit të biznesit të Australisë, fillimisht duke u lançuar nën emrin Slim Shade. Zyrtarisht u lançua në vitin 2024. Marka shet çadra plazhi portative, çanta noti dhe aksesorë të tjerë plazhi.
    Më herët këtë vit, marka paraqiti një kërkesë për regjistrim marke tregtare në SHBA për termin “Swim Shady”, e cila u miratua. Pak më vonë, ekipi i Eminem paraqiti një peticion për anulimin e markës tregtare.
    Eminem gjithashtu ka ngritur një padi kundër emrit të markës në Australi.
    “Swim Shady është një kompani australiane me origjinë nga baza që lindi nga dëshira për të prodhuar syze dielli elegante dhe efektive, si dhe artikuj të tjerë për t’u mbrojtur nga dielli i ashpër australian”, tha kompania, duke shtuar se nuk mund të komentonte më tej për shkak të çështjes ligjore në vazhdim.
    Dokumentet e gjykatës tregojnë se Eminem e regjistroi emrin Slim Shady si markë tregtare në SHBA në vitin 1999 me publikimin e albumit me të njëjtin emër. Megjithatë, ai paraqiti një kërkesë për markë tregtare për emrin Slim Shady në Australi vetëm në janar 2025.
    Eminem u bë i famshëm në vitin 2000 me publikimin e këngës së tij hit “The Real Slim Shady”, e cila i fitoi një çmim Grammy për performancën më të mirë solo repi. Avokatët e tij thanë se emri është bërë “i veçantë dhe i famshëm” dhe është i lidhur ekskluzivisht me karrierën e tij në rep.
    Firma e specializuar në ligjin e pronësisë intelektuale Meyer West IP me seli në Sidnei është e listuar si përfaqësuese ligjore e Swim Shady.
    Vitin e kaluar, një gjykatë australiane rrëzoi një vendim të mëparshëm që thoshte se ylli amerikan i muzikës pop Katy Perry kishte shkelur markën tregtare të stilistes australiane Katie Perry. Stilistja australiane shiste rroba nën emrin e saj të lindjes dhe e kishte akuzuar këngëtaren e “California Girls” për shkelje të markës tregtare kur ajo shiti mallra gjatë turneut të saj australian në vitin 2014.
    Katie Perry e krahasoi përplasjen ligjore të asaj kohe me një përballje midis Davidit dhe Goliathit.

  • Arrestohet fallxhorja, kishte fituar 40 milionë euro, i mashtronte klientet se do gjenin burrë të pasur

    Arrestohet fallxhorja, kishte fituar 40 milionë euro, i mashtronte klientet se do gjenin burrë të pasur

    Një grua 53-vjeçare, e cila hiqej si fallxhore dhe mashtronte viktimat e saj duke arritur që të përfitojë rreth 40 milionë euro, është arrestuar nga autoritetet australiane.
    53-vjeçarja u arrestua të mërkurën në periferi të Sidneit, Dover Heights, së bashku me vajzën e saj 25-vjeçare, e cila u paraqit si mësuese e feng-shui.
    Ajo dyshohet se i bindi viktimat e saj, kryesisht gra vietnameze të cenueshme të merrnin kredi, duke mbajtur një pjesë për vete dhe duke u thënë atyre se parashikonte një “miliarder” në të ardhmen e tyre.
    Mbi 53-vjeçaren rëndojnë 39 akuza, duke përfshirë drejtimin e një organizate kriminale dhe marrjen e përfitimeve financiare me anë të mashtrimit. Ndaj vajzës së saj rëndojnë shtatë akuza duke përfshirë administrimin e të ardhurave nga krimi dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.

    Gjatë arrestimit në rezidencën multi-milion dollarëshe, policia sekuestroi dokumente, telefona celularë, çanta luksoze, një shufër ari 40 gramëshe me vlerë 10,000 dollarë australianë dhe 6,600 dollarë australianë në çipa kazinoje.
    Autoritetet thanë se 53-vjeçarja u paraqit si një anëtare e shquar e komunitetit të saj dhe si një “fallxhore”, u jepte këshilla klientëve, disa prej të cilëve i thanë se po përballeshin me vështirësi financiare.

    Sipas një hetimi nga Sydney Morning Herald, nëna dhe vajza janë të lidhura me të ashtuquajturën “Penthouse Syndicate”, një organizatë kriminale që mashtroi bankat kryesore australiane me 250 milionë dollarë australianë, me ndihmën e punonjësve të bankave që miratuan kredi për të ndihmuar në blerjen e pronave të shumta në Sydney.

