E paprecedente/ Pas raportit Xhafaj shantazhon KLSH-në: Do t’u vijmë për kontroll
Në fjalën e tij, deputeti Fatmir Xhafaj kërcenoi publikisht Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi kreu i saj rendi një sëre shkeljesh e abuzimesh nga mazhoranca socialiste. Pas raportimit Xhafaj kërcënoi se mazhoranca do të nisë punën për kontrollin e kontrollorit, një shantazh i hapur ndaj një institucioni të pavarur public.
Kreu i KLSH paraqiti një panoramë të detajuar të punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke u bazuar në raportin vjetor të këtij institucioni. Nga njëra anë, u vlerësua pozitivisht avancimi i KLSH-së në drejtim të auditimeve në sektorë strategjikë dhe me risk të lartë, si prokurimet publike, investimet infrastrukturore dhe menaxhimi i pasurisë shtetërore. Ky fokus tregon një përpjekje për të adresuar fushat ku keqpërdorimi i fondeve publike mund të jetë më i madh.
Megjithatë, ky progres u vu në hije nga një problem thelbësor: niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve. Fakti që vetëm rreth 60% e subjekteve të audituara marrin masa korrigjuese tregon një mungesë serioze të llogaridhënies në administratën publike, duke e bërë punën e KLSH-së pjesërisht të paefektshme. Për këtë arsye, u theksua domosdoshmëria e përkufizimit të qartë të ‘dëmit efektiv financiar’ për të standartizuar vlerësimet dhe për të rritur ndikimin e auditimeve
Gjithashtu, kritika iu drejtua edhe vetë performancës së brendshme të institucionit, duke përmendur vonesat në procesin e raportimit dhe çështjet e menaxhimit të stafit që prekin profesionalizmin dhe efikasitetin. Kjo analizë nxjerr në pah nevojën urgjente jo vetëm për forcimin e rolit të KLSH-së, por edhe për një mbikëqyrje më të fortë parlamentare që të garantojë se vetë ‘kontrollori’ funksionon sipas standardeve më të larta.
Fatmir Xhafaj: Është kjo mazhorancë e kësaj qeverie që i ka dhënë këtij institucioni, punonjësve të tij, gjithë mbështetjen e nevojshme të kryejë detyrën me përgjegjësi, llogaridhënie dhe profesionalizëm.
Raporti i prezantuar tregon një realitet kompleks, një institucion që ka avancuar në disa drejtime pozitivisht, por që ende ka rrugëtim për të përmbushur potencialin e vet të plotë kushtetues.
Gjatë diskutimeve të zhvilluara për raportin vjetor të KLSH-së në mbledhjen e përbashkët me komisionin e ekonomisë, u vlerësua rritja e auditimeve në sektor me risk të lartë fiskal, prokurimet publike, investimet infrastrukturore, shërbimet publike dhe menaxhimi i pasurisë shtetërore, si dhe zgjerimi i auditimeve të performancës me qëllimin e vlerësimit të ndikimit të shpenzimeve publike në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ashtu siç mbetet një tjetër shqetësim i raportuar, ai që lidhet me përcaktimin e kritereve mbi vjetërsinë, lëvizjet në detyrë, shpërndarjen e ngarkesës së punës e të tjera të tilla, që cënojnë profesionalizmin, motivimin dhe qëndrueshmërinë në punë të stafit të institucionit.
Gjithashtu në gjykimin tim, mbetet prioritet çështjet e integritetit dhe etikës së punonjësve, dhe veçanërisht të audituesve në ushtrimin e detyrës, si dhe për më shumë efikasitet, transparencë dhe profesionalizëm në rolin kontrollues të KLSH-së.
Sot, u abuzua këtu me shembullin e një punonjësi të KLSH-së, gjë që nuk është fare e vërtetë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk auditon personat, as funksionet, por institucionet.Dhe kjo është parimore.Kuvendi ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe ligjore për mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Ngritja e nënkomisionit për auditimin e sektorit publik brenda Komisionit të Ekonomisë do të jetë një mekanizëm i domosdoshëm për të rritur llogaridhënien e KLSH-së dhe për t’iu përgjigjur pozitivisht pyetjes themelore të çdo sistemi kontrolli: kush kontrollon kontrollorin?