  • Australia ndalon mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç

    Australia ndalon mediat sociale për fëmijët nën 16-vjeç

    Qeveria australiane, po përgatitet të zbatojë një nga masat më të rrepta në botë kundër përdorimit të mediave sociale nga të miturit.
    Duke filluar nga 10 dhjetori 2025, fëmijëve nën moshën 16-vjeç do t’u ndalohet të hapin ose të kenë llogari në platforma të mëdha si “Facebook”, “Instagram”, “TikTok”, “Snapchat”, X dhe “YouTube”.

    Kjo do të jetë hera e parë që një vend ndërmerr një ndalim të tillë, në shkallë kombëtare për këtë grupmoshë.

    Ligji i ri detyron kompanitë e mediave sociale të marrin “masa të arsyeshme” për të verifikuar moshën e përdoruesve dhe për të parandaluar qasjen e fëmijëve nën 16-vjeç.

    Nëse kompanitë nuk e respektojnë ligjin, ato mund të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 28 milionë euro).
    Qeveria australiane, ka nisur një fushatë informuese për të përgatitur prindërit dhe fëmijët para hyrjes në fuqi të rregullave të reja.
    Ministrja australiane e Komunikimeve, Anika Wells, deklaroi se qëllimi kryesor është t’u rikthehet fëmijëve një fëmijëri më e shëndetshme dhe të sigurohen që të rinjtë të kenë kohë të zhvillojnë identitetin e tyre pa ndërhyrje nga platformat digjitale.
    Ajo theksoi se; “duam që fëmijët të kenë fëmijëri” dhe “prindërit të kenë qetësi shpirtërore”.
    Vendimi i Australisë po ndiqet me vëmendje nga vende të tjera që shqetësohen për ndikimin e mediave sociale tek fëmijët.
    Ambasadorja e Danimarkës në Australi, Ingrid Dahl-Madsen, tha se vendi i saj po e vëzhgon me interes qasjen australiane dhe planifikon ta përdorë presidencën e saj aktuale në Këshillin e Bashkimit Evropian për të shtyrë përpara agjendën e mbrojtjes së fëmijëve në nivel evropian.
    Danimarka ka propozuar kufirin e moshës 15-vjeç dhe po shqyrton përjashtime tatimore për prindërit që ndihmojnë fëmijët e tyre 13–14 vjeç të qëndrojnë larg mediave sociale.
    Megjithatë, ligji australian nuk është pritur pa kundërshti. Mbi 140 akademikë australianë dhe ndërkombëtarë nënshkruan një letër të hapur kundër kufizimeve të moshës, duke i quajtur ato një “instrument shumë i dobët” për adresimin efektiv të rreziqeve të mediave sociale. Ata argumentojnë se një ndalim i tillë mund të ketë pasoja të padëshiruara, përfshirë izolimin social dhe kufizimin e qasjes në përmbajtje edukative.
    Pavarësisht kritikave, ligji është miratuar me mbështetje të gjerë politike dhe publike, dhe platformat kanë pasur një vit në dispozicion për të zhvilluar mjete të përshtatshme për verifikimin e moshës, edhe pse aktualisht nuk ekziston një teknologji 100% e saktë për këtë qëllim.
    Komisionerja e Sigurisë Elektronike të Australisë, Julie Inman Grant, e përshkroi këtë lëvizje si “një ngjarje monumentale” që do të ndikojë thellësisht tek të rinjtë.
    Ajo theksoi nevojën për tranzicion të kujdesshëm dhe mbështetës, duke i ndihmuar fëmijët të arkivojnë kujtimet digjitale, të ruajnë kontaktin me miqtë dhe të kenë akses në ndihmë për shëndetin mendor nëse ndihen të izoluar.
    Qeveria dhe agjencitë përkatëse kanë ofruar udhëzime praktike për prindërit, përfshirë mënyra alternative për të ndjekur përmbajtje online jashtë mediave sociale, në përpjekje për të minimizuar ndikimet negative të ndryshimeve të pritshme.
    Në fund, kjo nismë e Australisë mund të shërbejë si një eksperiment global për mënyrën se si vendet mund të mbrojnë të rinjtë në një epokë digjitale gjithnjë e më dominuese dhe komplekse.

  • Një grua nga Australia bën 733 ‘pull-up’ në një orë

    Një grua nga Australia bën 733 ‘pull-up’ në një orë

    Një bodibildere australiane theu një rekordin botëror Guinness që kishte qëndruar për gati një dekadë, kur ajo përfundoi 733 ‘pull-up’ në një orë.