Tag: auditimeve
-

E paprecedente/ Pas raportit Xhafaj shantazhon KLSH-në: Do t’u vijmë për kontroll
-

Kreu i KLSH plas “bombën”, akuzon Edi Ramën se ka terrorizuar audituesit, miliona euro grabitje me koncesionet
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, ka bërë dje një deklaratë të fortë (bombë) në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, duke zbuluar se një nga punonjësit e institucionit që ai drejton ishte përballur me frikë pas një auditimi të lidhur me kryeministrin. Shehu theksoi se për natyrën e punës që bën KLSH, mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për të garantuar integritetin dhe pavarësinë e auditimeve. “Kur e kam marrë detyrën, jam hasur që në momentet e para me shqetësimin e një audituesi për punën audituese. Ka qenë pjesë e stafit auditues në Ministrinë e Jashtme, që në atë periudhë drejtohej nga zv/ministri z. Gent Caka. Ai më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet dhe konstatimet tek ministri.
Më pas më tha se shqetësimi nuk ishte për Gent Cakajn, por për faktin se nuk mund t’ia transmetonte ato Kryeministrit, pasi ai ishte autoriteti drejtues në Ministrinë e Jashtme”, deklaroi Arben Shehu. Shehu kujtoi se rasti daton në periudhën e qeverisë “Rama 2”, kur Ilir Meta, në rolin e Presidentit, refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm dhe Kryeministri Rama mori vetë kompetencat e ministrit, të cilat më pas i delegoi Cakajt. Në atë kohë, sipas Shehut, punonjësi kishte shprehur frikë se auditimi i Kryeministrit mund t’i sillte pasoja personale. “Për shkak të situatave që pasuan, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për rrethanat e largimit jam i gatshëm t’ju vë në dispozicion të gjitha praktikat.
Në një letër që më ka drejtuar, ai ka shkruar se do t’iu kërkojë institucioneve ndërkombëtare që mua, si Kryetar i KLSH, të më jepet suporti i duhur për të audituar punën e Kryeministrit të Republikës, sepse ai vetë nuk kishte mundësi për shkak të frikës”, tregoi Shehu. Duke iu drejtuar deputetëve të Komisionit, kreu i KLSH-së nënvizoi se situata të tilla tregojnë nevojën për garanci ndërkombëtare ndaj pavarësisë së auditimeve shtetërore. “Tani, çfarë duhet të bëj në këto situata? Këto janë raste konkrete. Unë i fus veten tek ata individë që në radhë të parë i frikësohen Zotit dhe zbatimit të ligjit. Deri në minutën e fundit që do të jem në detyrë, do të drejtoj KLSH me korrektesën më maksimale. Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe përballem në çdo moment”, u shpreh Arben Shehu.
Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese!
Më tej kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ngriti dje shqetësimin në Kuvend se Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim. Kreu i KLSH-së nuk përmendi me emra se cilat janë këto institucione publike. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim. “Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim”, tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, teksa shtoi se ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje. I pyetur nga deputetët e opozitës se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore. Shehu tha se ligji është i qartë, por ai nuk zbatohet dhe për këtë theksoi se KLSH-ja do të drejtohej në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve. “Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së.
Problematikat
Ndërkohë z. Shehu renditi edhe disa nga problematikat e identifikuara gjatë 159 auditimeve të kryera gjatë vitit të kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që janë shoqëruar me masa, e deri 13 kallëzime penale. Ato janë keqmenaxhim i të ardhurave, shpenzime jo efektive, mungesë regjistrimi të pasurive të paluajtshme, rrezik për tjetërsim pronash, largime të padrejta nga puna mos-monitorim i koncesioneve dhe probleme në konkurrencën nëpër tendera. Madje, kryetari i KLSH, Arben Shehu tha se situata më problematike është në shëndetësi. Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio-mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve.
Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë. Përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme”, tha Shehu. Ndërkohë për koncesionet në shëndetësi tha se shpesh pagesat janë bërë edhe pa shërbime. “Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, tha Shehu. Deputeti socialist Braçe kërkoi një auditim për 3 koncesionet në shëndetësi, për shërbimet dhe investimet që kanë bërë, por kreu i KLSH-së, kërkoi tashmë një analizë e plotë shtetërore. Po ashtu Kreu i KLSH-së tha se probleme janë evidentuar edhe në disa bashki të vendit sidomos me detyrimet e prapambetura.
“Në disa bashki është konstatuar mungesë evidencash mbi detyrimet e prapambetura, mosllogaritje e kamatëvonesave, si dhe mosregjistrim i detyrimeve të njohura me vendim gjykate. Kjo krijon jo vetëm pasaktësi në pasqyrat financiare, por edhe rrezik real për rritje të detyrimeve në të ardhmen dhe përballje me penalitete të pajustifikueshme, si kosto shtesë buxhetore”, theksoi Shehu. Institucionet qendrore e vendore tha Shehu vijojnë me problemin e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve. “U identifikuan problematika në administrimin e burimeve njerëzore kryesisht me largimet e padrejta nga puna”, nënvizoi ai. Nga ana tjetër, përtej shëndetësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit po kryen auditime të thelluara për kompaninë Bankers Petroleum, sa i takon shlyerjes së detyrimeve dhe investimeve të bëra ndër vite prej saj, si dhe po auditohet koncesioni Thumanë Kashar, me ndihmë edhe të ndërkombëtarëve. -

BIRN/ Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese
Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit pengohen nga institucionet publike për të aksesuar databazën e të dhënave të tyre për auditim, u ankua të mërkurën në Kuvend kryetari i i këtij institucioni, Arben Shehu, por pa pëmendur me emër këto institucione publike.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të deputetëve për zgjatjen tej afateve ligjore të auditimeve, Shehu tha se kjo zgjatje nuk vinte për faj të të audituesve, por të institucioneve nën auditim.
“Kemi auditime në proces dhe nuk mund ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit të institucionit që është në auditim,” tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë, duke e shtuar se “ky është bllokim i procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje”.
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, pyeti se çfarë zgjidhje sugjeronte Shehu për të adresuar problemin dhe a kishte diçka që mund të bënte Kuvendi ndaj zyrtarëve shtetërorë që të mos shmangin përgjegjësinë ligjore.
“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së, duke lajmëruar komisionin se do të drejtohej në në rrugë institucionale për raste konkrete të pengimit të punës së audituesve.
Ndërkohë, Shehu adresoi edhe ankesa të punonjësve dhe ish-punonjësve të të KLSH-së se ishin gjendur para pamundësisë për të audituar punën e kryeminisrit, dhe iu referua një letër-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej sipas tij, “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditonte punën e kryeministrit”.
Edhe pse kryetarja e komisionit, Milva Ikonomi pohoi adresimin e këtij shqetësimi nga punonjësit e KLSH-së, ajo kërkoi që çështja të trajtohej në një mbledhje tjetër dhe mbledhja të fokusohej tek raportimi i KLSH për punën e tij gjatë vitit 2024.
Shehu kërkoi që komunikimi mes institucionit të pavarur që ai drejton dhe Kuvendit të ishte i vazhdueshëm për të adresuar problematikat, duke iu referuar si një përvoje të mirë në këtë drejtim lidhur me një nënkomision të posaçëm që u ngrit në legjislaturën e shkuar për të adresuar zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së nga administrata publike.
Duke paraqitur një ekspoze të përgjithshme të auditimeve për vitin 2024, Shehu tha se ishin kryer 159 auditime në të gjitha hallkat e qeverisjes. Ai tha se për shkeljet e evidentuara, KLSH kishte bërë 13 kallëzime penale dhe 4378 rekomandime për masa disiplinore, administrative dhe financiare.
Pyetjet e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës u fokusuan tek çështje të veçanta, kryesisht në lidhje me auditimet e kontratave koncensionare. Për shumicën e çështjeve, Shehu tha se ishin në proces auditimi dhe sugjeroi që të rezultatet e tyre të diskutoheshin në seanca të posaçme me kërkesë të Kuvendit./BIRN