    Jade Henderson, 32 vjeç, mesatarisht bëri më shumë se 12 ‘pull-up’ në minutë për të thyer rekordin prej 725 që u vendos nga bashkëkombësja australiane Eva Clarke në vitin 2016.

    ‘Vendosa të filloja stërvitjen për rekordin botëror të tërheqjes sepse më pëlqente ideja e të bërit diçka që askush tjetër nuk e ka bërë ndonjëherë. Doja gjithashtu të shihja se çfarë ishin fizikisht të aftë mendja dhe trupi im’, tha Henderson për Guinness World Records.

    Atletja tha se fillimisht planifikoi të tentonte versionin 24-orësh të rekordit, por një dëmtim gjatë stërvitjes e bëri të ndryshonte planet e saj.

    ‘Bëra 3,500 ‘pull-up’ në 12 orë dhe këputa bicepsin. Pata një këputje të pjesshme të tendinit dhe muskulit të bicepsit. Më duhej ta pushoja krahun për rreth gjashtë javë para se të isha në gjendje të bëja përsëri’, tha ajo.

    Henderson vendosi për rekordin prej një ore për të parandaluar lëndime të mëtejshme.

    ‘Nuk kisha një numër të caktuar që do të synoja. E dija që do të ishte e vështirë të thyeja rekordin e mëparshëm prej 725, kështu që synoja vetëm të bëja disa përsëritje më shumë se kaq’, tha ajo.

  • U pushua padrejtësisht nga puna pas një postimi për Gazën, gazetarja shpërblehet me 150 mijë dollarë australianë

    U pushua padrejtësisht nga puna pas një postimi për Gazën, gazetarja shpërblehet me 150 mijë dollarë australianë

    Gjykata Federale australiane ka urdhëruar Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) të paguajë 150 mijë dollarë australianë si dëmshpërblim për shkarkimin e padrejtë të prezantueses Antoinette Lattouf, e cila u largua nga puna për një postim në rrjetet sociale mbi luftën në Gaza.

    Lattouf u angazhua për një periudhë njëjavore në programin “Mëngjeset” të “ABC Radio Sydney” në dhjetor 2023, por pas vetëm tre transmetimesh iu kërkua të largohej.
    ABC argumentoi në gjyq se gazetarja ishte udhëzuar të mos komentonte mbi luftën në rrjete sociale, por gjyqtari Darryl Rangiah konstatoi se një udhëzim i tillë nuk i ishte dhënë kurrë.
    Fillimisht, gazetarja u shpërblye me 70 mijë dollarë australianë, por gjykata vendosi të mërkurën një shumë shtesë, duke e çuar totalin në 150 mijë, vlerë që sipas gjyqtarit ishte e nevojshme që ABC të nxirrte mësim nga rasti dhe e cila duhet t’i dorëzohet asaj brenda 28 ditëve.
    “ABC e zhgënjeu publikun australian kur braktisi të drejtat e punonjësve të saj për të qetësuar një grup lobimi,” tha gjyqtari.
    Transmetuesi kombëtar i ka kërkuar falje publikisht Lattouf, duke pranuar se ka zhgënjyer stafin dhe audiencën e tij. Shkarkimi shkaktoi zemërim të gjerë publik, ngriti pikëpyetje mbi pavarësinë editoriale të ABC-së dhe solli shqetësime mbi mbështetjen për punonjësit me prejardhje kulturore

    Top Channel

  • Nënë Tereza e supermarketeve australiane

    Nënë Tereza e supermarketeve australiane

    Foto nga postimet ne Tik Tok

    AUSTRALI- Siç ka thënë dikur Maya Angelou: “Një hero është çdo person që ka vërtet qëllim ta bëjë këtë botë më të mirë për të gjithë njerëzit”. Kur e tha këtë, mund të them vetëm se mendja shkon tek Tennilles_deals, TikTokerja dhe mikro-influencuesja australiane.
    Kush është saktësisht Tennilles_deals? Së pari, ajo është Nënë Tereza e supermarketeve në Australi. Së dyti, nuk dihet shumë për jetën e saj personale sepse kjo zonjë e zgjuar nuk e promovon veten si influencuesit e zakonshëm. Ajo i lë veprat e saj të flasin vetë.
    Çfarë veprash? Video javore në stil POV (këndvështrim), ku Tennille shfaqet duke ecur nëpër supermarketet kryesore për të treguar ofertat e javës. Zëri i saj qetësues dhe duart e sigurta të udhëheqin mes detit të etiketave të verdha të çmimeve. Është një punë e detajuar, e kujdesshme dhe e nevojshme.
    Një turp i vogël që kam pasur dikur është se çdo të hënë në orën 17:00 prisja me padurim katalogët e Coles dhe Woolworths. E mërkura ishte edhe më speciale: dita e katalogut të Aldi, dhe asgjë nuk mund të krahasohej me ndjesinë e një snack-u europian të rrallë ose një mjeti të ri pastrimi me 75% zbritje.
    Shfletoj katalogët e supermarketit me të njëjtin emocion që kisha si fëmijë duke lexuar katalogun e Royal Easter Show showbag, duke vrapuar gishti mbi çdo lollipop të listuar në Mega Sumo Bag prej 15 dollarësh. Një katalog supermarketi ofron të njëjtin thrill: pritshmërinë se çfarë mund të bëhet e juaja së shpejti.
    Por ditët e katalogëve prej letre kanë mbaruar. Kjo është arsyeja pse Tennilles_deals ka rëndësi kaq të madhe: ajo na jep video të shkurtra, tre-minutëshe, që ofrojnë një pamje 360° të çdo produkti. Është një katalog që ecën dhe flet. Në këtë duopol të Woolies dhe Coles, ajo na mbron dhe na udhëheq nëpër çdo rrugicë. Ajo është nëna jonë. Ne jemi fëmijët e saj.
    Dhe nuk jam i vetmi që e admiroj. Nuk është çudi që Tennilles_deals ka grumbulluar pothuajse 100,000 ndjekës. Ajo u jep njerëzve diçka që supermarketet e mëdha nuk mund ta japin: një prekje personale; një hapësirë ku australianët me buxhet të kufizuar mund të ankohen për çmimet e larta.
    Një nga videot e saj për çmimin e vajit ekstra të virgjër nis një debat në komente. Kerry nga Tamworth thotë se kujton kur ishte vetëm 7 dollarë; ne e duam reagimin e Kerry për solidaritet. Barry nga Wagga Wagga shpreh zemërim për ofertën e bllokut të çokollatës Cadbury: dy për 10 dollarë është absurde. Kjo krijon një ndjesi komuniteti dhe solidariteti mes ndjekësve.
    Çfarë bën Tennilles_deals është ndërtimi i një komuniteti. “Australiane e vitit”, shkruan një përdorues nën postimin e saj “Artikuj Woolworths me gjysmë çmimi këtë javë 29/7/25” – dhe unë nuk do të mund të reagoj më shpejt me tre emoji zjarr.
    Për fat të keq, nominimet për Australian of the Year 2026 janë të mbyllura, kështu që mënyra ime për të treguar respektin është ky shkrim publik. Vazhdo punën e Zotit, Tennille. Njerëzit të duan dhe të kanë nevojë. Ti je e vërteta e madhe./Përktheu nga The Guardian: ZËRI

  • Evropianët, dyndje në minierat australiane të tërhequr nga aventura FIFO

    Evropianët, dyndje në minierat australiane të tërhequr nga aventura FIFO

    Gjithnjë e më shumë të rinj evropianë po zbulojnë një mënyrë të papritur për të fituar para të shpejta – duke punuar në minierat australiane, të njohura si FIFO (fluturim, fluturim). Me viza pune të përkohshme, ata gjejnë punë si pastrues, shoferë kamionësh ose staf mbështetës në kampe të largëta, ku kalojnë javë të tëra në shkretëtirë përpara se punëdhënësit e tyre t’i kthejnë me avion në Perth për pushime.
    Pagat tërheqëse, akomodimi dhe ushqimi i përfshirë në kontrata e kanë bërë këtë formë pune një trend viral midis udhëtarëve të rinj dhe çanta shpine.
    Një nga influencueset më të famshme të FIFO është belgeja Janne D’Huyvetter, e cila u bë yll i trendit në vitin 2023 pasi postoi video në TikTok të jetës së saj në një kamp minierash. Videot e saj kanë frymëzuar shumë të rinj të tjerë evropianë që të provojnë të punojnë në kampe të largëta minerare.
    Statistikat konfirmojnë rritjen e interesit: në 12 muajt deri në qershor 2024, u lëshuan 1,414 viza pune “të vitit të dytë” për të huajt e punësuar në sektorin e minierave, krahasuar me më pak se 500 një vit më parë. Shumica e aplikantëve vijnë nga Evropa.
    Pagat në disa pozicione në miniera kalojnë 100,000 dollarë australianë në vit, dhe akomodimi, ushqimi dhe transporti përfshihen në kontratë, duke u lejuar punëtorëve të kursejnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre. Shumë i shohin ato si një mundësi për të financuar një udhëtim në Bali, Azinë Juglindore ose për t’u kthyer në shtëpi më të sigurt.
    Por puna në shkretëtirë nuk është e lehtë – përfshin turne të gjata, punë fizikisht të vështirë dhe izolim nga jeta e qytetit. Punëtorët me përvojë paralajmërojnë se konkurrenca po rritet dhe nuk është e lehtë të gjesh një punë pa rekomandime dhe një CV cilësore. Gjithashtu, hulumtimet kanë zbuluar raste të ngacmimit seksual në disa kampe minierash, dhe “udhëzuesit e shpejtë” të punës që shiten në internet shpesh janë mashtrime.
    Pavarësisht sfidave, FIFO vazhdon të tërheqë evropianë të rinj, të cilët e shohin atë si një mundësi të përkohshme për të fituar, përjetuar dhe udhëtuar lirisht. Sipas punëtorëve, mundi ia vlen, pasi disa muaj punë në kushte ekstreme mund të ofrojnë kursime që mundësojnë një stil jetese që shumë në Evropë vetëm mund ta ëndërrojnë. /tesheshi.com/
     
     
     
     

  • Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, Australia tërheq stafin diplomatik nga Irani

    Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme, Australia tërheq stafin diplomatik nga Irani

    Qeveria australiane ka njoftuar pezullimin e operacioneve të ambasadës së saj në Teheran, duke përmendur një “mjedis sigurie në përkeqësim”.

    Që nga e premtja, 13 qershor, Izraeli ka kryer sulme ajrore gjithëpërfshirëse ndaj Iranit, duke i cilësuar si operacione “parandaluese” për të shmangur zhvillimin e mundshëm të armëve bërthamore nga ana e Iranit. Teherani, i cili për dekada ka mohuar se synon të ndërtojë armë bërthamore, është përgjigjur me një breshëri raketash dhe dronësh.
    “Qeveria australiane ka udhëzuar të gjithë diplomatët australianë dhe anëtarët e familjeve të tyre të largohen (…) për shkak të përkeqësimit të mjedisit të sigurisë në Iran”, deklaroi Ministrja e Jashtme, Penny Wong.
    Stafi konsullor është zhvendosur në Azerbajxhanin fqinj, veçanërisht në pikat kufitare, për të ndihmuar qytetarët australianë që kërkojnë të largohen nga Irani, shtoi znj. Wong.
    “Ne mbetemi në kontakt të ngushtë me vendet partnere. Në këtë fazë, aftësia jonë për të ofruar shërbime konsullore është jashtëzakonisht e kufizuar për shkak të situatës në terren. Hapësira ajrore mbetet e mbyllur”, u shpreh ajo.
    Ambasadori i Australisë në Iran, Ian McConville, do të qëndrojë në rajon për të koordinuar reagimin e vendit, sipas Ministrisë së Jashtme.
    Sipas të dhënave zyrtare nga Canberra, mbi 1,500 qytetarë australianë dhe të afërm të tyre që ndodhen në Iran kanë kërkuar ndihmë për t’u larguar nga Republika Islamike.

    Top Channel

  • Gazetarja australiane qëllohet me plumb gome teksa raporton për protestat e Los Anxhelos

    Gazetarja australiane qëllohet me plumb gome teksa raporton për protestat e Los Anxhelos

    Një gazetare australiane u qëllua mer plumb gome ndërsa po raportonte live protestat në Los Angeles të dielën e 8 qeshorit.

    Gazetarja e Channel Nine, Lauren Tomasi duket në video kur në një moment që raportonte ajo goditet në këmbë.

    Një punonjës i forcave të rendit shihet teksa kthehet nga gazetarja dhe qëllon me armë. Protestat e së dielës në Los Anxhelos, një qytet me 4 milionë banorë, u përqendruan në disa blloqe në qendër të qytetit.

    Kjo ishte dita e tretë dhe më e ashpër e demonstratave kundër vendimit të Trumpit për luftimin e imigracionit në rajon, ndërsa vendosja e 300 trupave të Gardës Kombëtare shkaktoi zemërim dhe frikë te shumë banorë.